Plani i qeverisë për mbrojtjen e familjes shqiptare nga furtuna e krizës energjetike

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

 

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,

pak ditë më parë ju drejtova një mesazh të drejtpërdrejtë, mbi shfaqjen e një krize energjitike të egër, në trajtën e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

Sot jam këtu për t’ju thënë çfarë do të bëjmë ne, qeveria juaj, për ta përballuar këtë krizë, e cila kërcënon seriozisht buxhetet familjare, buxhetin e kompanisë sonë të shpërndarjes së energjisë elektrike por edhe stabilitetin e sistemit elektro-energjitik shqiptar.

Ju kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe mendoj se është shumë e nevojshme të dëgjojmë njëri – tjetrin por kur ballafaqojmë opinionet tona, të biem dakord të marrim për bazë faktet reale. Sepse përndryshe nuk merremi dot vesh, e kur i thonë fjalës, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit.

Duhet ta keni të gjithë mirë parasysh se nuk ekziston asnjë kryeministër, edhe më i keqi në botë dhe asnjë qeveri, edhe më e keqja në botë, që dëshirën e vetë më të parë nuk ka të rrisë pagat e pensionet aq sa do të dëshironin qytetarët. Por vetëm qeveritë e këqija dhe kryeministrat e padenjë për besimin e popullit të tyre, rrisin paga e pensione, pa i marrë parasysh pasojat e rënda që sjell një rritje e tillë që nuk bazohet në faktet e realitetit ekonomik e financiar të vendit por vetëm në dëshirë dhe në politikë.

Të rrisësh paga e pensione apo të ulësh kontribute, përtej aftësive paguese të qëndrueshme të arkës së shtetit, do të thotë të qeverisësh me logjikën e Sudes, jo me ndërgjegjen e atdheut, do të thotë të vrasësh të nesërmen duke ecur symbyllur në të sotmen.

Dikush po thotë, se tetë vjet më parë ne i paskemi pasur pagat më të larta në rajon dhe sot qenkemi të fundit, sepse nuk i kemi rritur pagat në këto tetë vite.

Por faktet nuk janë opinione dhe tabela e pagave në rajon flet ndryshe.

Ja pozicioni ynë tetë vjet më parë: Të fundit dhe me një diferencë dramatike.

Ja edhe rritja e pagave në rajon përgjatë kësaj periudhe, kur diferenca është ngushtuar ndjeshëm me të tjerët, por ku disa të tjerë natyrisht nuk kanë qëndruar në vend, duke pritur që ne të dalim të parët.

Të tjerë thonë se ne i paskemi braktisur njerëzit në nevojë, duke filluar nga pensionistët, ndërkohë që e paskemi rritur energjinë elektrike më shumë se sa në çdo vend të Europës.

Po përsëri, faktet nuk janë opinione dhe le ta nisim nga kjo e fundit.

Ja çmimi i energjisë për konsumatorin familjar në Shqipëri në raport me shumë vende europiane.

Po, thotë pastaj dikush tjetër, po ata i kanë rrogat e pensionet shumë më të larta se sa ne. Kjo është e vërtetë, kjo është shumë e vërtetë! Prandaj edhe e para, çmimi ynë i energjisë elektrike në faturën që na vjen, nuk është çmimi real i energjisë që blejmë, po është një çmim i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit dhe e dyta, qeveria ka vendosur edhe një mburojë më vete për shtresat më në nevojë dhe për pensionistët.

Cila është kjo mburojë?

Përsëri faktet e jo llafet, na ndihmojnë të shpjegojmë se ç’është kjo mburojë, por më parë le të shohim pak, se çfarë thotë tabela e llogarive të shtetit, lidhur me atë që thuhet papushim, jo sot po prej disa vitesh, se ne e paskemi rritur çmimin e energjisë.

Kjo është tabela.

Në kohën kur gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe gropa e borxhit në sistemin tonë energjitik kthehej në një humnerë, që kërcënonte të merrte me vete shtetin si në 1997-ën, konsumatorët shqiptarë ishin ndarë në dy fasha.

Fasha e sipërme, pra familjet me të ardhura mesatare dhe të larta, kishin një çmim 13.5 lek për KËH, ndërsa fasha e poshtme, ku hynin njerëzit me të ardhura shumë të ulëta, që teorikisht konsumonin nën 300 KËH, kilovati ishte 7.7 lekë.

