Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi i Kryeministrit Edi Rama, i pari për këtë vit, me qytetarë që kanë zgjidhur problemet e tyre me administratën përmes Platformës së Bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al 

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi të gjithëve!

I uroj një vit të mbarë dhe edhe më të frytshëm të gjithë koordinatorëve të platformës bashkëqeverisjes!

Sot, në këtë event të parë të vitit, ku do të më lejoni të bëjë një hyrje pak të pazakonshme si pasojë e kontekstit në të cilin takohemi sot dhe si pasojë e faktit që kam pasur një shkëmbim zjarresh, deri rreth orës 03.00 të mëngjesit, me një grup – është në fakt reduktive,  por me një masë studentësh – që më mësynë në WhatsApp. Pata mundësi të zhvilloj një dialog shumë të pazakonshëm me disa qindra, besoj, të cilëve u jam përgjigjur një për një, në kushtet e një shkëmbimi pa dorashka, siç më pëlqen edhe mua. Sigurisht ka pasur lloj- lloj prurjesh, mesazhesh, që nga më vulgarët, pa asnjë shenjë të përpjekjeve prindërore për të dhënë edukatën bazë, deri tek më prekëset. Që nga më informueset, deri më të angazhuarit.

Dua të theksoj dy a tri gjëra që më bënë përshtypje, pasi sigurisht kishte qartësisht, një pjesë të tyre që i shtynte “nëndaja” të hynin në atë dialog me kërkesën, me fjalinë e përsëritur template “Kur do plotësohen kërkesat?”

Përgjigja është: Kërkesat do të plotësohen një për një, sipas afateve të publikuara zyrtarisht.

Sikundër e kam theksuar në harkun e muajit janar, do të publikohet edhe dokumenti i Paktit për Universitetin, një dokument jo përfundimtar, por për diskutim të brendshëm brenda universitetit. E pata thënë në fillim që protesta do të shuhet, por ne dhe unë personalisht nuk do ta lëmë frymën e protestës të tretet, bashkë me protestuesit, por do t’i shkojmë deri në fund, duke shfrytëzuar këtë potencial të madh transformues për universitetin.

Së dyti, më ka bërë përshtypje që dikush ua ka mësuar, apo dikush i ka keqinformuar: Pse nuk janë në fletoren zyrtare? Kur do dalin në fletoren zyrtare? Pse jemi akoma te llafet, memet, instastories, e duam në fletoren zyrtare.

Vendimet e qeverisë kanë dalë në Fletoren Zyrtare, mjafton një klik në qbz.gov.al, është Fletorja Zyrtare online. Janë të tëra të publikuara, por nuk duhet përtuar të lexosh dhe nuk duhet kaq gatishmëri e madhe që çdo broçkull ta marrësh dhe ta kthesh në arsye për të qenë i revoltuar.

Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje nga gjithë ai komunikim intensiv deri në 03.00 të mëngjesit – dhe ndoshta pak më shumë se 03.00 të mëngjesit. Ndjesë atyre që ndenjën zgjuar sepse unë nuk e kam problem, prandaj jam zgjatur kaq shumë se nuk fle shumë, – është fakti se ka një shqetësim në rritje të shumë studentëve që pengmarrësit e protestës, ata që përdorin mjete zdrukthëtarie, për të çuar përpara një protestë të nisur me një idealizëm dhe me një qëllim kaq fisnik, duke gozhduar dyer, apo që përdorin mjete rrugaçërie, duke u futur nëpër korridore, duke u bërë presion atyre që duan të bëjnë mësim, po pengojnë shumicën që vazhdojnë normalisht mësimin, në pritje aktive të zbatimit të të gjithë kërkesave.

Kjo rrezikon që t’i çojë punët keq, sepse rrezikon që t’i shtyjë ditët e auditorit në korrik, gusht dhe madje rrezikon që shumëkujt t’ia humbi fare vitin. Është domosdoshmëri që drejtuesit e universiteteve të reagojnë. Universitetet nuk varen nga qeveria. Qeveria nuk i urdhëron universitetet. Këtë duhet ta mësojnë mirë të gjithë studentët, që nga një anë flasin me të drejtë për autonomi, nga ana tjetër harrojnë që autonomia është edhe përgjegjësi.

