Takimi i përjavshëm i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre përmes Platformës së Bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”:
Kryeministri Edi Rama: Ju uroj mirëseardhjen të ftuarve, që për sot do të përcjellin mesazhin e dobisë së Platformës së Bashkëqeverisjes. Ne këmbëngulim çdo javë me këtë event, sepse e konsiderojmë tejet të rëndësishme që t’u japim të gjithë bashkëqytetarëve tanë mundësinë që përmes dëshmive të ndjehen të inkurajuar, për të mos pritur, për të mos kërkuar rrugë të vjetra miqsh, tarafesh, partish, ryshfetesh, për diçka që ju takon në zyrat e shtetit, por në rast se zyrat e shtetit nuk ju përgjigjen në kohë, menjëherë të drejtohen tek Platforma shqiperiaqeduam.al.
Po ftoj Fatmirin për të prezantuar rastin e parë për ditën e sotme.
Fatmiri, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm është rasti i zotit Albert Kocani nga Fieri. Problematika, e adresuar në platformë në datën 21 nëntor të vitit të kaluar, kishte të bënte me mosregjistrimin e pronës së tij nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurve të Paluajtshme, Fier. Z.Kocani, në korrik të vitit 2018 kishte aplikuar për të nxjerrë certifikatën e pronës nga ana e kësaj zyre. Por duke konstatuar mosveprimin, në fund të nëntorit kërkoi nga Platforma për të vijuar me procedurat e mëtejshme. Pas ndërhyrjes së Platformës së Bashkëqeverisjes, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ju mundësua nxjerrja e certifikatës së pronës. Por certifikata kishte gabime dhe për të mundësuar korrigjimin e gabimeve, përsëri zotëria kërkoi ndihmën e Platformës dhe pas investimit tonë, në datën 18 janar të këtij viti u mundësua nxjerrja e certifikatës së saktë.
Znj. Katerina Kocani: Vij në emër të babait tim. Problematika për të cilën iu drejtuam portalit ishte nxjerrja e certifikatës së hipotekës. Krahas kohëzgjatjes së daljes së kësaj certifikatë vërejtëm se kishte dhe një ngatërresë në material. Kështu, pasi u drejtuam për korrigjim të certifikatës, na sorollatën dhe iu drejtuam portalit për ta bërë këtë gjë. Për pak kohë, kjo certifikatë u korrigjua dhe na u dha përsëri. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Çdo javë rastet e trajtimit të të drejtës së pronës, qoftë në zyrat e hipotekave, qoftë në zyrat e ALUIZNI-t, janë prezentë në eventin tonë. Por dua të nënvizoj një fakt, që, sidoqoftë, pavarësisht se vazhdojmë të kemi probleme të kësaj natyre, bazuar në të dhënat konkrete të zyrave, kemi konstatuar një përmirësim të ndjeshëm të punës, një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit, një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve me qytetarët në raport me këtë të drejtë. Që do të thotë se presioni i bashkëqeverisjes funksionon. Që do të thotë se vetëdija që po krijohet hap pas hapi tek punonjësit se cilido që të shfaqet përballë, sado i dobët, i pambrojtur dhe pa miq e shokë të të duket, në rast se i drejtohet platformës, bëhet i fuqishmi që, jo vetëm fiton të drejtën e vet, por të çon në rrugën e ndëshkimit administrativ në rast se i ke rënë në qafë. Sigurisht që kjo është ana tjetër e medaljes së kësaj pune, që jo vetëm qytetarët të marrin të drejtën e tyre, por administrata të reagojë, të përmirësohet, të vetëdijesohet për rolin dhe detyrimet e saj.
Albana, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantoj ka lidhje me ALUIZNI-n, institucion tjetër që ka fluksin edhe më të madh të ankesave. Zoti Hasan Stolja është një qytetar nga Tirana, banor në Kodrën e Priftit. Që nga 2005 kishte aplikuar për pajisjen me leje legalizimi dhe pas shumë e shumë zvarritjes, më në fund e gjeti derën ku të trokiste. Adresoi në Platformën e Bashkëqeverisjes ankesën e tij dhe me marrjen e ankesës gjeti edhe zgjidhjen. Është pajisur me lejen e legalizimit dhe menjëherë do vijojë procedura për pajisjen me certifikatën e pronësisë.
