Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca për prezantimin e projekteve të rindërtimit:

Kryeministri Rama: Mirë se erdhët dhe faleminderit shumë!

Menduam të organizojmë një prezantim dhe bashkëbisedim në funksion të prezantimit lidhur me fillimin e procesit të garës ndërkombëtare për të ftuar të gjitha kompanitë e huaja apo vendase, të cilat do të përfshihen në procesin e rindërtimit, duke nisur nga banesat individuale.

Ndërkohë që vazhdon puna për planet zhvillimore në zonat urbane, ku bëhet fjalë për banesa me shumë njësi, pra, apartamente në lagje apo blloqe të reja banimi, është realizuar gjithçka që është e nevojshme nga pikëpamja e projektimit për banesat individuale në zonën rurale. Siç e kam thënë qysh në krye të herës, rindërtimi në territor do të nisë nga familjet më të prekura dhe edhe me më pak të ardhura e mundësi për të dalë nga kjo situatë e vështirë pas tërmetit, që përveç të tjerave janë të detyruar të qëndrojnë në çadra pranë shtëpisë së rrënuar, sepse nuk mund të shkëputen nga toka, nga gjëja e gjallë, nga puna në fermë dhe e kanë më urgjente sesa të tjerët domosdoshmërinë që të hyjnë nën një çati të re.

Për prezantimin, fillimisht do t’ia jap fjalën ministres së Kulturës, e cila është dhe drejtuesja e të gjithë procesit të planifikimit dhe të projektimit, në bashkëpunim me agjencitë tona publike dhe me të gjithë forcat projektuese të arkitektëve në terren. Pas ministres, edhe ministri i Rindërtimit do të bëjë një prezantim, lidhur me gjithë aspektet e ligjit, të procedurës e të procesit të konkretizimit të të gjithë këtij plani masiv, ku synohet që brenda këtij viti të kemi sistemuar familjet, të cilat kanë humbur banesën e tyre individuale, pra, të kemi ndërtuar dhe hapur dyert e disa mijëra shtëpive të reja.

Shumë faleminderit dhe menjëherë pas prezantimeve jeni të lutur të bëni të gjitha pyetjet që keni të nevojshme dhe që kemi edhe ne të nevojshme, për të sqarua sa më mire për publikun këtë proces.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti: Faleminderit! Ka qenë në fakt, një periudhë e gjatë pune në grupe të ndryshme, sëbashku me agjenci të ndryshme, si me Entin e Banesave, ashtu dhe me Agjencinë Kombëtarë të Unifikimit të Territorit. Kemi identifikuar deri tani 398 hektarë zona rindërtimit, në të cilat do të zhvillohen 7981 apartamente në banesa kolektive dhe 806 banesa individuale. Jemi në një sipërfaqe tejet të madhe, që ka të bëjë me 180 mijë metra katrorë rindërtim ku përfshihen edhe objekte publike. Dua të citoj këto numra, sepse japin në tërësi të gjithë punën e të gjithë angazhimin e ndërmarrë për procesin e rindërtimit, i cili nuk fokusohet vetëm me një solidaritet personal, por është tejet i gjerë në të gjithë territorin.

Kemi ecur me Programin e Rindërtimit me identifikimin e zonave ku tashmë kemi plane të miratuara, plane të detyruara vendore. Këto janë 3 zona që tashëm janë miratuar, kanë kaluar edhe në këshillat bashkiake në Bashkinë Kurbin, zona e parë, ajo e Laçit, e cila është zona, të cilën ju tashmë të gjithë e njihni, që është zona ku do të akomodohen 500 apartamentet e bashkëpunimit dhe dhurimit të qeverisë turke. Në Bashkinë Krujë, në Thumanë, një nga zonat më të goditura, më të prekura, kemi tashëm planin e detajuar e të detyruar vendor dhe në Bashkinë Shijak, që është një nga prekjet më të veçanta në krahasim me dy të mëparshmet, pasi kemi një planifikim rindërtimi në zonat ku pallatet e dëmtuara janë prishur e rindërtohen në të njëjtën hapësirë e jo më si në dy zonat e para, ku kemi një rindërtim dhe lagje totalisht të reja, të rikonceptuara nga fillimi. Në këto 3 zona kemi 1716 familje në banesa kolektive dhe 366 familje në banesa individuale. Është për t’u theksuar dhe ajo që ka thënë gjithmonë Zoti Kryeministër, që nuk flasim vetëm për akomodim të nevoja rezidenciale, por flasim mbi të gjitha për shtimin e atyre shërbimeve të munguara këtyre komuniteteve, që kanë të bëjnë me njësitë e shërbimit, me parkimet dhe infrastrukturën primare e sekondare, objektet publike dhe hapësirat publike, ashtu si dhe qendra social-kulturore, qendra shëndetësore, ose objekte arsimore.

