Është një moment i rëndësishëm i rrugëtimit drejt një transformimi rrënjësor, që lidhen me krijimin e kushteve tërësisht të reja dhe të ndryshme për qytetarët në marrëdhënie me shtetin dhe me institucionet dhe posaçërisht në marrëdhënie me sportelet e shërbimeve. Është pjesë thelbësore e procesit të modernizimit, për të cilin ne jemi angazhuar, si një proces që në këndvështrimin tonë është e vetmja rrugë për të luftuar me prapambetjen që krijon korrupsion.
Mbi të gjitha, është e rëndësishme sot të nënvizohet që ky proces është i lidhur me çfarë të dhënash disponohen nga institucionet dhe çfarë baze të dhënash disponojmë në tërësi, për të bërë të mundur që jo vetëm çdo institucion të modernizojë marrëdhëniet e veta me qytetarët, por edhe që mes institucioneve të ketë ndërveprim. Vetëm një kornizë kombëtare ndërveprimi mes institucioneve, duke integruar sistemet informatike të secilës, sjell në destinacionin që ne duam të arrijmë, një shërbim shumë më transparent, shumë më të shpejtë, padyshim, shumë më cilësor për qytetarët, por mbi të gjitha një shtet që në tërësinë e vet është shumë më i paprekshëm sesa sot nga korrupsioni.
Nëse do t’i referoheshim bazës së të dhënave të trashëguara, sot kemi bërë vërtet një punë kolosale, duke arritur që nga 12 shërbime që kishte portali në 2013-n, të kemi mbi 150 shërbime dhe duke krijuar pak e shumë kushtet që në një kohë të shpejtë, 89 shërbime të reja të shtohen në këtë portal, ndërkohë që në kornizën e ndërveprimit të arrijmë në 30 institucione.
E them këtë, sepse të gjitha bazat e të dhënave mbi të cilat funksionon procesi i ndërveprimit teknologjik, ne i kemi gjetur në mjerimin më të madh dhe nëse bazat e të dhënave nuk janë funksionale, atëherë është e kuptueshme që kompjuteri më i sofistikuar në botë nuk ka çfarë të japë, përderisa ushqimi vjen nga baza e të dhënave.
Nga ana tjetër, unë dua që të nënvizoj sot se ky proces dhe ky portal është pjesë e një projekti që lidhet me programin e kalimit nga një shtet që shërben me njerëz, në një shtet që shërben online.
Në ndërkohë, ne jemi duke punuar intensivisht, me një ekspertizë të lartë ndërkombëtare dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, me të cilën kemi ngritur një skuadër të përbashkët, për të mundësuar që paralelisht me gjithë krijimin e bazës së të dhënave për shërbime të veçanta, të ndërtojmë dhe një infrastrukturë të re shërbimi, që do të ketë qendrën e vet të gravitetit në Tiranë, përmes një qendre të madhe shërbimesh ose ta them më ndryshe, një qendre shërbimesh, e cila do të thotë se do të tregtojë shërbime. Që do të thotë se njerëzit nuk do të kenë nevojë të shkojnë nga një zyrë në një zyrë tjetër, – nga hipoteka tek komisioni i kthimit të pronave, nga aty tek ALUIZNI e pastaj prapë te hipoteka, – por të gjitha shërbimet do t’i kenë në një qendër të re tregtare shërbimesh, e cila do të funksionojë on-line dhe pa nevojën e ndërveprimit me sportelistët dhe atë “avangardë” të korrupsionit, që e dimë shumë mirë se si ka funksionuar në vite dhe se si vazhdon të funksionojë ende sot e gjithë ditën, në shumë sportele të shërbimeve tona.
Kjo qendër do të jetë qendra e graviteti të një rrjeti të shërbimeve online që do të shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që do t’i transformojë komunat e sotme, njësitë e nesërme administrative të Republikës së Shqipërisë dhe të çdo bashkie, apo bashkitë që përfshihen brenda bashkive të mëdha, – siç është rasti i bashkive të Sukthit dhe të Manzës, – pra, këto njësi të reja administrative, do të transformohen në njësi shërbimesh online. Kjo është mënyra se si e shohim ne transformimin e shërbimeve dhe se si e kuptojmë betejën me korrupsionin, përmes modernizimit në këtë aspekt.
