Fjala Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të projektit të Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej”:
Përshëndetje të gjithëve!
Ky ndoshta është i pari aktivitet i Bashkisë së Tiranës ku unë jam i pranishëm, jo sepse nuk kam dëshiruar të jemi i pranishëm dhe herë të tjera, por sepse këtë herë bëhet fjalë për një aktivitet me një rëndësi që pa ekzagjerim është e jashtëzakonshme, pasi bëhet fjalë për një ndërhyrje dhe transformim të jashtëzakonshëm në zemrën e Tiranës, që është edhe zemra e Shqipërisë, por që është edhe zemra e shqiptarëve. Bëhet fjalë për vazhdimin jo pasiv, por krijues të një projekti të nisur vite më parë dhe për përmbushjen e një ambicieje legjitime, besoj unë, që Tirana të ketë një shesh, i cili në hapësirën e trashëguar të sheshit të periudhës totalitare t’u ofrojë të gjithë banorëve të vet, por edhe gjithë vizitorëve, një pikë referimi të palëvizshme.
Ka ndodhur shpesh këto kohë, që projekti ynë kombëtar i Rilindjes Urbane të kritikohet pse ne po transformojmë sheshet e qyteteve. Kritikohet me dritëshkurtësinë e argumentit se njerëzit kanë nevojë për gjëra të tjera; njerëzit nuk hanë sheshe; njerëzit nuk përfitojnë ekonomikisht nga sheshet dhe kështu me radhë.
Historia e njerëzimit njeh vetëm një rast, kur qeveria dhe vendimmarrja për të financuar zhvillimin e komuniteteve nuk u fokusua tek qendrat, por tek asfalti elektoral. Dhe ky rast unikal është rasti i Shqipërisë së tranzicionit, mendësia e të cilit kulmoi për keq me qeverinë e mëparshme. Përndryshe, në gjithë historinë e njerëzimit, aty ku është ndërtuar një vendbanim, është ndërtuar në radhë të parë, një shesh. Aty ku njerëzit janë bashkuar për të jetuar sëbashku, qoftë në një qytet të madh, qoftë në një mikrofshat, e kanë filluar nga sheshi.
Sheshi është identiteti i një vendbanimi dhe i një komuniteti dhe është pika e referimit të individit në raport me të tjerët. Sheshi është vendi që e bën një bashkësi individësh, një komunitet. Sheshi është vendi që i bën familjet që jetojnë secila brenda mureve të shtëpive të tyre të ndërveprojnë sëbashku. Sheshi është vendi që i bën fëmijët e një vendbanimi ta perceptojnë njëri-tjetrin si pjesë të jetës së tyre.
Një qytet pa shesh si Tirana është në fakt një qytet pa komunitet, një qytet identiteti i të cilit është goditur mu në zemrën e vet. Në vend të një sheshi, ne kemi një zgjidhe shkel e shko, për të siguruar kalimin e makinave dhe një udhëkryq ku njerëzit nuk kanë asnjë sekondë për të qëndruar e për t’u takuar me njëri-tjetrin, po ku vetëm duhet të vrapojnë për të kaluar rrugën, ndërkohë që makinat presin të vazhdojnë rrugën.
Në vitin 1929, Ahmet Zogu i kërkoi Armando Brasini-t që të hartonte planin rregullues të qendrës së Tiranës dhe i prezantoi një ambicie tërësisht jashtë kohe, nëse do t’i referoheshim Tiranës së vitit 1929, ku bulevardi i Armando Brasinit, nga kritikët dhe shakaxhinjtë e përparimit të asaj kohe u akuzua të ishte një katedrale në mes të shkretëtirës. Ajo çka Ahmet Zogu, në atë botën e tij të ngushtë kulturalisht, por mjaftueshmërisht të pasur për nga instinkti i përparimit, i vuri përpara si detyrë Armando Brasinit, ishte: “Dua një miniaturë të Shën Pietrit në Vatikan”.
Kjo me siguri e ka bërë të qeshi arkitektin e famshëm, por i ka hapur rrugë një ambicie që ishte tërësisht jashtë kohe. Projekti i Armando Brasinit nuk kishte lidhje as me të ardhurat modeste që kishte Shqipëria, as me nevojat që kishin njerëzit në atë kohë si nevoja imediate, as me parafytyrimin e elitës së kohës për çka i duhej Shqipërisë në atë periudhë. Por, përputhej me vizionin e një njeriu, për të cilin mund të thuhen plot të zeza, por nuk mund të thuhet se nuk kishte instinktin e posaçëm të një lideri vizionar për vendin e vet.
