Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e mjediseve të rikonstruktuara, në Qendrën e Formimit Policor në Tiranë:
Përshëndetje të gjithëve!
Në Shqipëri janë shumë rastet, në vite, kur çelen dyer institucionesh të reja të arsimit, por në asnjë rast tjetër nuk ndodh që kaq shumë përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian të mblidhen së bashku në një moment solemn të çeljes së dyerve të një institucioni arsimor të rindërtuar.
Kjo ka, sigurisht, një arsye të fortë dhe një kuptim të plotë. Këtë arsye të fortë dhe këtë kuptim të plotë duhet ta kenë para syve, sot dhe në vijim, studentët dhe studentet e kësaj Akademie. Sepse kjo Akademi nuk është thjesht një institucion i lartë arsimor, por është një ndër instrumentet themelorë për të realizuar një transformim rrënjësor dhe pa kthim të Policisë së Shtetit, nga një strukturë e ç’organizuar dhe e çoroditur, siç ishte deri një vit e gjysmë më parë, në një strukturë që duhet të jetë e ngjashme si pikat e ujit me strukturat e policive të shteteve të vendeve të Bashkimit Europian. Nëse krahasohemi me një vit e gjysmë më parë, sigurisht kemi shumë për të thënë dhe jo pak për t’u krenuar. Por nëse matemi me ambicien për ta bërë Policinë e Shtetit shqiptar, policinë e një shteti modern europian, atëherë ky është vetëm fillimi dhe puna që mbetet për t’u bërë është shumë herë më e madhe, shumë herë më e mundimshme dhe me shumë më tepër kosto dhe sakrifica sesa puna që është bërë deri më sot.
Gjatë vitit 2014 322 punonjës të Policisë së Shtetit janë proceduar penalisht për korrupsion dhe për shkelje të ligjit. 897 të tjerë janë ndëshkuar me përjashtim nga policia, me pezullim nga detyra, apo me ulje në gradë për një sërë motivesh, që nga kryerja e veprimeve të pahijshme dhe deri tek përdorimi i pijeve alkoolike gjatë shërbimit, pa llogaritur ato ende më të rëndësishme, si moszbatimi i urdhrit të ligjshëm që sjell pasoja; përdorimi i detyrës së policisë për interesa private; shkelja e kërkesave, rregullave dhe e normave gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale; mosushtrimi i kompetencave të punonjësit të policisë; përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës. Që të gjitha së bashku na japin një tablo të një situate tërësore rrënimi dramatik, ku Policia e Shtetit ishte katandisur deri një vit e gjysmë më parë. Rrënim dramatik që vazhdon të ketë inercinë e vetë dhe si pasojë e kësaj inercie 1219 punonjës të policisë ose më shumë se 11 % e gjithë trupës së policisë i janë nënshtruar procedimeve penale apo disiplinore. Është një shifër kuptimplotë, skandaloze dhe mbi të gjitha është një shifër që është burim reflektimi i thellë për të gjithë studentët dhe studentet që sot, në dyert e kësaj Akademie, kërkojnë rrugën e një karriere në Policinë e Shtetit.
Ministri i përmendi dhe unë dua t’i risjell në vëmendjen tuaj rastet e abuzimeve me detyrën në formën e sjelljeve të pahijshme dhe tërësisht të papranueshme, të denoncuara nga qytetarët përmes regjistrimesh me celularin e tyre. Dua, këtu përpara jush, t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë dhe t’i bëj apel të gjithë qytetarëve që kanë një aparat celular me vete, që jo vetëm të mos ngurojnë, por ta ndjejnë si pjesë të përpjekjes sonë të përbashkët për të pasur sa më shpejtë një Polici Shteti siç e meriton ambicia jonë për Shqipërinë Europiane dhe të denoncojnë çdo shfaqje ku shkelet etika e komunikimit me qytetarët, për të mos folur pastaj për më shumë se kaq. Kjo përpjekje e përbashkët do të na bëjë të ecim shumë më shpejt drejt rilindjes së plotë të Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër, do të ndikojë shumë më fortë mbi vetëdijen ende të brishtë të kësaj Policie Shteti, për faktin e thjeshtë se kjo trupë ekziston për të mbrojtur qytetarin dhe për të mbrojtur shoqërinë nga keqbërësit dhe jo për të marrë rolin e keqbërësit duke ushtruar forcë të paarsyeshme mbi qytetarin.
Sot, në fakt, është një moment shumë i rëndësishëm në procesin e një reformimi rrënjësor ku ka hyrë Policia e Shtetit, sepse jemi këtu për të nënvizuar një kapërcim me rëndësi historike për Policinë e Shtetit që është transformimi i gjithë kësaj strukture në një strukturë të edukimit të lartë.
