Fjala e Kryeministrit Edi Rama para trupës drejtuese të Policisë së Shtetit:
I nderuar Ministër,
I nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm Policisë së Shtetit,
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit dhe të pranishëm,
faleminderit!
Faleminderit në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi që sot ndihet i çliruar nga hija kërcënuese e ankthit për fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila u vërtit për muaj të tërë nëpër Shqipëri dhe hyri në shtëpitë dhe në mendjet e zemrat e qytetarëve të këtij vendi, falë vënies në zbatim të një plani politik antikombëtar kundër zgjedhjeve, kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë, mu në prag të vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Faleminderit për punën, mundin dhe sakrificën e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat mbajtën me përkushtim, dinjitet, profesionalizëm, një ngarkesë të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, në tërë këta muaj të mbrapshtë. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie që kontribuoi në forcimin e profilit të një trupe policore të organizuar mirë, të përgatitur mirë dhe të gatshme për të reaguar efektivisht dhe proporcionalisht në çdo moment agresiviteti të rritur kundër shtetit dhe institucioneve. Një mirënjohje e falenderim i veçantë për 60 efektivët e lënduar gjatë tërë kohës së çmendur të protestave e të sulmeve agresive të antishtetit, të cilat u zmbrapsën me vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje shembullore nga ana juaj.
Më vjen posaçërisht mirë që këtu mes jush ndodhet edhe simboli i rezistencës suaj së tërë kësaj periudhe tejet të vështirë për secilin dhe secilën prej jush, kolegia dhe mikja juaj, e them me krenari, tanimë dhe mikja ime, Ina Nuku.
Ina ra pre e një goditje qorre me lëndë plasëse, që mund t’i kishte marrë edhe jetën në krye të detyrës. Fatmirësisht, ajo reagoi menjëherë duke shmangur më të keqen e mundshme, por jo gjymtimin e dorës. Një vajzë e zonja dhe e bukur, studente e apasionuar, me rezultate shumë të mira, punonjëse e re dhe e përkushtuar e Policisë së Shtetit, Ina u plagos rëndë, jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjet përballë politikës së rrugës. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj të gjitha vajzave që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju që u përballët denjësisht me agresionin e antishtetit gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e mirënjohjes publike” të Kryeministrit.
Dua t’ju rrëfej sot, juve dhe publikut, se një ndër shqetësimet e mia më të mëdha të gjithë periudhës së trazuar nga politika e rrugës ka qenë impakti i saj nxitës mbi kriminalitetin, motivues për paligjshmërinë, stimulues për moskokëçarjen, në raport me detyrimet e çdo qytetari ndaj shtetit dhe shoqërisë, por më vjen mirë, vërtetë, që me gjithë mbingarkesën e rëndë, të imponuar nga domosdoshmëria për të garantuar protestat e për të mbrojtur institucionet e shtetit prej sulmeve vandale e të rrezikshme deri dhe për jetën e efektivëve të saj, si dhe po ashtu për të garantuar zhvillimin deri në fund të një fushate zgjedhore të ndërlikuar për shkak të grupeve të organizuara kudo për pengimin e fushatës, Policia e Shtetit ka arritur të bëjë mirë edhe detyrat e saj të përditshme.
Në gjysmën e mbrapshte të vitit, shifrat e kriminalitetit janë mbajtur nën kontroll. Dy vrasje me dashje më shumë, krahasuar me gjysmën e parë të vitit të shkuar, nga të cilat 3 më shumë sesa vjet, janë vrasje në familje dhe një vrasje kriminale më pak se vjet. Vjedhjet me armë kanë rënë. Nga 8 në 5, ndërkohë që ndryshe nga vjet, që numri i viktimave të vjedhjeve me pasojë vdekjen është 3, këtë vit është zero. Vjedhja e dhunshme ka rënë në 45 nga 55. Vjedhjet e banesave dhe lokaleve po ashtu kanë shënuar rënie, ndërkohë që janë me rritje vjedhjet e automjeteve. Rënie është shënuar në shpërthimet e eksplozivëve. Natyrisht, nëse nuk llogarisim molotovët, kapsollat dhe fishekzjarrët e marrëzisë antiligjore të protestave të dhunshme.
Shkurt, duke marrë në konsideratë rrethanat, bilanci është i kënaqshëm. Atmosfera kritike politike, sociale, e cila ishte në favor të krimit dhe të paligjshmërisë së përgjithshme, nuk ka arritur të ndikojë më shumë sesa shumë pak, falë jush.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Nuk mund të them të njëjtën gjë, fatkeqësisht, për situatën e kontrollit mbi territorin, sidomos gjatë vijës bregdetare, ku gjatë kësaj periudhe janë vënë re shenja negative riaktivizimi të ndërtimtarisë së paligjshme. Po ashtu nuk është pozitiv fakti që jo të gjitha strukturat dhe jo të gjithë punonjësit e policisë e kanë përvetësuar plotësisht konceptim se ky aktivitet i paligjshëm është drejtpërdrejtë objekt i punës së tyre, përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejtë e Policisë së Shtetit, ashtu si dhe veprimtaritë kriminalë dhe kundërvajtjet e përcaktuara si objekt i punës së saj. Kështu që ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim, për të identifikuar, ndaluar dhe penalizuar çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Jo për muret dhe për tjegullat e shtëpive në fshat, por kudo në hapësirat urbane ku cenohet prona publike, prona e tjetrit, apo çdo zonë strategjike për zhvillimin, duke filluar nga tërë vija bregdetare.