E më pas erdhi radha e konceptimit konkret të sheshit, në mes të aksit të Brasinit, që fillon nga universiteti dhe shtrihet tutje deri poshtë, ku sot po zgjatet më tutje. Aty, një arkitekt tjetër fiorentin, Florestano de Fausto, vizatoi një shesh që ishte jashtë të gjitha dimensioneve të konceptueshme si normale për Tiranën e asaj kohe.
Ahmet Zogu, përkundër gjithë kritikëve nga afër dhe nga larg të kohës, i hapi rrugë ndërtimit të atij sheshi. Ai shesh, i cili ishte i tëri i konceptuar në frymën e neoklasicizmit të asaj kohe, me reminishencat e gjithë strukturës totalitare të të menduarit të arkitekturës, mbeti në 50 vite komunizëm, një shkretëtirë e populluar vetëm nga mitingjet e mëdha për vdekjen e Stalinit. Apo për rastet kur partia mblidhte njerëzit për të përçuar mesazhet në përpjekjen për t’i mbijetuar apokalipsit të imperializmit dhe të social imperializmit, për të ardhur në tranzicionin tonë, ku si të gjitha sheshet e trashëguara nga e kaluara, por jo si sheshi i Tiranës që vinte nga një e kaluar më e largët se komunizmi, u kthyen në parkingje, në hapësira të degraduara ku njerëzit vetëm kalonin nga njëra anë në tjetrën dhe askush nuk ndalonte.
Sheshi i Korçës, sheshi i Elbasanit, sheshi i Lezhës, të gjithë sheshet me radhë u kthyen në hapësirat më të pista, më të papëlqyeshme dhe më kuptimplota të mungesës së një vizioni për zhvillimin urban dhe komunitar. Faktikisht, sheshet tona, ku sheshi i Tiranës ishte pasqyra më kuptimplotë, pasqyruan të gjithë varfërinë e aspiratave për të ndërtuar qytetet e bashkëjetesës demokratike.
Tirana, e cila solli transformime të jashtëzakonshme si rezultat i ndryshimeve kolosale demografike, u bë një qytet ku zemra mbeti një gropë, një vend i zbrazët pa identitet dhe pa ambicie. Faktikisht, reflektoi kontradiktën e thellë midis ambicies së të gjithë atyre njerëzve që erdhën drejt Tiranës për të ndërtuar Amerikën e tyre dhe ambicies së politikës që asnjëherë nuk pa përtej zgjedhjeve të ardhshme.
Fati i Tiranës, ndryshe nga ai i qyteteve të tjera, është se Tirana nuk duhet të ndërtojë një shesh nga e para. Tirana vetëm duhet të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga dy arkitektë të famshëm, ata të cilët i solli këtu Ahmet Zogu.
Ne e nisëm këtë projekt pikërisht me këtë ambicie; Të demokratizojmë vizionin që është aty dhe të transformojmë hapësirën e trashëguar, në një hapësirë ku e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë me njëra tjetrën dhe ku kushdo që bëhet pjesë e asaj hapësire për një orë, për një ditë apo për gjithë jetën, të ketë sensin se nga vjen, ku është e ku shkon.
Padyshim që A-ja, kryefjala e patjetërsueshme, për të pasur një hapësirë të tillë, është që ky shesh nuk mund të jetë i makinave. Ky shesh nuk mund të jetë i përkohshmërisë së lëvizjes së një makine që vrapon për të shkuar nga një anë në anën tjetër, por ky shesh duhet të jetë i njerëzve që zgjedhin për të shkuar aty. Ky shesh nuk mund të jetë një udhëkryq, por duhet të jetë një pikëtakim me historinë, me njerëzit dhe me refleksin e ambicies së këtij komuniteti dhe këtij vendi për të ardhmen.