Zoti Hasan Stolja: Jeni burrë shteti Zoti Kryeministër! Faleminderit për këtë ftesë që më bëtë sot. Kam që në 2005 që sillem vërdallë për pronën time, të prindërve të mi. Kam që në 2005, nuk kam lënë zyrë pa hyrë e pa dalë. Me platformën e re, falë Zotit e falë këtij burri, unë e mora. Falë Platformës që bëri Kryeministri, shkova aplikova dhe më thanë ke shumë të drejtë. Kam që në 2005 që nuk kam lënë zyrë e hipotekë pa shkuar . Urdhëro certifikata, falë këtij burri këtu. Jam shumë i nderuar dhe i respektuar.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për fjalët e mira. Patjetër që fjalët e mira i pëlqejnë çdo humani, por unë dua ta them jo për formalitet, por për hir të së vërtetës, që nuk është falë meje, por është falë besimit të investuar tek ky proces dhe falë votës së shumicës që i hapi rrugë këtij procesi. Një proces i përqeshur, një proces i trajtuar me cinizëm në mënyrë të vazhdueshme, një proces rëndom i parë si ekstra ligjor madje, por që është procesi që po zgjidh mijëra halle që përndryshe nuk do ishin zgjidhur. Është procesi që po i jep mundësi mijëra njerëzve që të bëhen të fortë, falë mikut më të madh që është qeveria, e cila menjëherë vihet në dispozicion, sapo një qytetar klikon tek shqiperiaqeduam.al dhe çon ankesën e tij.
Paralelisht ne na duhet të ngremë një sistem funksional e duke marrë konkretisht hipotekat dhe ALUIZNI-n, tani jemi në procesin e bashkimit të të dyjave, në procesin e krijimit të një agjencie të vetme, për t’i dhënë fund ping-pongut 20 e kusur vjeçar mes të dyjave dhe për t’i krijuar një komoditet shumë më të mirë, shumë më të madh në shërbim të qytetarëve, duke garantuar shumë më shpejt e në mënyrë shumë më sistematike të drejtën e tyre, por të gjitha këto duan kohën e tyre. Ndërkohë që hallet e njerëzve nuk presin e prandaj Platforma është në dispozicion që gjithsekush të mos sorollatet, por drejtpërdrejtë të vendoset në lidhje me qeverinë dhe qeveria të bëhet aleati i vet.
Të gjitha këto raste që janë të lidhura me të drejtën e pronës, edhe rasti juaj konkret. Janë raste të qytetarëve që, falë Platformës, menjëherë vënë në lëvizje ministren e Drejtësisë, strukturat brenda ekipit të bashkëqeverisjes dhe e kthejnë qytetarin nga një individ i keqtrajtuar për vite të tëra nëpër korridoret e administratës, në qytetar plotësisht i respektuar që e merr brenda 10 ditësh atë që nuk ka marrë brenda 10 apo 15 vjetësh. Ky është thelbi.
Flamuri, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantoj sot i përket një qytetari me banim në Shkozë të Tiranës. Zoti Gjata kishte aplikuar në 2005 pranë drejtorisë së ALUZINI-t Tirana – Jug dhe për 13 vjet ishte interesuar shumë herë tek kjo drejtori, por përgjigja që merrte ishte që dosja është në shqyrtim. Ndërkohë që fqinjët e tij ishin të pajisur me leje legalizimi. Duke mos gjetur zgjidhjen, në tetor 2018, Zoti Gjata e regjistron ankesën në Platforme dhe si rezultat i ndërveprimit të koordinatorit me zyrën e ALUIZNI-t u arrit në dhjetor të emetohej leja e legalizimit.
Zoti Mahmut Gjata: Jam banues në Shkozë. Kisha aplikuar që në vitin 2005 dhe sorollatjet kanë qenë pafund, prej 13 vitesh, aq sa edhe durimit i kishte ardhur fundi. Iu drejtova Platformës dhe brenda 10 ditësh më dha të drejtë. E falënderoj përzemërsisht Kryeministrin dhe gjithë stafin që ai ka në dispozicion. Kam bërë edhe një ankesë përsëri tek Platforma, pasi kemi pasur një problem me ujërat e zeza. Edhe në këtë rast, për tre ditë mu dha zgjidhja.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe një herë për falënderimet, por realisht ky është një instrument që është bërë i mundur falë mbështetjes që qytetarët i kanë dhënë idesë së bashkëqeverisjes. Ne na duhet shumë punë ende. Ne na duhen shumë hapa të tjerë. Na duhet shumë durim, por ama një gjë është e sigurt që, nëse flasim për marrëdhëniet me qytetarët, ato janë si asnjëherë më parë, marrëdhënie të drejtpërdrejta të një qytetari të zakonshëm kudo ku është, brenda apo jashtë Shqipërisë, me kabinetin qeveritar, me ministrin apo ministren përkatëse. Nuk ka qenë kurrë kështu dhe falë teknologjisë, ato që deri dje ishin zyrat e marrëdhënieve me publikun, apo zyrat e ankesave të qytetarëve, sot janë një instrument shumë i thjesht në xhepin e çdo qytetari që ka një smartphone. Ashtu sikundër, ata që nuk e kanë, mjafton të shkojnë tek zyra e postës, zyrat e njësisë administrative, apo tek zyrat e bashkëqeverisjes që janë hapur në të gjithë territorin nga PS, për të ndihmuar qytetarët pa dallim, duke i asistuar në aplikimin në Platformë dhe menjëherë, çështja e tyre hyn në rrugën e trajtimit dhe zgjidhjes, pa asnjë vonesë.