Me reformën tonë çmimi i energjisë u ul, jo u ngrit, u ul për të gjithë familjarët, pa asnjë përjashtim në 9.5 lek qysh në vitin 2015 dhe nuk është prekur më që atëherë. Ky është një çmim, nën koston e prodhimit që  është mbajtur i palëvizur, pikërisht për të mos lënduar asnjë familje.

Nga ana tjetër, fasha u hoq, sepse ishte një kënetë korrupsioni e abuzimesh të padëgjuara, ku deri edhe fabrika apo 7 kurora me shtatë vila dykatëshe, paguan si të ishin një familje e varfër me ndihmë ekonomike.

Por ama, nuk i futëm të tërë në një thes, kur i thonë fjalës pasi hoqëm fashën dhe me vendim qeverie të vitit 2015, krijuam një mburojë, për ata që realisht ishin familje në nevojë dhe qysh prej vitit 2015, financojmë çdo vit nga buxheti i shtetit diferencën mes 7.7-ës e 9.5-ës; që do të thotë se ata e marrin qysh prej vitit 2015 nga qeveria këtë shumë, në fondin e tyre të pensionit apo ndihmës ekonomike.

Ja edhe tabelat e financimit, nxjerrë nga libri i llogarive të thesarit të shtetit.

Më pas ju mund të shikoni edhe shumë totale të paguar drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për kompensimin e diferencës në faturën e energjisë elektrike, pas ndryshimit të çmimit në vitin 2015.  Kjo është totalja.

Por, kjo qeveri nuk është mjaftuar me kaq dhe përsëri me shifra, jo me llafe, në mburojën sociale të pensionistëve të vetmuar, apo të atyre që nuk jetojnë në një familje me të ardhura të tjera, ka shtuar përgjatë këtyre viteve edhe një shumë tjetër që i bashkohet një shume tërësore për të gjithë pensionistët mbi fondin e pensionit të tyre dhe këtu jemi tek tabela për kompensimin e këtyre pensionistëve për energjinë.

Ndërkohë që shuma vjetore e subvencionimit për këtë qëllim, prej së cilës përfitojnë një numër i konsiderueshëm familjesh dhe shuma totale e shpenzuar drejtpërdrejtë për ta, 187 669 familje, për një shumë totale e cila është 126 milionë USD në vit ose në total që nga fillimi, rreth 1 miliardë USD subvencion mbi të ardhurat korente, të të gjitha familjeve me të ardhura minimale. 1 miliard në gjithë këto vite.

Nuk është pak apo jo po të kemi parasysh se ky është shteti shqiptar, i dalë nga rrënimi financiar i vitit 2013 në sistemin energjitik e jo vetëm.

Dikush mund të thotë e mirë, këtu s’ka ndonjë gjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëjeni pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të keni fytyrë e të na dilni përpara.

Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të vdesësh për bukë.

Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë sa hap e mbyll sytë, na duhet më pas se një vit që të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori.

E thënë ndryshe, që të jemi të qartë, pagat e pensionet në një vend rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi dhe nuk ka prind në botë, që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij, por po ashtu nuk ka prind të përgjegjshëm në botë, që i jep fëmijës sot edhe atë që duhet për nesër dhe nesër e le fëmijën të vdesë për bukë.

Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore, domethënë kontributet në vite të atyre që punojnë.

Po pa hyrë në historinë e abuzimeve e të gropës së madhe historike të fondit të sigurimeve shoqërore, që po e mbyllim dalëngadalë vit pas viti, se nuk ka Zot që ta mbyllë shpejt e shpejt,  le të shohim sa sigurime shoqërore paguajmë ne, në Shqipëri, krahasimisht me të tjerët, vendet e të cilëve i sjellim shpesh si shembuj, për pensionet më të larta.

Me këtë nivel sigurimesh shoqërore e shëndetësore, ne sot nuk do të paguanim dot as gjysmën e pensioneve që paguajmë.

Kjo do të thotë që pjesën e munguar nuk e kemi kërkuar nga njerëzit, po e kemi mbuluar nga buxheti i shtetit, me afro 450 milionë USD çdo vit. Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse shuma e të ardhurave nga taksat e aktiviteteve ekonomike dhe të ardhurat personale të atyre që punojnë. Tabela tregon fare mirë raportin mes nesh dhe plot të tjerëve, qoftë në rajon, qoftë përtej rajonit, në raport me detyrimet për pensionet.