Kjo është ajo çka një shesh ka pasur gjithmonë në funksion, qysh kur njerëzit ndërtuan vendbanimet e para dhe deri kur ndërtuan metropolet e mëdha. Kjo është ajo që ka ndërtuar sheshet e Parisit si ambicie, sheshet e Londrës, sheshet e Romës në gjithë shekujt. Kjo është ajo që shtyn sot komunitetet, përmes të zgjedhurve të tyre, që të rivizitojnë sheshet e të shkuarës, për t’i adoptuar me nevojën imediate të të sotmes, që qyteti mos ta mbysë njeriun, por që mes njeriut e qytetit të vendoset një ekuilibër, të cilin mund ta mbajë vetëm sheshi. Nëse sheshi nuk e mban këtë ekuilibër, qyteti nuk ka ekuilibra.
Sot, unë besoj se ka qenë fati i Tiranës që ai shesh u sabotua. Sot është mundësia për ta çuar në një nivel tjetër, siç ka ndodhur me konceptin e rivizituar mbas 10 vjetësh të projektuesve të sheshit, ku kemi një shesh me një balancë të re mes gurit dhe gjelbërimit.
Thonë një fjalë, që jo të gjitha të këqijat vijnë për keq. Puna e bërë dhe e ndaluar është aty, është nën tokë.
Gjithë infrastruktura nëntokësore e sheshit, që është në fakt jo thjeshtë një hapësirë e sheshtë, por është dhe një lloj makinerie për të siguruar gjithë infrastrukturën rreth e rrotull me energji, me ujë e kështu me radhë, do të ishte jo plotësisht e suksesshme nëse me sytë e të sotmes do të na mungonin gjithë njollat e reja të gjelbërta që i janë shtuar sheshit, duke marrë në konsideratë edhe ndryshimet e temperaturës dhe nevojën për më shumë balancë.
Nga ana tjetër, sheshi është një akt politik i mirëfilltë për të vendosur në gur një deklaratë të hapur lufte ndaj makinave. Kryetari i bashkisë me të drejtë përpiqet sa herë flet që t’i dalë përpara inatit të shoferëve, por kjo besoj duhet qasur me agresivitetin më të madh, le të mërziten sa të duan njerëzit nëpër semafor. Unë mund ta them këtë me plot gojën, sepse makina ime respekton çdo semafor, kështu që e di shumë mirë çfarë do të thotë të bllokohesh në trafik. Nuk mund të më thotë njeri që: “Shiko se ti del nga një rrugë tjetër!” Jam bllokuar edhe unë në trafik dhe është pjesë e çmimit që i paguajmë të qënit më të privilegjuar se ata të cilët nuk kanë makinë. Nuk mund të jesh më i privilegjuar dhe të kërkosh që si më i privilegjuar t’i shkelësh me këmbë një të drejtë që duhet ta kenë përpara ata që janë në këmbë.
Nëse shkojmë në Paris, nëse shkojmë në Londër sot, do të shohim se në të gjitha rastet, edhe nëse ka një këmbësor që është jashtë vijave të bardha dhe po tenton të kalojë rrugën, është makina që ndalet sepse, është taksa e privilegjit.
U bë një maratonë për autizmin para pak ditësh dhe pashë disa të privilegjuar, – që kanë edhe një privilegjuar që nuk e kanë të tjerët, që kanë në dorë një mikrofon dhe një stilolaps, që menjëherë u turrën se u bë hataja se ata u vonuan personalisht në trafik. A thua se populli kishte ankth që të merrte me shpejt helmin e tyre sesa gjysmë ore më vonë. Kjo është e papranueshme! Është komplet e papranueshme. Është shprehja e arrogancës provinciale të atyre që i thonë vetes, pjesë e elitës në këtë fshatin tonë të madh. Asnjë gjë më shumë! Arrogantë provincialë që nuk durojnë dot as aq sa duhet për të logjikuar, se nëse ndërtohet unaza e brendshme e qytetit kjo ndërtohet për ta lehtësuar trafikun nesër. Por, nuk ka asnjë shkencë që provon se mund të ndërtosh në mes të qytetit dhe ndërkohë makinat mund të kalojnë njësoj sikur ti s’po ndërton.
Ky ishte dhe argumenti banal më të cilin u justifikua ndërhyrja më idioteske që është bërë në historinë e urbanistikës shqiptare, ku ka pasur shumë ndërhyrje idioteste, për të na dhënë kartodromin në mes të Tiranës me Skënderbeun që mbi kalin e tij duket si polici i dikurshëm që rrinte tek sheshi për t’i dhënë drejtim makinave, -ka pasur një polic dikur aty, në mes. E bënë Skënderbeun polic trafiku të një kartodromi ku makinat xhirojnë në mes të sheshit.