Ana tjetër është që në shumë sekretari të universiteteve, ku me sa duket ka rënë pluhuri i kohës dhe i indiferencës ndaj procesit të transformimit po e po, por edhe ndaj procesit të zhvillimit normal të jetës universitare, studentëve u thuhet, “jo po do paguani tarifat e plota, jo po s’kemi njoftim” etj.. Në shqipen e WhatsApp-it do t’ju thuhej, “ju s’keni sytë, që t’ju dalin” sepse qeveria ka marrë vendim.

Vendimet i janë transmetuar publikut, janë publikuar në Fletoren Zyrtare, i janë transmetuar për të gjithë rektorët dhe dekanët, që qeveria do të paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët pa përjashtim, përfshirë edhe ata me katra dhe me pesa për këtë vit akademik, duke iu dhënë mundësinë të përmirësohen vitin e ardhshëm.

Do të paguajë 100% tarifën e studimit për ata me 9-10 mesataren, për ata nga familje me ndihmë ekonomike, për ata me aftësi të kufizuar dhe kategoritë e specifikuara, të cilat do të marrin edhe një bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja në muaj. Këtë që edhe bufat e Parkut të Liqenit Artificial e kanë marrë vesh, nuk e paskan marrë vesh disa sekretari universitetesh.

Për mendimin tim, kjo është e qëllimshme për të dezinformuar. Ashtu sikundër nga shumë komunikime mbrëmë kam dëgjuar, kam lexuar drejtpërdrejtë nga studentë, sesi ka pedagogë që nuk duan të bëjnë mësim, që refuzojnë të vazhdojnë mësimin, qoftë edhe me një student që do të bëjë mësim, ndërkohë që në fakt nuk është një, por është shumicë që kanë dashur të bëjnë mësim, por preferojnë që t’i lënë studentët rrugëve, sepse duan të rrinë vet nëpër kafe. Siç ka drejtues universitetesh, që, për arsye të frikës se ky proces hap pas hapi do të shkojë drejt tyre, sepse kanë edhe ata llogaritë e tyre për të dhënë, që nga rektori i UT-së, bëjnë lojën e “nënëdajës”. Por kjo është temë tjetër.

Lë të hyjmë tani në temën e sotme, në këtë proces që do të vazhdojë dhe do të thellohet, të bashkëqeverisjes. Duke theksuar që edhe kjo që ndodhi me studentët, me protestën dhe mënyra sesi ne reaguam, është shprehje e asaj fryme që ne duam të konsolidojmë në qeverisjen tonë, fryma e dëgjimit, e bashkëveprimit dhe e bashkëqeverisjes.

Edhe universitetin, ne do ta bashkëqeverisim, në sensin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me të gjithë ata që duan realisht ta reformojnë, qofshin drejtues, pedagogë, apo studentë dhe do të bëjmë çmos që të ndajmë shapin nga sheqeri, duke krijuar kushte shumë më të mira studimi dhe duke shtrënguar shumë më tepër kushtet e hyrjes dhe kushtet e kalimit të viteve. Sepse nuk mund të jetë më siç ka qenë deri dje dhe siç për fat të keq ka vazhduar për inerci në shumë aspekte deri sot.

Dua të ftoj këtu Katerinën, me rastin e parë të vitit, lidhur me platformën e bashkëqeverisjes.

Katerina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot këtu me ne është Zoti Ethem Sulaj, i cili është qytetar nga Tirana dhe ka adresuar ankesën e tij pranë platformës së bashkëqeverisjes në lidhje me aplikimin që kishte bërë pranë ZRPP Kavajë. Zoti Sulaj kishte rreth 3 muaj që nuk merrte shërbimin e kërkuar për regjistrimin e një kontrate dhurimi të pronës së ndodhur në Spille. Pasi e adresoi ankesën tek platforma, është njoftuar nga platforma për pajisjen me certifikatë pronësie nëpërmjet shërbimit postar.