Nga ana tjetër, edhe pse afro gjysmë miliardi çdo vit ne i marrim nga taksat për të mbushur deficitin e pensioneve qysh në vitin 2014 ne i kemi ulur taksat e tatimet mbi të ardhurat personale të 97% të shqiptarëve. Qysh prej vitit 2014, të gjithë shqiptarët që fitojnë më pak se sa 150 mijë lekë të reja në muaj, paguajnë më pak se sa paguanin nga rroga e tyre deri në vitin 2014. Kjo do të thotë që falë kësaj uljeje, ne u kemi lënë për familjet, të gjithë atyre që punojnë, 1.2 miliardë USD në 8 vite, të cilat përndryshe do të ishin në arkën e shtetit, siç shkonin në arkën e shtetit deri në vitin 2013 me sistemin e vjetër të taksimit.

Po ashtu biznesi i vogël paguan zero Taksë deri në 140 mijë USD xhiro në vit dhe zero TVSH deri në 100 mijë USD në vit, ndërkohë që deri në 2013 paguante 10% taksë nga 20 mijë USD xhiro në vit e lart.

Këto janë fakte dhe çdo infermiere, çdo mësues, çdo punonjës policie, ashtu sikundër çdo kamarier, çdo kuzhinier, çdo punonjës në sektorin privat, që ka paguar taksë nga paga para 2013-ës, këtë që po them, e verifikon shumë lehtë dhe normalisht e di shumë mirë. Siç i di edhe çdo sipërmarrës i vogël apo sikundër çdokush e di, që ne jemi i vetmi vend në Europë, që nuk e takson bujqësinë, po vetëm e subvencionon, siç jemi vendi me përjashtimet më të mëdha nga TVSH-ja standarte 20%, gjë që në fakt, nuk i ka sjellë efektet e dëshiruara, pavarësisht se masat janë marrë me qëllimin shumë të mirë, për të stimuluar, dhe qoftë në raport me çmimet e qoftë në raport me produktivitetin e vendit, kemi marrë në këmbim të këtyre lehtësimeve shumë më pak se sa kemi dhënë, por kjo është një temë tjetër.

Atëherë pyetja e thjeshtë që ngrihet sot është:

Me çfarë tjetër përveçse me më shumë punë, me më shumë mund, me më shumë durim, e mbi të gjitha me më shumë produktivitet dhe me më pak shpenzime joproduktive nga buxheti për përjashtime TVSH-je e për arrnime të vjetra ideologjike, ne mund t’i rrisim më tej të ardhurat dhe të kemi mundësi të rishpërndajmë më shumë për paga e pensione?

Me asgjë tjetër miqtë e mi, me asgjë tjetër.

Nëse duam t’u ngjajmë atyre që kanë më shumë se sa ne dhe prandaj edhe rishpërndajnë më shumë se sa ne, ne duhet të mos e harrojmë kurrë të vërtetën e thjeshtë, se për të arritur aty ku janë sot, ata kanë punuar shumë, janë munduar shumë, kanë duruar shumë, e kanë rritur shumë produktivitetin e shoqërive të tyre, duke paguar shumë edhe për arkën e shtetit të tyre.

30 vjet më parë mes atyre, të gjithë atyre dhe nesh, ishte në mes një oqean e sot është në mes një det.

Të mos e harrojmë kurrë këtë, nëse nuk duam të mbytemi në detin që na ndan me ta, po ta kapërcejmë edhe këtë det, siç kapërcyem oqeanin, duke e nisur tamam asokohe nga anës sofrës të pangrënë, edhe pse buka kushtonte 100 herë më pak se sa sot, e pranë dijes të panxënë, edhe pse një orë larg ishim fizikisht prej tyre edhe atëherë.

