Portali i Fermerit është risia digjitale në ndihmë të fermerëve, që do të lehtësojë procedurat e mbështetjes së fermerit nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili u prezantua sot në një takim të zgjeruar me fermerë, prodhues dhe punonjës të sektorit të bujqësisë, me praninë e Kryeministrit Rama dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca.
Portali është një dritare transparence, që mundëson informacion në kohë reale mbi tregjet, çmimet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes dhe instrumentet e financimit, kujdesin veterinar, ofertën e farmacive bujqësore, tipologjinë e grumbulluesve, mundësitë e tokave me qira, legjislacionin në fuqi e shumë informacione të tjera, duke iu bërë krah fermerit në jetën e tij të përditshme
Një grup prej rreth 40 punonjësish të zyrave të bujqësisë në të gjithë Shqipërinë do të grumbullojë çdo ditë informacion të plotë rreth çmimeve në tregjet e shumicës në 12 qarqe të vendit, duke regjistruar çmimet në tregjet e shumicës.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe më kuptoni që kur them është vërtetë kënaqësi sot që ky proces i kurorëzuar me finalizimin e këtij portali vjen në momentin që ndahet me të gjithë ju dhe me të gjithë fermerët, nuk është vetëm se duhet thënë një fjalë e mirë, por është shprehja e një kënaqësie të veçantë.
Jam veçanërisht i kënaqur për këtë sepse ajo çka të gjithë kemi më shumë nevojë në kohën që jetojmë është informacioni, të jemi të informuar, por ajo çka bën diferencën në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e zhvillimit rural, është informacioni.
Ajo çka sjell përmirësim të vazhdueshëm të sipërmarrjeve, rritje të vazhdueshme të prodhimit, është në radhë të parë informacioni, pastaj sigurisht falë informacionit edhe të gjithë elementët e tjerë të domosdoshëm, por pa informacionin shumë mund të shkojë dëm.
Shumë iniciativa mund të lindin në drejtim të gabuar dhe shumë ide të bukura mund të dështojnë. Ne kemi pasur një periudhë traumatike në këtë sektor si vend sepse kaluam nga një bujqësi tërësisht e centralizuar e bazuar e gjitha në pronë shtetërore, në organizimin e detyrueshëm të kooperativave në një bujqësi ku secili vraponte për vete dhe ku Zoti pastaj përgjigjej për të gjithë.
Sot jemi në një fazë të ndërmjetme mes kësaj të fundit dhe asaj që duhet të synojmë dhe ajo që duhet të synojmë është fuqizimi i kapaciteteve në radhë të parë, rritja e kapitalit njerëzor, rritja e aftësisë për të thithur dhe për të përpunuar informacion.
Patjetër bashkë me të, edhe rritja e aftësisë për të pasur akses në financimet e ndryshme, që nga financimet shtetërore tek financimet evropiane, tek financimet e donatorëve, e kështu me radhë dhe unë jam absolutisht i bindur që arsyeja që ju jeni këtu, dhe pse ju bashkë me të tjerë, por jo të gjithë, jeni të spikatur në këtë fazë të zhvillimit rural të vendit, është sepse ju keni përmirësuar kapacitetet tuaja për të identifikuar dhe për të kuptuar se çfarë duhet të bëni në hapin tjetër.
Shikoj këtu mes jush përfaqësuesin e kantinës Çobo. Sot Kantina Çobo është një realitet absolutisht evropian dhe me evropian nënkuptoj një realitet i nivelit të lartë në botën e madhe dhe shumë konkurruese të verës.
Por kur vëllezërit e nisën këtë punë, ishte thjesht një dëshirë. Një dëshirë dhe një pasion dhe një ide fikse për të arritur të bëhet prodhues verërash. Dhe jam i bindur se nëse ata do të ktheheshin përsëri aty ku u nisën, me mendtë e sotëm, do të bënin shumë gjëra ndryshe.
Do thoni ju, kjo ndodh gjithmonë për të gjithë. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ndodh patjetër, por sot informacioni është kaq i madh dhe mundësitë për të mësuar pa pasur nevojë që t’i bësh ti po ato gabime që të tjerët i kanë bërë, janë të pakufishme.
Dhe për ta mbyllur me pjesën e verës se s’është vetëm kantina Çobo, është një plejadë prodhuesish që sot kanë arritur të dalin jashtë kufijve të Shqipërisë pas mundimesh të mëdha.
