Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Prespë, në rrugëtimin e Programit Kombëtar 100 Fshatrat:

Përshëndetje të gjithëve!

Mirë se ju gjetëm!

Më vjen mirë që e zhvillojmë këtë takim këtu, në një zonë kaq të mrekullueshme, ku sapo ka filluar një proces transformimi me këtë qendër. Banorët e kujtojnë fare mirë se si ishte dhe sot shërben vetëm si një shenjë e parë domethënëse e asaj që ne duam të bëjmë, duke shtrirë tanimë krahët e ambicies sonë përtej ndërhyrjeve thjesht urbanistike apo infrastrukturore.

Më vjen mirë që u krijua mundësia për të bërë këtë prezantim, ku del në pah shumë qartë se si me një sërë ndërhyrjesh shumë të vogla nga pikëpamja e masës, por shumë domethënëse nga pikëpamja e energjisë që krijojnë, mund të hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm, pasi ato ndërhyrje, në dukje minimaliste, sjellin në vëmendje të shumë turistëve të një kategorie të caktuar një zonë, e cila mbetet e gjitha për t’u zbuluar.

Programi i 100 Fshatrave synon pikërisht këtë dhe ndërkohë puna ka nisur. Si ky prezantim mund të merrni me mend vetë që ekzistojnë prezantime të mundshme për të gjithë këto 100 fshatra. Natyrisht është faza e konceptit dhe do të kalohet në fazën e projekteve specifike për t’u realizuar në terren, për të cilat ne kemi punuar edhe për të krijuar fondin e nevojshëm. Por ky është një aspekt.

Aspekti tjetër, që është edhe më vendimtari, në këndvështrimin tim, ka të bëjë me nxitjen e njerëzve që jetojnë në këto fshatra, që kalojnë të gjithë eksperiencën e tyre jetësore në këto zona, për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje.

Ne krijuam këtë mundësi, këtë hapësirë, por ende në krahun tim të majtë, ato hapësira të konceptuara për të qenë njësi tregtare dhe turistike nuk janë jetësuar dhe nuk mund të jetësohen nëse nuk ka një ndërveprim midis pushtetit vendor, komunitetit dhe sigurisht, me mbështetjen e qeverisë qendrore përmes Programit të 100 Fshatrave.

Duke parë të gjithë peizazhin këtu, është fare e qartë që ka në këtë kodër disa godina, të cilat, nëse do të ishin në një vend me turizëm të zhvilluar, në Zvicër apo në Greqi, do të krijonin para në 365 ditët e vitit. Do ishin godina që do mikprisnin vizitorë, turistë, të cilët do kalonin një apo shumë net këtu dhe do të vinin posaçërisht për të kaluar një apo shumë net në këto godina.

Për ta transformuar një godinë dy apo trekatëshe në një hotel, kërkohet një punë e përbashkët. Me siguri ata që e zotërojnë, apo ata që banojnë nuk i kanë mundësitë financiare për ta bërë. Atëherë, këtu lind përsëri nevoja për të krijuar urën e bashkëpunimit, duke filluar nga informimi. Krahas me punën e bërë nga urbanistët dhe arkitektët e Akademisë së 100 Fshatrave na duhet dhe puna për të informuar dhe për të mbështetur drejtpërdrejtë njerëzit që jetojnë në këto 100 Fshatra, duke iu dhënë akses në burime të tjera financimi.

Ne kemi një program për agroturizmin që financon ndërhyrje të tilla, financon bujtina dhe nuk bëhet fjalë për kredi. Bëhet fjalë për para në dorë, pa asnjë interes dhe pa kthim. Bëhet fjalë për grante. Ne financojmë bujtina, financojmë edhe hotele që kanë profilin e agroturizmit, që do të thotë që për këtë duhet një iniciativë e përbashkët, që duhet të nisë nga këtu.

Si duhet ta shpjegojmë dhe pastaj ta trajtojmë faktin që fondin në dispozicion për agroturizmin, pra, paratë që ne i kemi nuk janë shumë, por janë aq, sa ne nuk kemi arritur dot t’i shpenzojmë akoma për mungesë projektesh dhe për mungesë ndërveprimi midis subjekteve të interesuara, pushtetit vendor dhe pastaj qeverisë?

Në këtë rast, qeveria i ka vënë fondet në dispozicion. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural e ka shpallur Programin. U anulua njëherë, është rihapur përsëri. Me marrjen e parave të Fondit të Komisionit Europian do të kemi shumë më tepër në vitin e ardhshëm. Ato para, të cilat, e përsëris, nuk janë kredi, nuk janë borxhe, nuk kanë asnjë interes, janë para drejtpërdrejtë për njerëzit që duan të zhvillojnë agroturizmin, që duan që shtëpinë e tyre ta kthejnë në një bujtinë, që duan në tokën e tyre të ndërtojnë një hotel për të pritur të tjerë, duke iu ofruar bukurinë e zonës, traditën e mikpritjes dhe ushqimin, sigurisht, edhe dhomën për të fjetur, të mund t’i marrin këto para.

