Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarë që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita dhe mirë se keni ardhur të gjithë ju që i jeni përgjigjur ftesës së skuadrës së platformës, për të dëshmuar eksperiencën tuaj në këtë event të përjavshëm që ne organizojmë posaçërisht për platformën e bashkëqeverisjes, me qëllimin që t’ua përcjellim të gjithëve gatishmërinë dhe shpejtësinë me të cilën jemi në gjendje t’i përgjigjemi çdo njeriu të zakonshëm që ka një problem, apo një hall dhe nuk arrin dot të marrë atë që i takon në dyert e zyrave të shtetit.
Po ftoj Flamurin për të na prezantuar rastin e parë të ditës së sotme.
Flamuri, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do të prezantoj sot i përket një qytetari me banim në Pezë Helmës. Zoti Muçalla ishte pajisur me lejen e legalizimit në vitin 2016 dhe po në nëntor të vitit 2016 kishte aplikuar pranë zyrës vendore Tiranë për regjistrimin e lejes së legalizimit, por për dy vjet ai nuk kishte mundur të pajisej me këtë leje dhe arsyeja ishte probleme hartografike, zona ku ishte banesa e tij ishte e pa azhornuar. Duke mos gjetur zgjidhje në qershor të 2018, zoti Muçalla e regjistron ankesën në platformë dhe si rezultat i ndërveprimit me njësinë administrative Pezë dhe zyrën hipotekore Tiranë u arrit që të bëhej azhornimi dhe afishimi publik i pronës dhe plotësimi i dosjes nga njësia administrative Pezë dhe të dërgohej e plotë pranë zyrës vendore. Si rezultat, para një jave, zoti Muçalla u pajis me certifikatën e pronësisë.
Zoti Fejzulla Muçalla: Ju faleminderit zoti Kryeministër, faleminderit gjithë stafit të platformës. Që në vitin 2016 mora legalizimin e shtëpisë sime. Më pas, më thirrën, bëra një pagesë, pastaj më thirrën tek hipoteka, pagova dhe aty dhe prisja që të merrja certifikatën e pronësisë. Pasi kaloi një kohë e gjatë dhe nuk po vinin, një shok tek njësia administrative më ndihmoi shumë që bëri këtë ankesën tek platforma e bashkëqeverisjes dhe para një jave mora certifikatën e truallit të shtëpisë. Ju faleminderit shumë!
Kryeministri Edi Rama: Do të përsëris diçka që nuk është kurrë mjaft së përsërituri që, megjithëse është njerëzore të kënaqesh kur dëgjon falënderime dhe unë ju falënderoj për mirësinë tuaj, por në rastin konkret, kjo platformë është produkt i besimit, i mbështetjes së qytetarëve që i dhanë kësaj qeverie mundësinë të bëjë realitet një zotim solemn, për të bashkëqeverisur me njerëzit e zakonshëm. Platforma është tamam si një adresë urgjence për të gjithë ata që plagosen në zyrat e shtetit nga indiferenca, nga mungesa e korrektesës, nga tentativat për korrupsion dhe që ndryshe nga më parë, nuk janë më vetëm. Mjafton t’i drejtohen platformës, me një klik, tek shqieriaqeduam.al dhe menjëherë kanë në krah qeverinë, konkretisht, mua personalisht dhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, sipas fushës ku shfaqet problemi ,apo ku është halli për t’u zgjidhur. Konkretisht, në rastin e Fejzullahit, ka qenë ministrja e Drejtësisë, si për të gjitha rastet kur qytetarët ankohen për titujt e pronësisë, që është vënë në lëvizje personalisht dhe pastaj e gjithë struktura ka funksionuar në bashkëpunim me ekipin e platformës, për të arritur rezultatin e shumëpritur dhe për të marrë qytetari atë që meriton.
Juela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Paraqesim rastin e Zonjës Suela Gero, e cila prej një viti nuk ka mundur dot të gjejë një punë në subjekte të ndryshme private këtu në Tiranë. Menjëherë pasi i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ka shqyrtuar të gjitha alternativat e mundshme në subjektet private, duke realizuar punësimin e saj.
