Porti i ri turistik hap epokën e re për Durrësin

Ceremonia e prezantimit të projektit të Portit të ri Turistik të Durrësit. Fjala e Kryeministrit Edi Rama dhe Muhamed Alabar, themelues i Emaar Group, investitor i projektit:

 

Kryeministri Edi Rama:

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Ne në shqip e kemi që shiu është bereqet. I don’t know Mohammed, if you know what bereqet is. So, this is bereqet. God is blessing our dream and your Project. Faleminderit ju dhe ekipit tuaj që kanë punuar kaq fort!

Jemi një ekip ëndrrash dhe do t’ia dalim. Për mua është emocionuese sepse kjo është një ëndërr e kahershme dhe gjithmonë kam dëshiruar dhe jemi përpjekur që ballinën ujore të Durrësit ta kthejmë në një atraksion, por të them të drejtën, asnjëherë nuk kemi guxuar të shkojmë deri në pikën ku të imagjinojmë se mund të ndërtonim këtu në Durrës, portin më të madh turistik të Mesdheut, për të gjitha arsyet që ju i dini.

Donim të ndërtonim një port turistik këtu pranë dhe kemi kontaktuar njerëz, kemi bërë shumë përpjekje për të tërhequr investitorë.

Historia e dhimbshme e investitorit që pastaj e la Durrësin dhe shtegtoi në Malin e Zi nuk ishte një histori që ndihmonte. Piter Mang ishte një njeriu që erdhi vërdallë nëpër Shqipëri disa vite, kërkoi me insistim të ndërtonte një port turistik këtu, por nuk e çau dot, derisa u dorëzua. Edhe pse ai besonte që këtu ishte vendi për të ndërtuar një portë të re për të gjithë rajonin, sepse jo shumë larg, disa hapa nga këtu është amfiteatri më i madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës dhe është një atraksion i jashtëzakonshëm dhe një arsye më vete për të sjellë kategorinë më të lartë të turistëve. Turistët që kur ndalen në një breg shpenzojnë shumë dhe me shpenzimet e tyre ngrenë lart të gjithë industrinë, krijojnë vende pune të paguara mirë, krijojnë rrjete të tëra dhe zinxhirë vlerash për gjithë qytetin dhe gjithë vendin.

Mali i Zi transformoi rrënjësisht vetveten nga The Port of Montenegro. Megjithatë, siç duket, përsëri e përsëri, ëndrrat që i shikon me sy hapur, mjafton të kesh vendosmërinë për t’i ndjekur dhe një ditë të realizohen.

Natyrisht, mes një ëndrre që ti e shikon me sy hapur dhe realizimit të saj, është në mes një det i tërë dhe duhet të jesh i gatshëm që të përballosh të gjitha dallgët, të gjitha befasitë, të gjitha momentet e lodhjes dhe zhgënjimit e të vazhdosh e të vazhdosh e një ditë të bukur ëndrra fillon e bëhet më e afërt dhe më e mundshme sepse asgjë nuk ndodh rastësisht.

Ishte takimi me mikun tonë të shtrenjtë tanimë që i hapi rrugë këtij projekti.

Sot, ky nuk është një projekt i përgatitur për të bërë këtu një reklamë. Ky është vetëm kartolina e një projekti që punohet nga një skuadër e tërë dhe që ëshët gati të fillojë me fazën e parë me anën andej ku sot ndahet porti i Durrësit me pjesën ku fillon plazhi i Durrësit. Pikërisht në atë zonë ku ju e dini shumë mirë që ka vetëm grumbullime, materialesh të vjetra, ferra, plehra e asgjë tjetër.

Është një moment shumë emocionues për mua dhe për faktin se duke qëndruar këtu dhe duke parë këtë prezantim, mu kujtua historia e gjyshit tim durrsak, që ishte i biri i drejtorit të doganës këtu. Stërgjyshi, duke qenë se ishte një njeri i përfshirë në lëvizjet patriotike atëherë, një njeri shumë i përfshirë në përpjekjet për të ndërtuar shkollat shqipe, shikonte tek i biri, gjyshi im, njeriun, të cilit donte t’i jepte stafetën dhe e nisi për Itali me studime dhe në këtë port doli ta priste bashkë me stërgjyshen, bashkë me të tjerët,  djalin që kthehej për të festuar këtu Vitin e Ri.

