Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes:
Mirëdita!
Mirë se keni ardhur dhe faleminderit për mundimin për të na ndihmuar edhe sot si në çdo javë të bashkëqeverisjes me dëshmitë tuaja për ndërveprimin me platformën “Shqipëria që duam” dhe për rezultatet e arritura, falë këmbënguljes tuaj dhe me mbështetjen e skuadrës së bashkëqeverisjes. Pa humbur kohë po ftoj Katerinën që të prezantojë rastin e parë.
Katerina, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Në vijimësi të punës së zyrës së bashkëqeverisjes, sot ju prezantoj rastin e zotit Artan Cekollari, i cili iu drejtua platformës për shkak se që nga viti 2006 ishte në trajtim të problematikës së hasur pranë ish zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, pasi është pajisur me lejen e legalizimit, e cila është emetuar në gusht 2018. Kjo ishte dhe arsyeja që zoti Cikollariu iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, për të shmangur burokracitë dhe vonesat e tepërta. Aktualisht është pajisur me certifikatën e pronësisë nga zyra e re e kadastrës.
Zoti Artan Cikollari: Përshëndetje! Pas shumë mundimesh, në gusht 2018 më del leja e legalizimit pasi unë jam përfaqësues i familjes Nezaj dhe më thonë që do të të marrim në telefon pas 2-3 muajsh për të vazhduar veprimet e tjera. Më marrin në telefon dhe shkoj tek zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Atje bëj aplikimin, 30 ditë ishte afati. Mbas 30 ditëve, kaluan edhe 10 ditë nga afati, bëra përsëri aplikim dhe më 28 shkurt iu drejtova platformës së bashkëqeverisjes. Më datën 1 mars, më vjen certifikata e pronësisë në adresën që kisha dërguar. Falënderoj shumë bashkëqeverisjen dhe zotin kryeministër për këtë mundësi që na dhatë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit i dashur Artan dhe më vjen mirë që është zgjidhur me shpejtësi një problem që mund të ngelej i pa zgjidhur, por dua ta nënvizoj që tanimë ne kemi vendosur një bazë të re në punën e zyrave që merren me pronën. Sot, sikundër ju e dini, po mbase shumëkush akoma nuk e ka informacionin, nuk kemi më një zyrë ALUIZNI në një anë dhe një zyrë Hipoteke në anën tjetër, por kemi një agjenci të vetme të Kadastrës, e cila trajton rastet e të gjithë individëve apo subjekteve që kërkojnë legalizim, nga fillimi, deri në fund. Natyrisht që kjo agjenci sapo është formuar dhe bashkimi i dy strukturave do kërkojë kohën e vet për t’u harmonizuar të gjitha veprimet por është e sigurtë që proceset do të kryen të integruara dhe si të tilla do të jenë shumë më të shpejta dhe në tërësi sistemi do të jetë shumë më i qëndrueshëm. Do kemi shumë më pak vonesa në hendekun mes dy strukturave, të cilat tanimë janë një dhe hendeku nuk ekziston.
Flavia, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Zoti Zenel Bekteshi, qytetar i Tiranës kishte tre vite që përpiqej të zgjidhte problematikën e kanalizimeve në rrugën ku banonte sepse tashmë këto kanalizime ishin amortizuar, por duke mos gjetur zgjidhje, vendosi të zgjidhte rrugën e platformës. Menjëherë pasi u mor rasti, u trajtua me ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, me disa pjesë, me disa etapa, që nga hartimi i projektit për rregullimin e kësaj problematike, deri në implementimin e kanalizimeve të reja dhe vendosjen edhe të një kolektori për të gjithë zonën, një problematikë që u zgjidh, jo vetëm për familjen e zotit Bekteshi, por për të gjithë komunitetin që banon në rrugën “Njazi Meka”.
