Piramida e botës së re digjitale

Fjala Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për rijetësimin e Piramidës:

Duhet të ketë qenë besoj rreth 15 vjet më parë, kur unë i kam bërë një pyetje Vinit, lidhur me Piramidën. Isha kryetar i Bashkisë dhe më mundonte shumë fakti që Piramida, një ndërtesë ikonike e një periudhe të posaçme historike për vendin, por edhe një eksperiencë jete të posaçme për të gjithë ne, mbetej aty, si një shprehje torturuese e pamundësisë për t’i ikur asaj që ajo përfaqësonte në kohën e kaluar dhe për t’i dhënë asaj një jetë të re.

U deshën 15 vjet që Vini t’i japë përgjigje pyetjes, duke, në fakt, ia dalë të fitojë një sfidë që nuk është gjithmonë e mundur. Sfidën e transformimit të një ikone arkitektonike, të krijuar për një qëllim krejt tjetër, në një vlerë të shtuar për një kohë të re dhe faktikisht, në slide-n e parë që ai prezantoi, ishin të gjitha pamjet e asimetrisë mes të shkuarës dhe të ardhmes, duke pasur në qendër të njëjtën Piramidë dhe më vjen shumë mirë që më në fund ia kemi dalë që të zgjidhim një dilemë që na ka mundur prej tanimë 30 vjetësh me këtë godinë.

E dini shumë mirë që ka pasur një moment, kur një qeveri më parë vendosi që ta shembte Piramidën. Ka pasur një debat publik dhe madje u krijua edhe një masë kritike, çuditërisht “të rinjsh” që shumë më pak lidhje kishin me kohën e shkuar, që nënshkruanin një peticion për të mos e shembur Piramidën. Megjithatë ruajtja e godinës nuk zgjidhi përfundimisht çështjen e funksionit të saj dhe besoj që sfida e fituar nga Vini në këtë rast është spektakolare për faktin se këtij simboli të diktaturës dhe të pushtetit të një njeriu mbi të tjerët i jep fuqinë e simbolit të pushtetit të çdo njeriu në një kohë të re. Nga një godinë e ndërtuar për të sjellë në rresht të gjithë njerëzit që të adhuronin diktaturën dhe diktatorin, kthehet në një godinë që i sjell në tufa njerëzit, për të celebruar lirinë, për të celebruar jetën e për të celebruar ngjitjen drejt qiellit të secilit.

Duket në pamje të parë dhe është në fakt një zgjidhje arkitektonike, por në të njëjtën kohë është edhe një shprehje kuptimplotë e lidhjes mes formës dhe përmbajtjes si rrallë herë, pasi brenda, Piramida do ketë një program që zgjidh përfundimisht dilemën se çfarë do të bëjë për të ardhmen kjo godinë, një program ku falë bashkëpunimit të ngushtë me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan dhe falë bashkëpunimit me Vinin, ne do t’i japim mundësi më të rinjve që të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të strukturuar me botën e teknologjisë së re, pra, do të jetë një piramidë e botës së re dixhitale. Ndërkohë në të gjithë lëvozhgën e saj, shkallët nga të katër anët janë si të thuash, aty për t’ju dhënë të gjithëve një mundësi të re të eksperiencës në qytet, të eksperiencës me një godinë ngjitjeje dhe zbritjeje, por në të njëjtën kohë, duke mishëruar nw një farë mënyrë pikërisht atë përpjekje drejt ngjitjes së majave të të gjithë atyre që në fëmijëri apo në të ritë e tyre kanë ambicien për të pushtuar qiellin.

Është një projekt ambicioz dhe si rrallë herë me Vini Mas-in, është një projekt që nuk është shumë i shtrenjtë. E më vjen shumë mirë edhe për një fakt tjetër, që, pavarësisht se është ndër projektet, tani nuk e di se çfarë, se nuk ja kam bërë llogaritë, por ndodhsha projekti më pak i shtrenjtë i ndërtuar nga Vini, jam i bindur që do të jetë në katalogun e tij, një ndër projektet më të bukur, ose më saktë, më interesant, për faktin se kombinon një arkeologji të së shkuarës, të një historie të dhimbshme të së shkuarës me gjithë kapacitetin për të ëndërruar lirisht për të ardhmen.

