Një vit nga fillimi i check up-it falas në rajonin e Lushnjes (Bashkia Lushnje dhe Bashkia Divjakë) janë kryer rreth 21 000 vizita të kontrollit mjekësor bazë në 17 kabinetet e instaluara. Në një nga kabinetet e check up-it në qytetin e Lushnjes, një numër qytetarësh janë në pritje të kryejnë kontrollin bazë. Ata besojnë në rëndësinë e këtij kontrolli, ndaj disa prej tyre janë rikthyer për ta kryer atë edhe në vitin e dytë. Kryeministri Edi Rama ishte në këtë kabinetit, për t’u njohur nga vetë mjekët dhe qytetarët me ecurinë e check up-it. Shifra e përgjithshme e kontrolleve, sipas specialistëve të shëndetësisë, flet për një interesim të madh të qytetarëve për të kryer kontrollin bazë mjekësor. Në shumë raste, thotë mjekja në kabinetin e check up-it, falë kontrollit bazë, qytetarët kanë mundur të zbulojnë në kohë probleme më të rënda shëndetësore dhe të trajtohen më tej tek mjeku specialist. Mjekja shpjegoi se funksionimi i check up ka një performancë shumë të mirë, është viti i dytë dhe vazhdon i njëjti ritëm. “Kërkesa janë të shumta. Qytetarët njoftohen nga mjeku i familjes, flasin me njëri-tjetrin, vijnë interesohen tek mjeku i familjes enkas për këtë gjë dhe lënë takimet që përpara për të bërë check up-n,” – tregon mjekja eksperiencën në vitin e dytë të punës së kabinetit. Pranvera Bazaj, 54 vjeç, është një nga qytetarët që i është përgjigjur thirrjes së mjekut të familjes për të kryer kontrollin bazë. Po ashtu, për 56 vjeçarin Idris Çela, check up është një mundësi shumë e mirë për të pasur kontrolle periodike.
***
Një godinë plotësisht e amortizuar, ku kryheshin vetëm vizita tek mjeku i familjes, quhej deri pak muaj më parë Qendra Shëndetësore e Divjakës, një infrastrukturë jashtë funksionit jo vetëm për 34 mijë banorët e Divjakës, por edhe për pushuesit gjatë sezonit turistik. Sot, në Divjakë gjen një poliklinikë moderne, një ndërtesë krejt e re, me infrastrukturë të standardeve europiane dhe pajisje bashkëkohore. Me një investim prej 75 milionë lekë, ajo është kthyer në një qendër polivalente, ku përveç shërbimeve tradicionale të mjekut të familjes dhe shërbimit të kontrollit bazë shëndetësor është pajisur edhe me shërbimet e specializuara si të kardiologjisë, okulistikës, otorino-laringologjisë, pediatrisë, imazherisë etj. Në Qendrën e re Shëndetësore të Divjakës ishte sot Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe deputeti i zonës Erjon Braçe.
Standarde europiane që do të rrisin nivelin e shërbimit, por edhe kushtet e punës për stafin mjekësor, i cilësoi Kryeministri ambientet e reja. Reforma në sistemin shëndetësor, theksoi Kryeministri, është kantieri më i vështirë i reformave, por hapat e ndërmarrë janë themelorë për modernizimin e sistemit.
“Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë e gjithë kantierit të reformave dhe ndryshimit, shëndetësia. Por besoj që po hidhen disa baza të rëndësishme, të cilat kanë filluar me normalizimin e çmimit të ilaçeve për popullin dhe kemi kursyer 70 milionë dollarë nga xhepi i familjeve çdo vit; Mjeku i familjes falas që e ka lehtësuar shumë edhe procesin e ndërveprimit me spitalet; Ulja drastike e tarifave nëpër spitale dhe më shumë investime në infrastrukturë, siç është edhe ky investim këtu, që është investim i standardeve europiane, që është shumë mbresëlënës dhe do t’i japi një shërbim tërësisht tjetër gjithë këtij territori. Ashtu sikundër krijon kushte shumë më të mira për gjithë personelin,” – u shpreh Kryeministri.
***
Në Divjakë, rikualifikimi urban i sheshit qendror ka ndryshuar të gjithë hapësirën e qendrës dhe funksionalitetin e saj. Në kuadër të programit të Rilindjes Urbane u ndërhy, për t’i dhënë sheshit një dimension të ri dhe banorëve të Divjakës më shumë hapësirë publike dhe rekreative. Nga një shesh kaotik tashmë është kthyer në një zonë pedonale, një hapësirë dedikuar plotësisht qytetarëve. Kryeministri Rama inspektoi punimet në këtë sheshin e ri të këtij qyteti, që përgatitet për sezonin veror.