30 vjet më parë ne zgjodhëm një sistem ku shteti nuk është Zoti mbi tokë dhe individi duhet t’i dalë zot vetes. Ishte hera e parë në historinë tonë që zgjodhëm vetë, e nuk zgjodhën të tjerët për ne, siç kishte ndodhur 500 vjet me radhë. Dhe bëmë gjënë e duhur, prandaj edhe sot kemi shumë më shumë se 30 vjet më parë, po natyrisht kemi shumë më pak se ç’duhet të kemi dhe sipas meje, edhe shumë më pak se ç’mund të kishim sot, nëse shumë gjëra që kemi nisur t’i bëjmë për së mbari, vetëm pak vite më parë, do t’i kishim bërë më shumë vite më parë. Por kjo është përsëri një histori tjetër.

Historia sot është si do të ngjitemi në majën ku e meriton ky vend dhe ku meritojnë të jenë nesër fëmijët tanë, ndërkohë që duhet të përballemi, jo vetëm me sfidat që kemi zgjedhur, po edhe me sfida që na zgjedhin pa na pyetur, si tërmeti, pandemia apo kjo e fundit fare, furtuna e çmimit të shumëfishtë të energjisë.

Do të përballemi duke e harruar se çfarë zgjedhje kemi bërë 30 vjet më parë dhe duke kërkuar që shteti të na japë rroga e pensione jashtë mundësive? Të vendosë çmimet në treg? Të heqë çdo taksë e të shërbejë falas për çdo nevojë?

Do të përballemi duke i kërkuar qeverisë e kryeministrit të mendojnë vetëm sot për sot? Siç më thoshte për shembull mbrëmë një djalë i mirë, sepse do ketë shumë shi këtë dimër e do kemi energji sa të duam me kosto të ulët, prandaj nuk duhet as ta themi jo më ta mendojmë se çfarë po ndodh me çmimin e energjisë në tregjet ndërkombëtare?

Do të përballemi duke folur pa dëgjuar, pa lexuar, pa ballafaquar opinionet me faktet, duke i mbushur mendjen vetes se ne kemi aq shumë ujë dhe kemi aq shumë naftë, sa duhet të kemi çmimet më të lira në botë të dritave e të dizelit, po janë hajdutët e qeverisë që nuk na lënë ta shijojmë parajsën energjitike ku na ka hedhur zoti?

Do të përballemi duke i bërë hesapet pa hanxhinë dhe duke thënë mjafton të mos rriten rrogat e qeveritarëve, e të rriten taksat për të pasurit dhe dolën lekët për t’i rritur rrogën minimale 500 euro e pensionet 300 euro, apo do të bëjmë atë që kanë bërë dje ata të cilët i kemi zili sot, kur janë përballur me të kaluarën e me plagët e prapambetjeve të tyre?

Meqë ra fjala, qyshse ju më keni zgjedhur mua të hyj në këtë godinë, pagat e ministrave e të deputetëve nuk janë rritur asnjëherë, ndërsa taksa mbi pagën e tyre po, është rritur!

Sepse kur unë ngjita shkallët poshtë dhe hyra në zyrën e kryeministrit, paga ime taksohej më pak se sa paga e sanitareve të kësaj godine.

Po ashtu, siç në vitin 2014 ne ulëm taksat për biznesin e vogël, rritëm edhe taksat për biznesin e madh, sepse deri atëherë, furra e bukës paguante më shumë se sa 15 katëshi.

Por edhe taksimi i të pasurve duhet arsyetuar mirë, sepse e para, ata janë motori më i fuqishëm i ekonomisë dhe punëdhënësit më të mëdhenj të këtij vendi, e nëse taksat për ta bëhen pengesë, për rritjen e mëtejshme të aktivitetit të tyre ekonomik, nuk ka si rriten pastaj, as të ardhurat për buxhetin e shtetit nga ato taksa, as pagat e punonjësve të tyre, as vetë punësimi në këtë vend, e produktiviteti jo e jo. Po edhe kjo është një histori tjetër, kështu që po ndalem këtu, për t’u kthyer tek çmimi i energjisë.

Bashkëqytetarë të dashur,

ne duhet ta dëgjojmë më shumë njëri – tjetrin dhe ju duhet ta dini e ta kuptoni, se unë nuk jam këtu, as për t’jua bërë jetën më të vështirë, as për t’ju thënë që s’kemi ç’i bëjmë tërmetit, se na doli jashtë planit financiar, s’kemi ç’i bëjmë pasojave të virusit, se nuk jemi as Amerika as Gjermania, s’kemi ç’i bëjmë shumëfishimit të çmimit të energjisë në bursë, jo. Unë nuk jam këtu as për t’ju thënë se 30 vjet më parë zgjodhëm kapitalizmin, kështu që kush ka le të paguajë, kush s’ka le të rrijë në errësirë. Në asnjë mënyrë këtë s’kam për ta bërë kurrë!

