Peshtani, një destinacion i veçantë agroturistik

Gjatë vizitës së tij në Berat ku pa disa investime me rëndësi madhore për qytetin, Kryeministri Rama u ndal edhe në Kantinën Nurellari në fshatin Peshtan, ku puna e palodhur e një familjeje kanë krijuar një markë prestigjioze të prodhimit të verës dhe mbështetja e qeverisë ka krijuar një destinacion të veçantë agroturistik.

Ndryshimi në fshat është si nata me ditën tashmë ku rrënojat e vjetra të magazinave apo shtëpive i kanë lënë vendin një infrastrukture të re moderne dhe karakteristike të fshatit. “Për të hyrë atje, duhej të futeshe në një tmerr dhe si qeveri që jemi partnerë u thashë bëjmë një projekt të përbashkët. U fut Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është edhe tek 100 fshatrat dhe tani është bërë një pol që  duhet zgjeruar. Kjo tani është bërë qendër turistike”, – tha Kryeministri.

Falë investimeve, këto zona si fshati Peshtan po kthehen në atraksion turistik, jo vetëm për turistët vendas, por dhe ata të huaj. “Do ta zgjerojmë këtë pjesë se realisht, edhe parkingu e tregon sesa shumë është shtuar fluksi i njerëzve që vijnë këtu”, – tha Kryeministri Rama, ndërsa shtoi se “ky është model për t’u treguar të tjerëve që kush sheh pak më tutje se sot për sot e kush ka kurajo e vullnet që të shkojë përpara, bën sukses”.