Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Planit të Ri Kombëtar në Luftën Kundër Kanabisit:
Përshëndetje të gjithëve!
Falënderim të veçantë për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Shërbimit, që janë këtu, sot, edhe pas një pune të përbashkët për të hartuar së bashku me institucionet e tjera, një Plan të ri Kombëtar për Kuftën Kundër Kanabisit.
Kjo është një sfidë, e cila është sfida jonë. Ka nisur me një betejë që deri në momentin kur u zhvillua, askush nuk e imagjinonte si të mundur. Betejën për çmontimin e “republikës autonome” të Lazaratit dhe vazhdon çdo ditë si një sfidë e përbashkët, përballë një fenomeni të vjetër sa Shqipëria e tranzicionit.
Nuk ka qenë as përpara 300 vjetësh, as përpara 30 vjetësh, por ka qenë vetëm përpara 3 vjetësh, koha kur “republika autonome” e Lazaratit gëzonte mbrojtje të shpallur politike. Të gjithë ju që shërbeni prej vitesh në Policinë e Shtetit e kujtoni paraardhësin tim, kur publikisht deklaronte se “zhvillimi i posaçëm i Lazaratit ishte vendim politik”.
Nuk ka qenë as përpara 300 vjetësh, as përpara 30 vjetësh, koha kur ky zhvillim i posaçëm mbështetej me infrastrukturë policore, shtetërore, komunale. Zjarrfikëset, autobotet e ujësjellësit ujisnin plantacionet e kësaj “republike autonome”, që e njollosi Shqipërinë botërisht dhe u bë burim frymëzimi për kronika të panumërta në televizionet më të mëdha të botës, si një realitet absurd në mes të Europës.
Nuk ka qenë as përpara 300 vjetësh, as përpara 30 vjetësh, por vetëm përpara 3 vjetësh, koha kur në këtë godinë formuloheshin komunikata që ishin sekrete për publikun dhe natyrisht, edhe për median.
Edhe pse Lazarati ishte aty, në sy të të gjithëve, nuk besoj se ndonjëri prej jush mban mend, jo një emision, jo një debat, por një kronikë të vetme lajmesh për autobotet dhe zjarrfikëset që ngjisnin kodrën e “Montekarlos” së Shqipërisë, për të ujitur plantacionet e drogës, duke parakaluar përpara policëve që nderonin, a thua se po kalonin aty autoritetet e larta shtetërore!
Vendimi për t’i bërë transparente komunikatat e policisë çdo ditë ishte vendimi i duhur, për të ndarë me opinionin publik, jo vetëm këtë sfidë, por të gjithë sfidën e përbashkët të Policisë së Shtetit, për t’u rikthyer në detyrë, duke i shërbyer shtetit dhe duke i shërbyer qytetarëve.
Kjo transparencë nxori në dritë këtë fenomen, si një fenomen që nuk i ishte i kufizuar vetëm në territorin e “republikës autonome” të Lazaratit, por ishte i përhapur në të gjithë Shqipërinë, siç e dëshmojnë edhe të gjitha komunikatat sekrete të deri para tre viteve më parë.
Kjo transparencë nxori në pah edhe vullnetin për ta luftuar këtë fenomen, sepse nuk është opinion, por është fakt. Një fakt i nxjerrë jo nga analizat tuaja si Polici e Shtetit, por nga raportet e pavarura të partnerëve tanë, se, nëse në vitin 2013 identifikohej “x” sasi kanabisi e mbjellë dhe shkatërrohej vetëm 7%, në vitet më pas është shkatërruar 98 e 99% e sasisë së identifikuar. Sikundër nuk është opinion, por është fakt që, nëse në vitin 2013 sekuestrohej vetëm 1 milionë euro pasuri kriminale, në këto tre vite, shifra e pasurisë së sekuestruar ka kaluar mbi 100 milionë euro. Natyrisht, kjo është një pasuri kriminale që vjen edhe nga kultivimi i kanabisit.
Ashtu sikundër nuk është opinion, por është fakt se ka një shumëfishim eksponencial të operacioneve të përbashkëta midis Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane dhe një ndërveprim shumë më aktiv, në kohë reale, mes të gjitha agjencive ligjzbatuese për ta luftuar këtë fenomen, që si ndërveprim kurorëzohet me kapjen e sasive shumë më të mëdha saç kapeshin deri 3 vite më parë.