Paralelisht, po punojmë me Bankën Botërore për të transformuar shërbimin në ato raste kur do të jetë e nevojshme që të ketë sportel dhe që të këtë një komunikim me përfaqësues të një institucioni apo një institucioni tjetër, por kjo i takon një here tjetër, sepse ende jemi në një proces përpunimi të një skeme tërësisht inovative që ne shpresojmë do të japë shumë sukses në vendin tonë dhe me siguri do të bëhet një shembull suksesi në këtë program të BB në luftën kundër korrupsionit në marrëdhëniet qytetar-shtet.
Besoj se është e qartë se çfarë sjell gjithë ky transformim. Është e qartë se çfarë transparence, sistemi informimi, konkurrence të lirë, reduktim të kostove, reduktim drastik të kohës sjell ky proces.
Ne jemi shumë të bindur që siç e tha dhe Vangjushi, kryetari i Bashkisë së Durrësit, ky proces dhe teknologjia, është fat për vende si i yni që 20, 30, 40 vite më parë do ta kishin të pamundur të përfytyronin kapërcime të tilla, kaq të mëdha, në cilësinë e shërbimeve, pasi kushtet e zhvillimit teknologjik nuk ishin këto që janë sot.
Para se të vija këtu po diskutonim me Ministrin e Brendshëm lidhur me disa çështje dhe pashë të dhënat lidhur me “Komisariatin Dixhital”, që u lançua vetëm pak ditë më pare. Faktikisht, është app-i më i shkarkuar sot në Shqipëri, që është një e dhënë shumë inkurajuese, pasi nga njëra anë provon shumë qartë se qytetarët janë të gatshëm dhe i presin me dëshirë këto transformime dhe e presin me dëshirë mundësinë e aksesit të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me institucionet, përmes teknologjisë, por nga ana tjetër tregon se çfarë kapërcimesh mund të bëjmë pavarësisht prapambetjes që kemi trashëguar dhe largësisë së hendekut që na ndan nga bota e zhvilluar.
Rastet e suksesit në shumë vende të ngjashme me Shqipërinë, – jo në Europë kuptohet se në Europë nuk ka, – tregojnë që është absolutisht e mundshme që nëpërmjet teknologjisë ne të arrijmë të bëjmë kapërcime të mëdha që përndryshe koha nuk do të na i lejonte.
Shumë nga pagesat që do të mundësojë portali online që nga pagesa e faturës së energjisë elektrike që është një risi e kohëve të fundit dhe që i jep fund radhëve për të gjithë ata të cilët kanë një kartë krediti apo duke vazhduar me pagesën e tarifave vendore ose të taksave vendore. Duke vazhduar me gjithë procedurat që kanë të bëjnë me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Duke vazhduar me procedurat që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Shërbimit Rrugor, qoftë për pikëzimin e patentave, qoftë për pagesat e detyrimeve lidhur me automjetet që janë dhe ato një histori e madhe më vete, që prej vitesh njerëzit parkojnë vetveten atje, në pritje pafund, për të mundur që të paguajnë detyrimet për automjetin, janë të gjitha lehtësira të mëdha për qytetarët. Por, mbi të gjitha, janë një reduktim drastik i korrupsionit për shkak të shkëputjes së plotë mes atyre që paguajnë dhe shtetit që merr detyrimet, pa pasur më atë ndërmjetësin që është punonjësi i sportelit, që e dimë fare mirë se sa e vështirë është të mendosh se mund të jetë aty në shërbim të qytetarit i patunduar dhe i paprekur nga korrupsioni.