Është bërë një përparim i jashtëzakonshëm në marrjen nën kontroll të territorit edhe në këtë aspekt, por unë dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet në një ofensivë sistemike, e planifikuar, organizuar dhe zbatuar njësoj si ofensiva shfarosëse e kanabisit. Çdo komisariat dhe çdo punonjës policie në terren duhet të ketë të qartë zonën e mbulimit me vëzhgim të këtij fenomeni dhe po njësoj si me kanabisin, duhet të monitorohet për performancën përkatëse, duke liruar nga detyra, apo penalizuar ligjërisht këdo që kapet në kushtet e mbylljes së syve përpara këtij fenomeni.
Shqipëria është shumë e vogël dhe ka humbur shumë në këto dekada për shkak të fenomenit gërryes dhe shkatërrues të ndërtimtarisë së paligjshme. Kthesa pozitive e marrë vitet e fundit duhet tani të përshkohet deri në fund dhe kjo shtysë e domosdoshme përpara duhet të nisë menjëherë në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që është në varësi të kësaj Ministrie si dhe me pushtetin vendor të zonave bregdetare, në radhë të parë.
Është me shumë rëndësi, zoti ministër, që të përparojmë më shpejt dhe konkretisht me revolucionin teknologjik në shërbim të rritjes së kapaciteteve inteligjente të Policisë së Shtetit, ashtu sikundër ka ardhur koha për të reformuar dhe strukturuar sipas standardeve e praktikave më të mira europiane, mekanizmat e shërbimeve inteligjente të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, natyrisht.
Operacioni Forca e Ligjit duhet të kthehet edhe në bërthamën e një shërbimi inteligjent të Policisë së Shtetit, duke u financuar dhe pajisur me burimet njerëzore adekuate për një hop të mëtejshëm cilësor në aktivitetin e tij proaktiv hetimor kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Jam shumë i vetëdijshëm se të kërkosh më shumë nga Policia e Shtetit sot, është një domosdoshmëri, e cila duhet të bëhet paralelisht me një mbështetje më të madhe, jo vetëm financiare e logjistike, por edhe ligjore për Policinë e Shtetit. Përpjekja e stërmundimshme e këtyre muajve na ka mësuar se kemi një kapacitet profesional e moral të admirueshëm në drejtimin e Policisë së Shtetit, por se, po ashtu, kemi boshllëqe të mëdha objektive në çdo aspekt, të cilat duhen mbushur sa më shpejt, nëse duam që trupa e Policisë së Shtetit të performojë ende shumë më mirë.
Duke falënderuar publikisht për forcën e madhe të shembullit, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Veliu, si dhe ekipin e drejtuesve kryesorë të trupës policore të vendit, më duhet të pranoj se për të bërë më shumë, ne duhet t’u përgjigjemi më shumë dhe më mirë nevojave tuaja.
Është urgjente që ta vëmë në jetë propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe trupës drejtuese për pensionin e parakohshëm të efektivëve që për arsye objektive nuk mund ta ndjekin dot kërkesën bazë për rritje të efektivitetit në punë.
Ulja e moshës mesatare, rritja e parametrave mesatarë të dijes dhe të fizikut të punonjësve të terrenit, si dhe rrita e numrit të efektivëve që mbulojnë terrenin është një emergjencë e kahershme, që tashmë është kthyer në një urgjencë të përditshme.
Nga ana tjetër është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies për rritjen e paprekshmërisë së uniformës blu në kryerjen e detyrës. Me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, sulmi ndaj policit, goditja e policit, kundërshtimi i policit, prekja me dorë e policit do të konsiderohen vepra penale të dënueshme me burg dhe jo më me gjobë. Të tilla do të jenë edhe bllokimet e rrugëve dhe pengimet e punëve publike.
Mjaft më me shfaqje të “tokës së xanun” me trupa njerëzorë në rrugët dhe në hapësirat publike të Shqipërisë! Asnjë kundërshti, sado legjitime e një grupi njerëzish, nuk mund të tolerohet më si arsye për të penguar qarkullimin e të gjithë njerëzve në rrugët e vendit, apo investimet publike në territorin e këtij vendi.