Zonja Suela Gero: Jam e diplomuar e për gati një vit jam paraqitur tek zyrat e punësimit për një çështje jetike siç është puna. Me besim, pothuajse çdo javë paraqitesha në zyrat e punës. Edhe pse e diplomuar dhe me goxha vite punë mbi supe, nuk pata pretendimin më të vogël për të filluar punë, qoftë edhe si shitëse apo sistemuese, por zgjati një vit dhe çdo javë edhe pse paraqitesha në zyrat e punësimit, nuk merrja zgjidhje për problemin tim. Nuk e di a ishte neglizhencë apo indiferencë. Për këtë, besova që do gjeja zgjidhje dhe ju drejtova platformës së bashkëqeverisjes dhe menjëherë brenda 3 ditësh pata një përgjigje dhe një thirrje të menjëhershme nga shërbimi kombëtar i punësimit ku mora zgjidhje për problemin tim dhe pas një interviste dhe ndërmjetësimit të tyre në një firmë private, për tre ditë fillova punë. Për këtë falënderoj shumë platformën dhe dua të jap një mesazh për njerëzit e papunë, që me gjithë neglizhencën që mund të hasin në zyrat e punës, të mos e lënë me kaq, por t’i drejtohen në mënyrë elektronike apo nëse nuk kanë mundësi në këtë mënyrë, në mënyrë tjetër, – kësaj platforme dhe të kenë besim. Unë gjeta zgjidhje. Besoj që dhe shumë të tjerë do kenë mundësi të gjejnë zgjidhje. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shumë respekte për rezistencën dhe për mosdorëzimin përpara tuhafit të radhës që keni gjetur fatkeqësisht, sepse përgjithësisht zyrat e punës janë ndër institucionet që po funksionojnë relativisht mirë. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e tyre, por si në çdo zyrë shteti edhe në zyrat e punës ka ende persona që nuk janë të denjë për t’i shërbyer qytetarëve dhe një nga të mirat e kësaj platforme është se na ndihmon t’i identifikojmë pikërisht duke ndjekur ecurinë e rasteve që na bëhen prezentë nga qytetarët. Që do të thotë që pas punësimit të zonjës Gero, një hetim administrativ ka nisur për të identifikuar “pse”-në e gjithë kësaj zgjatjeje dhe patjetër, edhe përgjegjësit për këtë moskokëçarje që i ka kushtuar Suelës një vit.
Katerina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot, këtu mes nesh ndodhet një qytetar nga Fieri, Zoti Shpëtim Zeqo, i cili iu dhjetuar platformës së bashkëqeverisjes për shkak të problematikës së hasur në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier. Zoti Zeqo, kishte aplikuar në shtator të vitit 2018 për regjistrimin e lejes së legalizimit, por nuk kishte mundur të merrte zgjidhje pranë kësaj zyre. Ankesa e tij u vu menjëherë në lëvizje dhe sot ai është pajisur me certifikatën e pronësisë dhe është këtu për të ndarë këtë eksperiencë në emër të të atit të tij.
Zoti Shpëtim Zeqo: Si gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe unë, me këto problemet që kemi, shkova dhe tek zyrat, se aplikimin e bëri babai dhe gjithmonë e sorollatnin, nuk po gjente zgjidhje. Thashë ta provoj njëherë këtë platformën, të shohim ca bëhet. Ja që e vërteta është që kishte zgjidhje. Falënderoj gjithë stafin e platformës, suksese skuadrës së palodhur. Përshëndes edhe zotin Kryeministër!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu. Unë e çmoj shumë mundimin tuaj, të të gjithë atyre që vijnë këtu, sepse mbasi e keni zgjidhur hallin, apo i keni dhënë fund një problemi që ju ka mbajtur peng, nganjëherë edhe me vite, jeni në të drejtën tuaj të thoni nuk dua më të merrem me këtë punë. Por, duke ardhur këtu, ju ndihmoni të tjerët që të mos vuajnë sa keni vuajtur ju dhe të tjerët, duke ju dëgjuar ju, që jeni si ata, në të njëjtat pozita në raport me zyrat e shtetit, marrin më shumë besim, inkurajohen më lehtë dhe e provojnë platformën, me shprehjen “ta provojmë edhe këtë njëherë” dhe ajo që ndodh, është që marrin zgjidhje për të gjithë ato raste kur realisht kanë të drejtë dhe kur realisht zgjidhja i takon zyrave të qeverisë, sepse ka raste që janë çështje të natyrës gjyqësore dhe platforma nuk mund të japë dot zgjidhje, sepse platforma nuk është gjykatë.