Megjithatë, ne nuk jemi këtu për t’u fshehur. As për të bërë një paradë triumfale. Jemi këtu për ta parë fenomenin në sy, duke parë në sy edhe dobësitë tona në përballjen me këtë fenomen, të cilat ka njëmijë mënyra për t’i justifikuar, por ka vetëm një rrugë për t’i adresuar, në funksion të triumfit të plotë të shtetit dhe të Policisë së Shtetit mbi fenomenin e kultivimit të drogës dhe pikë.
Pjesë e këtyre dobësive është edhe korruptimi i punonjësve të policisë, korruptimi i drejtuesve të policisë, i shefave të krimeve apo shefave të komisariateve, të përfshirë drejtpërdrejtë në një marrëdhënie krejtësisht kriminale me organizatoret e këtij rrjeti kultivimi dhe trafikimi. Të shikuarit në sy të këtij problemi nuk është aspak dobësi, por është forcë për t’u përballur me një dobësi që cenon në mënyrë tërësisht të padrejtë punën fantastike të Policisë së Shtetit në këto 3 vjet. Cenon në mënyrë tërësisht të padrejtë sakrificat dhe rezultatet tuaja, të të gjithë atyre drejtuesve të lartë apo punonjës të thjeshtë Policie që e kanë bërë sot Policinë e Shtetit institucionin më të besueshëm për të gjithë shqiptarët.
Nuk ishte 300 vjet përpara, as 30 vjet përpara, por vetëm 3 vjet përpara, koha kur opinioni publik konsideronte Policinë e Shtetit si institucionin më të korruptuar e më të pabesueshëm dhe ju e dini këtë. Sikundër ju dini shumë më tepër se kaq. Ju dini edhe sesi ëndrra juaj, që ju çoi në rrugën e uniformës së shenjtë të Policit të Shtetit dhe sakrificat tuaja personale dhe familjare nuk vlejnë asgjë, pasi në këtë godinë nuk kishte vullnet për t’iu mbështetur dhe nuk kishte respekt. Përkundrazi kishte reagime tërësisht të papranueshme, ndaj cilido prej jush që kërkonte të zbatonte ligjin.
Sa punonjës policie janë larguar në gjithë ato vite nga radhët e Policisë së Shtetit, pse kanë guxuar të bezdisin një deputet apo një të fortë, duke e ndaluar dhe kërkuar llogari për dokumentacionin për shkeljen e rregullave të qarkullimit, apo për parkimin mbi trotuar. Nuk numërohen.
Sa drejtues, – unë njoh këtu disa prej tyre, me të cilët më ka rënë rasti të punoj kur isha kryetar bashkie, – janë ndier të lënduar deri në palcë dhe kanë qenë rregullisht në prag të dorëheqjes për shkak të telefonatave që vinin nga kjo godinë, për të mos i bërë karshillëk “X” apo një “Y” personi.
Më kujtohet dita e parë kur jemi takuar me drejtues të rinj të Policisë së Shtetit, të rinj jo në kuptimin e moshës, as të eksperiencës, por të sapovendosur në detyrë. Misioni për të rilindur Policinë e Shtetit dukej i pamundur. E mbaj mend shumë mirë, sesi më shikonin dhe nënqeshnin pa asnjë besim, kur iu thosha se kërkesa e parë për ju është të bëni drejtuesin e policisë në bazë të ligjit dhe që të refuzoni nënshtrimin ndaj çdo telefonate që vjen nga lart. Më kujtohet shumë mirë drejtori i Akademisë, sepse në atë bisedë më ka thënë, “Zoti Kryeministër, nëse kjo që ju thoni bëhet, atëherë Policia e Shtetit është e bërë, sepse në Policinë tonë të Shtetit ka njerëz me aftësi dhe eksperiencë, që do të mund të shërbenin me dinjitet në çdo polici të Bashkimit Europian.”
Ja ku jemi sot, përballë këtij fenomeni, në një betejë, e cila duhet zhvilluar pa asnjë kompromis, jo vetëm me trafikantët, por edhe me çdo punonjës në çfarëdo niveli të Policisë së Shtetit, që e njollos uniformën, duke mbyllur sytë, apo duke u shkelur syrin atyre që i marrin më të varfrit dhe i kthejnë në skllevër për një copë buke, për të mbjell kanabis.