Ka një karakteristikë shumë interesante që i bashkon këta prodhues. Në një rend të caktuar të rrugëtimit të tyre, fëmijët e tyre janë bërë për të shkuar në shkollë, dhe për të shkuar me studimet të larta dhe një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve të tyre, i kanë çuar të studiojnë pikërisht enologji, marketing dhe komponentë që lidhen pikërisht me ecurinë e mëtejshme të sipërmarrjes së tyre. Pse? Sepse kanë kuptuar që iu duhej një vlerë e shtuar informacioni, dijeje, aftësie të përpunuar, jo më nga eksperienca e drejtpërdrejtë me tokën dhe nga gabimet prej të cilave njeriu nxjerr gabime dhe pastaj përpiqet t’i korrigjojë, por nga mbledhja e eksperiencës së të tjerëve.
Sot, e gjitha kjo ka rëndësi për këtë që po bëjmë sepse është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë jam i bindur që të gjithë ata që do ta konsiderojnë si të tillë dhe të gjithë ata që do të përdorin portalin e fermerit do t’ia shohin hairin këtij Portali sepse do të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat, pengesat, pamundësitë ose edhe nga dezinformimi, keqinformimi, shtrembërimi i fakteve që jo gjithmonë ndodh qëllimisht.
Do të fitojnë pavarësi për të pasur një bazë të dhënash në kohë reale të të gjithë komponentëve të zhvillimit rural, për të punuar me atë bazë të dhënash, për ta studiuar atë bazë të dhënash dhe për të mësuar nga ajo bazë të dhënash.
Kur ne bëmë aplikimin e parë digjital për fermerët, ju kujtohet besoj që e bëmë me dokumente zero, kishte shumë njerëz këtu brenda zyrave në Tiranë që thoshin se ky ishte gabim, se fermerët nuk dinë të përdorin kompjuterët, fermerët nuk dinë të përdorin aplikacionet, fermerët nuk dinë se si të shfrytëzojnë këto mundësi dhe do të mbeten pa aplikuar.
Rezultati ishte që patëm më shumë aplikime se çdo herë tjetër. Dhe gjëja më interesante është që aplikuesit më të përkushtuar dhe më të vendosur janë ata që janë larg qendrave urbane sepse për ta është mënyra nganjëherë e vetme, për të pasur akses në një sistem zyrash, sa kur të zbresin nga maja e malit sepse deri në majë të malit kanë shkuar fondet edhe të AZHBR-së, edhe fonde evropiane bashkë me AZHBR-në, falë pikërisht shfrytëzimit nga fermerët në majë të malit të mundësisë për të aplikuar në rrugë digjitale. Pra ky paragjykim ra.
Tjetra që ka një rëndësi shumë të madhe për informimin, është që informimi do të na ndihmojë të kapërcejmë më shpejt këtë fazë të ndërmjetme midis të shkuarës dhe të ardhmes në sensin që ju të gjithë jeni të vetëdijshëm dhe e keni parë dhe të gjithë shqiptarët i kanë parë nganjëherë kur dalin në TV fermerë me mollë që i hedhin në rrugë apo me qershi që i hedhin në rrugë apo ku di unë dhe natyrisht ata së bashku me gazetarët e këtyre kronikave, së bashku me shumëkush që i sheh, edhe unë nuk e dija nga brenda si funksionon kjo punë dhe pse ndodhin këto gjëra, mendojnë të gjithë që shteti ka një faj këtu.
Mirëpo, duhet t’i japim një përgjigje pyetjes “Pse në të njëjtin shtet, në një distancë relativisht të shkurtër, njëri ose disa i marrin mollët dhe i hedhin në rrugë dhe humbasin mundin, djersën, shpenzimet dhe të tjerë, jo shumë larg, i shesin mollët si frëngu pulën”?
Ku ndryshojnë këto dy grupe?
Ndryshojnë sepse grupi i parë është i painformuar dhe duke qenë i painformuar insiston të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë që është bërë aty gjithmonë pavarësisht se konjuktura e tregut ka ndryshuar, se ajo lloj molle nuk ka më sukses, se ai lloj trajtimi nuk të çon më askund, se ato sasira nuk vlejnë më për të bërë pazare, ndërkohë që grupi i dytë ka marrë informimin e duhur, ka kuptuar që nuk mund të vazhdojë të njëjtin avaz dhe i ka prerë të gjitha pemët e mëparshme dhe ka mbjellë pemë të reja, falë informacionit.
Ky portal do të ndihmojë që kush do të kuptojë, ta ketë shumë të lehtë të kuptojë. Kush do të informohet, ta ketë shumë të thjeshtë të informohet. Kush do që t’i japë përgjigje këtyre dilemave që si i bëhet për këto e si i bëhet për atë, ta ketë shumë të lehtë.
Elementi i tretë që ka sot nevojë për t’u adresuar është elementi i transparencës së çmimeve.