Albana, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantoj sot është i zotit Mustafa Basha nga bashkia Kamzë. Zoti Basha ishte pajisur me lejen e legalizimit të shtëpisë së tij dhe më pas kishte aplikuar për pajisjen me certifikatë pronësie. Prej më shumë se 1 viti nuk po merrte shërbimin e nevojshëm dhe në këtë mënyrë i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes. Menjëherë pas adresimit të problematikës pranë institucioneve përgjegjëse, ALUIZNI-t dhe ZVRPP-së, u bë e mundur zgjidhja e problemit dhe në 18 shkurt, zoti Basha u pajis me certifikatën e pronësisë.
Zoti Mustafa Basha: Përshëndetje zoti Kryeministër dhe ju ekipi i bashkëqeverisjes. Unë në shtator aplikova për certifikatën e shtëpisë, në hipotekë. Në qershor mora lejen e legalizimit, në shtatorin tjetër aplikova dhe ndejta 20 muaj pa marrë përgjigje. Bëj kërkesa, bëj çdo gjë dhe nuk gjeta zgjidhje. I thashë djalit, se janë më të shkathët këta të rinjtë, thash ta provojmë këtë dhe e vërteta është që para dy javësh mora lejen e shtëpisë. Falënderoj stafin e bashkëqeverisjes dhe zotin Kryeministër sepse ne të shpërngulurit nga liqeni i Bovillës, para një viti kemi marrë një këst që kishim ngelur nga shpërblimi vetëm falë kësaj qeverie. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin.
Egesta, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti në vijim është ai i zotit Nevruz Nika, i cili vjen nga Bulqiza. Zoti Nika i është drejtuar platformës duke qenë se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar si minator dhe pensioni i caktuar nuk është në përputhje me profesionin e vështirë që ai ka kryer. Pas disa ankesash të drejtuara institucionit, ka qenë pikërisht ankesa e drejtuar në platformë që bëri të mundur rivlerësimin e rastit të tij nga ku u konstatua që në dosjen e pensionit ndodhej vërtetimi i pagës që nuk ishte marrë në konsideratë, në momentin e caktimit fillestar të pensionit. Drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore Dibër, bëri sistemin e pensionit dhe sot i ka akorduar zotit Nika diferencat për një periudhë 3 vjeçare sipas ligjit për Sigurimet Shoqërore. Zoti Nika, duke ju falënderuar që keni ardhur nga larg sot, ju ftoj të na tregoni se si përfundoi procesi.
Zoti Nevruz Nika: Faleminderit për respektin. Jam një minator nga Bulqiza dhe kam punuar mbi 35 vjet nën tokë. Kam që në muajin gusht e deri para 3 javësh nuk kam gjetur asnjë zgjidhje. Keni një administratë të vjetër, që kanë punuar prej kohësh. Ata na shohin ne minatorët sikur po shohin gogol. Zoti Kryeministër, faleminderit, rrugëzgjidhjen e gjeta, por ke dhe minatorë të tjerë në batak. Kanë punuar në fronte të vështira. Ju uroj punë të mbarë dhe të gjitha të mirat që ta çoni popullin në Bashkimin Europian dhe ju uroj që t’i shërbeni këtij populli dhe minatorëve. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që është zgjidhur ky problem dhe që masa e pensionit është llogaritur më në fund siç duhet. Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që janë llogaritur dhe kompensimet, si dhe diferencat dhe është një shifër e konsiderueshme, me sa shoh. Është edhe një arsye për t’jua thënë të gjithëve, që është e vërtetë ajo që tha Nevruzi, qëshpeshherë në administratë ndeshesh me persona të padenjë, por sot nuk je më vetëm,siç ke qene për gati çerek shekulli.Sot, ne jemi në krah të kujtdo që ka nevojë për një mik të vërtetë dhe një mik që nuk varet nga lidhjet e gjakut, që nuk varet nga xhepi, që nuk varet nga tesera në xhep, por që është aty për të bërë të mundur që e drejta të vihet në vend. Ky mik është qeveria e Shqipërisë. Është çdo ministër dhe unë personalisht, bashkë me zëvendëskryeministrin, që jemi në dispozicion për t’i ardhur në ndihmë, në mënyrë urgjente, kujtdo që ndeshet me një padrejtësi në zyrat e shtetit.Shumëkush e përqesh këtë punën tonë, por edhe në Francë që është një nga shtetet më të organizuara të botës, ka adresa deri tek faqja e Presidentit të Republikës, – ka pasur edhe para pak kohe, nuk e di nëse është akoma aktualisht, -ku qytetarët mund të shkruajnë drejtpërdrejtë për një hall, apo një problem që kanë me shtetin. Që do të thotë që ne nuk kemi bërë asnjë gjë tjetër përveç se kemi krijuar një mekanizëm shpejtësie, të paparë më parë, komunikimi të një njeriu të zakonshëm me qeverinë, drejtpërdrejtë. Duke shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar telefonat në xhepat e qytetarëve, apo pikat ku ata mund të drejtohen për të na u adresuar.