Djali zbriti nga anija me një Alfa Romeo. Një Alfa Romeo që ishte goxha e pashme dhe i ati u surprizua dhe kuptoi menjëherë që paratë që i kishte dhënë atij për të studiuar ishin bërë makinë. Ai u kthye dhe mbeti këtu në Durrës shofer, sepse ishte i çmendur pas makinave, nuk i interesonin studimet. Mirëpo Alfa Romeo e tij ishte shumë e zhurmshme dhe shumë e famshme këtu në qytet. Pak javë pasi ishte kthyer, ai tregonte se kishte ngrënë një shpullë kur nxori makinën dhe thoshte këtu “Kjo është makina ime” sepse i ati e kuptoi që i kishte marrë lekët dhe kishte blerë makinë.

E thërriti kryetari i Bashkisë së Durrësit dhe i thotë “Ti çuni ke dy rrugë. Ose të punosh për mua, shoferi im me makinën tënde, ose me gjithë makinë të ikësh nga Durrësi se nuk mund të më bësh karshillëk mua kryetarit të bashkisë se kam makinë më të shëmtuar se e jotja”. Ai i thotë “jam i gatshëm të punoj për ty” dhe u bë shoferi i kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe ishte shofer edhe i makinës që e çonte dhe e merrte kryetarin nga shtëpia, por edhe shofer i cilindrit që rregullonte rrugët, sepse ishte i marrosur pas makinave.

Një ditë të bukur, vjen dita e pavarësisë dhe Mbreti Zog priste Vip-at që ishin ftuar për atë koktejin e pavarëisë dhe ai kryetari i bashkisë së Durrësit që vjen me një makinë që ishte jashtë standarteve për taksapaguesit dhe Lartmadhnia nga shkallët  i thotë “Nuk të vjen turp. Vjen këtu në festën e Pavarësisë me këtë makinë. Kështu i harxhon lekët e taksapaguesve”?  “Jo more Latmadhni është makina e shoferit tim”. Bjere këtu  shoferin i thotë mbreti. I thotë Lartmadhnia “Ti do bëhesh shoferi im, por me makinën tënde”. Dhe kështu ai u bë shoferi i mbretit dhe gjithë jetën e vet mbeti i dhënë pas makinave dhe unë që si fëmijë i vogël kisha një gjysh që fliste vetëm për makina dhe nuk ka gjë më fantastike se të jesh një fëmijë dhe gjyshi jot të flasë vetëm për makina.

Natyrisht në atë kohë nuk kishte iPad apo iPhone dhe nuk hipja dot në Ferrari për të bërë gara në iPad siç bën Zaho, por sidoqoftë gjyshi ishte inspirim i madh për idenë e shpejtësisë dhe idenë e lëvizjes.

Kjo është një nostalgji që më vjen natyrshëm kur mendoj se sot unë jam këtu për diçka që me siguri stërgjyshi, gjyshi dhe të gjithë të parët e mi dhe me siguri të gjithë ata që sot nuk jetojnë më dhe në atë kohë ishin njerëzit që e bënë Durrësin një qytet ku kishte shumë aromë Italie, ku kishte shumë jetë që mbante vulën e influencës nga bota tjetër matanë detit, do ishin sot jashtëzakonisht krenarë që më në fund Durrësi, falë këtij projekti dhe këtij investimi, bëhet gati të shkojë në një nivel tjetër.

Durrësi kthehet në një port plot mundësira dhe plot atraksion të vetë Mesdheut. Më në fund, Durrësi kthehet në portën e madh të turizmit shqiptar dhe bëhemi një port që do duan të vijnë dhe të hyjnë të gjithë pa përjashtim. Të gjithë ata që janë të dhënë pas lundrimit, ata që kanë jahte, ata që e kalojnë stinën e verës në varka dhe të gjithë ata që lëvizin nga një vend në tjetrin për të pasur eksperienca të reja, do duan të vijnë në Durrës.

Kjo është vërtetë një arsye për t’u ndjerë shumë të frymëzuar, shumë të motivuar, shumë të vendosur për ta çuar deri në fund tanimë, realizimin e kësaj ëndrre e cila, nga 3D këtu, në 4-5-6 vite do jetë këtu ku jemi ne sot. Ku nuk do ketë më kontenierë, vinç, nuk do ketë më skrap, ku nuk do ketë më qymyr, krom, ku nuk do ketë më ndotje, por do ketë një jetë të re që pulson dhe do jetë zemra e turizmit shqiptar dhe jo vetëm kaq, por Durrësi do kthehet në forcë të madhe të shtuar të ekonomisë shqiptare.