Por ama unë s’jam këtu as për t’i rënë me top arkës së shtetit, që askujt të mos i dhembi koka sot, pa punë e madhe se rrëzohemi të gjithë nesër, siç jemi rrëzuar në fakt pasi ata përpara, na thanë që kapitalizmi është fushë me lule, hidhini lekët për të ndërtuar te Lana, hidhini kursimet për t’u pasuruar te Vebiu, hidhini fëmijët për t’i diplomuar te Vitrinat, lidhini fijet për t’u furnizuar tek shtylla e neonit, hidhini faturat pa paguar, bëjini hesapet pa menduar se është kapitalaizmi që i zgjidh për ju.

Unë s’jam këtu as për të heshtur, kur më thoni që Shqipëria e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet, po ne e shiskemi lirë jashtë, që pastaj ta blejmë shtrenjtë për të vjedhur; sepse në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet.

Dhe ne e shesim lirë, kur tërë rajoni rrotull nesh, nuk ka asnjë nevojë alarmante për energji, që të mos e hedhim ujin e hidrocentraleve në lumë apo më keq akoma, që të mos përmbysim fushat e mbjella duke e mbajtur kapicë. Ndërsa nga ana tjetër e blejmë shtrenjtë; sepse dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës.

Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që prej 50 vjetësh rrinte në sirtar, që të kemi një rezervuar ujëmbledhës në kaskadën e Drinit, ku ujin e tepërt sot që kemi shi, ta mbajmë rezervë për nesër kur të kemi thatësirë.

Unë s’jam këtu për të bërë sikur nuk dëgjoj, as kur më thoni që ne e prodhojmë vetë naftën që na duhet, prandaj duhet ta kishim më të lirën në botë, jo më të shtrenjtën në rajon; sepse ne fakt jo, ne nuk e prodhojmë në vend naftën që konsumojmë për automjetet tona, pasi nafta jonë është naftë e rëndë, e cila shitet jashtë për nënprodukte, kryesisht për bitum, ndërkohë që Shqipëria importon 600 mijë ton naftë në vit për diesel e benzinë.

E meqë ra fjala, dieseli dhe benzina po, sot janë më të shtrenjtat në rajon, sepse sa herë duhet ta përsërisim akoma, në çmimin e naftës që ju bleni në benzinatë, është brenda edhe taksa e qarkullimit, të cilën në rajon e paguajnë veçmas, siç është brenda edhe një taksë karboni, sepse po, mjedisin nuk e ndotin as pensionistët, as invalidët, as ata me ndihmë ekonomike e as fëmijët, po automjetet dhe për ti kthyer edhe një herë fjalët, tek mbështetja për të gjithë këta, të cilëve bëjmë shumë mirë, bëni shumë mirë, bëjnë të gjithë shumë mirë që ua qajnë hallin por hallin nuk mund tua qajmë duke i thënë shteti tua zgjidhi se ne nuk duam të paguajmë asgjë më shumë, si dreqin mund ta mbështesë qeveria që atë shtresë nga arka e shtetit, nëse kush ka më shumë nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë nuk paguan më shumë, kush do edhe më shumë nga kjo shtëpi e përbashkët, pretendon të japë më pak për buxhetin e saj.

Megjithatë, sot që flasim, një tabelë është këtu, shumëkush ankohet se çmimi i naftës është rritur përtej çdo imagjinate, por po të kthehemi përsëri tek faktet, dieseli dhe benzina janë më lirë se sa në vitin 2013.

Kjo tabelë nuk tregon se qeveria dje ishte e keqe dhe kjo sot është e mirë, se kjo të them të drejtën dihet, po në këtë rast kjo tregon se tregu është treg, çmimet në treg janë çmime në treg, e kush ankohet është patjetër në të drejtën e vet, por nëse nuk harron faktet e djeshme, atëhere i gjykon më mirë faktet e sotme.

Gjithsesi, thënë të gjitha këto, mua tani nuk më shkon mendja t’ju them tani, që meqë 30 vjet më parë zgjodhëm ekonominë kapitaliste të tregut, në vend të ekonomisë komuniste të planit të shtetit, dilini zot vetë edhe çmimit të shumëfishtë energjisë.