Më vjen shumë mirë që në këtë mënyrë, ne u kemi mundësuar shumë pensionistëve korrigjimin e pensionit dhe marrjen e një të drejte të mohuar. Ashtu sikundër i kemi mundësuar shumë të tjerëve titujt e merituar të pronësisë dhe kështu me radhë. Janë mijëra njerëz që përndryshe do të ishin sot e gjithë ditën pa zgjidhje. E janë qindra zyrtarë që janë ndëshkuar. Do të vazhdojnë të ndëshkohen.
Rruga nuk është e shkurtër. Nuk po flasim këtu për një gjë të thjeshtë, po flasim për shtetbërje. Fola për Francën, por Franca e ka qindravjeçare historinë e shtetit dhe historinë e institucioneve dhe respektin për shtetin dhe institucionet.
Dorela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Prezantoj sot rastin e studentes Hajna Behari, e cila vazhdon ciklin e parë të studimeve bachelor, në universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, në degën e drejtësisë. Ajo iu drejtua platformës pasi prej tre vitesh nuk pajisej me numrin e matrikullimit, çka sillte si pasojë të mos përdorte shumë shërbime gjatë kohës së studimeve të saj. Ministria e Arsimit pasi e trajtoi rastin, në bashkëpunim me Universitetin e Durrësit bëri të mundur që Hajna të pajisej me numrin e matrikullimit nga Qendra e Ahërbimeve Arsimore.
Studentja Hajna Behari: Ju falënderoj për këtë nder që më keni bërë! Problemi nisi që në vitin 2015 kur fillova studimet për asistencë administrative. Mbarova vitin e parë të studimeve aty dhe në sekretari del lajmërimi që mund të kryheshin transferimet nga një degë në një degë tjetër. Bëra të gjitha dokumentet e posaçme për atë degë dhe dola e para në listë. Kreva studimet nga 2016 deri tani dhe kur fillova semestrin e dytë doja një vërtetim notash se do beja një eko të përgjithshme në spital. Në sekretari mora vesh se nuk kam matrikullim. Shkova në dekanat dhe më thanë që jemi në përpjekje e sipër për këtë zgjidhje, por nuk mora asnjë përgjigje. Në fund iu drejtova bashkëqeverisjes për këtë gjë. Ju falënderoj shumë për zgjidhjen që më dhatë. Kam patur një stres shumë të madh vitin e kaluar.
Kryeministri Edi Rama: Ja që u zgjidh. Kush reziston dhe ka të drejtë nuk ka shans të humbasë, vetëm fiton. Ndërkohë më vjen shumë mirë të theksoj që platforma ka qenë pranë studentëve në këtë periudhë. Ka dhënë një ndihmë shumë të vyer në një rrumpallë të vërtetë, ca nga ata xhagajdurët që bllokonin korridoret, ca nga ata protestues të universitetit që fshiheshin pas tyre, duke lënë shumë studentë në errësirën e informacionit, lidhur me vendimet e qeverisë me Paktin për Universitetin. Kanë qenë mbi 1000 pyetjet e drejtuara në dritaren e posaçme që u krijua për studentët dhe skuadra e platformës, Dorela së bashku me të tjerët dhe ministrinë e Arsimit kanë kryer një volum pune të jashtëzakonshme për të dhënë përgjigje, duke lehtësuar shumë informacionin që ishte detyrë e universiteteve ta jepnin. Për fat të mirë, sot ka vetëm disa probleme të vogla që vijnë si rezultat i vonesave të shkaktuara nga disa zona, segmente më saktë, në universitete, po përgjithësisht janë bërë disbursimet e fondeve, është realizuar pagesa e gjysmës së tarifës së studentëve nga ana e qeverisë. Janë bërë disbursimet për pagesën 100 % të tarifës për ata me 9-ta dhe 10-ta, për ata me ndihme ekonomike, për ata me probleme specifike mjekësore apo sociale, që janë të përcaktuar si kategori përfituese. Janë lëvruar edhe fondet për bursat. Bursat që përfitojnë studentët më të mirë dhe kategoritë që përmenda. Kështu jemi në një fazë të re, ku sigurisht ka ende shumë për të bërë pasi Pakti për Universitetin nuk është një fjalë goje, por është një angazhim madhor i qeverisë, që kërkon një ndërveprim intensiv me universitetet, jo vetëm me drejtuesit dhe stafet pedagogjike, por edhe me studentët.
