Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mesazh publik i Kryeministrit Edi Rama, pas vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë:  

Sot, Shqipëria mori viston për hapjen negociatave për anëtarësim në BE! Më në fund, se për atë Zot u bënë bajat, shty e shty e sajo lloj – lloj vicklash. Po, ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona dhe megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kurrë kollaj për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë, as betejën me viruset e vjetër të organizmit tonë shtetëror, që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma modernizuese e durim; as betejën me virusin arkaik të paragjykimeve të ca të të huajve ndaj nesh, që do ta asgjësojmë pak e nga pak me të vërtetat tona e durim; as luftën me këtë virusin e ri që po i bën zbor gjithë botës, që do ta zmbrapsim me forcën e rezistencës sonë e me durim të shumëfishuar…

PO-ja u votua në bllok nga 27 shtetet anëtare. Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së Bashkimit Europian u hap më në fund, në një kohë të mallkuar, kur dyert e të gjitha shtëpive tona janë të mbyllura. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj, mu në mes të një lufte botërore që askush nuk e di kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar, jo për shkakun tonë, që sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë, duke punuar e duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qyshse e merituam. Po njësoj do të vazhdojmë t’i bëjmë të gjitha detyrat e kësaj shtëpie, jo se na e kërkojnë ata që sot na thanë më në fund PO, po se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi ndaj fëmijëve tanë. Ne nuk do të ndalemi në plotësimin e çdo detyre, derisa të hyjmë në dhomën e madhe të ndenjes në Shtëpinë e Bashkimit Europian, ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të Europës e  ku më në fund, eshtrat e rilindësve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e heronjve të Europës, ku më në fund do të valëvitet i barabartë, mes të barabartësh, edhe flamuri i mrekullueshëm kuqezi i Gjergj Kastriotit.

Por deri atje, rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë dhe puna per t’u bërë është ende e madhe. Nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo PO e shumëpritur dhe e plotësishtmerituar të na gjente në kohë paqeje. Por sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht! Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, atë ditë të madhe çlirimi, kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare që i vuri kufirin te thana armikut!

E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend! Binduni bashkë me mua për këtë e kini besim e bëni durim motra e vellezër dhe le të shohim bashkërisht në këtë të përditshme të hatashme jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë sic jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tone. Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri – tjetrit, e se sa shume kohë dhe energji na marrin kotësirat në jetën tonë të përditshme. Le ta shohim në këtë errësirë se sa e çmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët ne shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë të paçmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi pa pushim për ushqimin e saj me energji. Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe është rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë që medemek nuk bëhet!

Motra e vëllezër, PO-ja e njëzëshme e 27 shteteve anëtare të BE-së, vjen pas një tjetër PO-je kuptimplotë, asaj të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, në 17 shkurt, kur njëzëri Bashkimi Europian, bashkë me plot vende të tjera, na dha shenjën kuptimplotë të një respekti që shkon përtej bamirësisë; respekt për Shqipërinë, për njerëzit e këtij vendi dhe për përpjekjet tona, të mëdha, serioze, të pandërprera, që ta bëjmë Shqipërinë një shtet të respektuar në familjen e shteteve europiane. Kam marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj, për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me te cilën kemi vepruar, për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë! Kam shumë besim, se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tone do të rritet më tej pas kësaj lufte. Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllim i luftës që në po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si në zhvilluam edhe këtë luftë! M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm çdo sekondë!  Unë nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë së asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të veçantë, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për këdo nga ju që ka një hall të veçantë!