Zoti Ethem Sulaj: Faleminderit Kryeministër! Në radhë të parë, ju uroj një vit të mbarë dhe të begatë! Në fillim të shtatorit aplikoj në ZRPP Kavajë për një kontratë dhurimi për një sipërfaqe trualli 500 metra katror në Spille. Mbasi kaluan procedurat, afatet 30 ditore, paraqitem përsëri tek sporteli dhe bëj një ankesë përse më vonohet certifikata e pronësisë. Edhe pas kësaj ankese nuk pata asnjë lloj përgjigje. U detyrova që në datën 8 nëntor të aplikoj tek portali i bashkëqeverisjes, të cilin dua ta falënderoj për zgjidhjen, pasi brenda 5 ditëve problemi më është zgjidhur.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe respekte! Besoj që s’duhet të lodhemi së përsërituri që askush nuk duhet të heshtë, askush nuk duhet të tërhiqet, askush nuk duhet të lejojë kohën, energjitë dhe financat e familjes t’i shkojnë dëm, në pritje të marrjes së një të drejte. Gjithkush e ka rrugën tek shqipëriaqëduam.al dhe brenda 10 ditësh merr përgjigjen. E nëse ajo që kërkon është e drejtë merr atë që i takon dhe ndërkohë, ne vazhdojmë hetimet administrative për të parë  nëse vonesa dhe pengesa kanë qenë të qëllimshme dhe në këtë rast ndëshkohen punonjësit apo drejtuesit e shërbimeve që mbajnë përgjegjësi për vonesën apo pengesën.

Juela,  koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm vjen nga qyteti i Vlorës, Z. Herald Lekaj, i cili ankohet në platformën e bashkëqeverisjes sepse nuk i është zgjidhur situata e me ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në lidhje me aktivitetin e tij që ushtron në Vlorë. Pasi ka marrë licencën në nëntor të vitit 2017, ai përsëri nuk ka mundur të ushtrojë aktivitetin e tij, pasi mungonte edhe miratimi nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në këto kushte, pasi u shqyrtua rasti i tij në platformën e bashkëqeverisjes, ministria e Financave dhe Ekonomisë arriti të kryej inspektimin në lidhje me kushtet e aktivitetit të tij dhe miratoi licencën e tij përfundimisht. Sot ai ka arritur të japë kurset në Financë-Kontabilitet dhe Fiskalitet.

Zoti Herald Lekaj: Si fillim dua t’ju uroj një vit të mbarë, plot shëndet dhe vetëm sukses në familjet dhe aktivitetet tuaja. Unë kam bërë studimet për rreth 8 vite jashtë shtetit. 5 vite në një universitet amerikan për financë dhe biznes ndërkombëtar dhe 2 vite më pas, master për financë ndërkombëtare, në një universitet francez. Jam student, i cili posedoj 2 medalje ekselence. Kam mbaruar studimet me notat maksimale që mund të jenë. Gjatë kohës së studimeve kam zhvilluar dy punë paralelisht për të financuar studimet e mia. Jam kthyer në Shqipëri në vitin 2011. Kam rreth 7 vite e ca që punoj në profesionin tim. Kam eksperiencë në sistemin bankar, studio kontabiliteti dhe së fundi prej 6 vite e gjysmë jam shef finance në  Gerveni Group, në Vlorë, i cili ka një sërë aktivitetesh të mëdha. Paralelisht me vendin ku unë jam i punësuar, kam hapur një studio ku kryen shërbime financiare. Licencat, kisha rreth një vit që i kisha marrë, por nuk kisha marrë aktin e miratimit. Kam aplikuar që në dhjetor të vitit 2017 edhe pse unë e kam tërhequr licencën që në janar të vitit 2018, licenca ime vazhdonte të ishte e paplotë pasi unë nuk mund të vazhdoja me kurset në kushte normale. Kështu që, pas shumë zgjatjesh, rreth 1 vit, kur aplikova tek platforma, për të cilën ju përgëzoj, unë kam marrë një përgjigje të menjëhershme që aplikimi është kryer dhe brenda një muaji jam mbajtur tërë kohën i azhornuar dhe pas një muaji fiks kam marrë zgjidhjen përfundimtare. Ju falënderoj për këtë dhe ju jam shumë mirënjohës!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Herald! Shumë respekt për sukseset dhe karrierën tuaj!

Meqë përmendët fjalën master dhe deri në 03.00 të mëngjesit e kam dëgjuar fjalën master shumë më tepër, se të gjithë gjelat e Surrelit pak më vonë. Dua ta theksoj që nuk ka asnjë mundësi dhe nga ana tjetër, nuk është e drejtë që të ndërhyhet financiarisht me mbështetje nga taksapaguesit për masterin, nuk ndodh askund. Ne kemi bërë një përjashtim, do të përgjysmojmë tarifën e masterit për ata që kanë 9-ta dhe 10-ta dhe ata që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike.