Ashtu sikundër, një tjetër dobësi me të cilën ne përballemi dhe e shohim në sy, është fakti se ky fenomen i ka rrënjët në krim, aq sa i ka rrënjët edhe në varfëri. I ka rrënjët në marrëveshjen e vjetër dhe të pashkruar mes krimit dhe policisë, aq sa i ka rrënjët në izolimin e shumë zonave të thella. I ka rrënjët në pamundësinë për ta zgjidhur të tërin në një kohë kaq të shkurtër, ndërkohë që është zhvilluar për çerek shekulli, aq sa i ka rrënjët në pamundësinë për të qënë të gatshëm që në një kohë kaq të shkurtër t’u japim një alternativë të ndershme zhvillimi dhe punësimi zonave që bien pre e këtij fenomeni.
Për këtë arsye, ne besojmë shumë se parandalimi është sfida jonë më e madhe brenda kësaj sfide të madhe. Parandalimi për të cilin, ju keni filluar një punë si asnjëherë më parë. Deri tani janë kryer 4200 kontrolle parandaluese në të gjithë territorin. Janë kontrolluar 2800 sera për të mundur të parandalohet kultivimi që në fazën e parë, përpara sesa fara apo fidani të mbillet në parcelë. Janë kontrolluar dhe vazhdojnë të kontrollohen çdo ditë, magazina, tunele. Janë 4200 punonjës policie që vazhdojnë bëjnë këtë punë.
Bravo!
Kjo është puna, nga njëra anë. Nga ana tjetër është ajo çka ne duhet të bëjmë jashtë dhe bashkë në Policinë e Shtetit, sepse lufta kundër këtij fenomeni nuk është thjeshtë dhe vetëm një operacion represiv, por edhe një operacion ekonomik, social, për të cilin, përgjegjësinë e kanë të tjera institucione. Në bashkëpunim, jo vetëm me prokurorinë, nën kujdesin dhe vëmendjen e vetë Prokurorit të Përgjithshëm, jo vetëm me Shërbimin, nën kujdesin dhe vëmendjen e vetë drejtorit të Shërbimit, jo vetëm me Komisionin e Sigurisë, nën kujdesin dhe vëmendjen e vetë kryetarit të Komisionit të Sigurisë, por edhe me të tjera institucione, që nga Ministria e Bujqësisë dhe agjencitë e saj, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe agjencitë e saj dhe me radhë, ne kemi hartuar një Strategji të re.
Kjo Strategji i zë vendin Strategjisë së miratuar në vitin 2012, që ishte një dokument absurd, ku mjafton të shikohet sesi paragrafët përsërisin njëri-tjetrin, – ata që e kanë shkruar dhe miratuar, as nuk e kanë lexuar – duke pasur në dispozicion jo më thjeshtë një Strategji të shkruar, se për strategji të shkruar, Shqipëria s’ka vuajtur kurrë, por një Plan Veprimi. Ky Plan synon futjen në një fazë të re dhe nxitjen e një veprimtarie ndërinstitucionale, për t’i dhënë një goditje shkatërrimtare, këtë vit, fenomenit të kultivimit të kanabisit.
Ky Plan i ri Kombëtar garanton një proces ndërinstitucional transparent, ku çdo institucion, jo vetëm ka kontribuar, por do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, ashtu sikundër edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, jo vetëm kanë kontribuar, por do të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë.
Nëpërmjet këtij Plani të ri, unë besoj shumë se në fund të këtij viti, ne do të regjistrojmë një triumf të shtetit, të Policisë së Shtetit, të shoqërisë mbi këtë fenomen, i cili mund të mos zhduket tërësisht, por do të relativizohet maksimalisht.
Tanimë, ne nuk jemi si tre vjet më parë. Tanimë, ne jemi në avantazh për shkak se kemi treguar kapacitet maksimal në shkatërrimin e plantacioneve të mbjella. Kemi treguar kapacitet maksimal në ndërveprimin me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese partnere dhe mbi të gjitha kemi një informacion maksimal sot, për ku dhe si zhvillohet ky fenomen.
