Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u takua sot me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach, i cili ndodhet në Tiranë, për herë të parë, për të marrë pjesë në inaugurimin e zyrave të reja të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në ambientet e Parkut Olimpik, një projekt i KOKSH-it, i miratuar nga IOC.

Kryeministri Rama e njohu zotin Bach me projektet dhe investimet e qeverisë shqiptare në fushën e sportit, arritjet e deritanishme dhe vizionin për zhvillimin e tij në të ardhmen.

Më pas, Kryeministri Rama dhe Zoti Thomas Bach, të shoqëruar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli vizituan zyrat e reja dhe moderne të KOKSH, të cilat jane shpërngulur në Parkun Olimpik, në një nga investimet me të mira për Sportin, aty ku janë edhe zyrat e Federatave Sportive të tjera, për të qënë më pranë dhe në shërbim të tyre.

Zoti Bach shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë dhe vlerësoi progresin e sportit në Shqipëri, si dhe investimet e bëra në këtë drejtim. “Është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu sot, në Shqipëri ne vazhdën e turit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Jemi vërtetë të kënaqur për progresin që sporti në Shqipëri ka bërë gjatë viteve të fundit. Në të gjitha aspektet shohim një zhvillim në rrugën e sportit dhe sportin për të gjithë njerëzit, duke theksuar kontributin që sporti po i jep të gjithë shoqërisë me qëllim shëndetin, me qëllim edukimin. ” – u shpreh ai, ndërsa shtoi ndër të tjera se e ardhmja në këtë fushë duket optimiste. “  Shohim një dinamizëm të jashtëzakonshëm, shohim një vizion për të ardhmen e sportit në Shqipëri dhe kemi besim që Shqipëria dhe shqiptarët dhe atletët olimpik shqiptarë mund të besojnë tek një e ardhme e ndritur sepse ne shohim gjithashtu një aleancë të fuqishme, me respekt të përbashkët të përgjegjësive mes qeverisë, të drejtuar nga Kryeministri dhe Komitetit Olimpik Kombëtar. Gjatë takimit që zhvillova mëngjesin e sotëm me kryeministrin kuptova se kjo është receta e suksesit për njerëzit dhe sportin në Shqipëri. Kështu që jeni duke më parë si një njeri shumë të lumtur që ndodhem këtu sot dhe një njeri edhe më të lumtur teksa shoh që sporti në Shqipëri po lulëzon në mënyrë kaq të jashtëzakonshme. – u shpreh ndër të tjera,  Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach.

Nga ana e tij, kryeministri Rama vlerësoi vizitën e Presidentit Bach në Shqipëri dhe mbështetjen e dhënë  nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për projekte në fushën e sportit në Shqipëri. “Është privilegj për ne që sot kemi këtu të pranishëm Presidentin e Komunitetit Olimpik Ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të bëjmë prezantime. Është një vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe na vjen shumë mirë që sot ne ndamë me presidentin disa rezultate të para të procesit të rithemelimit të lëvizjes olimpike në shkolla që sapo ka hedhur hapin e parë të rëndësishëm e do vazhdojmë të hedhim hapa të tjerë, në mënyrë që në të gjitha shkollat e vendit të kemi skuadrat sportive, në mënyrë që të kemi kampionatet sportive ndërmjet shkollave, në mënyrë që të vendosim një bazë të rëndësishme e të munguar për shumë vite edhe të kemi nga kjo lëvizje, sportistë, të cilët të ngjiten pastaj në shkallë të tjera dhe pse jo të shkojnë deri në Olimpiadë. Por ajo që është e rëndësishme është që ne ta kemi këtë lëvizje sportive për t’i dhënë fëmijëve mundësi të shkëputen nga kompjuterat, nga bota virtuale e smartphone-ve dhe të shoqërizohen në botën reale të aktivitetit sportiv. Të gjitha janë të dobishme, por jetë pa sportin dhe sidomos një fëmijëri pa sportin është një fëmijëri e cënuar. Na vjen shumë mirë që presidenti  Bach  dhe skuadra e tij, jo vetëm e çmuan sa kemi bërë, por edhe u ndjenë të përfshirë në këtë projekt dhe do të na mbështesin me dijen e madhe që ka Komiteti Olimpik, me ekspertët për të vazhduar të hedhim hapa të tjerë. Folëm edhe për fshatin e ri olimpik si dhe për disa projekte të tjera, por këto janë gjëra që i takojnë së ardhmes. Sot jemi këtu për të ndjekur edhe disa aktivitete të vogla, por domethënëse të asaj që unë thashë pak më lart. Dua ta falenderoj Presidentin dhe skuadrën e tij dhe na lejoni që të vazhdojmë t’i japim të gjithë kënaqësinë e një ardhjeje në Shqipëri dhe që ta detyrojmë të kthehet përsëri në Shqipëri.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Në vijim, kryeministri Rama dhe Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik Thomas Bach iu bashkuan disa aktiviteteve sportive, argëtuese  të organizuara nga nxënësit e shkollave. “Sot është një ditë shumë e bukur për Lëvizjen Olimpike që ne po e rithemelojmë në të gjithë shkollat e vendit. Pasdite do të jenë dy finalet e para mes shkollave në volejboll për meshkuj dhe femra.

Ndërkohë që ajo që dua të nënvizoj, është se në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar, qeveria do të mbështesë në vijimësi rritjen e kësaj lëvizje, krijimin e klasave dhe skuadrave sportive në të gjitha shkollat e vendit, krijimin e kampionateve në nivel bashkie, në nivel qarku dhe në nivel kombëtar, si dhe fuqizimin dhe shtrirjen në mënyrë të vazhdueshme të rrjeteve sportive në të gjithë territorin për të bërë dhe lidhjen pastaj mes Lëvizjes Olimpike në shkolla dhe atyre që do të vazhdojnë të merren me sport në nivel gjysmë profesionist dhe profesionist.” – u shpreh Kryeministri Rama ndërsa ftoi fëmijët të shijojnë shfaqen.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.