Kryeministri Edi Rama ishte sot në Sukth, Katund të Ri. Kjo është një zonë e prekur nga reshjet e forta të shiut në dy ditët e fundit. Gjatë natës së mbrëmshme, Emergjenca Civile, pushteti vendor dhe Forcat e Armatosura kanë evakuuar mbi 80 familje, një pjesë e të cilëve janë strehuar tashmë në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Evakuimi është bërë me mjete lundruese, si dhe nga ajri me helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes. Qëllimi dhe detyra parësore e të gjitha strukturave të angazhuara në terren është jeta e qytetarëve, mbështetja e çdo nevoje të tyre dhe lehtësimi i gjendjes. Ndërkohë ka nisur edhe shpërndarja e ndihmës ushqimore familjeve të prekura nga përmbytjet.
“Kemi evakuuar 80 familje në Shijak dhe Sukth. Janë angazhuar të gjitha strukturat operacionale. Gjatë gjithë natës janë evakuuar gjithsej 250 familje, në të gjithë vendin, aktualisht situata është drejt përmirësimit, për shkak edhe të uljes së intensitetit të reshjeve,” informoi Shemsi Premçi, Drejtori i Emergjencës Civile.
Falë mobilizimit maksimal, ndërhyrja e strukturave të emergjencës ka qenë e menjëhershme, siç e dëshmojnë edhe vetë banorët, çka ka bërë që situata të jetë nën monitorim dhe kontroll minutë pas minute. “Ndihma e strukturave të shtetit ishte menjëherë sapo lajmëruam,” i thanë banorët Kryeministrit.
“Kjo është dukuri që nuk e ndalojmë. Këtu kalon hekurudha dhe këtu është autostrada dhe është krijuar hinkë. Kur janë bërë punimet e autostradës, kanë spostuar kanalin. S’do kishim problem sot, por punimet u bënë sipas interesit dhe është vënë një tub me 50 diametri që nuk e përballon rreshjen. Gjithë problemi është këtu. Strukturat e shtetit janë në rregull, kanë punuar, s’kemi ç’themi” u shpreh një banor i Katundit të ri të Sukthit.
Kryeministri siguroi banorët se mbështetja e të gjitha strukturave të shtetit do të vazhdojë të jetë maksimale, por apeloi që edhe ata vetë të marrin masa për mbrojtjen e biznesit dhe banesave të tyre, duke i siguruar ato.
“Mobilizimi i të gjithëve ka qenë maksimal dhe efektiviteti ka qenë maksimal, por nga ana tjetër duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që këto janë fatura që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë prej një zhvillimi kaotik, pa plan, pa rregulla, pa disiplinë, me ndërtime kuturu, me projekte kuturu. Ne kemi bërë një punë të madhe në këtë periudhë 2-vjeçare për pastrimin e kanaleve.
Kemi përsëri një projekt të madh që do e financojmë me 25 milionë dollarë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, për të pastruar të gjitha kanalet dytësore. Ndërkohë që, me ristrukturimin e bordeve të kullimit do vazhdojmë edhe për magjistralet dhe argjinaturat e me radhë. Mobilizimi dhe efikasiteti ka qenë, besoj unë, në nivel maksimal dhe më mirë sesa edhe herët e shkuara, për shkak se i kemi kushtuar shumë rëndësi emergjencave civile dhe do vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi dhe për ta fuqizuar flotën e emergjencave civile.”
Por veç kushteve atmosferike, përmbytjet në vend favorizohen edhe për shkak të qëndrimit që është mbajtur ndaj territorit në këto 25 vjet, me shkatërrimin e pyjeve, të shtretërve të lumenjve etj.. Një nga masat më të para të këtij viti, tha Kryeministri, do të jetë vendosja e Moraturiumit 10 vjeçar për mbrojtjen e pyjeve.