Durrësi do kthehet aty ku ishte atëherë kur këtu vinin ato pak anije që lëviznin në atë kohë dhe ku këtu lëvizte e gjithë tregtia, pikërisht në vendin ku do të vijnë të gjitha anijet e kohës ku jetojmë dhe do të lëvizë e gjithë tregtia detare për të gjithë zonën në krahun tonë lindor apo verilindor të rajonit ku jetojmë.

Durrësi portë tregtare e Ballkanit është një fjalë që e kemi dëgjuar gjithë jetën, një ide që e kemi pasur gjithë jetën,  një ëndërr që e kemi ndarë gjithë jetën dhe sot është dita kur ne kalojmë nga ëndrra në realizimin e saj. Walt Disney thotë diçka shumë të bukur “Dallimin mes ëndrrës dhe realitetit e bën data e projektit”. Midis ëndrrës tonë dhe realitetit, sot kemi një projekt dhe kemi një afat.

Tanimë kemi hyrë në rrugën e zbritjes së ëndrrës në tokë dhe transformimit të gjithë asaj që kemi ëndërruar në një realitet të prekshëm. Lajmi i mirë është që njeriu që vjen këtu me këtë pëlhurë, ku është vizatuar me imazhe ëndrra jonë, nuk është dikush që ka shumë para por ëshët dikush që çfarë e tregon këtu, e ka bërë për aty prej nga vjen dhe quhet Dubai, quhet Porti Turistik i Dubait, quhet vendi që nga shkretëtirë u kthye në magnetin  e botës.

Pra, nuk është një investitor që vjen të hedhë para këtu dhe që ka një dëshirë, por është një investitor që e di shumë mirë që çdo euro që do hedhë këtu, do shërbejë për të ndërtuar atë që pamë e që do të thotë që është një garanci absolute, e padiskutueshme, se çfarë ju shihni tani [në projektor], në 4, 5 apo 6 vjet do ta shohim përpara syve. Do të jemi të ulur në ato shëtitore e në ato plazhe, do të shijojmë këtë spektakël të fuqisë së njeriut për ta bërë ëndrrën realitet.

Kjo është një burim energjie për të gjithë zonën. Të gjitha këto që do të ndërtohen në këtë port do të rrezatojnë ekonomikisht tek të gjithë ata që kanë ndërtuar hotelet përgjatë bregut, që kanë marrë risk, me shumë kurajë, e kanë për të ardhmen e tyre aty dhe që luftojnë, rezistojnë, vazhdojnë të ëndërrojnë e punojnë gjithmonë e më shumë. Falë këtij porti të ri turistik, vlera e gjithçkaje që ata kanë investuar do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme, siç do të rritet vlera e të gjithë pasurive të patundshme të jo vetëm qytetit të Durrësit, por të gjithë zonës, siç do rritet vlera e të gjithë pasurive të patundshme në Krujë e deri në Shijak, siç do të rritet me patjetër impakti shumë përtej këtij qarku.

Ky është një projekt që me 2 miliardë euro të investuara do të impaktojë strukturën e turizmit tonë.  Industria jonë e turizmit është e re dhe me këtë investim do të hyjë në nivelin më të lartë. Deri më sot kemi parë të tjerët, Malin e Zi, Kroacinë, Slloveninë e të gjithë ata që kanë një traditë shumë më të gjatë, pasi kanë qenë shumë më të hapur kohë më parë, – kur këtu të fusnin në burg për Celentanon, në Kroaci e në Slloveni kishte plazhe nudo.

Ky port është më i madhi, por nuk është i vetmi. Ne do hapim katër porta në bregdetin tonë, nga Adriatiku në Jon. Kjo është porta më e madhe. Brenda qershorit besoj do fillojmë ndërtimin e portës tjetër në Vlorë, ndërkohë që porta tjetër në Sarandë ka filluar të ndërtohet. Janë 3 porte turistike e besoj që brenda vitit 2023 do fillojmë ndërtimin e portës tjetër në Shëngjin.