Sot kemi një pamje të qartë të hartës së të gjitha parcelave të mbjella dhe të fotografuara gjatë viteve. Është shumë e thjeshtë. Çdo parcelë do ketë persona përgjegjës nga Policia e Shtetit, nga komuniteti, nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, ku edhe Shërbimi Informativ Kombëtar do të luajë padiskutim rolin e vet.
Personat përgjegjës do të përgjigjen në kohë reale për çka ndodh me parcelën apo parcelat që kanë nën mbikëqyrje. Në kohë reale, Policia e Shtetit dhe trupat e saj do të mund të reagojnë për ta shkatërruar në gjenezë çdo përpjekje për lartësimin deri mbi hijen time të bimëve e për sistemet e ujitjes, për korrjet, shirjet e për të gjitha këto. Personat përgjegjës do përgjigjen me personalisht, nëse parcelat do të konstatohen të mbjella dhe droga do të jetë kultivuar në këto parcela. Nuk do të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk do të jenë më pjesë e strukturave shtetërore të përfshira në këtë operacion dhe do të jetë një çështje e prokurorisë dhe gjykatës, nëse fakti që ata nuk dhanë informacion vinte nga padijenia, apo nga bashkëpunimi me kriminelët.
Shqipëria nuk është një territor i pafund, është një vend i vogël. Sot, Policia e Shtetit ka një kapacitet maksimal për ta kontrolluar këtë territor, metër për metër e centimetër për centimetër katror. Në shërbim të këtij operacioni, Policia e Shtetit do ketë të gjitha shërbimet inteligjente, përfshirë dhe Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë, do të ketë edhe gjithë strukturat e bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, të pushtetit vendor e me radhë.
Kjo është një betejë që ne tanimë i kemi të gjitha letrat në rregull për ta fituar plotësisht. Kjo është një betejë ku task-forcat e përbashkëta, të shtrira në të gjithë territorin dhe mbështetja e padiskutueshme, politike dhe financiare, e këtij operacioni, do të bëjë që pikërisht atë që ju provuat, duke e fshirë nga harta “republikën autonome” të Lazaratit në sytë e mahnitur të mbarë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, ta provoni këtë vit për të gjithë territorin e Shqipërisë.
Nuk ka asgjë që e pengon këtë sukses.
Kemi arritur të bëjmë gjëra që tre vjet më parë njerëzit i mendonin të pamundura, duke filluar nga futja në ligjshmëri e sektorit të energjisë elektrike, tek kalimi i mbi 100 mijë legalizime të shtëpive, tek ndalimi 99% me sukses, falë Policisë së Shtetit në radhë të parë, i ndërtimeve pa leje, deri tek imponimi i ligjshmërisë në qarkullimin rrugor. Sot, as eskorta e Kryeministrit nuk guxon të shkelë rregullat dhe t’i kundërvihet ndalimit të semaforit, anëtarë kabineti apo deputetë kanë paguar gjobat njësoj si të gjithë qytetarët, nuk mund të imagjinohet më që kur mblidhet Parlamenti të bllokohet qarkullimi në Tiranë, makinat e deputetëve të parkojnë mbi trotuare. Tanimë që kemi jo pak, po tre vite të jashtëzakonshme lufte dhe arritjesh të mëdha, por të pamjaftueshme kundër këtij fenomeni, nuk ka asnjë problem për t’i dhënë fund me triumf për shtetin edhe këtij fenomeni, me angazhim edhe më të madh, vendosmëri edhe më të madhe të kësaj trupe, që është sot nderi i kësaj republike, trupës së Policisë së Shtetit.
Më shumë sesa sasia e lëndës së sekuestruar, apo e bimëve të asgjësuara, kriteri i suksesit në vitin 2017 do të jetë parandalimi në gjenezë, sekuestrimi i vlerave të prodhuara nga kjo veprimtari kriminale.
Krahas përballjes pa kompromis me të gjitha ata që janë të përfshirë në këtë veprimtari, sigurisht që qeverisë, jo Policisë së Shtetit, i takon një kujdes i veçantë për viktimat potenciale, për komunitetet dhe për familjet më të varfra.
Pjesë e Planit të ri Kombëtar është dhe nxitja dhe përkrahja e punës së ndershme, përmes skemave të mbështetjes për zhvillimin, në radhë të parë blegtoral. Është e qartë se kjo veprimtari kryhet përgjithësisht në zonat blegtorale, pasi në zonat bujqësore njerëzit merren me bujqësi, me eksport, me veprimtari të ligjshme dhe kontribuojnë seriozisht në rritjen ekonomike të komuniteteve dhe të vendit tonë.
