Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Porti i ri turistik i Durrësit do të nisë së shpejti me zbatimin e fazës së parë, e cila fillon me pastrimin e zonës së ndërtimit. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku takoi Drejtuesin e Kompanisë globale  Emaar Group, Mohamed El Alabbar, pikërisht për diskutuar rreth projektit që do të marrë jetë, si një prej veprave madhore në fushën e turizmit.

“Ne po mendojmë për një port shumë të bukur këtu”- u shpreh Mohamed El Alabbar, ndërkohë që ai do të angazhojë një financim të konsiderueshëm për pastrimin e ujit të detit përgjatë plazhit të ri që do të krijohet në zonën e Fazës 1. “Për pastrimin kemi dy konsulentë një amerikan dhe një nga Dubai, të cilët po punojnë për aspektin mjedisor, pastrimi hyn deri në det, pasi situata ishte shumë rëndë. Përgatitjet janë ende në vijim, por përpiqemi të përshpejtojmë në zonën e peshkimit.” – shpjegoi investitori El Alabbar.

Duke diskutuar mbi projektin, Kryeministri Rama sugjeroi disa prej modeleve të mirënjohura për tregtimin e produktit të peshkut. “Do të jetë shumë e rëndësishme që të kemi një treg peshku si në Barcelonë apo në qytete të tjera që kanë peshkim.” – u shpreh Kryeministri.

Sa i përket infrastrukturës, Mohamed El Alabbar premtoi se do të jetë një nga më modernet në Mesdhe, me mundësi të pafundme për t’u shfrytëzuar, si nga qytetarët, ashtu dhe në aspektin tregtar.  “Do ta mbajmë terminalin, do ta lëvizim në këtë hapësirë, do të krijojmë instratrukturë për ta lidhur me qytetin dhe hekurudhën. Do të projektojmë tregun e peshkut këtu. Do të shtojmë edhe gjëra të tjera, do të jetë shumë special. Kjo do të jetë me të vërtetë nga më të mirat në Mesdhe.” – u shpreh ai.

Më pas, kryeministri Rama inspektoi terrenin e vënë në dispozicion për zbatimin e projektit, ndërkohë që Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku dha detaje lidhur me përgatitjet për këtë fazë. “Këtu jemi në pjesën që kemi çliruar nga të gjitha shërbimet dhe të gjithë funksionet që ka patur për ta vënë në dispozicion për fazën e parë. Ashtu siç jeni në dijeni, ne kemi marrë prej kohësh një vendim për të spostuar Portin e Durrësit dhe të gjithë shërbimet e portit të Durrësit dhe të gjithë koncesionarët në zonën e Porto Romanos pasi situata këtu ka qenë e agravuar. Kemi patur problematika edhe me banorët e të gjithë zonën që qëndron afër portit, por edhe vetë kemi identifikuar problematikën që kemi patur, qoftë kjo për ndotjen ambientale, qoftë për ndotjen akustike edhe sidomos për gjithë trafikun e rënduar që krijohet nga kamionët në hyrje dhe në dalje të Durrësit.

Pas një procedure shumë të gjatë dhe një analize të thelluar, ne kemi arritur tashmë në një fazë të rëndësishme të portit të ri të Durrësit afër Porto Romanos. Ndodhemi tani në fazën e projektit të detajuar, i cili dorëzohet në fillim të muajit prill dhe më pas menjeherë nisim me kushtet e dizenjimit të të gjithë specifikimeve teknike që do të na japim mundësinë për të hapur garën.” – shpjegoi ministrja Balluku.

Ndërsa kryeministri Rama tha se paralelisht ka nisur puna për projektin e madh të rikualifikimit të plazhit të Durrësit. “Ndërkohë kemi nisur të punojmë me Kryetaren e Bashkisë dhe ekipin për të nisur paralelisht projektin e madh të plazhit të Durrësit, plazheve popullore, rikualifikimit të tyre. “ – u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se  “Kemi vendosur një sasi të madhe parash në dispozicion. Shpresojmë të nisim me fazën e parë në 2022, ndoshta rreth majit, qershorit dhe më pas do të vazhdojmë më tej pas sezonit. Ëndrra është që paralelisht me fazën e parë këtu, në të njëjtën kohë dhe plazhi i Durrësit është i rikualifikuar me një konceptim urban dhe me material tërësisht ndryshe. Jam i sigurt që banorët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë do t’ju jenë mirënjohës për këtë ndërhyrje mjedisore sepse ka qenë e pamundur për ne që ta bëjmë të vetëm, ndaj pastrimi i kësaj pjese të plazhit dhe transformi në plazhin që ju keni planifikuar për të qenë një hapësirë plotësisht e pastër është diçka vërtetë historike për qytetin,  sepse qyteti ka vuajtur për një kohë kaq të gjatë nga ndotja e marrëzia. Këtu askush nuk ka menduar si ta bëjë më parë këtë gjë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.