Kemi parë situata të vështira për fermerët, kemi parë momente abuzimi nga disa grumbullues e të tjerë. Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes, pa dalë nga shtëpia, duke pirë kafe, fermeri hap dhe shikon sa janë çmimet dhe askush nga grumbulluesit nuk mund t’i fshihet realitetit të çmimit duke bërë truke, duke bërë abuzime dhe kështu krijohet një tjetër lloj partneriteti.
Pjesa tjetër. Subvencionet, projektet, mbështetja. Ky portal jep mundësinë që të shikosh se cilat janë rrugët për të marrë financim dhe që të shikosh, po ashtu, se çfarë kanë bërë ata që kanë marrë financim sepse financimet në bujqësi do të jenë gjithmonë e më pak, vetvetiu, financime që shpërndahen pavarësisht se çfarë bën ti dhe do jenë gjithmonë e më shumë financime në varësi të asaj që bën ti. Pra, nëse ti insiston të mbjellësh një kulturë që nuk ka sukses, ti nuk mund të marrësh financim, me zor njeri nuk të vjen të ta shkulë atë kulturën dhe të thotë “Kjo në fund do përfundojë në kanal se ti nuk do e shesësh dot”, por ama do të bëjë gjithçka sistemi i mbështetjes, Ministria e Bujqësisë, drejtoritë që ti ta dish këtë gjë.
Kur flasim për fondet, sot besoj është e thjeshtë për të gjithë ju që jeni këtu dhe për të gjithë ata që kanë përfituar nga këto fonde që të kuptojnë fjalinë që “Fondet nuk mbarojnë kurrë nëse di sesi t’i kërkosh dhe di se ku t’i kërkosh”. Bashkimi Europian vë shumë fonde në dispozicion, shumë, për të gjitha vendet, por ka një të dhënë shumë interesante; vendet më të zhvilluara marrin më shumë fonde nga fondet në dispozicion, pra, nëse po themi, Gjermania apo Austria ka 100 euro në dispozicion, arrin t’i marrë 99. Nëse një vend tjetër ka 100 euro në dispozicion, që janë për të, mezi merr 40 sepse është aftësia për t’i marrë; duhet të kesh idenë e duhur, duhet të shkruash projektin e duhur, duhet të kesh kredibilitetin e duhur dhe në të gjitha këto, ti arrin të marrësh fonde dhe këtë e kemi parë këtu në Shqipëri.
Disa thonë “Si ka mundësi që dikush ka marrë dy herë mbështetje”? Ka shumë mundësi se ky dikushi ka bërë të gjitha gjërat e duhura për të marrë mbështetje dy herë dhe falë këtyre dy herë mbështetjesh, ky dikushi e ka zhvilluar kompaninë e tij në funksion të zhvillimit të sektorit ashtu siç duhet.
Këto janë pak a shumë gjërat që doja të them sot, duke qenë i bindur që ky portal, që ju sugjeroj ta shkarkoni në celularin tuaj, do të bëhet si një shok që do t’iu thotë vazhdimisht në vesh gjënë e duhur për sa ka të bëjë me të gjithë këto elementë dhe me elementë të tjerë të gjithë sistemit të prodhimit, të përpunimit, të tregtimit, të sigurisë të produkteve ushqimore në Shqipëri.
Përpara se të mbyll fjalën time, dua t’iu them dhe një gjë tjetër thjesht për ta ditur; ne kemi hyrë në një fazë ku lufta për krahë pune dhe për forca të reja pune po bëhet gjithmonë e më e egër dhe konkurrenca mes të gjitha vendeve do shkojë e duke u bërë gjithmonë e më e egër.
Kur them konkurrenca mes të gjitha vendeve kam parasysh, që nga Gjermania e madhe, e fortë, e pasur deri tek Shqipëria jo e madhe, jo aq e fortë dhe jo aq e pasur. Nevoja për të mbrojtur kapitalin njerëzor, për të mbrojtur krahun e punës është gjëja më kryesore që duhet ta keni ju dhe duhet ta ketë çdokush që ka qoftë dhe dy të punësuar, qoftë në sektorin publik, e qoftë në sektorin privat.
Ne po e bëjmë, qeveria po e bën. Po bëjmë një rritje pagash historike që nuk ka ndodhur kurrë duke çuar pagën mesatare në Shqipëri në 900 euro, çka është thuajse dyfishimi i pagës mesatare. Sektori privat ka filluar të reagojë, por jo sa duhet dhe jo si duhet ndërkohë që koha vrapon me shumë shpejtësi në këtë drejtim.