Kjo nuk është përrallë. Kjo është një gjë reale, e cila po ndodh sot. Prandaj ne jemi duke ndërtuar paralelisht me Akademinë e 100 Fshatrave edhe një task-forcë që duhet të merret me projekte specifike, në mënyrë që çdo qindarkë që kemi në dispozicion të mund ta hedhim në këtë iniciativë. Sikundër, kjo është një iniciativë që nga natyra e vet dhe nga natyra e migracionit në të gjitha zonat, të cilat prek programi i 100 fshatrave, është si e krijuar me dorë për emigrantët, që kursimet e tyre t’i investojnë në shtëpitë që kanë lënë, ku kanë prindërit, të afërmit, apo ku nuk kanë asnjeri. Të investojnë në tokat që kanë lënë, për të ndërtuar një agroturizëm, duke filluar nga një bujtinë e vogël tek një agroturizëm më i madh dhe për t’i kthyer kursimet në një investim që do të sjellë për ta shumë më tepër të ardhura, sesa sjell puna e përditshme dhe e vështirë që shumëkush bën sot në Greqi, apo në Itali, apo në një vend tjetër në emigracion.

Kjo është një mënyrë jo për të mbijetuar, por është një mënyrë për të jetuar mirë.

Agroturizmi është një mënyrë për të jetuar mirë. Nëse në një zonë si kjo është shumë e vështirë të konceptosh një zhvillim bujqësor apo blegtoral të atillë që të sjelli të ardhura për të jetuar mirë, është shumë e lehtë të konceptosh një punë të mençur në agroturizëm, që të sjelli të ardhura për të jetuar mirë për një familje, për një grup familjesh, apo për shumë familje.

Pse njerëzit të mos vijnë këtu për të kaluar fundjavat, apo për më shumë se kaq, ndërkohë që bukuria as nuk diskutohet që është e magjishme?

Janë të gjitha këto gjërat që folëm sëbashku, janë ato gjërat e vogla në thonjëza, janë gjërat që kanë të bëjnë me nevojën e njerëzve për të pasur një mbështetje fillestare për ta filluar këtë punë e që pastaj kanë të bëjnë dhe me kapacitetin për të krijuar ndërveprim me njeri-tjetrin, midis subjekteve të komunitetit, drejtuesve të komunitetit, të zgjedhurve dhe administratorëve dhe qeverisë, nëpërmjet institucioneve të veta.

Unë jam shumë besimplotë që ky Program është ai që duhet. Jam shumë besimplotë që ky program nuk është thjesht një program që do ndryshojë jetën e 100 fshatrave, ndërkohë që Shqipëria ka 5000 apo më shumë, sepse jam i bindur që, duke nisur në këto 100 fshatra, efekti zinxhir dhe forca e shembullit të këtyre projekteve të vogla do jetë e tillë që do të infektojë edhe zonat e tjera përreth. Jam i siguritë që ashtu siç ka ndodhur në qytetin e Korçës, ashtu siç ka ndodhur në shumë qytetet të tjera, në Berat, që të mos i marr me radhë, apo siç po ndodh në Pukë, ku njerëzit shkojnë për të vizituar Pukën, një gjë e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, kur Puka ishte vetëm një zonë skëterre në mes të një bukurie mahnitëse, por krejtësisht të shkretuar për shkak të braktisjes totale të vëmendjes dhe mungesës së gjërave më elementare, ashtu do të fillojë energjizimi i një procesi që tek njerëzit e zakonshëm dhe tek turistët që kërkojnë këtë lloj turizmi ka nisur në të vërtetë.

Ne jemi mësuar që kur flasim për turizëm, të mendojmë detin. Është një gjë që e kemi mësuar dhe jemi të gjithë me këtë zakon, por ajo që tregojnë tendencat, ajo që tregojnë shenjat e zhvillimit të turizmit në vitet e fundit dhe ajo që shihet brenda rritjes së përgjithshme të numrit të turistëve, si rezultat i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë, si rezultat i një pranie shumë më të madhe të Shqipërisë në faqet ku promovohet turizmi nëpër botë, është që brenda kësaj mase ka një masë të konsiderueshme turistësh që nuk vijnë për detin, fare. Vijnë për malin dhe për disa aspekte të turizmit të aventurës, që do të thotë për kanionet, për rrugët malore, për zogjtë, për të tjera e të tjera aspekte më specifike brenda një ombrelle, që është një ombrellë e kësaj hapësire turistike që është larg detit dhe këtu ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm.

Kemi edhe një ekonomi që është për t’u zbuluar e gjitha, ekonominë e turizmit rural, ekonominë e bujtinës, ekonominë e hotelit të fermës, ekonominë e fermës që nuk punon për të nxjerrë prodhimet në treg në qytet, por që punon për të eksportuar, në kuptimin për vizitorët. Turizmi është eksport, hyn tek eksportet. Kështu që, nëse për të dalë deri në treg, dikush këtu e ka komplet të pamundur ta imagjinojë se vetëm rruga dhe nafta për të shkuar deri atje tutje kushton, pa llogaritur pastaj volumet etj., atëherë e kundërta është ajo që duhet të nxisë secilin, si të vijnë njerëzit këtu dhe për çfarë do vijnë njerëzit këtu. Për 1001 arsye, duke filluar nga magjia e natyrës  e pastaj deri tek detaji i fundit në tavolinë, kur agroturizmi të jetë i hapur, apo kur bujtina të jetë e gatshme për t’i mikpritur.

Shumë faleminderit për punën e bërë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.