Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Deklarata e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka:

Këshilli i Ministrave u akordoi sot, 2917 efektivëve të Forcave të Armatosura, si dhe 330 efektivëve të Policisë së Shtetit, të repartit special RENEA dhe të reparteve të FNSH-së, shpërblimin financiar për angazhimin në operacione të shumta për përballimin e gjendjes së krijuar në vend, si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të cilat sollën dëme të mëdha dhe kërcënuan jetë njerëzish.

Forcat e Armatosura kanë qenë kurdoherë të parat, aty ku ka patur më shumë nevojë për ta, por që prej vitit 2004 për efektivët në uniformë nuk është ndërmarrë asnjë trajtim i veçantë.

Me vendimin e sotëm, fondi prej  63 300 000 lekë do të shpërndahet në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata efektivë të Forcave të Armatosura dhe efektivë të strukturave të Policisë së Shtetit që u përfshinë në operacionin e jashtëzakonshëm përmes të cilit përballuam një emergjencë të rrezikshme dhe në veçanti për ata efektivë që ishin në vijën e parë të shpëtimit të jetëve.

Në emër të efektivëve të Forcave të Armatosura, i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim Kryeministrit dhe Qeverisë Shqiptare për vendimin e marrë sot, si dhe për zotimin publik, se viti 2018 do të jetë viti i fundit i hendekut të pajustifikuar të shpërblimit financiar, mes Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit.

Në emër të Qeverisë Shqiptare, siguroj efektivët në uniformë se, jo vetëm jemi krenarë për vajzat dhe djemtë tanë për kontributin e tyre në shërbim të vendit dhe të qytetarëve, por do të bëjmë ç’është e mundur për t’i shpërblyer moralisht dhe financiarisht për punën dhe për sakrificën e tyre.

Jemi të ndërgjegjshëm, se shpërblimi i miratuar sot nuk është assesi i mjaftueshëm për sa meritojnë ushtarakët tanë, por është tregues i qartë i qasjes edhe më serioze të Qeverisë Shqiptare, ndaj Forcave të Armatosura, këtej e tutje.

Ky shpërblim sot është vetëm fillimi i Paketës së rritjes së trajtimin financiar të nisur në Mars të këtij viti nga Qeveria jonë e që do të vazhdojë po ashtu me një tjetër rishikim të rëndësishëm për vitin 2019, vetëm për pagat e ushtarakëve shqiptarë.

Përmes reformave të ndërmarra për forcimin e shtetit, rritjen e të ardhurave dhe stabilitetit makro-ekonomik do të jemi në gjendje të shlyejmë një borxh të madh moral të akumuluar dhe të padrejtë ndaj të gjitha Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për kontributin e jashtëzakonshëm, shpesh larg vëmendjes së opinionit publik, por aq shumë të vlerësuar nga aleatët tanë në misionet e mbrojtjes kolektive në operacionet e NATO-s në Afganistan, Detin Egje, në Letoni, Mali, Kosovë, apo Bosnjë – Hercegovinë, në çdo përpjekje për mbrojtjen e lirisë e vlerave të familjes së madhe të vendeve demokratike të Aleancës tonë, e së fundmi, edhe për kontributin vetëmohues ndaj komunitetit dhe qytetarëve shqiptarë në ditët më të vështira.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.