Juela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Përpara jush sjellim rastin e trajtuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për punësimin e Zotit Ermir Bibaj nga qyteti i Shkodrës. Ai nuk ka arritur dot të gjejë punë prej shumë kohësh, por pasi iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes, Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Shkodër arriti të gjejë dhe ndërmjetësoi punësimin e tij në Drejtorinë e Trajtimit të Studentëve, në pozicionin roje godinash.
Zoti Ermir Bibaj: Iu drejtova Zyrës së Bashkëqeverisjes Shkodër, pasi nuk po gjeja një mundësi punësimi afatgjatë ose afatshkurtër. Më adresuan tek Zyra e Punës, në Shkodër ku bënë të mundur një punësim afatgjatë tek Drejtoria e Trajtimit të Studentëve, Shkodër ku u bë e mundur një vend pune për mua. Falënderoj të gjithë stafin tuaj të mrekullueshëm!
Kryeministri Edi Rama: Është me rëndësi të përcillet tek të gjithë një mesazh në lidhje me Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë një transformim rrënjësor dhe ka bërë mijëra e mijëra ndërmjetësime në vitin e shkuar. Vetëm nga zyra e punës, numri i të punësuarve, falë ndërmjetësimeve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ka arritur në 30 mijë. Nuk flasim për statistika të nxjerra nga anketimet, por flasim për shifra që janë në librin e llogarive të shtetit. Flasim për punonjës që janë të regjistruar, që paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe që paguajnë detyrimet e tyre financiare, kur bëhet fjalë për rroga mbi 300 mijë lekë, sepse ato deri në 300 mijë lekë nuk taksohen në Republikën e Shqipërisë.
Por nga tjetër ndodh shpesh që ata që i drejtohen zyrave të punës “harrohen” dhe për këtë arsye, unë i bëjë thirrje të gjithëve që të mos ngurojnë t’i drejtohen Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila, falë ekipit që qëndron mbas ekranit, nxit menjëherë zyrat e punës për t’u “kujtuar” për këdo qoftë që mund të jetë në një pritje relativisht të gjatë të përgjigjes dhe nuk e kanë marrë ende përgjigjen. Kështu është edhe rasti konkret i Zoti Bibaj dhe kështu ka pasur dhe ka edhe raste të tjera, por ne jemi gati të bëjmë shumë më tepër me Platformën, nëse njerëzit nuk hezitojnë t’i drejtohen edhe për çështje të nevojës për ndërmjetësim nga Shërbimi Kombëtar të Punësimit.
Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot, problemi që paraqes është ai i Zotit Dashnor Bala. Zotëria haste probleme për sa i përket afishimit 45 ditor nga njësia administrative Kashar të pronës së tij. Problemi qëndronte në faktin se kryetari i fshatit në të cilën ndodhej prona e zotërisë refuzonte të firmoste procesverbalin e afishimit. Menjëherë pas adresimit të ankesës në Platformën e Bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al, ky rast u trajtua me njësinë administrative Kashar. Duke qenë se kjo ankesë i erdhi nga Zyra e Bashkëqeverisjes, ata iu drejtuan me shkresë kryetarit të fshatit për të ditur arsyet e refuzimit të firmosjes së procesverbalit në fjalë. Duke qenë se personi në fjalë nuk kishte asnjë arsye objektive për të refuzuar firmosjen e këtij procesverbali, u bind dhe më në fund arriti që afishimi të kryhej për 45 ditë. Përveç kësaj, praktika e Zoti Bala u dërgua pranë ZVRPP Tiranë, për të vazhduar më pas procesin normal.
Zoti Dashnor Bala: Prona ime shkoi në njësinë administrative për t’u verifikuar. Aty hasa problemin e kryeplakut të fshatit që nuk e firmosi pasi deshtë më shumë kohë në dispozicion. Në këtë rast iu drejtuam Platformës dhe më ndihmuan dhe në saj të tyre mora firmën e titullarit të lagjes dhe tashmë dokumentet janë aplikuar në hipotekë.