Kush do përgjysmim tarife t’i japi forca, ta bëjë natën, ditë, të marri 9-ta dhe 10-ta dhe mund ta marri përgjysmimin e tarifës. Të tjerët do ta paguajnë tarifën e plotë. Sepse masteri nuk konsiderohet një investim i shoqërisë tek ti, siç janë librat falas për fëmijët e arsimit 9 vjeçar, siç janë bursat për ekselentët apo siç janë mbështetjet e ndryshme financiare deri në bachelor, por konsiderohet një investim që ti e bën për veten dhe mbi të gjitha një investim i lidhur me punën. Kështu që, siç bëjnë të gjithë studentët në të gjithë botën, shumë më të zhvilluar dhe shumë më të pasur, ku kanë një përqindje 65% dhe 70% të totalit që bëjnë një punë gjatë kohës që bëjnë studimet dhe gjatë kohës që bëjnë masterat, o burra sepse nuk mund të jetë jeta universitare dhe studentore një jetë që kalohet duke kërkuar të gjitha nga prindërit dhe nga shteti. Kjo është ajo që me siguri mund ta dëshmonte edhe djali që sapo doli këtu që për masterat e tij ka punuar sepse nuk ia kanë siguruar dot të gjitha prindërit e tij.

Herald Lekaj: Kam bërë dy punë.

Kryeministri Edi Rama: Ti thua dy punë, por unë po e përsëris me gjysmë zëri sepse pastaj do të thonë që ti je i FRESSH-it dhe ke ardhur këtu për të treguar përralla dhe në fakt nuk mund të bëhet dot, jo dy, por asnjë punë sepse midis librave dhe instagramit është një zonë e tërë aktiviteti, që nuk ka vend për një zonë të tretë, për një punë të tretë.

Egesta, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do të prezantoj është ai i Z. Jonuz Trimi, i cili prej më shumë se 40 vitesh ka ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të nderuar, atë të pilotit. Në vitin 2013 atij i është caktuar pensioni i pleqërisë dhe pikërisht për këtë fakt për ankesën e përllogaritjes së pensionit, ai pasi ka shteruar të gjitha rrugët e ankimit administrativ i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes me një ankesë ku ka kërkuar thjesht dhe vetëm, zbatimin me përpikmëri të dispozitave të ligjit për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension. Me ardhjen e ankesës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore e vlerësoi si të drejtë atë dhe për këtë fakt rekomandoi drejtorinë rajonale përkatëse, në këtë rast Drejtorinë Rajonale të Tiranës për të kryer rivlerësimin e përfitimit të tij. Çështja u zgjidh në vetëm 5 ditë dhe tanimë zoti Trimi përfiton atë pension, i cili i është akorduar edhe kolegëve të tij dhe përfituesve të tjerë të së njëjtës kategori.

Zoti Jonuz Trimi: Përshëndetje! Ju uroj një vit të mbarë të gjithëve! Unë pata një kalvar prej 5 vitesh për të zgjidhur problemin e pensionit. Duke iu drejtuar platformës meqë nuk gjeta rrugë tjetër, më erdhi përgjigjja pozitive dhe u realizua ajo që unë kërkoja. Dua t’ju them Z. Kryeministër që administrata është shumë mbrapa, është kthyer në një sandëich. Të ardhurit e rinj që bubërrojnë nëpër letra, të vjetrit që janë kalçifikuar dhe ata që duan të punojnë kanë mbetur në mes. Prandaj, kërkohet një bisturi e thellë që administrata të vihet në punë.