Përgjithësisht mendoj që kam fituar një aftësi t’ia justifikoj çdo të metë vendit tonë, shoqërisë tonë kur më duhet të përballem me cinizmin e të huajve, por nuk kam gjetur dot asnjëherë asnjë justifikim kur kam dëgjuar pyetjen nga të gjithë njerëzit, arkitektë, urbanistë, artistë që vizitojnë Tiranën: “Cfarë është kjo?! Kjo gjëja këtu?” Është një pyetje që të lë pa frymë. Çfarë t’i thuash? Edhe Bernie Ecclestone nuk do ta kishte ëndërruar që të gjente një bashki të drejtuar nga arrogantë province, që të bënte një kartodrom në mes të qytetit dhe të vinte statujën e vet me Ferrarin tek bari. Të paktën të kishin vënë Bernie Ecclestone-in. Jo, e lanë Skënderbeun atje në mes të barit, vetëm, sikur është supervizori i policisë bashkiake.
Ajo që vlen të thuhet sot është se projekti ka fituar shumë në cilësi. Është një projekt me jo thjeshtë, një ekuilibër perfekt, 50% hapësirë pa gjelbërim dhe 50% hapësirë e gjelbëruar, por sepse brenda sheshit krijohen kushte për të ndodhur shumë gjera. Janë 8 kopshte, jo kopshte për fëmijë, në kuptimin për të çuar fëmijët në kopsht, por kopshte në natyrë ku fëmijët, më të moshuarit, familjet mund të kalojnë kohën e tyre, jo duke pritur që të kalojnë makina dhe t’ia fusin vrapit për të dalë në krahun tjetër se vjen makina tjetër.
Përveçse janë 8 kopshte, ka një avancim që në mendimin tim është avangardë në mendimin urbanistik të kohës, ku nuk bëhet fjalë për të mbjellë pemë nga ato që mbillen zakonisht, por bëhet fjalë për të sjellë në sheshin e Shqipërisë pemë nga e gjithë Shqipëria. Pra, pemët që rriten në Shqipëri dhe për të pasur faktikisht një kopsht botanik në natyrë në sheshin e qytetit. Është fantastike! Uroj që të funksiojë deri në fund teknikisht për çdo pemë, se e marr me mend sesa të vështirë do ta kenë disa lloj pemësh që të vijnë dhe të përballen këtu me situatat me të cilat në jemi mësuar. Pa llogaritur se çfarë mund t’ju ndodhë nëse mund të përballen me aktivistë agresivë që i bien pemës që të dëgjojë dera.
Ideja e atëhershme mbetet që sheshi të jetë sipërfaqja e një mozaiku të veçantë me gurë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, brenda dhe jashtë ku jetojnë shqiptarë, – kam parasysh rajonin, se shqiptarë jetojnë dhe në Romë, por s’do marrim gurë nga Roma, as nga Neë York-u, por do marrim gurë nga Kosova, do marrim gurë nga gjithë anët dhe sheshi do të shtrohet si mozaik me gjithë këta gurë.
Janë një numër i konsiderueshëm llojesh që do i japin një pamje fantastike jo thjeshtë simbolikisht, por dhe faktikisht sepse është një sipërfaqe urbane unikale.
Ashtu sikundër, bashkëjetesa mes gurit dhe ujit dhe ndërthurja e pasqyrës së ngurtë dhe pasqyrës ujore të lëvizshme do t’i krijojë sheshit një mikroklimë fantastike, për të gjitha mbasditet kur njerëzit do të duan të dalin në sheshe. Sigurisht, sheshi është një skenë e hapur. Është një skenë e hapur kur aktivitete të përditshme, të përkohshme të të gjitha llojeve, cilido mund të ngrejë në sheshe skenën e vet. Një komunitet, një shkollë, një grup vizitorësh, një këngëtar që mendon se nuk e kuptojnë dhe për këtë arsye nuk i japin akses nëpër mikrofonat e skenave të larta, etj, etj..
Së fundi, sheshi i Tiranës është xhevahiri më i ndritur i kurorës së Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, që faktikisht në të gjithë Shqipërinë po sjell një transformim jo thjeshtë fizik, por një transformim kulturor. Po u jep qyteteve mundësinë që të lidhen fizikisht me identiteti europian të këtij vendi.