Para mbledhjes së qeverisë, sot kishim mbledhjen e përjavshme që bëjmë me të gjithë ministrat dhe me një numër deputetësh të angazhuar për Paktin për Universitetin, sipas zonave universitare dhe jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha të dhënave për nevojat e universiteteve në drejtim të infrastrukturës së tyre, për ato nevoja që kanë projekte, për ato që janë nevoja legjitime, por për të cilat mungojnë projektet dhe duhen bërë. Së dyti, për logjistikën, mjetet didaktike, laboratorët. Së treti, për praktikat e punës dhe konsulencat, për t’i qëndruar edhe një pike tjetër angazhimi që kemi marrë, që ministritë sipas fushave të lehtësojnë hyrjen në treg të universiteteve dhe të financojnë ekspertiza dhe konsulenca nga brenda universitetit, që të krijojnë burime financiare për universitetin dhe ata që do të përfshihen.
Është një proces i jashtëzakonshëm nga pikëpamja e kompleksitetit, por është një angazhim solemn i imi dhe unë kam shumë besim që gjatë këtij mandati, ne do mund të çelim kantierin më të madh në historinë e universitetit, për të kryer një transformim epokal të situatës nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e logjistikës, nga pikëpamja e kushteve të brendshme të procesit përmbajtësor mësimor, nga pikëpamja e konvikteve e kështu me radhë.
Flavia, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje të gjithëve! Rasti që prezantoj sot është ai i zonjës Myrvete Bramati. Ajo u bë zëri i të gjithë familjeve që jetonin në një pallat me të, duke qenë se hapësirat e përbashkëta ku ata jetonin ishin zënë nga dikush që tregtonte mobilie dhe materiale të përdorura. Ata ishin përpjekur disa herë që këtë çështje ta zgjidhnin me marrëveshje apo duke iu drejtuar strukturave përkatëse, por nuk kishin gjetur zgjidhje. Me marrjen e ankesës në platformë ajo u trajtua menjëherë në bashkëpunim me policinë bashkiake dhe drejtorinë nr.2 të punëtorëve të qytetit, të cilët përveçse morën masat administrative kundër personave me dënim me gjobë bënë të mundur edhe lirimin e hapësirave, duke zhvendosur dhe materialet që ndodheshin aty.
Zonja Myrvete Bramati: Falënderoj Zotin Kryeministër dhe portalin e bashkëqeverisjes për mundësinë që na dha të vijmë këtu për t’u shprehur. Edhe njëherë falënderimet dhe mirënjohjen tonë për gjithçka keni bërë në bllokun “Vasil Shanto”, në pallatin Nr. 1. Problemi ka qenë i hershëm, por prej 3 vitesh banorët e pallatit përpiqeshin t’iu drejtoheshin institucioneve vendore, të cilave iu takonte ta zgjidhnin, sepse ishte e papranueshme që në ambientet e brendshme të kryhej një aktivitet biznesi. Institucionet u përpoqën ta zgjidhin, qoftë Drejtoria e Tatim-Taksave, qoftë Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, por biznesi në fjalë nuk respektonte vendimet e tyre. Atëherë menduam t’i drejtoheshim portalit të bashkëqeverisjes. Vërtet u veprua shumë shpejt. Unë nuk e mendoja të zgjidhej kaq shpejt. Ju na e keni lënë portën hapur që të trokasim përsëri për të zgjidhur hallet tona.