Kryeministri Edi Rama: Çka i dallon shtetet njëri nga tjetri është pikërisht cilësia e institucioneve. Të ndërtosh institucione cilësore, të ndërtosh një administratë serioze do të thotë që të ndërtosh një shtet. Nuk është një proces që mund të zhvillohet brenda një harku të shkurtër kohor dhe aq më tepër në kushtet tona, pas çerek shekulli dërrmim, jo thjesht të administratës, por të konceptit mbi administratën. Duhet një punë titanike dhe duhet shumë durim. Ajo që kemi bërë nuk është pak, por është jashtëzakonisht e pamjaftueshme në raport me atë që duhet bërë dhe besoj që me qeverinë e re, me zv/kryeministrin e ri, i cili do të drejtojë pikërisht një fazë të re reforme dhe transformimesh përmbajtësore të administratës do të shohim edhe më shumë rezultate. Por ajo që, sidoqoftë, dua të theksoj është që Platforma e Bashkëqeverisjes është një instrument i eficencës së administratësShumëkush mendon dhe interpreton gabim, duke thënë që ky është një instrument ekstraligjor madje, ose ekstra administrativ, në fakt ky është një instrument administrativ. Është thjesht transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun që kanë qenë gjithmonë dhe janë në çdo administratë të botës, përmes inovacionit në një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe kabinetit qeveritar, gjë që e vendos në sanduiç administratën dhe bën atë që, në rastin tuaj ju, largqoftë, mund të kishit fluturuar në fluturimin e fundit si pilot në botën tjetër pa ju dhënë përgjigje. Ndërkohë që sot, të rroni gjatë, edhe me kënaqësinë që e morët të drejtën tuaj të mohuar për kaq shumë vite.

Egesta, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti në vijim është ai i zotit Mexhit Hakcani, i cili i është drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes ashtu si dhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët kanë shprehur shqetësimin në këtë Platformë për mos njohjen e periudhave të sigurimit dhe përfshirjen e tyre në llogaritjen e pensionit. Zoti Hakcani që prej vitit 2016 ka bërë kërkesa të shumta drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore, madje dhe në korrik të vitit 2018 kërkesës së tij të fundit i është dhënë përgjigje negative për njohjen e rreth 10 viteve punë. Me ardhjen e ankesës, u kërkua riverifikim në regjistrat themeltarë të vjetërisë në punë, nga ku rezultoi se këto vite ishin të pasqyruar në këto regjistra dhe për këtë u bë sistemimi i pensionit të tij. Janë dhënë tepricat kreditore që i takojnë dhe për këtë rast Instituti i Sigurimeve Shoqërore është në proces hetimi administrativ për dhënin e masës disiplinore përkatëse për punonjësin që ka neglizhuar në kryerjen e detyrës.

Zoti Mexhit Hakcani: Faleminderit juve dhe stafit tuaj! Pata një problem me sigurimet shoqërore. Më ishte zhdukur emri komplet. Nuk më figuronte emri. Unë jam nga fshati Baldushk i Tiranës. Shkoja në gjendjen civile, asnjë s’më jepte përgjigje. Më thonin ato të Baldushkut, “kap një avokat”, “kap një prokuror”. U detyrova në fund, s’kisha çfarë të bëja më, se ishte diçka e saktë, nuk kërkoja diçka të tepërt, kërkoja ku jam. Faleminderit prej Kryeministrit, brenda 5 ditësh ma zgjidhi problemin, më erdhi përgjigja e saktë.

Albana, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që unë prezantoj vjen nga qyteti muze i Beratit. Zoti Llazar Pushi iu drejtua me shkresë dhe prezantoi problemin e tij me banesën, e cila si pasojë e amortizimit dhe të kalldrëmeve dhe të lagështirës po bëhej gjithnjë e më e pazgjidhshme. Me marrjen e ankesës, ne e hodhëm në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe e adresuam te Ministria e Kulturës, e cila menjëherë, me strukturat rajonale të Drejtorisë së Kulturës Berat inspektuan banesën dhe rrugicat, planifikuan një sërë zërash, investimesh dhe e përfshinë njëkohësisht në planifikimet e mirëmbajtjes për vitin 2018. Në shtator, me sukses gjithçka përfundoi, madje zoti Llazar Pushi dërgoi dhe një letër falënderimi për rezultatin e kënaqshëm.