Zoti Zenel Bekteshi: Përshëndetje! Kisha gati 3 vjet që vija vërdallë lart e poshtë, por problemi nuk merrte zgjidhje. U detyrova pastaj t’i drejtohesha portalit dhe brenda 10 ditësh, u bënë disa etapa për arsye se kishte dhe disa probleme të tjera, por rëndësi ka që problemi u zgjidh se për 7 metra kanal vajti gati 3 vjet dhe dua të them edhe diçka. Inxhinieri më tha “ankohu, ankohu se kështu do vazhdosh”. Këto nuk janë të mira. Qeveria punon me ndërgjegje dhe gjithë faji i ngelet qeverisë. Po pse, qeveria do merret me ato poshtë? Nuk punojnë poshtë njerëzit. Po nuk i dhe gjë, “do vijmë sot, do vijmë nesër” thonë. U zgjat sa nuk duroja dot më. Vetëm kështu e zgjidha problemin. Prandaj ju falënderoj shumë që e keni krijuar këtë rrugë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit i dashur Zenel! Për fat të keq sa the është e vërtetë, shumë njerëz që janë në vijën e parë të kontaktit me qytetarët sillen në mënyrë të padenjë dhe një nga vlerat e këtij procesi është pikërisht ky, që pasi rasti trajtohet dhe zgjidhet sipas të drejtës dhe ligjit, vazhdon një hetim dhe personat përgjegjës për vonesat e pajustifikuara marrin ndëshkimin që meritojnë, që nga tërheqja e vërejtjeve, kur bëhet fjalë për raste ku nuk konstatohet dyshimi për korrupsion deri tek masat ekstreme të largimit nga puna dhe të çuarjes së tyre në Prokurori. Janë, sot që flasim, mbi 600 individë, që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët, deri tek drejtues të këtyre zyrave, të cilët janë larguar pikërisht sepse nuk kanë qenë të denjë në shërbimin ndaj qytetarëve. Patjetër ka plot të tjerë, por duhet ta them që edhe nga konstatimet tona në bazë të rezultateve të punës së matshme me statistikat që dalin nga raportet mes ankesave dhe përgjigjet e qytetarëve, por edhe nga marrja e perceptimit të qytetarëve, ka një përmirësim që ndihet në shërbimet publike dhe kjo i dedikohet jo vetëm reformave që vazhdojnë në sistemet e shërbimeve, por edhe presionit të madh që vjen pikërisht nga bashkëqeverisja. Nga ndërveprimi mes qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm të cilët falë kësaj platforme, sot zërin e tyre e çojnë deri në qeveri. Deri dje, ju mund të vazhdonit edhe me vite të tjera të ndesheshit me harbutërinë e atij personi që përmendet këtu dhe askush nuk do ju dëgjonte. Sot, ju dhe asnjë qytetar tjetër nuk është më viktimë e një marrëdhënieje me një person të papërgjegjshëm sepse menjëherë mund t’i drejtohet qeverisë, drejtpërdrejtë, mua personalisht, ministrave përkatës apo kryetarëve të bashkive, përmes platformës dhe faktikisht, siç dëshmoni ju, problemi gjen zgjidhje që do të thotë që zëri i qytetarit, sot ka vlerë.
Zëri i qytetarit sot dëgjohet.
Zëri i qytetarit sot është shtysë për qeverinë që të vihet në krah të tij dhe të reagojë në emër të tij.
Pra, ai miku i famshëm që ishte ilaçi tradicional për të zgjidhur probleme që duhet t’i zgjidhi shteti, sot ka jo vetëm pamjen, por ka dhe trajtën e vetë qeverisë. Është qeveria, miku më i madh i çdo individi të zakonshëm që i drejtohet asaj përmes platformës. Nuk ka mik më të madh dhe mik më efikas sepse qeveria ka një detyrë që mund ta bëjë për secilin në momentin kur vihet në dijeni, paralelisht me gjithë punën tjetër që është që administrata duhet të vazhdojë të përmirësohet dhe të ngrihet në nivelin që e kërkon ligji, në nivelin që e meritojnë qytetarët.
Fatmiri, koordinator i platformës së bashkëqeverisjes: Rasti që ju sjell sot është fjala e zotit Filip Doda e përcjellë përmes ankesës që ka nisur në platformën e bashkëqeverisjes. Zoti Doda ka aplikuar në muajin korrik të vitit 2018 për regjistrimin për lejen e legalizimit të pronës së tij. Për këtë praktikë, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë dispononte dhe një shkresë të nisur nga ALUZNI Tiranë, e cila bënte me dije se dokumentacioni i paraqitur nga zotëria ishte konform akteve ligjore në fuqi, por deri në muajin mars të viti 2019, kur zoti Doda paraqiti ankesën, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë në atë kohë, nuk kishte kryer asnjë veprim. Pas paraqitjes së ankesës, rasti u ndoq nga ana jonë dhe tanimë në zbatim të ligjit për kadastrën zoti Doda disponon certifikatën e pronës.