Kryeministri Rama: Shumë faleminderit! Më vjen shumë mirë që na jepet mundësia që gjatë prezantimeve të përjavshme të kemi vijimësisht edhe dikë që vjen për të dëshmuar jo vetëm një hall të vetin, në kuptimin brenda mureve të shtëpisë, por një hall edhe të komunitetit. Dua sinqerisht ta përgëzoj zonjën për durimin heroik me të cilin e ka përballuar të gjithë këtë betejë “të vogël”, por të rëndësishme në komunitet me burokracinë dhe me indiferencën. Nga ana tjetër dua ta theksoj që, nëse në aspektin e ankesave që lidhen me pushtetin vendor, ne kemi një problematikë disi më të ngatërruar, për shkak se shpeshherë bashkitë nuk përgjigjen fare, e vërteta është që me Bashkinë e Tiranës funksionon gjithçka, sepse Bashkia e Tiranës reagon menjëherë për të korrigjuar vetveten, në raport me rastet kur ata që duhet ta bënin punën në territor nuk e kanë bërë dhe ky është një nga ato raste.
Në total numri i ankesave, sa për të pasur një ide, ata që s’dinë çfarë flasin, kur flasin për platformën, ka arritur në 35 214 ankesa njerëzish të zakonshëm, të të gjitha llojeve. Ankesa nga më të ndryshmet dhe brenda tyre sigurisht nuk janë vetëm ankesat, por janë edhe rastet kur njerëzit japin kontributet e tyre.
Jo më larg se dje ishim në Lushnje dhe mundëm të shohim atje një gjë shumë të bukur, rilindjen e traditës së hershme muzikore të një komuniteti të shkollës “Kongresi i Lushnjes”, falë idesë së një prindi që iu drejtua platformës, duke shprehur interes që qeveria të konsideronte rikthimin te një traditë, e cila ka qenë traditë e hershme, por e ndërprerë nga periudha e ndryshimeve. Faktikisht, sot, në shkollën “Kongresi i Lushnjes”, kjo traditë ka rilindur dhe hap pas hapi nxënësit po përfshihen në rrugën e kësaj tradite, gjë që e bën shumë më interesant dhe shumë më të bukur procesin mësimor.
Shumëkush mund të thotë, pse një prind u kujtua për këtë dhe një qeveri e tërë, qeveri të tëra në vite nuk e patën këtë intuitë, për të bërë diçka kaq të thjeshtë, kaq të nevojshme dhe kaq me efekt pozitiv për një komunitet si ai i shkollës Kongresi i Lushnjes. Ekzaktësisht kjo është edhe bukuria e demokracisë, sepse idetë janë si veza e Kolombit. Aty ku një individ shikon diçka, ka mundësi që bota e tërë të mos shohë asgjë dhe kjo është ajo që e bën ndërveprues dhe intensiv procesin demokratik.
Ne jemi shumë të vendosur të dëgjojmë dhe të reagojmë, kur ajo që dëgjojmë na mëson diçka, pa pasur për asnjë moment tendencën që të themi “jo”, apo të bëjmë sikur nuk e kemi dëgjuar, meqë s’na vjen mirë që nuk e kishim ne parasysh më parë, atë që dëgjojmë nga njerëzit. Kjo realizon bashkëqeverisjen. Kjo realizon mundësinë e çdo individi që të ketë zërin e vet midis dy palë zgjedhjeve. Zëri i popullit, zëri i qytetarit nuk është vetëm për momentin kur ai zgjedh. Aty është momenti i gjykimit të tij. Zëri duhet të dëgjohet gjatë të gjithë kohës. E kam përsëritur shpesh, këtu ka shumë vajza e djem që kanë lindur pak përpara pluralizmit dhe janë rritur gjatë pluralizmit, ose kanë lindur edhe pas pluralizmit dhe e kanë dëgjuar në çdo fushatë, sesa shumë njerëz janë përpjekur t’ju thonë “jam zëri juaj”, “zëri juaj është zëri im”. Apo që të bashkoni zërin tuaj me timin, më jepni kordat tuaja që të bërtas më fort dhe gjithçka e ka marrë era pas përfundimit të fushatës.
Kjo është hera e parë që pas përfundimit të një fushate, që zërin e një fushate nuk e ka marrë era. Përkundrazi, ka një mekanizëm që mundëson dëgjimin në kohë reale të çdokujt që i drejtohet qeverisë dhe ndërkohë, qeveria jep çdo ditë provën se e dëgjon zërin e çdokujt dhe reagon me të gjitha mundësitë e veta.
Shumë faleminderit!