 

Katër porta nga deti, katër porta të tjera nga ajri. Aeroporti i Kukësit është gati. Do të bëhet brenda 3-4 viteve, aeroporti i Vlorës, po ashtu edhe ai i Sarandës. Të gjitha këto porta do sjellin këtu shumë më tepër njerëz, por do të shërbejnë edhe për të shpërndarë gjithandej lajmin se çfarë është Shqipëria, sa e bukur është Shqipëria, sa e mirë është Shqipëria, sa mikpritëse është Shqipëria, sa nuk ka lidhje fare Shqipëria me çfarë është stereotipi i krijuar për kaq shumë vite, si një vend i errët, një vend i zymtë, si një vend ku ka rrezik për vizitorët që të vijnë.

Ky port nuk është thjesht se do krijojë vende pune. Ky port do krijojë një gjeneratë të re të vendeve të punës. Ne do të ndërtojmë paralelisht, me fillimin e punimeve këtu, shkollën profesionale që do të jetë frut i bashkëpunimit me kompaninë dhe do të ketë standardet më të larta botërore të edukimit, të qindra e pastaj mijëra vajzave e djemve, që do të duhet të mësojnë të gjithë atë larmi zanatesh që duhen për ta mbajtur ndezur këtë motor të madh ekonomik, nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër. Ky do jetë një vend ku jeta do vazhdojë 24 orë. Kjo gjeneratë e re vendesh pune do të thotë vende pune të reja, por dhe të mirë paguara, siç ka qejf ta përsërisi shpesh Muhamedi, “quality jobs”. Vende pune me cilësi.

Besoj që është e padiskutueshme se sot, duke pasur në dispozicion një paketë investimesh që ka këtë investim shtyllën e vetë kurrizore, por ka edhe investime të tjera që përbëjnë gjithë skeletin, ne do ta transplantojmë skeletin sotëm të ekonomisë shqiptare e do t’i japim ekonomisë shqiptare një skelet të ri, një skelet të fortë. Nuk është vetëm turizmi, nuk janë vetëm portet dhe aeroportet, por janë investimet në energji që do ta transformojnë Shqipërinë në eksportues neto të energjisë. Ndërkohë Shqipëria do të diversifikojë portofolin e energjisë së gjelbër. Parku fotovolatik që ka filluar të ndërtohet në Karavasta është më i madhi i rajonit, me energji diellore. Parku tjetër fotovoltaik do fillojë të ndërtohet në zonën e Spitallës. Janë dy motorë të rëndësishëm të prodhimit të energjisë që i shtohen portofolit tonë. Por Skavica në veri, falë marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe fillimit të bashkëpunimit me një nga kompanitë më të mëdha amerikane dhe futja e gazit të lëngshëm në TEC-in e Vlorës, përsëri  me një kompani të madhe amerikane me të njëjtën marrëveshje, do ta bëjnë me krahë energjinë shqiptare.

Shqipëria nuk do duhet më të ketë problem kur nuk bie shi e të dalë në tregun e huaj për ta paguar si frëngu pulën energjinë e për ta sjellë këtu. As nuk do ketë më problem kur bie shumë shi dhe duhet të hapi portat e të derdhi ujë, duke përmbytur edhe toka të punuara. Asnjë pikë uji nuk do të iki më dëm, do të mbahet në rezervën e Skavicës. Nga ana tjetër, asnjë gram shpenzime nuk do të bëhen më, asnjë euro nuk do të dalë më jashtë shtetit për të sjellë këtu energji. Ne do të jemi eksportues neto të energjisë.

***

 

*Fjala e Mohamed Alabbar:

 

Shkëlqesitë tuaja,

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja së pari t’ju falënderoja shumë që jeni bashkuar sot me ne në mbrëmje. Në të njëjtën kohë, shkëlqesitë tuaja, do doja që t’ju falënderoja që më dhatë mundësinë të bëj diçka atë veçantë në Shqipëri. Më kujtohet kur jam takuar për herë të parë me shkëlqesinë, vëllain tim të dashur, më kujtohet që më thatë, Muhamed, dua që të ngre njerëzit e mi. Unë jam biznesmen me emocione dhe natyrisht më preku sepse unë bëj biznes në shumë vende por rrallë gjej njerëz si ju ku në qendër të gjithçkaje janë njerëzit.