Jemi në fazën drejt afrimit të miratimit në datën 9 mars të planeve të tjera, të zonave në Bashkinë Kurbin, zona e dytë e Laçit, ajo e cila është gjithashtu e prekur, ka në brendësie e saj dhe spitalin e Laçit dhe shumë godina të vjetra, kryesisht ato të ndërtuara me tullën silikat.

Në Bashkinë Durrës kemi identifikuar një zonë të re, e cila do të jetë totalisht një lagje e re, e mirëkonceptuar, e cila ndodhet në Shkozet.

Në Bashkinë Kavajë po ashtu kemi një zonë të re që integrohet me ndërtesat, të cilat prishen dhe rindërtohen në të njëjtën hapësirë.

Bashkia Krujë, në Fushë Krujë kemi një lagje të re, një nga modelet e reja të zonave rurale, të cilat krijojnë komunitete të reja të qendërzuara, duke i dhënë fund edhe një problematike të theksuar, që është ajo e ndërtimit informal dhe në planifikimin urban dhe në një vështirësi të madhe të komuniteteve për të aksesuar edhe shërbimet publike.

Bubqi gjithashtu është një nga hapësirat e reja me të njëjtën formulë.

Si edhe Bashkia Vorë, si në rastin e Shijakut, është një planifikim që ndërmerr rindërtimin e banesave kolektive po aty ku banesat e mëparshme dëmtohen.

Në datën 9 mars do të kemi përfundimin e këtij procesi, ashtu siç do të kemi në datën 18 mars, përfundimin e grupit të tretë që është Marikaj, zona e Durrësit ku kemi dy zona të përqendruara në qytet, në brendi, ku rindërtohen pallatet e dëmtuara, Golemin, Lezhën me dy zona dhe Bashkinë Krujë. Kemi dhe këtu numra të lartë, por jo aq të lartë sa në zonat e mëparshme. Zona e fundit që presim për miratim, në të cilën jemi në hapat e hartimit të planit, është ajo e Spitallës, një nga zonat e para, të cilat në fakt kemi marrë në vëzhgim, për të krijuar gjithmonë lagjet e reja afër lagjeve informale, por me një potencial tejet të lartë të zhvillimit që ndërthur si atë ekonomik me zona të reja ekonomike përreth, lidhja me universitetin, lidhja me portin, pra, një qendër e re e Durrësit, për t’i dhënë pak frymëmarrje dhe të gjithë ndërtimit në qytetin e Durrësit.

Planet për miratim do të vazhdojnë më pas, kemi dhe …. [e padëgjueshme] e tjera, zona që tashmë i kemi kaluar, që janë ato në Bashkinë e Tiranës. Janë 9 zona. Po ashtu edhe në këto zona, i gjithë koncepti bazohet jo vetëm në zhvillimin dhe në rindërtimin e nevojës për rezidenca, por mbi të gjitha me një rizhvillim të ri, me formula të reja, të cilat tashmë mungojnë, si start up-et për industritë, mbështetjen për studentët e shumë formula të tjera, të cilat po krijohen si pole satelitare përqark zonës së Tiranës. Nevoja për shtëpi individuale janë hartuar tashmë bazuar në 3 modele banesash dhe modelet e banesave lidhen ngushtësisht me numrin e familjareve që përbëjnë këto familje, të cilat do të akomodohen në modelet e tipologjive individuale dhe janë hartuar pikërisht duke marrë parasysh që banesat duhet të jenë sa më lehtësisht të ndërtuara, duhet të jenë banesa 1-katëshe, duhet të kenë teknologji modulare që ta bëjë të gjithë procesin e replikimit në territor sa më të thjeshtë e më të shpejtë, duhet të kenë ende elementë të mëparshëm të jetës së tyre rurale, pra, kopshte, të cilët i rrethojnë, por duhet të kenë dhe shërbime shtesë, oborre, veranda dhe mbi të gjitha ,rikthimi i ndjesisë së komunitetit. Ajo që po tentojmë të bëjmë, është që të bashkojmë këto shtëpi individuale në një lagje të re, ku edhe fryma e komunitetit të jetë më e fortë.