Zoti ministër, nuk dua më vonesë në vënien në jetë të projektit të monitorimit përmes teknologjisë së lartë të rrugëve të vendit dhe të rritjes së kontrollit dhe të transparencës mbi drejtuesit e automjeteve, si dhe mbi origjinën dhe ligjshmërinë e çdo automjeti në përdorim. Automjetet e vjedhura, apo të pasiguruara duhet të pamundësohen për të lëvizur lirisht në Republikën e Shqipërisë. Sistemi i gjobave duhet të reformohet dhe komisionet e famshme dhe famëkëqija të apelimit, që janë fole korrupsioni dhe mekanizma të ndryshkur zvarritjeje për qytetarët, duhet të eliminohen përmes modernizimit teknologjik.
Nga ana tjetër është e domosdoshme që të punohet çdo ditë, zoti Drejtor i Përgjithshëm, për rritjen e cilësisë së sjelljes së punonjësit të Policisë me qytetarin. Kodi Etik i Policisë së Shtetit duhet të ashpërsohet dhe të mësohet mirë nga të gjithë efektivët e trupës policore të republikës dhe cilido që nuk di të sillet me qytetarin duhet të largohet si i padenjë për këtë trupë.
Përmirësimet e bëra në këtë drejtim janë të shumta, por nuk mjaftojnë. Policët e qarkullimit dhe ata në komunitet, në radhë të parë, duhet të jenë model mirësjelljeje me çdo qytetar. Kundërvajtjet janë një arsye ligjore për të gjobitur kundërvajtësin, por kurrsesi një motiv për t’u sjellë me të pa edukatë. Konceptoni dhe vini menjëherë në jetë një plan pune për edukimin në vazhdim të punonjësve të policisë, që nga trajnimet profesionale e fizike, te mësimi i pandarë i edukatës ligjore dhe asaj qytetare.
Ka ardhur koha për të riparë pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe brenda mundësive të buxhetit të shtetit, e para rritje pagash në vijim duhet të jetë për Policinë e Shtetit.
Dua të falënderoj posaçërisht këtu, trupat speciale dhe drejtuesit e tyre që në këtë periudhë kaq delikate dhanë një kontribut të madh dhe përballuan një volum shumë më të madh, sesa kapacitetet e tyre objektive logjistike. Pagat e tyre do të rriten dhe po ashtu do të rritet mbështetja logjistike për ta. Ky do jetë një prioritet parësor brenda prioritetit të përgjithshëm të mbështetjes tërësore të Policisë së Shtetit.
Jam i vetëdijshëm për gjendjen ende të rëndë të shumë mjediseve të Policisë së Shtetit në territor, drejtori e sidomos në komisariate, ku s’është vënë ende dorë që nga koha e qepës dhe ku në vend të erës së shtetit vjen era e degradimit dhe shpesh kalbëzimit. Paralelisht me projektin modernizues të Akademisë së Policisë, që po bëhet gati për financim në kuadër të planit të madh infrastrukturor të Paktit për Universitetin, duhet finalizuar edhe projekti voluminoz i infrastrukturës së drejtorive dhe komisariateve në nevojë për ndërhyrje.
Të nderuar të pranishëm, rritja e kërkesës së llogarisë ndaj vetes është parakushti për çdo arritje të re dhe duke kërkuar më shumë nga Policia e Shtetit, qeveria dhe unë personalisht do të kërkojmë edhe më shumë nga vetja në radhë të parë, në funksion të mbështetjes tuaj në çdo aspekt.
Shqipëria e 30 qershorit shpërbleu të drejtën, jo të majtën, dashurinë e përkushtimin ndaj vendit, jo mllefin e dëmtimin e vendit, forcat e punës e të respektit për ligjin, jo forcën e dhunë kundër ligjit, por largqoftë që të mos e kuptojmë se nuk mjafton të jesh në anën e duhur të historisë e të ligjit, për të qenë i denjë në shërbimin ndaj popullit dhe vendit tënd, sepse pikërisht ata që shpëtuan vendin, demokracinë, shtetbërjen janë po ata që këtë vend e duan shumë më të mirë, demokracinë e duan shumë më funksionale, shtetin e duan shumë më të drejtë dhe të gjitha këto i meritojnë, prandaj ndjesia e mirë e shpërblimit, të marrë nga një përpjekje e përbashkët për të drejtën, për demokracinë, për ligjshmërinë, duhet të na vlejë si energji e re për të përmirësuar në radhë të parë vetveten, punën tonë, raportin tonë me njeriun e zakonshëm të këtij vendi.
Në këtë sens, ju Policia e Shtetit keni vërtetë shumë për të mësuar nga të metat e punës suaj, shumë për të korrigjuar në punën tuaj të përditshme, shumë për të bërë në marrëdhënien tuaj me qytetarin, ndërsa unë kam edhe shumë më shumë sesa ju për të mësuar, për të korrigjuar dhe për të bërë në marrëdhënie me ju dhe me të gjithë njerëzit e këtij vendi.
Faleminderit shumë!
Me shumë respekt dhe me shumë mirënjohje!