Natyrisht është një përballje mes fitimit të lehtë dhe fitimit më të vështirë e më të avashtë me punë të ndershme. Por është roli dhe përgjegjësia jonë që ne t’ia dalim dhe ne do t’ia dalim. Ne do ia dalim, sepse, nëse kjo bisedë dhe kjo sfidë do të ishte para nesh tre vite më parë, mund të ishte e pamundur, por sot nuk ka asgjë të pamundur për Policinë e Shtetit shqiptar. Sot nuk ka asgjë të pamundur për të gjithë ju që jeni këtu.
Sot nuk ka asnjë forcë, asnjë grup, asnjë individ që në raport me detyrimet e tij ndaj Kushtetutës dhe ligjit të jetë më i fortë sesa Policia e Shtetit, në të gjithë sferën e veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Forcën që Policia e Shtetit ka treguar si kurrë në histori, duke larguar nga radhët e veta, 3200 punonjës, nga drejtues e shefa dhe punonjës të thjeshtë, të cilët i janë nënshtruar procedimeve penale apo ndëshkimeve disiplinore, duhet të vazhdojë ta tregojë edhe më me shumë vendosmëri, për të sikterisur nga radhët e saj çdo shef krimesh, çdo shef komisariati, çdo punonjës policie që mbyll sytë, apo më keq akoma, iu shkel syrin atyre që skllavërojnë njerëz të varfër, për të kultivuar kanabis.
Më lejoni të shtoj domosdoshmërinë e reformës në drejtësi në këtë proces. Jo se ju nuk e dini, apo se keni nevojë për t’u bindur për këtë, por, sepse është një e vërtetë e hidhur që sot, gjykatat janë po aq problem për Policinë e Shtetit dhe për shoqërinë tonë, saç është edhe krimi. Është një e vërtetë e ditur që përpjekje të panumërta të Policisë së Shtetit dhe të prokurorisë përfundojnë në asgjë në dyert e gjykatave. Kjo, jo sepse Shqipëria nuk ka gjykatës të aftë dhe me integritet, njësoj siç kishte Policia e Shtetit plot njerëz të aftë, me integritet, me eksperiencën, vullnetin dhe kurajon e duhur. Nëse tre vjet më parë, Policia e Shtetit ishte katandisur në një zhele që kush kalonte i fuste në shqelm, kjo nuk vinte sepse i mungonin njerëzit, sepse i mungonte zemra këtyre njerëzve, por sepse i mungonte plotësisht motivimi dhe besimi se duke bërë detyrën, mund të qëndronin në atë detyrë dhe mund të ushqenin me profesionin e tyre, familjen.
E njëjta gjë vlen edhe për sistemin tonë gjyqësor. Shqipëria i ka kapacitetet, por, nëse nuk ndahet i njomi me të thatin dhe nëse ata, të cilët kanë bërë gjëma në këtë vend, në 25 vjet, me çekiçin e drejtësisë në dorë, nuk shkojnë përpara drejtësisë, atëherë çdo përpjekje ka një limit, limitin e pamundësisë për ta çuar deri në fund.
Ju e dini që unë jam deputet i Vlorës. E imagjinoni dot që për një vepër publike të mos mund të bëhet dot shpronësim për interes publik, sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve të shtetit, për një karburant, sikur të ishte monument kulture i mbrojtur nga shteti. E imagjinoni dot që gjykata të vendosë që ky objekt nuk mund të shpronësohet.
Unë kam parë gjykata që vendosin se shpronësimi i bërë nga shteti, edhe pse plotësisht mbi ligjet e shtetit, nuk mjafton dhe duhet të jetë më shumë, që edhe kjo është në histori më vete. Por që gjykata të thotë se Vlora, një nga asetet më të mëdha turistike të Shqipërisë dhe qytetarët e saj me taksat e tyre nuk mund të shpronësojnë një karburant në mes të Lungomares, si mund të ndodhë! Si mund të ndodhë që një vepër me interes publik të ndeshë këtë lloj pengese!