Zoti Llazar Pushi: Do t’ju tregoj eksperiencën time prej gati 10 vitesh kur shteti më dëmtoi banesën, duke shtruar kalldrëm goditi themelet e banesës, krijoi probleme me lagështirën dhe pothuajse banesa doli jashtë përdorimit. U orvata vite të tëra dhe nuk gjeja zgjidhje. E ndjeja veten kaq të fyer sa nuk mund ta imagjinosh. Trokit në çdo derë, shikoj një lloj përbuzjeje. Trokit diku për të kërkuar të drejtën, nuk merrja përgjigja. Kur u hap Platforma, provova, të them të drejtën, fillimisht, ndoshta edhe unë kisha një lloj mosbesimi, por pashë dy momente kyçe. Iu adresova Platformës dhe mora përgjigje në të cilën thuhej: “Ju falënderojmë për besimin që na jepni për zgjidhjen e problemit tuaj!” – një etikë zyrtare administrative tepër e goditur. Mu ngjallën shpresat, të them të drejtën dhe shikoj, menjëherë u vunë në lëvizje institucionet përkatëse, si Ministria e Kulturës, ashtu dhe Drejtoria Rajonale e Mbrojtjes së Kulturës, sepse unë banoj në lagjen Muze, që quhet ansambël muzeal dhe mbrohem nga shteti. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në ato ambiente. Erdhi drejtori rajonal vetë, zoti Eugen Kallfani, e verifikoi, e konstatoi dhe vuri pikat mbi “i”. Sigurisht, më thërritën, më thanë që do presim faktorin kohë, zbatimin e ligjshmërisë, por përfundimi do të jetë pozitiv. Dhe kështu ndodhi. Përfundimisht banesa erdhi në kushtet normale. Ju falënderoj, sidomos punonjësit e Platformës dhe zotin Kryeministër!

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Shumë faleminderit për fjalët dhe për mundimin për të ardhur deri këtu, sepse me të gjitha ato që keni hequr mund edhe të mos ta bënit këtë sakrificë për ne, por, faktikisht ajo që duam ne të bëjmë përmes këtyre eventeve të përjavshme është që të çojmë mesazhet tek të tjerët përmes zërit të vetë njerëzve të zakonshëm që tw shohin që janë dëshmi reale, nuk janë shifra dhe fakte të transmetuara nëpër fjalime.

Entela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Faleminderit Zoti Kryeministër! Përshëndetje të gjithëve! Në këtë takim sot kemi dhe një rast të zgjidhur për sipërmarrjen. Zonja Ina Tani, e cila përfaqëson subjektin “Muzaka&Partners sh.p.k.”. Studioja ligjore “Muzaka&Partners” u adresua në Platformën wwwshqiperiaqeduam.al  për të kërkuar sistemimin e detyrimit të saj tatimor dhe heqjen e bllokimit të llogarive të saj bankare të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Tiranë. Problematika kishte lindur në vitin 2017, kur në nëntor shoqëria bën një gabim  njerëzor në deklarimin tatimor dhe për këtë shkak ndryshon përgjegjësia tatimore. Bazuar në ligj shoqëria bën ankimimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Apelit, e cila e shqyrtoi rastin dhe i dha të drejtë shoqërisë. Por, edhe pse, në maj të vitit 2018 Drejtoria e Apelit i kishte dhënë të drejtë nuk ishte kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Tiranë sistemimi i duhur në sistemin tatimor. Për këtë arsye ishin gjeneruar gjoba dhe penalitete, duke arritur deri në bllokimin e llogarive bankare të subjektit. Me marrjen e kësaj ankese çështja u adresua dhe u trajtua paralelisht, si me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ashtu dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Tiranë, të cilat kryen të gjithë verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti dhe të mbështetur nga Drejtoria Tatimore në Tiranë, duke realizuar në 7 dhjetor të vitit 2018 heqjen e bllokimit bankar për llogari të subjektit.