“Sjellja jonë barbare me natyrën, pyjet, lumenjtë, veprat mbrojtëse që janë prishur për të ndërtuar shtëpi ka një kosto. Hapi i parë i madh që do bëjmë që në fillim këtë vit është Moratoriumi i Pyjeve. Do ndalojmë në mënyrë drastike prerjen e pyjeve për 10 vjet, për të krijuar një mundësi rikuperimi dhe për të rifituar një strukturë mbrojtëse nga erozioni, që nuk e zëvendëson dot asnjë kanal dhe asnjë ekskavator. Kemi kaq shumë kusure për t’i paguar të kaluarës 20 e kusur vjeçare që ka qenë një barbari dhe masakër e pashoqe. Nuk i është bërë Shqipërisë në 500 vjet, ajo që i është bërë në 20 e ca vjet, në kuptimin e shkatërrimit të natyrës dhe shkatërrimit të strukturave mbrojtëse që ka natyra, duke i prishur ekuilibrin dhe duke krijuar situata si këto. Edhe shembulli i kanalit që thoni ju, prapë është ajo që po them, janë kostot që i paguajmë historive pa kuptim. Është bërë një projekt mbrapsht është zbatuar mbrapsht dhe urdhëro rezultatin.”
***
Kryeministri Rama u ndal edhe në Shijak, aty ku shtëpitë janë ende nën pushtetin e ujit në zonën e njohur si ish liqeni i këtij qyteti. Vetë banorët tregojnë:
“Kjo ka qenë liqen përpara. Dikur ka qenë edhe fushë sporti e Shijakut, pastaj u bë liqen, por ka 30 vjet që nuk ka funksionuar si liqen,” shprehet një banor. Ndërsa një i moshuar thotë se e priste këtë që ndodhi, pasi defekti ka ardhur vit pas viti, që në fillim të pluralizmit. “Unë ua kam thënë atyre të tjerëve sa herë se do na merrni në qafë. A bëhet shteti me sustë? E kam përjetuar këtë dhe kam pas thënë se mjerë çdo na gjejë ne, se duke ardhur, duke u shkatërruar vit pas viti.”
Nisur nga të tilla raste që janë të shumta në mjaft zona të vendit, do të bëhet edhe harta e riskut që do të qartësojë zonat e rrezikut. “Do të bëjmë edhe hartën e riskut. Pra, qytetarët ta dinë se banon këtu ku dikur ka qenë shtrati i liqenit, që ta dish se je i rrezikuar në shiun më të parë,” bëri të ditur ministri e Brendshëm Saimir Tahiri.
Krahas dëmshpërblimit që iu bë familjeve të prekura nga përmbytjet e shkuara, janë rritur edhe investimet në infrastrukturë për t’i parandaluar dhe minimizuar ato.
“Si asnjëherë më parë, përmbytjet që ndodhën në fillim të vitit të kaluar, ne i kemi dëmshpërblyer plotësisht në të gjitha aspektet edhe për bagëtitë, shpendët, prodhimin. Plus, kemi likuiduar të gjitha detyrimet e prapambetura nga qeveria e mëparshme rreth 7milionë euro në Ultësirën e Shkodrës dhe prapë do bëjmë çmos që t’ju mbështesim. Ndryshimet klimaterike kanë sjellë kudo probleme të shtuara. Plus që ne kemi edhe koston e gjithë kësaj që kemi bërë 25 vjet; prit pyjet, shkatërro shtretërit e lumenjve, prish argjinatura, prish prita, prish ekuilibrin e natyrës dhe ndërto kuturu. Plus, projektet e bëra siç ishte rasti ku ishim më parë. Këto janë kostot. Kemi pastruar rreth 649 kilometra kanale që s’ishin prekur 20 e ca vjet, por ka akoma nevojë dhe do vazhdojmë këtë vit intensivisht me kanalet edhe për gjithë zonën e Durrësit, ku përfshihet edhe kjo zonë,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri përsëriti edhe në Shijak se është domosdoshmëri qasja ndaj një mentaliteti të ri të biznesit dhe qytetarëve për sigurimin e pronës së tyre.
Në zonat e prekura nga përmbytjet Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako si dhe kryetari i bashkisë së Shijakut Ardian Kokomani.