Sot kam dhënë miratimin për disbursimin e mbështetjes financiare mujore, për periudhën e luftës, të atyre mes jush që e kanë edhe hallin më të madh së të gjithë ne të tjerët, të punësuar a të vetëpunësuar në një biznes të vogël që kanë ndalur punën, familje që jetojnë me ndihmë ekonomike apo të papunët të asistuar nga shteti! Në regjistrat e shtetit shuma e pagave mujorë të deklaruara në biznesin e vogël është 731 milionë lekë të reja. Por dëgjomëni më vëmendje: Në regjistrin e deklarimeve mujore shpeshherë paga e vetme e deklaruar në shtet nga një biznes i vogël është ajo e kryefamiljarit, e cila përgjithësisht deklarohet në kufijtë e pagës minimalë. Rruga e shkurtër dhe më e thjeshta në këtë rast, do të ishte të thoshim sot, ne po i japim kryefamiljarit pagën minimale të deklaruar nga ai vetë dhe jemi në rregull më aritmetikën e regjistrit të pagave të deklaruara të atyre që sot nuk punojnë se u është mbyllur biznesi i vogël. Pra, 710 milion janë pagat e deklaruara nga biznesi i vogël, 710 milion po shpërndajmë edhe ne dhe me logjikën e ligjit jeni në rregull, e kemi shlyer detyrimin tonë. Por ka një shprehje të bukur populli ynë, kur thotë i takon më ligj e me zakon. E pra, ne e dimë se ka shumë familje të vetëpunësuara, ku, shembull tipik, kryefamiljari deklaron pagën e tij minimale, por bashkëshorten e deklaron të punësuar pa pagë! Tani mirë ligji kur i thonë, po zakoni si e do në këtë luftë? Sepse jemi të gjithë një familje e madhe jo me fjalë por në fakt dhe prandaj, nuk mund të mjaftohemi me aritmetikën e numrit të të vetë punësuarve më pagesë të deklaruar që sot nuk punojnë për shkak të mbylljes së aktivitetit. Kështu që ne do të shkojmë përtej këtij numri, në mënyrë që të gjitha qelizave familjarë të këtij vendi, të cilat  nuk funksionojnë normalisht dhe ushqehen nga biznesi i vogël që është mbyllur, të mos u mungojë jo e gjitha ajo që kanë në kohë paqeje natyrisht, po e gjitha ajo që ne, familja e madhe mund të bëjmë për ta në këtë kohë luftë! Ja pse ne do t’ia japim edhe gruas së atij kryefamiljarit që përmenda më lart, pagën e luftës! Në këtë mënyrë, çdo i regjistruar, me pagë pa pagë, si i vetëpunësuar nga familja në biznes të vogël, do të marrë një pagë luftë dhe shuma 710 milionë lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël në kohë lufte, do të bëhet 1.57 miliardë lekë të reja! Pra shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqe, duke kompensuar kështu të gjithë të punësuarit a vetë punësuarit në një biznes të vogël, që nuk punojnë dot sot për shkak të luftës – pavarësisht nëse në kohë paqe shumë syresh figurojnë si të punësuar pa pagë në biznesin e tyre familjar! Këta janë plot 60 mijë e 440 persona që nuk do t’i lëmë vetëm.

Po kështu, shuma që shteti shqiptar në kohë paqeje paguan për familjet në kategorinë e ndihmës ekonomike, është 340 milion lekë në muaj! Po të vazhdojmë të paguajmë po kaq me ligj jemi në rregull, po më zakon në rregull jemi?

Ne e dime që në ato familje realisht në nevojë, gjatë kohës së paqes, dikush del e bën ndonjë punë, tek – tuk, në të zezë, për një shishe qumësht më shumë për fëmijët kur i thonë fjalës! Prandaj, që të jemi në rregull me ligj e me zakon, ne do të shpërndajmë për familjet në ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqe! Pra ndihma ekonomike gjatë luftës për të 70 mije familjet që figurojnë në regjistrin e ndihmës shtetërore do të dyfishohet! Kështu e do zakoni i një familjeje kur e gjen një hall si ky që i ka rënë në kokë familjes sonë të madhe shqiptare!

Kemi në regjistrin e ndihmës shtetërore edhe të papunët që përfitojnë pagesë papunësie. Dyfish do ta bëjmë edhe pagesën e papunësisë! Sepse nuk është koha për të parë si llogaritarë vetëm strikt ligjin, po për të respektuar si shqiptarë edhe zakonin!