Kryeministri Edi Rama: Mbase ia vlen, duke qenë se jemi në fundin e muajit janar, një përditësim lidhur me fluksin e jashtëzakonshëm të kërkesave, apo të ankesave që trajton Platforma, për t’ju dhënë të gjithëve një ide të volumit të punës dhe të faktit se rastet që ne sjellim këtu çdo javë janë vetëm shembuj të spikatur të një vargu të gjatë historish njerëzore që lidhen me punën e Platformës. Në total, nga momenti i funksionimit të plotë të Platformës janë regjistruar 33 336 çështje, kërkesa, ankesa apo adresime të llojeve të tjera.
Çështjet lidhen me nivelin qendror të qeverisjes dhe me nivelin vendor. Në nivelin qendror kemi pasur 28.565 çështje dhe konkretisht ankesa, në të cilat janë trajtuar 27.335. Pra, ajo diferenca e vogël është e lidhur me ankesat dhe çështjet në vazhdim.
Po ashtu, së fundmi, në Platformë është vendosur edhe rubrika “Jam student, pyetja ime është”, lidhur me këtë moment të rëndësishëm të një transformimi që sapo ka nisur në marrëdhënien mes qeverisë dhe universitetit dhe të mbështetjes horizontale që do t’i japim universitetitdhe kur studentët kanë realisht pyetje që lidhen edhe me një funksionim jo fort të mirë të sekretariateve të universiteteve, lidhur me vonesa tek-tuk për shkak të bllokimeve të procesit mësimor.
Janë afro 900 pyetjet që i janë drejtuar platformës dhe vetëm 20 prej tyre ende nuk kanë marrë përgjigje sepse ato procesohen me vëmendje nga Ministria e Arsimit në kohë reale dhe të gjitha do të marrin përgjigje. Ndërkohë i inkurajoj të gjithë që të vazhdojnë të shkruajnë dhe u them të gjithëve që pavarësisht problemeve që ka ky moment, janë të natyrshme, janë të kuptueshme, ka ende vështirësi adoptimi nga ana e sekretariateve të universiteteve me rregullat e reja. Çka qeveria është angazhuar lidhur me tarifat, bursat, lidhur me të gjitha aspektet e tjera, nuk janë më zotime, por janë vendime për zbatim dhe do të zbatohen një për një.
Ka një problem të vetëm që për të disbursuar të gjitha fondet në drejtim të universiteteve, ne kemi nevojë për lista të sakta të studentëve lidhur me rezultatet e tyre, me situatën e tyre social-ekonomike dhe kjo ka marrë pak kohë për sekretariatet e universiteteve dhe për këtë arsye, ne kemi kërkuar një shtyrje të afatit.
Ashtu sikundër do të bëjmë edhe një shtyrje të afatit për platformën e punësimit, pasi shumë studentë me 9-ta dhe 10-ta që duan të aplikojnë drejtpërdrejtë në administratën publike, e kanë pasur të pamundur të marrin dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.Kështu që do të bëjmë një shtyrje të këtij afati për t’i dhënë të gjithëve mundësi të aplikojnë në grupin e parë të vendeve të punës që janë shpallur.
Janë afro 800 vende pune në administratën publike me master dhe me bachelor për ata që kanë mbaruar vjet me 9-ta dhe me 10-ta. Për ata që do të mbarojnë sivjet me 9-ta dhe me 10-ta, do të ketë përsëri shpallje të tjera të vendeve të lira të punës.
Ajo që dua të nënvizoj në fund është se janë 643 masa ndëshkimore të marra nga hetimet administrative, pasi qytetarët kanë fituar të drejtën e tyre. Faktikisht, pothuajse gjysma e këtyre masave janë largime nga puna. Pra, janë afro 300 të larguar nga puna si rezultat i hetimit për mosdhënien në kohë të të drejtës së qytetarëve. Gjë që tregon se ajo që themi për fuqizimin e të drejtës së qytetarëve përmes Platformës është diçka konkrete dhe reale, e materializuar në jetën e përditshme të administratës.
Shumë faleminderit edhe njëherë për mundimin dhe për ardhjen tuaj këtu, që të dëshmoni konkretisht për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, se Platforma e Bashkëqeverisjes është arma e tyre për të çarë rrethimin e burokracisë dhe të padrejtësive që për fat të keq janë prezentë në marrëdhënien mes administratës dhe qytetarëve.
Shumë faleminderit!