Komunikim publik i Kryeministrit lidhur me situatën e pandemisë së Covid-19:
Përshëndetje të dashur miq!
Situata sot është goxha pozitive por do t’ju lutem të kuptoni të gjithë se do të mbajmë mend ca gjëra të thjeshta e kush është i mërzitur unë e kuptoj plotësisht por nuk ka nevojë të më besojë mua, ,thjesht le të shohë çfarë bëhet në vendet rreth e rrotull, nga Italia deri në Angli e deri në Amerikë po të dojë.
Së pari, armiku i padukshëm që po luftojmë nuk ikën për faktin se ne mbyllemi brenda, po nuk doli vaksina prandaj ne do duhet të bashkëjetojmë me të, kjo do të thotë se hapja e domosdoshme duhet të jetë graduali, vigjilenca e secilit duhet të jetë maksimale dhe imponimi dhe vetë imponimi i rregullave duhet të vazhdojë. Përndryshe, gjithçka bëmë deri këtu humbet çdo vlerë dhe mos o zot kthehemi në pikën zero.
E di që ju kanë lodhur, mërzitur, stresuar, lejet, autorizimet, kufizimet, ndryshimet por duhet të kuptoni të gjithë se kjo është një dhimbje koke për ju, është një dhimbje koke edhe për ne, edhe për mua që kam një përgjegjësi kaq të madhe që t’ju mbroj nga e keqja e madhe.
Javën e ardhshme ne do ta rrisim orarin e daljes në pazar. Do të hapim dhe rrugët ndërqytetëse për shërbimet taksi, për të lehtësuar sadopak njerëz që kanë nevojë të lëvizin se kanë mbetur andej e kanë mbetur këtej, n ag një qytet në tjetrin. E nga e hëna, 4 maj, do ta lehtësojmë shumë lëvizjen brenda qyteteve, qoftë me këmbë, qoftë me makinë, madje pa e kufizuar vetëm tek makinat që duan të shkojnë në punë.
Po ashtu, do të hapim dhe bllokun e tretë të bizneseve. Kjo patjetër që do të ndihmojë ekonominë familjare të atyre që dalë nga dalë do të rikthehen në punë, prandaj edhe pak durim se pavarësisht se e di që është më e lehtë ta thuash se sa ta bësh durimin, po nuk ka rrugë tjetër, duhet durim. E këtu vijmë tek e dyta, që duhet ta ngulisim në mendoj që të gjithë, që hapja do të garantohet me rregulla e me kushte sigurie.
Prandaj ka shumë rëndësi që bizneset të garantohen se do ta marrin vërtetimin, bashkë me protokollin e sigurisë tek e-albania dhe ta zbatojnë protokollin e sigurisë. Prandaj ka shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë se në fund të ditës, këto leje, këto vërtetime, këto autorizime, këto protokolle duhen për të garantuar shëndetin e gjithsecilit që do të thotë se duhet e do të jemi më shumë kërkues ndaj jush por në radhë të parë secili prej nesh, secili prej duhet të jetë më shumë kërkues nga vetja, për të mbrojtur veten, familjen, popullin, Shqipërinë, nga revanshi i armikut të padukshëm. Së treti, deri fillim javën tjetër do të kemi një vendim për shkollat dhe universitetet. Nuk është e lehtë, deri më sot që flasim, harrojeni Suedinë, vetëm Danimarka i ka hapur shkollat, pjesërisht dhe ajo. Me të gjithë kryeministrat e tjerë që kam folur kam dëgjuar pak a shumë të njëjtën gjë, nuk e dimë ende si do bëjmë, do shikojmë e do bëjmë javë pas jave, nuk kemi asnjë deri tani konkluzion për arsimin e për turizmin, e mos harroni, ne kemi dhe një taksirat tjetër, pasojat e tërmetit ku kemi humbur shumë shkolla në zonën më të populluar të Shqipërisë, Tiranë, Durrës e përreth e kjo na i ka mbipopulluar shumë nga shkollat ekzistuese pra risku, nëse i hapim shkollat është shumë i madh, sidoqoftë, ne po i vlerësojmë të gjitha e do kemi një vendim javën e ardhshme edhe për këtë.
Së katërti, sot fola me kryeministrin e Kroacisë lidhur me turizmin dhe jemi në kontakt me disa nga vendet që e kanë turizmin si ne, jetik për ekonominë e tyre por dhe pjesë të pandashme të jetës, njerëzve, gjatë sezonit të verës. Akoma nuk dihet me siguri asgjë por gjithsesi, falë dhe gjithë ndërveprimit me të tjerët, do ta kemi dhe ne planin tonë për turizmin brenda majit, shpresoj brenda gjysmës së parë të majit duke parë gjithmonë me vëmendje dinamikën e epidemisë sepse është shëndeti mbi të gjitha e nuk do lejojmë për asnjë arsye që të degradojë gjendja solide që kemi sot në frontin shëndetësore pavarësisht stresit, stresit që prodhon me shumicë për të gjithë ne, për arsye të ndryshme, fronti i jetës së përditshme.