Policia e Shtetit është në rrugën e një modernizimi pa kthim dhe sigurisht, investimet në infrastrukturë, në aparatura moderne janë pjesë e këtij modernizimi, por edukimi dhe trajnimi i vazhdueshëm i forcave të policisë mbetet prioriteti themelor në rrugën e këtij modernizimi. Sepse sado moderne t’i kemi mjetet që i vëmë në dispozicion të kësaj trupe nuk do të mund të arrijmë objektivat ambicioze që i kemi vënë vetes, nëse nuk do të kemi një punonjës policie modern, qytetar, europian dhe mishërim në mjedisin tonë publik i ambicies sonë për të qenë një vend i BE. Ky mision qytetar, misioni edukues përmes forcës së shembullit dhe jo shembullit të forcës është element themelor i këtij transformimi dhe është domosdoshmëri e patjetërsueshme për t’u mishëruar nga çdo punonjës i policisë. Nga polici i thjeshtë i patrullës deri tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit nuk vjen përmes shifrave, sado kuptimplota të jenë ato dhe sado fort të flasin ato, por vjen në radhë të parë përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me Policinë e Shtetit, kontekstit të drejtpërdrejtë me trupat e policisë në veprim, me patrullat e policisë në rrugë, me sjelljen e punonjësve të policisë në çdo komisariat dhe në çdo zyrë ku qytetari ndeshet me uniformën blu.
Kjo epokë që kemi çelur duhet të jetë epoka e kalimit të policisë në krahun e qytetarit, nga një epokë kur policia i ka qëndruar përballë qytetarit si një hije shqetësuese që në rastin më të mirë ka kallur frikë nga ligji, ndërsa në rastin më të keq ka ushtruar forcën e paarsyeshme në shkelje të ligjit.
Ambicia jonë është e shprehur; brenda këtij mandati Policia e Shtetit shqiptar duhet të jetë një polici plotësisht e përputhur me modelin më të mirë të policive në rajon dhe brenda këtij procesi drejt anëtarësimit të plotë në BE, Policia e Shtetit duhet të jetë një polici model i përputhur me modelet më të mira të policive të BE.
Sot Policia e Shtetit e ka nën kontroll territorin, e ka vendosur botën e krimit nën presion dhe është ne një luftë të vazhdueshme me të gjitha format e shfaqjes së krimit si kërcënim apo si veprim aktiv ndaj sigurisë së qytetarit.
Vetëm në këto ditë dhe orë të fundit, policia e shtetit ka dhënë një tjetër provë shembullore se po shkon duke u ngushtuar ajo rruga e gjerë e ikjes në drejtim të paditur të atyre që kryejnë krime. Arrestimi i elementëve të përfshirë në veprat terroriste të pak kohëve më parë, flet për një rritje jashtëzakonisht domethënëse, të kontrollit mbi territorin dhe të profesionalizmit të Policisë së Shtetit.
Sot, nuk ka më tradhti nga brenda të forcave të Policisë së Shtetit.
Sot, Policia e Shtetit paguhet më mirë, ka kushte më të mira pune dhe mbi të gjitha po vendos dita-ditës dinjitetin e humbur për shumë vite me radhë, si forca që garanton sigurinë e jetës dhe të pronës publike dhe private.
Në dhjetor 2013, ne realizuam skemën e sigurimit shëndetësor suplementar për 500 punonjësit e policisë të forcave speciale që janë më të ekspozuar ndaj krimit. Nga janari i vitit 2014, pagat e Policisë se Shtetit janë rritur me 25 %, kurse buxheti për Policinë e Shtetit këtë vit, është absolutisht më i larti i akorduar për të gjitha vitet. Por këto nuk mjaftojnë. Të gjitha këto të marra së bashku varen pashmangshmërisht nga çfarë do të bëjë kjo Akademi dhe nga çfarë do të realizojë në gjithë procesin e trajnimit dhe të edukimit në vazhdim të çdo punonjësi policie.
Eksperienca e të gjithë vendeve me të cilat duam të ngjajmë tregon se edukimi në vazhdim dhe trajnimi i forcave të policisë dhe i një punonjësi policie, mbaron vetëm kur mbaron karriera e tij. Pra, nuk mbaron asnjëherë për sa kohë është në shërbim.
Objektivi kryesor i këtij projekti që sot së bashku kremtojmë si një arritje në përpjekjet për të transformuar Policinë e Shtetit është pikërisht rritja e kapaciteteve njerëzore dhe e kapitalit njerëzor që disponon Policia e Shtetit.
Kjo shkollë policie tanimë i ka të gjitha kapacitet për të qenë një institucion i arsimit të lartë, ashtu sikundër e kemi përcaktuar në ligj, duke i dhënë fund një periudhe shumëvjeçare të shkatërrimit të bazës së edukimit dhe të laboratorit ku rriten dhe zhvillohen kapacitetet njerëzore, në funksion të Policisë së Shtetit.