Ata njerëz që ju i keni trajnuar, që i keni stërvitur, që i keni mësuar, mos i merrni për të sigurt që do t’i keni aty çdo mëngjes kur të shkoni në punë nëse nuk do t’i paguani si duhet dhe problemi është se, ju e dini më mirë se unë, kur të ikën një nga ata është njësoj sikur të këputet një krah, por në atë moment është vonë.
Koha kur njerëzit mund të punonin këtu me ato paga, të cilat janë paguar deri tani ka ikur. Duhen paga më të larta dhe duhet një sakrificë e re dhe për ata që thonë “Pastaj në fund fare unë nuk fitoj”.
Mos fito për një moment të caktuar, por ama fiton një gjë shumë të madhe, fiton sigurinë e forcave të tua të punës dhe pastaj duke zhvilluar më tutje ndërmarrjen, duke rritur kapacitetet teknologjike, planifikuese e të tjerë, do hysh në një cikël të ri fitimi, por nuk ke shans t’i mbijetosh të nesërmes nëse sot të lënë pushkën në faqe luftëtarët me të cilët ti e bën betejën çdo ditë. Që nga roja deri te…
Ne do të marrim disa masa dhe duhet ta dini sot që do ta konsultojmë, do ta shohim, por sikundër ne do të ndalojmë pjesëmarrjen ose aksesin në fonde publike për ndërtim, do të ndalojmë dhënien e lejeve të ndërtimit për kompani që nuk i paguajnë punëtorët në mënyrë dinjitoze dhe natyrisht kjo mënyra dinjitoze është diçka që nuk e vendosim ne, është diçka që e vendos tregu, e vendos logjika e tregut dhe e vendos dhe një gjë tjetër, domosdoshmëria për t’i dhënë fund mashtrimit me pagat që një pjesë e pagës i jepet me bankë, një pjesë i jepet nëndorë e të tjerë.
Natyrisht, ne nuk i detyrojmë dot kompanitë sepse jemi në një sistem që funksionon sipas lirisë të secilit që të vendosim paga siç themi ne, po do të ishte katastrofë për ekonominë. Po ne mund t’i themi kompanive që nëse ti punon në ndërtim dhe nëse ti fut, ngjit punëtorë në katin e 12 në mes të dimrit ose në ves të vapës dhe vjen dhe më thua që, këta ti i paguan 300 mijë lekë, përveçse mua më vjen shumë turp për ty, ti nuk merr dot asnjë lloj fondi nga taksat e shqiptarëve sepse ti je një shfrytëzues, nuk je një sipërmarrës, këtë mund ta themi.
Ndërsa përsa i përket kompanive në këtë sektor ne do ta lidhim këtë me fondet e projektet. Sigurisht, duke u konsultuar, duke vendosur një dysheme të arsyeshme, patjetër, por ta bëjmë gjithmonë e më të vështirë që të merren fonde me punëtorë që paguhen gjysma kështu e gjysma ashtu, apo me paga që janë të paarsyeshme për punëtorët.
Po ju jap një shembull dhe kjo është realisht fundi.
Përpara 30 vjetësh, shumë vajza shkonin në fasoneri. Ajo ishte një nga industritë e para sepse ajo është një industri që bazohet te shfrytëzimi i krahut të punës dhe konkurrencën aty nuk e përcakton cilësia e lartë e produktit, po e përcakton kostoja e ulët e krahut të punës dhe ti i thua dikujt këto bluza hajde qepi te unë, sepse mua më del më lirë dhe më del më lirë sepse punëtorëve u jap bukë me djathë.
Kjo është e qartë dhe këtë fazë e kanë kaluar të gjitha vendet se ne vinim nga nëntoka, mirëpo sot, nuk ekziston një vajzë e re që është në moshën që ishte zonja që tani do dali në pension atje te fasoni që të shkojë t’i zërë vendin asaj dhe ato gratë që kanë punuar 30 vjet aty, kanë filluar të dalin në pension. Zëvendësimi i tyre me vajza të reja, një pjesë e së cilave kanë edhe ‘Iphone”, për t’i ulur nëpër tavolina me makinë qepëse dhe për t’i dhënë 300 mijë lekë, është e pamundur dhe kjo është kambanë alarmi për atë industri sepse ajo industri duhet të transformohet, jo të falimentojë.
Ata sipërmarrës duhet ta çojnë në një nivel tjetër prodhimin. Ata duhet të mendojnë për ciklin e mbyllur, duhet të mendojnë për produkte “Made in Albania”, e kështu me radhë dhe këto nuk janë porosi që unë i jap nga lart, janë realitete që po ndodhin në disa prej tyre. Dhe kur e bëjnë disa, mund ta bëjnë të gjithë, si puna e mollëve.
Shumë faleminderit!