Së pesti, sot ka shkuar në 52 mijë nuri i atyre që kanë përfituar pagën e luftës dhe deri ditën e premte kryhen dhe rreth 8000 verifikimet e fundit plus dhe shqyrtimi i ankesave që mbyll transhin e parë të paketës së parë. Shumë ndjesë për kohën e marrë por ishte e domosdoshme e kështu për dy transhet e tjera, nuk do ketë më asnjë vonesë, asnjë problem, asnjë pritje sepse do kalojnë brenda ditës, automatikisht në aftët e përcaktuara. Ndërkohë janë rreth 65 mijë individë që janë refuzuar e janë ankuar pse janë refuzuar por nuk hynin në kategoritë e paketës së parë të cilëve do t’ju mbërrijë në emailet përkatëse deri nesër konfirmimi se përfitojnë nga paketa e zgjeruar pikërisht sepse janë në ato kategori që mbulon paketa e zgjeruar me 40 mijë lekë.
Ndërkohë duke nisur nga disa pyetje këtu lidhur me disa pagesa të biznese të vogla në mars, sqaroj se tatim fitimi i të gjitha biznese të vogla për vitin 2020 është falur por ama çfarë është paguar e do vazhdojë të paguhet janë sigurimet dhe natyrisht TVSH-ja, këto do vazhdojnë. Për të mos u zgjatur, të dashur miq. Ne kemi hyrë në një kthesë graduale e duhet të bëjmë që të gjithë edhe pak durim, duke mos harruar ama për asnjë çast që çdo rritje shpejtësie mund të na kushtojë shumë, ,ashtu sikundër e tha kancelari i Austrisë, duhet dhe të jemi të vetëdijshëm se ekziston pas çdo hapi mundësia që të tërheqim frenat e emergjencës siç tha ai e të kthehemi mbrapsht nëse numrat e të infektuarve do të rriten jashtë parashikimit të normales që do të ndodhë.
Ne kemi njësoj siç kishim në fillim në fazën e parë modelin tonë të parashikimit të numrave dhe ai model do të na udhëheqë dhe në vendimmarrjet tona të cilat do vazhdojnë të jenë dinamike prandaj mos u qani që pse ndryshojnë shpesh rregullat e vendimet, sepse janë të pashmangshme kudo, në një përballje ku mes nesh dhe të ardhmes nuk është vetëm sa duam ne të ecim shpejt drejt të ardhmes por ka dhe një forcë të padukshme që kërkon të na dëmtojë shëndetin, të na kthejë mbrapsht, të na marrë njerëz të dashur me vete larg qoftë. Ama një gjë kijeni parasysh kur mërziteni, mbase ndihmon. Nëse nuk do kishim marrë masat që morëm, nëse nuk do kishim rezistuar dhe duruar siç kemi bërë deri këtu, të gjithë sëbashku, nëse nuk do ta kishim ulur kurbën e epidemisë nënë parashikimin tonë më optimist, pikërisht falë kësaj lufte që po bëjmë bashkërisht,, sot nuk do mërziteshim pse kjo leje, pse ai vërtetim, pse ai autorizim, jo më erdhi, jo nuk më erdhi, por do qanim shumë të vdekur e do dëshpëroheshim për shumë të plagosur, në shtretërit e spitaleve tona që nuk do ta kishin mbajtur dot valën. Mendoni vetë këtë sepse kemi gjithë dijeninë për lidhjen e ngushtë me Italinë, për se sa shumë e shumë nejrëz dhe nga Italia dhe nga zonat e kuqe të Italisë para se ne të mbyllnim kufirin. Po ta marrim modelin statistikor italian dhe ta adoptojmë këtu, ,do të kishim afro 15 mijë të prekur e do duhet të kishim trajtuar në 5 javë 855 vetë në terapi, e pamundur. E do na kishte sjellë 1995 të vdekur.
E di që njeriu nuk ngushëllohet shumë me atë që nuk ndodh por sidoqoftë në këto kushte kaq të jashtëzakonshme, duhet të mos e harrojmë se si mund të na kishte ndodhur edhe për një arsye tjetër, për të mos gabuar duke kujtuar se e keqja iku, kjo unë mbaroi, nuk ka çfarë ndodh nëse ne nuk vazhdojmë të bëjmë deri në fund detyrën siç e kemi bërë deri këtu. mund të ndodhë shumë më keq se sa do kishte ndodhur, më besoni, ky është fakt e duke kërkuar të normalizohemi e duke shkuar drejt normalizimit e normalitetit të ri duhet ta ndajmë mirë mendjen se për kushedi se sa kohë, askush nuk e di askund, normaliteti i ri nuk do të jetë normaliteti që kishim përpara se sa hymë në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme dhe akoma më e rëndësishme për ta mbrojtur normalitetin e ri, do duhet të kemi një sjellje të re secili në raport me sigurinë dhe do duhet që ti imponojmë njëri tjetrit, të gjitha ato kushte, të gjitha ato rregulla dhe të gjithë atë rigorozitet që kërkon mbrojtja e normalitetit të ri për të mos u kthyer aty nga ku ne dolëm deri tani me kaq shumë sukses. Faleminderit!