Miq të shtrenjtë,

Motoja #TiNukDoJeshKurrëVetëm nuk është thjeshtë një slogan që tingëllon mirë, nuk është as thjeshtë një këngë e bukur që tingëllon bukur, po është vija e profilit të qeverisë që unë drejtoj dhe busulla ime e orientimit në jetën e përditshme kur ndeshem me hallet e njerëzve! Sot unë dua që askush nga ata që janë me në hall, brenda hallit që ka rënë mbi çdo familje shqiptare, të mos ndjehet vetëm dhe sot më shumë se kurrë, është dita për t’iu qenë pranë të gjithë atyre që janë hallexhinjtë më të mëdhenj! Ne nuk kemi c’i bëjmë vdekjes kur ajo vjen për të marrë dikë prej nesh. E sot kur bota mbarë po përjeton ankthin e përditshëm të trokitjes së vdekjes që përmes këtij agresioni vrastar, shkon derë më derë dhe kërkon njerëz në dyert e çdo shteti pa dallim nga madhësia e zhvillimit, ne kemi vetëm një rrugë: T’ia zeme vdekjes të gjitha rrugët që ajo të mos trokasë dot në të gjitha dyert ku mund të trokasë, përndryshe  po e lame të kalojë pa pengesa shumë te forta. Do të humbasim edhe ne njerëz te dashur, sic po humbasin të tërë shtetet. Por pikërisht pse jemi më të vegjël në numër se shumë popuj të tjerë, ne duhet të bëjmë cmosin që të humbasim sa me pak jetë shqiptare në këtë luftë! Luksemburgu është shumë më i vogël në territor e goxha më i vogël në popullsi se ne, por është një nga vendet më të pasur të planetit, që sot po vuan shumë më shumë se ne, sepse nuk i mori masat tona në kohe sic i morëm ne!

Janë 600 mije e kusur njerëz dhe sot kane 875 të infektuar dhe 8 të vdekur! Ata s’kanë familje në ndihmë ekonomike dhe nuk kanë probleme ushqimore apo jetike të asnjë natyre, po ja që në këtë luftë nuk qenka puna sa buke e sa para ke, po si lufton dhe sa reziston! Në një lufte si kjo, vendos strategjia e masave jo numri i ushtarëve; vendos koha kur masat merren, jo lloji i tyre që është njësoj për të gjithë; vendos fuqia e solidarizimit të qytetarëve me shtetin, që në këtë luftë duhet të jenë si një familje e vetme, ku secili vepron në unitet me rregullin e përbashkët! Dhe prandaj, ndër të tjera, në këtë luftë familjare shqiptare, si një shtet, një popull, një qeveri të bërë një trup i vetëm, 123 mijë familje më në hall se të tjerat në ketë vend duhen ndihmuar, jo vetëm me ligj, por edhe me zakon!

Nuk vdes njeriu edhe po të rrijë pa ngrënë 20 dite edhe po të rri mbyllur pa parë njeri tjetër me sy, 20 vjet! Por mbështetja e veçantë për këto 123 mije familje, nuk është as nga halli se do vdesin për bukë, as nga frika se do dalin rrugëve për të mos vdekur, po nga nevoja po aq jetike e kësaj lufte, që ata të mos ndjehen të veçuar, të mos ndihen të braktisur e të mos ndihen vetëm dhe të pamotivuar shpirtërisht për ta bërë këtë luftë, si të gjithë të tjerët, deri ne fund,brenda familjes së madhe të bashkuar shqiptare! Vetëm kështu ne jo vetëm nuk do të dalim kokulur nga kjo luftë, po do të bëhemi më të mirë dhe do të jemi më të fortë, si popull e si shtet, kur pas çlirimit të rifillojë jeta normale, në Shqipërinë që do fillojë të negociojë me Bashkimin Europian, anëtarësimin e saj të shumënderuar në Familjen e Madhe të Popujve te Europes se Bashkuar.

Zoti i Shqiptarëve është i madh!

Ju bekoftë të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.