Në vitin 2014 pati 18 herë më shumë aplikime për t’u bërë pjesë e kësaj Akademie, sesa një vit më parë. Për ne, ky ishte një sinjal i qartë, nga njëra anë i rritjes së besimit tek Policia e Shtetit dhe nga ana tjetër e mundësisë reale për të kaluar nga një epokë, ku marrja në polici ishte një lëmoshë partiake, në një epokë ku futja në polici është një betejë meritokratike dhe ku rritja në karrierë është një betejë e përditshme, për të provuar aftësinë tënde dhe mundësitë e tua reale për të bërë më shumë dhe për të marrë më shumë, falë kontributit tënd.
Nuk ka asnjë sekret, nëse duam një polici shteti të suksesshme, ajo duhet të jetë në dorë të profesionistëve. Nëse duam profesionistë të suksesshëm në Policinë e Shtetit, ata duhet të kenë të gjithë përgjegjësinë mbi supe dhe politika duhet vetëm të mundësojë që hapësira e ushtrimit të përgjegjësive të tyre të jetë sa më e plotë.
Këtij qëllimi i shërben dhe Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për fillimin e studimeve të larta për oficerët e policisë.
Kemi trashëguar policinë më të paedukuar në gjithë kontinentin, me nivelin më të ulët arsimor, me moshën më të lartë mesatare dhe padyshim edhe me numrin më të vogël përkundër nevojave që ka territori.
Kjo Qendër e re e Formimit Policor synon pikërisht të transformojë këtë realitet, duke e kthyer Policinë e Shtetit në një trupë me një moshë mesatare në mesataren europiane, me një nivel edukimi në mesataren europiane dhe sigurisht hap pas hapi dhe në një numër në mesataren europiane.
E së fundi, më lejoni që të falenderoj jo për oportunitet Bashkimin Europian, jo se kanë bërë ndonjë gjë të madhe në kuptimin e parave që kanë dhënë, ta themi këtë se i jemi shumë mirënjohës që na i japin, por se si na vjen kur na i numërojnë sepse duhet të na japin shumë më tepër. E duhet të na japin shumë më tepër, jo se jemi më të mirë se të tjerët, por sepse ne besojmë se lufta jonë me krimin e organizuar në këtë hapësirë dhe në tërësi lufta me krimin e organizuar në rajonin tonë, nuk është vetëm lufta jonë. Sepse krimi i organizuar nuk është më lokal. Siç mund të dëshmojnë të gjithë drejtuesit e policisë këtu, nuk ka më kriminelë sado injorantë dhe sado ordiner që të jenë, të implikuar në krimin e organizuar, që në telefonat e tyre kanë vetëm prefikse lokale. Jo, janë të lidhur ndërkombëtarisht dhe operacionet kundër krimit të organizuar tregojnë se vetëm bashkëpunimi ndërkufitar dhe më shumë se sa ndër rajonal, mund të na japë sukses.
Krimi i organizuar sot është më i organizuar se sa BE. Sepse nuk ka Komision Europian, nuk bën zgjedhje, nuk ka kritere, nuk ka procese, nuk ka standarde, ka një shpejtësi të jashtëzakonshme, sofistikohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është një problem i përbashkët për të gjithë BE-në. Është një kërcënim i përbashkët, aq më tepër i implikuar me formën e vet më barbare që është terrorizmi. E të gjitha këto janë arsye për të besuar se përveç kësaj që po bëhet, më shumë do të bëhet edhe nga BE-ja, edhe nga vendet partnere, në drejtim të forcimit të një partneriteti që do të ketë pa as më të voglin dyshim, një vlerë të dyfishtë edhe për ne edhe për pjesën tjetër.
Prandaj, me shumë mirënjohje për këtë financim të BE-së, me shumë dëshirë që këto financime të shkojnë duke u rritur në funksion të kësaj beteje dhe mbi të gjitha me falenderimin për gjithë të pranishmit, dua t’i uroj studenteve dhe studentëve të kësaj akademie sukses dhe sa më shumë vullnet për të përballuar sfidën e jashtëzakonshme të të qenit pjesë e një Policie Shteti të një vendi që synon të bëhet vend i BE.
Faleminderit!
***
Qendra e Formimit Policor do të mirëpresë tashmë studentët e saj në mjediset e reja, plotësisht të rinovuara, sipas standardeve më të larta të institucioneve arsimore europiane.
Projekti me vlerë 4.9 milion euro, i cili përfshin rikonstruksionin e mjediseve ekzistuese dhe shtimin e ambienteve të reja si terrene sportive, ambiente akomoduese etj.. është financim i BE nën Programin IPA 2010, për të rritur kapacitetet infrastrukturore të mësimdhënies dhe akomodimit të kësaj qendre, si i vetmi institucion arsimor i organizatës së Policisë së Shtetit, që përgatit punonjësit e policisë.