Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qeveria shqiptare do ti përgjigjet kriminalitetit, në mënyrë të veçantë kriminalitetit tek moshat e reja, me një politikë të re dënimi, duke nisur nga janari i vitit 2014.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se kjo politikë e re do të synojë në një ashpërsim për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda dhe dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal.

Deklarata e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço pas mbledhjes së qeverisë:

“Kohët  e fundit ka patur një tendencë në rritje të kriminalitetit, sidomos në moshat e reja. Qeveria shqiptare ka filluar që t’i përgjigjet kësaj tendence të kriminalitetit, duke patur një politikë të re dënimi, duke filluar që nga janari i viti 2014, në sistemin e drejtësisë shqiptare, për të patur një klimë të re në raport me dënimin dhe llojin e tij.

Ne do t’i drejtohemi shumë shpejt dhe Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të ligjit për prokurorinë, për të ndërtuar një politikë e të re dënimi që do të thotë se do të kërkojmë një ashpërsim për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda dhe sigurisht që do të kërkojmë dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal.

Ne duam dhe do t’i kërkojmë nesër Prokurorisë që të aplikojë nenin 58, Gjysmë liria; nenin 59, Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënie në provë; neni 59/a, Qëndrimi në shtëpi; neni 60, Detyrimi i të dënuarit dhe vënia në provë; neni 60/a, Detyrimet për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose i drogës: neni 61, Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës; neni 62, Shkelja  e kushteve të detyrimit gjatë kohës së provës; neni 63, Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrim për kryerjen e një pune me interes publik; neni 64, Lirimi me kusht; neni 65 dhe 65/a, Periudha e sigurisë, etj.

Në këtë frymë janë dhe ndryshimet në Kodin Penal të bëra në vitin 2008, 2010 dhe 2012 dhe në vitin 2013, duke i përmirësuar ndjeshëm parashikimet e Kreut VII “Alternativat  e dënimit me burgim”, si në drejtim të përmbajtjes të dispozitave që lidhen me dënimet alternative, ashtu dhe në parashikimet shtesë në llojet e dënimeve alternative të përmendura më sipër.

Këtij qëllimi i shërben dhe krijimi i shërbimit të provës, një mision ky i veçantë i mbikëqyrjes dhe dënimeve të tjera alternative me burgim.

Ajo që mund të them është se në ditët e fundit janë me dhjetëra të dënuar që kanë kaluar nëpërmjet shërbimit të provës. Gjatë këtij viti Ministria e Drejtësisë do të kërkojë që shërbimi i provës të shtrihet në të gjitha rrethet gjyqësore dhe të aplikohet më shumë dënimet alternative.

Në të njëjtën frymë do të ecim edhe në mbikëqyrjen elektronike, e cila është vetëm sot si një zyrë pilot në Tiranë, për ta shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.

Projektligji “Për dhënie amnistie”, si nismë e qeverisë shqiptare synon një reformë në raport me dënimet penale, orientuar tashmë drejt të duhurës, një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore. Kësaj reforme i shërben edhe miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave i projektligjit “Për policinë e burgjeve për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosur”, si dhe propozimet për shtesa dhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që brenda qershorit do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Në lidhje me draftin, ne jemi vënë në dijeni. Ajo që mund t’u them është se përfitojnë nga dhënia e amnistisë së dënuar deri në tre vjet burgim, përveç atyre rasteve kur ligji dhe neni 4 parashikon ndryshe dhe vë kufizime të veçanta; përfitojnë  gratë nën moshën 55 vjeç, sigurisht përjashtohen ato raste të veçanta që janë të ndaluara nga neni 4 i ligjit; dhe burrat mbi 60 vjeç. Ajo që është kryesorja në hartimin e kësaj amnistie është për të dënuarit e mitur që janë deri në 18 vjeç.

Pra, ky është qëllimi i kësaj amnistie të bërë nga qeveria shqiptare, për të patur një dënim alternativ, për të ashpërsuar politikën e dënimit për vepra të renda dhe për të patur dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.