Sepse siç e kuptoj unë të paktën, detyrën e shtetit në këtë sistem, ku vërtetë shteti nuk është Zoti në tokë dhe ku çdo individ duhet t’i dalë zot vetes, detyra jonë si qeveri e këtij shteti është ndër të tjera, të jemi shoku i mirë në ditë të vështira, për të gjithë ata që jo për fajin e tyre, nuk janë në gjendje t’i përballojnë vetë sfidat e jetës, e as pasojat e krizave të kësaj natyre, as bëhet fjalë që jo e jo.

Por duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, e duke ju thënë se kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar, mund të jetë për këtë shtet deri edhe po aq sfiduese sa pandemia, me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin, nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri po si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm, unë ju them që plani ynë i kundërveprimit, nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e për biznesin e vogël, as parashikon ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi.

Stuhia e kësaj krize dhe është e rëndësishme përsëri të dëgjojmë njëri tjetrin, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, po edhe në gjykimin e disa qeverive mike, me të cilat jemi konsultuar, për si e shohin e qysh duan ta adresojnë krizën, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në fillimverën e ardhshme. Natyrisht këtu janë parashikime, mund të ndodhë më parë por mos qoftë e thënë, mund të zgjasë edhe më pas.

Megjithatë plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhë, ndërkohë që qeveria po përgatitet edhe për një konsultim kombëtar brenda këtij viti, me të gjithë ju, ku do t’ju kërkojmë të na jepni opinionin tuaj mbi këtë çështje, dhe jo vetëm mbi këtë çështje në fakt.

Ne kemi nevojë ta dëgjojmë shumë njëri-tjetrin dhe le ta bëjmë këtë me të gjitha mënyrat, sepse në fund të fundit, ne jemi këtu për njëri-tjetrin, ndajmë të njëjtat qëllime të përbashkëta për këtë vend, edhe pse mund të kemi opinione shumë të ndryshme për sesi arrihet drejt atyre qëllimeve.

Por unë besoj se është koha, që dallimin shumë të madh mes përplasjes së opinioneve mes politikanëve dhe të pasjes së opinioneve të kundërta mes njerëzve të zakonshëm, ta kthejmë në një avantazh, në një mirësi kombëtare, duke e kthyer ballafaqimin e opinioneve të kundërta mes qytetarëve, në një burim të ri, të çmuar, energjie kombëtare për vendimmarrjet e vështira të qeverisë. Qeveria vërtetë del nga zgjedhjet si përfaqësi e palës fituese mes palëve në garë, por është në detyrë katër vjet, për të qenë palë me Shqipërinë e me interesat e kombëtare e qytetare të të gjithë popullit shqiptar, pavarësisht dallimeve politike e aq më pak partiake mes shqiptarëve.

Plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjitike ka tre pika:

E para, garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara.

E dyta, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara

E treta, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, që do të jenë të ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe pikën dy.

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,

kur e pyetën dikur një kryeministër britanik se nga çfarë trembej, ai u përgjigj, trembem vetëm nga ngjarjet, duke pasur parasysh pikërisht faktin, se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që mund të jesh duke bërë plane të tjera.

Këto vitet e fundit jeta për ne të gjithë, për pasojë edhe për qeverinë e për mua, ka qenë e përcaktuar shumë më tepër nga ngjarjet se sa nga planet tona; tërmeti, pandemia, e tani edhe kjo furtunë e rritjes së çmimit më delikat të jetesës së përditshme. E di mirë që të tëra këto lënë gjurmë në mendje e në shpirt, por dy gjëra dua t’ju them në mbyllje:

E para, ndjehuni mirë që ia kemi dalë dhe kini besim që do t’ia dalim gjithnjë e më mirë. Dhe e dyta, mundohuni të mos e harroni se çfarë mbjellim sot, me qëndrimet e me vendimet tona, do të korrin fëmijët tanë nesër. E që nesër fëmijët e sotëm, të mos kenë aq pak fat sa ç’patën fëmijët e viteve 90, që kur u rritën korrën atë që u mboll mbrapsht në ato vite, duhet që ne të mos kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.

Shumë faleminderit.