Nga pikëpamja e zgjidhjes është absolutisht një zgjidhje që Vini e tha pak me shaka, ne themi shakaja është gjysma e të vërtetës, por në këtë rast besoj që është plotësisht e vërtetë, që e bën Tiranën në këtë rast, e bën Piramidën shumë më atraktive se godina me shkallë e New York. Nga ana tjetër, unë besoj se miku im i shtrenjtë dhe një nga shqiptarët më të mirë që kam njohur, Michael Granoff thotë të vërtetën, kur duket sikur e ekzagjeron që kjo godinë, për shkak jo thjesht të arkitekturës, por dhe të programit që do të përmbajë, mund të jetë në të ardhmen një pikë referimi, jo vetëm në rajon, por dhe më gjerë. Një pikë referimi për sesi një shoqëri dhe një vendi i vogël si Shqipëria dhe një vend pa shumë fuqi materiale dhe financiare me vendet e mëdha dhe të zhvilluara, si Shqipëria, i drejtohet botës së re dixhitale dhe sesi ndërton një shembull që ka një impakt global për nga mënyra e afrimit të të rejave dhe të rinjve drejt kësaj bote, duke përfituar nga modeli i mirënjohur dhe i suksesshëm i Tumos në Armeni dhe në Paris.

Ne më rezulton që jemi vendi i tretë që e përqafojmë këtë model dhe që në këtë konfiguracion nuk mund të mungojë lali Eri, kuptohet dhe në botën e asaj që e quajmë “wishful thinking” nuk mund të mungojë ambicia e tij për ta bërë këtë godinë të gatshme për samitin dixhital të vitit të ardhshëm, për gjithë vendet që i përkasin formatit 16+1, që do të ishte edhe ky një moment fantastik. Por në këtë pikë ia lë lali Erit përgjegjësinë që të mbajë fjalën, sepse, nëse e mban, pra, nëse është djalë, e kemi bashkë, nëse është vajzë, e mban ai, edhe pse mua nuk më pëlqen fort ky krahasim, pasi besoj që përgjithësisht vajzat janë më të mira se djemtë dhe padiskutim, në Shqipëri, gratë janë më të mira se burrat.

Në këtë pikë, i gjithë ekipi ka konsensus, edhe Michael është 100% dakord me mua që gratë janë më të mira se burrat; Vini e njeh pak Shqipërinë në këtë aspekt, por më ka pyetur, mos vallë janë më të mira gratë se burrat në këtë vend. Sigurisht, unë i kam thënë po, kjo nuk diskutohet. Kështu që, duke falënderuar të gjithë për këtë punë të bërë deri tani, sepse na jepet mundësia të zgjidhim një dilemë shumë torturuese për vite të tëra, një varr i hapur në mes të Tiranës, një godinë me një barrë të rëndë historie dhe trashëgimie, por edhe me një potencial të jashtëzakonshëm për të rilindur, rilind falë këtij ekipi dhe falë fuqisë së imagjinatës dhe dorës mjeshtërore të Vinit, që unë pretendoj se e kam karakterizuar më mirë se të gjithë ata që kanë shkruar për të, – kritikë të famshëm të arkitekturës, të zhvillimit urban, gazetarë, ekspertë, – një rrobaqepës i pagabueshëm ëndrrash.

Nuk na mbetet vetëm se të presim përfundimin e këtij projekti, i cili, po sipas lali Erit, nis në qershor dhe përfundon 12 muaj nga ky qershor. Këto janë afatet që ka dhënë kryetari i bashkisë.

Shumë faleminderit të gjithëve! Më vjen shumë mirë që këtu në COD, ne shënojmë një tjetër moment të rëndësishëm të celebrimit të artit, të krijimtarisë dhe të fuqisë së njerëzve për të bërë gjëra të mëdha kur bëhen sëbashku. Në fund fare dua të kujtoj një shprehje që i atribuohet Walt Disney, nuk e di a është e atribuuar, apo është origjinale, por është një nga shprehjet që unë e përsëris vazhdimisht, edhe në Këshillin e Ministrave, por edhe në të gjithë diskutimet: Dallimin mes ëndrrës dhe realitetit e bën projekti.

Jemi këtu me projektin e duhur, për ta bërë ëndrrën realitet.

Shumë faleminderit!