Zoti Filip Doda: Përshëndetje! Kishte një vit që kisha paguar të gjitha detyrimet dhe nuk gjeta zgjidhje. Prandaj u detyrova të shkruaja tek portali i bashkëqeverisjes. Me punën e bërë të stafit të portalit unë më në fund e mora certifikatën e pronësisë dhe jam shumë mirënjohës ndaj portalit.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe për mundimin për të ardhur këtu se ju e keni zgjidhur problemin dhe fare mirë mund të thonit “boll u mora me këta”, por faktikisht bashkë jemi në një anë dhe përballë kemi gjithfarëlloj individësh të papërgjegjshëm parazitë, grabitqarë, injorantë, të cilët nuk mund dot t’i vëmë para përgjegjësisë, nëse nuk jemi bashkë. E duke qenë bashkë, ne arrijmë t’i identifikojmë dhe arrijmë të ndajmë kur i thonë të njomin nga i thati.
Lediana, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Të nderuar qytetarë, sot kemi për të prezantuar rastin e zonjës Fatbardha Tahiri nga Durrësi. Zonja Fatbardha iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes pasi ka kontribuuar rreth 42 vite pune dhe masa e pensionit nuk ishte në përputhje me kontributet që zonja ka dhënë. Ajo bëri një kërkesë për rivlerësimin e masës së pensionit dhe menjëherë sapo ankesa ka mbërritur në platformë është trajtuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë se bashku me drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës. Pas një rishqyrtimi të dosjes, me vendimin e datës 4 prill 2019 u rishqyrtua përfitimi i zonjës Fatbardha. U konstatua që në setin e pensionit ishin vendosur gabim koeficientet dhe me rishqyrtimin e dosjes zonja Fatbardha ka përfituar një shtesë kreditore dhe një shtesë në masën e pensionit të saj fillestar.
Zonja Fatbardha Tahiri: Përshëndetje të gjithëve! Jam shumë qe kënaqur që ndodhem sot këtu. Në pension kam tre vite që kam dalë. Kur doli pensioni, doli për 35 vite, në fakt unë kam 42 vite që kam punuar. Atje më thonë që nuk të takon, nuk paguhen më këto vite. Një ditë i thashë djalit të shkruante aty. Aplikuam dhe për 10 ditë na kthyen përgjigje dhe e morëm atë që na takonte.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe jo rastësisht dhe jo pa qëllim në fakt në përgatitjen e këtij eventi javor, gjithmonë nuk mungon një pensionist apo dy që pasi është përballur me problemin e njohjes së kontributit dhe nuk ka marrë përgjigjen e merituar i është drejtuar platformës. Shumë pensionistë kanë gjetur zgjidhje përmes platformës. Shumë të tjerë janë ende duke u endur në pritje që t’ju rillogaritet pensioni siç duhet që të marrin sasinë e munguar në vite të pensionit, pra sipas llogarisë së re dhe pastaj të vazhdojnë të marrin pensionin që meritojnë. U bëj thirrje të gjithë pensionistëve që njësoj si Fatbardha, të gjejnë djalin, dhëndrin, nusen, nipin, të drejtohen tek zyrat e bashkëqeverisjes që janë hapur nga deputetët tanë në gjithë territorin, të shkojnë tek zyrat e postës, të shkojnë tek zyrat e njësive administrativë dhe thjesht të kërkojnë përmes platformës të drejtën e tyre. Menjëherë vjen zgjidhja e çështjes së pensionit. Kjo është një garanci që siç dëshmoi Fatbardha sot, siç kanë dëshmuar pensionistë të tjerë, siç do dëshmojnë të tjerë që do vijnë këtu, bën të mundur, përmes platformës, zgjidhjen e një problemi që i torturon në kuptimin më të vërtetë të fjalës, shumë pensionistë sot për shkak të burokracisë, për shkak të mungesës së vëmendjes, në zyra të caktuara e për 1001 shkaqe të tjera, që nuk janë arsye për t’i mbajtur asnjë qindarkë nga pensioni i merituar askujt që jeton me pensionin në këtë vend.
Flamuri, koordinator i platformës së bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantoj sot i përket një qytetari me banim në Tiranë. Zoti Safet Meta kishte aplikuar në nëntor 2018 për regjistrimin e lejes së legalizimit pranë zyrës vendore Tiranë, por për shkak të mangësive në dosje, zyra vendore nuk e regjistronte dhe kishte kërkuar nga ALUIZNI që të bënte plotësimin. ALUZINI nuk e plotësonte dhe insistonte që ishte në rregull, kështu kishin kaluar 4 muaj dhe nuk po gjente zgjidhje. Zoti Safet e regjistroi ankesën në platformë në fund të shkurtit 2019. Pas ndërveprimit me ALUZININ dhe zyrën vendore u arrit të bëhej plotësimi i mangësive dhe zoti Safet të pajisej me certifikatë pronësie. Me fillimin e ligjit të ri, krijimin e agjencisë shtetërore të kadastrës, këto vonesa burokratike nuk do ekzistojnë më.
