Në zyrën e bashkëqeverisjes me qytetarët nisi sot ndërveprimi aktiv me njerëzit e zakonshëm për nismat e regjistruara në Platformën e Bashkëqeverisjes. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Arsimit Lindita Nikolla zhvilluan komunikimin e parë interaktiv online me një grup prindërish, mësuesish dhe nxënësish, të cilët janë bërë bashkë për të shfrytëzuar këtë hapësirë bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me qeverinë, duke propozuar reformimin e kalendarit ditor të orëve mësimore përmes nismës “3 lëndë në 6 orë”. Kjo nismë, e cila mori miratimin e Ministrisë së Arsimit, do të nisë zbatimin nga data 1 Shkurt dhe synon lehtësimin e javës mësimore për nxënësit dhe mësuesit dhe në veçanti, ngarkesës fizike të nxënësve.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë komunikimit interaktiv me nxënës, prindër e mësues në zyrën e bashkëqeverisjes:
Për mua është një satisfaksion i dyfishtë, nga njëra anë, sepse kemi diskutuar me ministren disa herë lidhur me problemin e madh të ngarkesës mësimore, të ngarkesës fizike të çantave çdo mëngjes për fëmijët, për çka ishte menduar një qasje tjetër. Ndërkohë, falë kurajos për të besuar të zonjës që u bë shkaku që ju jeni bashkuar sëbashku dhe që ne të jemi këtu sëbashku, ne gjendemi me një zgjidhje shumë të thjeshtë dhe shumë të plotë përpara nesh në tavolinë.
Kjo erdhi si rezultat i një prindi dhe pastaj, në bashkëpunim mes jush si prindër, si nxënës, si mësues dhe nga ana tjetër, i faktit që ne kemi ngritur këtë urë komunikimi, të cilën duam ta forcojmë në vazhdimësi. Kjo është edhe ana tjetër e kënaqësisë time, sepse është një provë e prekshme për të gjithë ata që me të drejtë kanë mosbesim, me të drejtë mund ta shikojnë edhe cinizëm këtë përpjekje, “si do bashkëqeverisim?” “s’ia vlen farë t’i hyjmë kësaj pune, se nuk na dëgjon njeri” etj..”
Ne kemi filluar të provojmë hap pas hapi se ankesat e njerëzve në Platformë adresohen sipas afateve që kemi premtuar dhe se çdo ankesë që vjen nga Platforma nuk kalon nëpër filtrat e burokracisë, që shpesh herë janë problemi ynë i përbashkët, por shkon drejt e te ministri apo ministrja dhe titullari është drejtpërdrejtë përgjegjës për të dhënë përgjigje. Kjo është një vlerë e madhe e shtuar, sepse Platforma nuk ka vetëm ankesat, por edhe hapësirat për të bërë hapa konkretë për nisma konkrete.
Siç ju erdhët sot dhe na keni sjellë një propozim shumë të vlefshëm, që në ditët përpara përgatitjes së këtij bashkëbisedimi, ne e kemi studiuar dhe miratuar, kështu që do të zbatohet duke filluar nga data 1 shkurt, këtu mund të vijnë individë, apo grupe individësh që duan të ngrenë një problem mjedisor, që duan të ngrenë një problem për mbarëvajtjen e sipërmarrjes, apo një problem konkret për një shkollë konkrete. Madje në Platformë ka një zë të veçantë, “Shkolla Ime”, ku mjafton të bëhen bashkë një grup nxënësish, prindërish, apo mësuesish, ose nxënës, mësues e prindër dhe të shkruajnë në Platformë për një nismë të caktuar për shkollën, mund të na përfshijë neve drejtpërdrejtë. Por këtu mund të paraqiten nisma që lidhen edhe me përmirësimin e proceseve brendapërbrenda administratës, nisma që lidhen me komunitetet në një fshat të caktuar, në një lagje të caktuar, në një bashki apo në një njësi administrative të caktuar, pra, ka një gamë të gjerë problematikash dhe ne kemi krijuar një spektër mundësish.
Unë jam shpresëplotë që kjo do të na shërbejë jo thjesht për çështjen që trajtuam dhe që mori rrugë, por edhe për të hapur më shumë një hapësirë bashkëqeverisjeje, ndërveprimi, dialogu me njerëzit e zakonshëm, që në fund të fundit janë arsyeja pse ne jemi sot në qeveri dhe që, siç provon dhe nisma, mund të na ofrojnë zgjidhje konkrete praktike. Zgjidhje që nganjëherë janë si veza e Kolombit, por që grupe të tëra ekspertësh nuk arrijnë dot t’i gjejnë me këtë efikasitet që vjen dhe nga halli, siç e tha vetë zonja që e ka propozuar se ne këtu na solli halli, sepse kemi gjithmonë stresin që a do e përballojë, apo nuk do e përballojë fëmija, të gjithë atë ngarkesë për ditën e nesërme.
Në Platformë ka dhe një hapësirë tjetër për të bërë interpelanca. Ashtu si një grup deputetësh mund të thërrasin në interpelancë Kryeministrin apo një ministër, një grup qytetarësh mund të thërrasë në interpelancë në këtë hapësirë që ne e krijuam enkas për këtë punë. Sot faktikisht është dita e parë që ndizen këto ekrane dhe shpresoj që të jenë të ndezura në mënyrë sistematike, për të dhënë llogari për një çështje të caktuar përpara. P.sh., patëm një rast konkret me një grup naftëtarësh në zonën e Fierit, që morën rrugën për të ardhur në Tiranë. Sigurisht që edhe rruga për të ardhur në Tiranë dhe rruga për të protestuar përpara një institucioni nga një grup interesi është një rrugë demokratike, nuk diskutohet, por përpara se të vihej këtu, fare mirë, nëpërmjet Platformës mund të kërkohej një interpelancë këtu me ministrin e Energjisë. Unë i siguroj të gjithë se kjo do të ndodhë.
Ne duam të vihemi në provë, sepse, në fund të fundit, njerëzit kanë parë kaq shumë dhe kanë dëgjuar kaq shumë histori dhe ndërkohë janë zhgënjyer kaq shumë, në vite, nga indiferenca, apo nga hipokrizia e politikës, sa me të drejtë mund të thonë këto janë të gjitha filma, farsa etj.. Ky nuk është një film. Ky është një realitet i ri, që ne po mundohemi të krijojmë duke shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar mundësinë e lidhjes përmes internetit në Platformë, duke shfrytëzuar edhe këtë mundësi.
Faleminderit shumë që u bëtë arsyeja për dy gëzime në një ditë; gëzimi që e gjetëm një zgjidhje konkrete dhe shumë praktike, që do të lehtësojë shumë prindërit, nxënësit, mësuesit dhe do të lehtësojë shumë në tërësi ngarkesën e ditës, duke e shpërndarë atë në mënyrë racionale gjatë javës, por dhe gëzimi që mund të japim bashkërisht një provë. Provën që kjo është një eksperiencë e re, një praktikë e re qeverisëse, inovative, që, nëse njerëz të tjerë si ju, njerëz të zakonshëm që vijnë nga halli në kontaktin me qeverinë marrin kurajon për të besuar, ne jemi këtu për t’u përgjigjur, duke provuar se ne e kemi shumë seriozisht këtë praktikë të re qeverisëse, si një element i ri i qeverisjes për t’i dhënë asaj cilësinë dhe ndjeshmërinë e jetës së përditshme.
Shumë faleminderit!