Zonja Ina Tani: Unë përfaqësoj këtu shoqërinë të cilës i adresohet edhe problematika. Për sa i përket shoqërisë tonë ne jemi një shoqëri, e thënë në gjuhën e ekonomistëve, subjekt i tatimit të thjeshtuar, ose e thënë në gjuhën e thjeshtë, jemi një biznes i vogël që operojmë në treg. Për shkak të një gabimi njerëzor, siç tha edhe zonja paraprakisht, ne, në dorëzimin e bilancit, ekonomistja jonë gabon një shifër të vogël dhe ne kalojmë në atë që quhet biznes i madh, ose subjekt i tatimit mbi fitimin. Për këtë arsye nga Drejtoria e Tatimeve na vjen një shkresë ku na komunikohet kjo gjë që ka ndryshuar përgjegjësia tatimore. Sigurisht, ndjekim të gjitha procedurat sipas ligjit. E ankimojmë në Drejtorinë e Apelimit Tatimor dhe Drejtoria përkatëse vendos që ne të kalojmë siç ishim, pra nga biznes i madh, që gabimisht kaluam, të shkojmë sërish biznes i vogël, siç xhirot tona e provonin këtë gjë, librat e shitjeve dhe çdo dokument tjetër financiar tregonte që ne ishim biznes i vogël dhe nuk kishim asnjë arsye pse të konsideroheshim si biznes i madh. Por, edhe pse kjo gjë ndodhi dhe nga ana ligjore kur një Drejtori jep një vendim, të gjithë organet e tjera detyrohen ta zbatojnë atë, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore na vendos dokumente, njoftim vlerësimi quhet në gjuhën tonë të ekonomistëve, duke na ngarkuar përgjegjësi si të ishim një biznes i madh. Duke u interesuar herë pas here, për të qenë sa më korrektë, me gojë nga punonjësit na thuhej që ne nuk kishim për të paguar asnjë detyrim, ndërkohë që këto komunikime që janë zyrtare dhe duhet të vijnë me shkresë drejt subjekteve ne na komunikohen në tetor, duke na bërë atë që quhet bllokim i llogarive bankare. Përveçse na ka kushtuar kohë nga puna jonë që të shkëputeshim e të paraqiteshim përpara zyrave të institucioneve për ta zgjidhur këtë situatë, na u desh edhe një kosto tjetër, një imazh që ne kishim te klientët, si një shoqëri me llogari bankare të bllokuara. Atëherë, nuk morëm një zgjidhje dhe një përgjigje, siç duhet të ishte, ligjore dhe etike nga punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave Vendore këtu në Tiranë.  Të detyruar, ose më saktë të dëshpëruar, në këto kushte iu adresuam Platformës së Bashkëqeverisjes Vendore dhe vlen për ta theksuar dhe për të falënderuar edhe zonjën dhe të gjithë stafin që punon, brenda një jave ne na vjen komunikimi ku Drejtorisë përkatëse i ishte lëshuar komunikimi që duhet të eliminoheshin të gjitha këto gjoba të vendosura ndaj nesh dhe bëhet edhe zhbllokimi i llogarive tona bankare. Kështu që, ju falënderoj, zonjën, të gjithë stafin, edhe ju zoti Kryeministër! Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për dëshminë! Ndjesë për të gjithë kalvarin, por është e vetmja rrugë për të përballuar këto situata duke qenë bashkë, duke komunikuar dhe duke ndërvepruar dhe ky është edhe thelbi i asaj që quhet Bashkëqeverisje, jo për një fjalë të bukur, por sepse përmbajtësisht ndryshon jetën e njerëzve dhe të komuniteteve. Ne kemi të gjithë gatishmërinë të dëgjojmë, kemi të gjithë vullnetin që t’i pranojmë të metat, boshllëqet edhe gabimet dhe kemi të gjithë këmbënguljen e nevojshme për të shkuar përpara, duke përmirësuar gjërat dhe duke përmirësuar edhe vetveten. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët duhet të mos rrinë në pritje. Një nga komunikimet e mbrëmshme ishte me një student që pretendonte që i kishin kërkuar lekë për të hyrë në një punë, në një institucion dhe i thashë, “bujrum”, www.shqiperiaqeduam.al është vendi ku ti, nëse e ke konkrete shprehjen e shqetësimit tënd dhe jo “se kështu thonë”, sepse ajo që ndodh shpesh herë është që “se kështu më thanë”, “se kështu kisha dëgjuar”, “nuk m’i kërkuan mua, por ia kishin kërkuar një shoqes time”. Do ta bëj, – tha. Pres që ta bëjë! Është një mënyrë shumë e thjeshtë që ai të fitojë të drejtën dhe të hyjë në atë punë, ndërsa kush i ka kërkuar lekë, në rast se i ka kërkuar, të shkojë në burg. Por kjo do kurajë civile dhe do vendosmëri. Ne i kemi të gjithë kurajën dhe vendosmërinë. Por, të vetëm, nuk i bëjmë dot shumë gjëra që së bashku mund t’i bëjmë menjëherë.

Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Një qytetar i Tiranës, i quajtur Zef Bashalli, vendosi që pranë Platformës së Bashkëqeverisjes të adresonte 2 problematika njëherësh. Nga njëra anë, ankohej se në banesën e tij mungonte  furnizimi me ujë të pijshëm dhe nga ana tjetër, në rrugën ku banonte mungonte ndriçimi. Menjëherë ankesa iu delegua Bashkisë Tiranë, për ta trajtuar me strukturat përgjegjëse të saj dhe u trajtua njëkohësisht nga UKT-ja, e cila verifikoi se në sistemin e pompimit, në zonën ku banonte zotëria kishte pasur një defekt, mori masa të menjëhershme për ta rregulluar. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme Numër 2 e Punëtorëve të Qytetit konstatoi se, ndriçuesit e rrugës ku banonte zotëria kishin llamba të djegura, të cilat sigurisht i zëvendësoi me të reja. Pra, të dyja problematikat gjetën zgjidhje.

Zoti Zef Bashalli: Kisha thjesht një kuriozitet, kur dëgjova për Platformën, thashë po e instaloj njëherë në telefonin tim. E instalova, u regjistrova dhe kur u futa te menyja pashë që aty mund të merrje shumë shërbime. E provova. Në fakt, atje nuk vuaja vetëm unë si familje, por ishte një lagje e tërë që vuante nga uji, sepse vinte uji njëherë në 3 ditë dhe vetëm për gjysmë ore edhe ikte përsëri. Plus duke parë rrugën që me shtylla ishte e pajisur dhe mungonin llambat, aty kalonin dhe prindër me fëmijë të vegjël dhe në errësirë. Iu adresova Platformës dhe brenda muajit u zgjidh problemi.

Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër i Bashkisë Tiranë është rasti i zonjës Marie Bajraktari e cila kishte 2 muaj që përpiqej për të marrë një dokument në Bashkinë e Tiranës. Ky dokument ishte shumë i rëndësishëm për të, pasi nevojitej për një proces gjyqësor në të cilin zonja merrte pjesë. Gjykata kishte shtyrë seancat pikërisht për shkak të mungesës së këtij dokumentacioni, i cili ishte i nevojshëm për të vazhduar më tej procesin gjyqësor. Zonja vendosi që të trokiste në derën e Bashkëqeverisjes, derë e cila u hap dhe sigurisht ajo pati mundësinë të tërhiqte dokumentin shumë shpejt.

Zonja Marie Bajraktari: Unë jam në një proces gjykimi. Kur gjyqtari arriti në konkluzionin e fundit që duhet të mbyllte dosjen më ka kërkuar një dokument që unë këtë duhet ta merrja në Bashkinë e Tiranës, i cili mbyllte dosjen time dhe gjyqi ishte në favorin tim. Ma dhanë në fillim, por Gjykata nuk e pranonte këtë dokument pasi nuk ishte origjinali. Më kthejnë përsëri në Bashki dhe janë shtyrë 4 seanca gjyqi për këtë dokument me një fjali me 3 fjalë. I jam drejtuar Platformës www.shqiperiaqeduam.al më sugjeruan njerëzit e afërt dhe avokati im. Brenda 9 ditësh mora përgjigje dhe unë fitova gjyqin. Falënderoj zotin Kryeministër! I uroj shëndet të plotë dhe sa më shumë punë për Shqipërinë që duam.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Ishte rasti i fundit për sot dhe duke i falënderuar të gjithë miqtë që na respektuan edhe ishin të pranishëm për të sjellë dëshmitë e tyre, po e mbyll duke i nxitur të gjithë që të mos dorëzohen, të mos tërhiqen, të mos konsumohen duke sharë edhe duke shfryrë nëpër kafene, e nëpër rrjete sociale, por direkt të klikojnë te www.shqiperiaqeduam.al dhe menjëherë kanë në dispozicion mua dhe të gjithë qeverinë për të zgjidhur problemin e tyre të madh, apo të vogël, që nga çështja e një hipoteke, tek çështja e një legalizimi, tek çështja e një pensioni, tek çështja e një shtëpie në rrezik dhe deri tek problemet e taksave, problemet e faturave dhe problemeve të shërbimeve në komunitet. Shumë faleminderit të gjithëve dhe një vit të mbarë për të gjithë ju që na nderuat sot! 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.