Zoti Safet Meta: Përshëndetje! Është kënaqësi që ndodhem këtu. Unë fillimisht ankesën e bëra thjesht për ta bërë, ta shoh se sa do eci. Në moment më erdhi përgjigja. Kam shkuar tek ALUIZNI, kam paguar gjithë detyrimet shtetit dhe më kanë thënë do ta sjellim shumë shpejt. E kam lënë nja dy javë dhe pengesa ishte që ALUIZNI nuk i kishte vulosur dokumentet. Shko tek hipoteka, shko tek ALUZINI, ishte një lodhje, por kur e mendoja qëllimin, nuk ishte lodhje fare. Të falenderoj për këtë platformë se nuk do e kisha marrë kurrë këtë tapi shtëpie dhe jam shumë i kënaqur. Ju falenderoj për këtë mundësi që na dhatë për të komunikuar drejtpërdrejtë.
Kryeministri Edi Rama: Mirë, këto ishin rastet për sot. Ndërkohë që më vjen mirë të them se numri total i adresimeve në platformë që janë ankesa, kërkesa, opinione në nivel qendror dhe vendor, ka kaluar 41.000 dhe po i afrohet 30.000 numri i rasteve të zgjidhura. E po të marrim parasysh 30.000 raste të zgjidhura si 30.000 raste që nuk do ishin zgjidhur akoma sepse kjo platformë nuk do ekzistonte nëse nuk do ta kishte sjellë procesi i zgjedhjeve dhe angazhimi ynë që të kemi një bashkëqeverisje me qytetarët, merre me mend vetë se çfarë përmirësimi i ndjeshëm dhe në çfarë niveli e kemi çuar komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit. Me njerëzit që nuk jetojnë në kazan të lajmeve dhe të opinioneve dhe të debateve të kota, me njerëzit që nuk kanë kohë për të humbur nëpër kafenera e nëpër llogje. Me njerëz që janë njerëz të thjeshtë që jetojnë me punën e tyre të ndershme apo që janë ende në kërkim të një punë e të cilët për traditë në këtë vend nuk i ka pyetur askush, të cilëve është shkuar t’i merret vota e më pas i është kthyer kurrizi. Ndërkohë që ne, vërtetë kemi marrë votën e tyre, por qëndrojmë 24 orë në dispozicion të tyre në çdo sekondë që ata na drejtohen. Jeni ju dëshmitarë, janë të tjerët që kanë ardhur këtu, janë të tjerët që kanë përfituar nga ndërveprimi me platformën që, sapo shkruan në platformë, merr menjëherë sinjalin e parë që mesazhi yt u mor e që do trajtohet dhe brenda 10 ditëve merr zgjidhje. E në ato raste kur zgjidhja mund të jetë jo e lehtë për shkak ndërveprimesh të ngatërruara mes institucionesh, personi përkatës që kujdeset për rastin është vazhdimisht në kontakt, me telefon, me sqarime, me të gjitha, derisa në fund realizohet zgjidhja e problemit.
Kjo është rruga që ne e kemi gjetur për të adresuar sëbashku problemet e njerëzve e për të mos i lënë njerëzit në pritje deri kur të gjitha sistemet të jenë ngritur e shteti të funksionojë ashtu siç duhet e siç ndodh në çdo vend të botës edhe pse në çdo vend të botës, edhe në Francë që është një vend që ka administratën më të njohur përsa i përket përpikmërisë së saj, janë hapur kanalet e komunikimit të drejtpërdrejta, me Presidentin e Republikës franceze, me ministrat, me të gjithë, pikërisht sepse nuk ka asgjëkund një makineri të përsosur, nuk ka asgjëkundi një administratë të përsosur e lëre më pastaj në Shqipëri ku ka ende shumë për të bërë që administrata të ngrihet në nivelin e pritshmërive dhe në nivelin që kërkon ligji në bazë të detyrimeve dhe të drejtave të njerëzve.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Faleminderit të gjithë skuadrës së platformës! Çdo javë meritojnë një falënderim sepse puna flet vetë.