Unë besoj që edhe në sistemin e arsimit, dhe në sistemin e shëndetësisë do të kemi transformime të mëdha. Flisnim deri para pak ditësh për projektin e recetës elektronike që do të transformojë tërësisht situatën në marrëdhëniet mes qytetarëve që kërkojnë rimbursimin e barnave, dhe shtetit si rimbursues. Një marrëdhënie e ndotur rëndë nga korrupsioni, tradicionalisht. Nuk mund të pretendojmë se do të pastrohet plotësisht nëse nuk do të futet receta elektronike. Edhe në këtë aspekt, jemi mbështetur tek pararoja, që është bashkia e Durrësit në këtë proces të rritjes së kapaciteteve teknologjike. Duke synuar që sëbashku me kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij shumë të prirur ndaj teknologjisë së re, të përdorim qytetin e Durrësit si një qytet pilot, ku të bëhen të mundura të gjitha shërbimet e kësaj natyre, si fillim. Receta elektronike e rimbursimit të barnave do të fillojë në javët në vijim në qytetin e Durrësit dhe brenda dy viteve të ardhshme do të jetë një realitet në gjithë Shqipërinë. Edhe këtu, qytetarët do të shpëtojnë nga shumë peripeci, burokraci, radhë, por dhe buxheti i shteti do të shpëtojë nga shumë duar që futen për të shfrytëzuar procesin e rimbursimit për korrupsion.
Mund të përmendja dhe shumë të tjera, faktikisht, ne kemi bërë një analizë të thellë të të gjitha shërbimeve, dhe jemi në një proces të dyfishtë. Nga njëra anë jemi në një proces të shkurtimit të letrave, ose të licencave, pra në një proces rregullimi që është shumë i rëndësishëm për vendin tonë duke ulur numrin e letrave dhe dokumenteve të nevojshëm në këtë vend. Nga ana tjetër, për të gjithë ato dokumente dhe të gjitha ato procese që janë të padomosdoshme, të paktën sipas nesh, në këtë fazë të zhvillimit të vendit, të kalojnë komplet në shërbimet online.
Besoj që për çështje kohe, do të zhvillojmë dhe konkursin ndërkombëtar për Qendrën Tregtare të Shërbimeve Publike. E them termin të tillë për të dhënë të qartë vizionin, sepse është tamam një qendër tregtare, por ku ofrohen dhe merren shërbime publike. Konkursi ndërkombëtar, qendra do të jetë pranë universitetit, dhe do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të bashkisë së madhe të Tiranës, pa dallim. Parashikohet, që nga shërbimi i pajisjes me pasaportë, deri tek shërbimi më i fundit për të cilin mund të duhet një dokument, koha mesatare të jetë vetëm 3 minuta.
Ky është një projekt për të cilin do të duhen disa vite. Ne besojmë që nëse arrijmë t’i japim qytetarëve në kompjuterin e tyre, në laptopin e tyre, në celularin e tyre, këtë aksesibilitet, atëherë që padyshim kemi vendosur bazën e plotë për të shkuar më tutje, dhe për ta transformuar tërësisht sistemin e shërbimit në Shqipëri, duke hapur realisht një epokë të re dhe duke mbyllur një epokë. Epokën e atij korrupsionit idiot dhe jashtëzakonisht gërryes, por edhe cënues për imazhin Shqipërisë, për të marrë cilindo shërbim duke futur diçka në xhepin e atyre që shërbejnë.
Shumë faleminderit!
***
Portali qeveritar e-Albania, është një portë unike në internet, ku qytetarët, bizneset dhe vetë nëpunësit qeveritarë, mund të përftojnë shërbime elektronike.
Sot u prezantuan shërbimet e reja që ofron ky portal, i cili vjen i ridizenjuar plotësisht, më estetik, më i lehtë dhe më praktik. Versioni i ri vjen i shoqëruar edhe me një version të optimizuar për pajisjet mobile, si dhe me aplikacionin mobile për Android dhe IOS.
Portali shfrytëzon platformën qeveritare të ndërveprimit në të cilën institucionet lidhen dhe shkëmbejnë informacione me njëri-tjetrin.
Portali sëbashku me platformën qeveritare të ndërveprimit nëpërmjet të cilës institucionet ndërveprojnë, duke shkëmbyer të dhëna në kohë reale, janë pjesë e rëndësishme e strategjisë së qeverisë për të ofruar shërbime elektronike, nëpërmjet një pike të vetme kontakti.