Por ja që mund të ndodhë dhe ju e dini më mirë se unë, sepse sa vrasës, përdhunues, grabitës me forcë keni arrestuar në vite, të cilët prokuroria i ka çuar bashkë me policinë në gjykatë për të marrë ndëshkimin e merituar dhe janë liruar në sallën e gjyqit dhe kanë rivrarë, kanë ripërdhunuar dhe kanë rigrabitur. 100 raste spektakolare të kësaj natyre, Ministri i Brendshëm i bëri publike një vit më parë. Kujt ia patën borxh, nënat që humbën djemtë e tyre?! Kujt ia patën borxh, vajzat dhe gratë që u përdhunuan?! Kujt ia patën borxh familjarët që u grabitën me forcë nga përsëritës, të lëshuar në sallën e gjyqit të lirë, për mungesë provash?!
Për të mos folur për dëme të panumërta në prona. Apo dëme të panumërta në buxhetin e shtetit, për njerëz, të cilët janë përjashtuar nga administrata shtetërore si pjesëmarrës në kontrabandë apo në veprimtari korruptive dhe gjykatat jo që nuk i kanë dënuar, por kanë vendosur kthimin e tyre në detyrë. Që do të thotë, ose duhet të rimerren në detyrë individë të kapur në flagrancë për kontrabandë, për korrupsion, ose duhet t’u paguhet çdo muaj, rroga. Ka pafund rroga të tilla që i paguan ky shtet për ata që s’mund të rimerren në punë, se nuk ka sesi të rimerren.
Të gjitha këto e bëjnë absolutisht të domosdoshme, edhe në kontekstin e kësaj beteje, reformën në drejtësi dhe vetting-un, si kyç për të ndarë mënjanë gjykatësit dhe prokurorët që e kanë bërë baltë dhe për t’ju dhënë gjykatësve dhe prokurorëve me integritet mundësinë të bëjnë punën e tyre, të mbrojnë Kushtetutën, të mbrojnë ligjin, të mbrojnë qytetarët, të mbrojnë interesat publike dhe private në bazë të ligjit.
Unë jam i bindur, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit dhe po ashtu miq të mirë të qytetarëve, se beteja që hyn në një fazë të re kundër kultivimit të kanabisit do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për të gjithë mirëfunksionimin e kësaj republike dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në procesin për të bërë shtet. Ju dhatë një shembull me Lazaratin, shembull që ia dhatë më shumë vetes sesa të tjerëve dhe tani jepni një shembull më shumë për tjerët sesa për vete, që në këtë vend mund të bëhet shtet, në këtë vend mund të ketë Polici Shteti, jo polici pushteti. Po ashtu, duke triumfuar këtë vit, jo vitin tjetër, në betejën kundër kultivimit të lëndëve narkotike me rezultate, jo thjesht në shkatërrimin në fund fare kur ka mbaruar treçereku i filmit, por në parandalimin dhe shkatërrimin në gjenezë të fenomenit, padiskutim që do t’i bëni një shërbim shumë të madh vendit dhe popullit.
Unë jam i bindur që ju do t’ia dilni dhe ashtu të jeni të bindur se mbështetja jonë do të jetë maksimale. Vullneti i shprehur i të gjitha agjencive do të jetë maksimal edhe në zbatim të këtij Plani të ri Kombëtar, që ndan në mënyrë të qartë të shkuarën nga e ardhmja. Le ta konsiderojmë këtë periudhë trevjeçare, sepse e tillë ka qenë, një periudhë tranzicioni të brendshëm në luftën kundër kanabisit. Tranzicion që, siç e dini ju dhe të gjithë shqiptarët, se ndryshe, me gjithë këtë propagandë dhe me gjithë këtë baltë që i hedhin Policisë së Shtetit nuk do të thoshin se “është institucioni më i besueshëm”, vlejti për t’i dhënë Policisë së Shtetit avantazhin dhe me këtë avantazh që kemi fituar, duhet të fitojmë luftën.
Vitet që vijnë do të na tregojnë më shumë për mënyrën se i ne do ta neutralizojmë plotësisht në çdo vend, jo thjesht kultivimin, por idenë se në Shqipëri mund të kultivohet drogë dhe mund të pasurohesh brenda natës, duke trafikuar drogë.
Shumë faleminderit gjithëve!
Respekte për të gjithë ju!