Kush mund të më thotë, – nuk e di sa nga ju kanë shkuar në Librazhd, – kush mund të kishte guximin të thoshte që ai qytet gjendej në Shqipëri, gjendej në Europë? Ashtu siç ishte katandisur dhe me atë sheshin komunist që ishte bërë një parking i madh makinash. Ndërkohë që sot është një qytet që ka shumë problem, por që në zemrën e tij është krijuar frymëmarrja e një vendbanimi europian.
Impakti i këtij programi, përveçse ekonomik, në kuptimin e ngushtë dhe të menjëhershëm të fjalës, është social dhe është ekonomik afatgjatë.
Si ta shpjegojmë ndryshe, rritjen e shumëfishtë të turizmit në Korçë. Sot në Korçë nuk mundet dot të nisesh ditën e shtunë e të shkosh të gjesh vend atje, duhet të prenotosh. Në momente piku, jo vetëm Korça, por edhe Pogradeci janë të prenotuara të gjitha për shkak të Korçës. Çfarë e solli këtë? Korça aty ishte. E solli kjo Rilindje Urbane. Po Beratit kush ja shumëfishoi të ardhurat? Muzeut “Onufri”? Një gulç i papritur kulturor i atyre që e dinin që ishte Berati aty prej qysh kur kanë lindur apo një shpërthim i dashurisë së një piktori të mesjetës nga hiçi? Jo! Ia shumëfishoi fakti që është shumëfishuar numri i njerëzve që shkojnë në Berat. Për të shkuar në Berat deri dje duhet të merrje ndihmë nga ushtria, sikur do merrje leje nga NATO, për të shkuar në një zonë lufte, sepse rruga drejt Beratit ishte një shteg lufte. Pastaj, brenda në Berat duhet të kombinoje vështrimin nga Beratit të vjetër më mendjen tek këmba se mos lije gjurin në gropën e radhës. Ky ishte Berati turistik.
E kështu me radhë mund të flas për të gjitha qytetet, për Durrësin etj, etj.. që nga ky program po përfitojnë në dy aspekte, në aspektin komunitar, në aspektin social, në aspektin psikologjik të njerëzve që krijojnë një lidhje të re me vendbanimin e tyre dhe nuk janë pjesë e një konvikti të madh, por janë pjesë e një qyteti.
Sheshi që ne besoj se do të shohim shpejt të realizuar, sheshi “Skënderbej”, do na kthejë dy gjera; Do na kthejë identitetin, do na kthejë dhe Skënderbeun, që dhe kjo është po aq e rëndësishme sa e para. Do të çlirojë qytetin nga ky makth mu në mes, do çlirojë dhe Skënderbeun. Do të bëhet dhe Skënderbeu pjesë normale dhe do të prehet i qetë, më në fund.
Jam i bindur që ajo që ka ndodhur me sheshin e ka rrotulluar aty ku fle, heroin tonë kombëtar.
***
Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot me prezencën edhe të Kryeministrit Edi Rama, projektin e sheshit “Skëndërbej”, i cili do të përfundojë në qershorin e vitit 2017.
Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror të dedikuar tërësisht këmbësorëve dhe që me gurët dhe bimësinë që do të popullohet, do të simbolizojë të gjitha krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Projekti i prezantuar do të realizohet në 12 muaj dhe do ketë shtrirje sipërfaqësore që do të përfshijë brenda edhe pjesë të Unazës së Vogël. Është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes të projektit në 11 lulishte te vogla të ndryshme. Në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj, të përfundimit të të gjithë projektit.
Elementët kryesor të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vet sheshit. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, të trashësi 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.
Sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij projekti është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Në këtë projekt do të ketë rreth 2100 m3 rezervuare për të mbajtur këtë ujë. Gjithashtu dhe ndriçimi i godinave publike që rrethojnë këtë shesh do të bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.
Nisur nga madhësia e këtij projekti dhe e lidhur kjo me grafikun e punimeve dhe planifikimin e tij, është menduar që të angazhohen rreth 950 punëtorë dhe specialistë të ndryshëm. Ndërkohë që gjatë muajve në vazhdim bashkia e Tiranës do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi dhe qytetarë të Tiranës për mënyrën e realizimit të këtij projekti si dhe do të sigurojë komunikim koherent për qytetarët.