E di që e shihni këtë video por nëse nuk ngremë lart jetën njerëzore, nëse nuk ngremë shpirtin e njerëzve, atëherë nuk e kemi bërë punën tonë, atëherë nuk kemi sukses. Nëse nuk trajnojmë mijëra të rinj et ë reja në teknikat më të përparuara për mënyrën se si të bëhen këto projekte masive, atëherë kemi dështuar por lajmi i mirë është që unë këtë gjë e kam bërë për 25 vjet. Kam bërë gabime mjaft të vlefshme në jetën time. Tashmë mendoj që jam më i fortë se kurrë kështu që dua të dini se kjo do bëhet me shumë dashuri, me shumë kujdes por në të njëjtën kohë, kur shoh Shqipërinë, kur shoh përpjekjet që vëllai im i dashur kryeministri dhe të gjithë njerëzit e tij bëjnë duke vendosur shpirtin aty e se sa shumë punojnë, më bën edhe më entuziast për të marrë pjesë në këtë projekt sepse të duhen partnerë për të ecur përpara.

Unë e kam vizituar Durrësin një herë, dy herë, tre herë dhe në fakt u mërzita shumë për shkak të ndotjes që gjenereohej nga porti. Duhet të respektojmë njerëzit tanë, duhet të respektojmë mjedisin, duhet të respektojmë fëmijët tanë sepse në fakt fëmijët tanë meritojnë diçka më të mira. Kështu që me të gjitha këto dua të them se të gjitha këta njerëz, të gjithë këto hotele që kanë luftuar, kanë punuar fortë gjatë gjithë këtyre viteve, u premtoj, janë heronj të mirëfilltë që kanë ngritur infrastrukturën në Durrës dhe kanë luftuar e kanë punuar kaq shumë gjatë gjithë këtyre viteve kundrejt kaq shumë pengesave. Ata do të festojnë me ne dhe ju premtoj se vlera do të jetë vetëm pozitive. E kam bërë shumë, shumë herë.

Isha në Beograd për të vizituar projektin dhe papritur dikush më tha që ky është stacioni më i çuditshëm që e kemi konvertuar që punon tashmë dhe më tha, e di se cila është vlera e këtyre ndërtesave këtu? Jo, nuk e di i thashë, shpresoj fort që të gjithë të fitojnë, të gjithë të festojnë sepse është 30% lart por nuk është vetëm 30%, është çështja se si të ngresh gjithkënd në këtë zinxhir vlerash. Edhe këtu do të ndodhë e njëjta gjë, ju premtoj që trajnimi që do të kryejmë me drejtimin e shkëlqesisë, të të rinjve që do të marrin pjesë në atë çka bëjmë këtu, ti trajnojmë ata, ti shohim ata të ecin përpara e ti rrisin aftësitë e tyre është diçka që unë e kam shumë përzemërt e ju premtoj që do ta bëjmë këtë gjatë gjithë kohës.

Ky është një moment historik në jetën time, besoj dhe në jetën e Shqipërisë dhe ju siguroj se do punojmë fort, do bëjmë gjërat e duhur anë të gjithë kohën për të arritur këtë. Ka të bëjë me vetëbesimin. Ne duam që të ketë gjithashtu edhe besim dhe investim gjithmonë e më tepër. Ua detyrojmë shqiptarëve, ua detyrojmë edhe qytetarëve të Durrësit. Do të përfitoj nga kjo mundësi t’ju falënderoj shumë edhe që më keni besuar dhe ju premtoj që do të bëjë gjithçka që është e mundur për tu bërë edhe më mirë nga ajo çka tregon video, për të krijuar diçka shumë të vlefshme pas gjithë asaj çka kam mësuar vetë me ekipin tim sëbashku e dua të falënderoj shumë dhe ekipin për këtë që ju patë. Shumë faleminderit!

Do të doja të përfitoja nga kjo mundësi gjithashtu për t’ju thënë se shpresoj që në pak vitet që vijnë ju të shihni rritjen e vlerës. Nuk është shumë gjatë, është 4 apo 4 vjet e gjysmë por ecën shumë shpejt. Me mbështetjen që kam në terren, nuk kam asnjë dyshim që do të lëvizim shpejt. Ju falënderoj shumë dhe ju uroj çdo të mirë, ju uroj që familjet tuaja të jenë të sigurta.

*Përkthim simultan