Lirshmëria kompozicionale ka qenë një nga kriteret bazë në momentin që kemi bërë këtë thirrje drejtuar arkitektëve, sepse replikimi dhe mbi të gjitha, mënyra e rindërtimit duhet të jetë sa më e shpejtë. Kompozimi ka qenë i tillë për të pasur parasysh që jo vetëm banesa në vetvete, por dhe hapësirat publike dhe shërbimet duhet të ishin të gjitha të mirëstudiuara që në fazën e parë. Është menduar totalisht edhe aspekti ambiental i bioarkitekturës, duke pasur parasysh që hapësirat bazike, ato të jetës, zona e dhomës së ditës, zona Living, të jenë të orientuara në mënyrë më të mirë drejt jugut, pra, i gjithë kompozimi ka patur edhe kriteret e eficiencës teknologjike.

Ndërsa përsa i përket teknologjisë, ajo është bazuar në teknologjinë modulare për fabrikate dhe elementë, të cilat përbëjnë këto shtëpi, janë elementë, të cilët janë bazuar totalisht në të gjitha standardet e eurokodeve, ka një bazament prej një pllake betoni dhe konstruksioni mbajtës është një konstruksion metalik, i cili garanton edhe në rastin sizmike, performancën më të lartë për t’i bërë ballë efekteve sizmike. Muri i jashtëm është një mur i përbërë nga dy shtresa fibër cementi dhe me izolimin me polisterol, kjo sjell akoma më tepër një efiçensë të lartë energjitike në konsumin e vetë këtyre banesave, pasi fokusi ka qenë pikërisht që investimi i sotëm të jetë një investim që për banorët e këtyre banesave individuale, të jetë një investim që edhe atyre do t’u kthehet më pas në një eficensë sa më të lartë, një ulje të shpenzimeve, sidomos në aspektin e energjisë elektrike.

Organizimi është bërë në një mënyrë modeluare, që do të mund të përshtatet lehtësisht, për të kaluar nga tipologjia 1+1 në ato 2+1 dhe 3+1. Komoditeti është përkthyer edhe në një kriter tjetër, që duhet të jetë jetëgjatësia. Kemi marrë parasysh në të gjitha modelet e parafabrikateve, ato modele që do të sillnin jetëgjatësinë më të lartë të këtyre banesave dhe kemi arritur që këtë komfort e këtë kursim ta çojmë në një jetëgjatësi prej 70 vitesh.

Kursimi i energjisë, i parashikuar me të gjithë kriteret teknike të materialeve të përdorura në këtë model, është rreth 20-30% i energjisë elektrike. Materialet janë 90% të riciklueshme dhe kjo e çon edhe frymën në Shqipëri drejt një fryme të re ndërtimi ekologjike në të gjitha standardet europiane dhe i jemi bazuar eurokodit 8, rezistencës ndaj tërmetit 9 ballë, të cilat nuk ndodhen në manualin shqiptar, por në manualet e standardeve europiane, pra, kemi ecur ende më lart me parashikimet. Një element për t’u mos u nënvlerësuar është edhe përballimi i erërave, sepse zona të ndryshme, sipas studimeve të inxhinierëve, kanë treguar se ky ishte një tjetër kriter në të cilën duhet të bazoheshim për këtë lloj kompozimi.

Montimi mendohet të jetë një montim brenda 30 ditëve dhe kemi përllogaritur dhe një komfort dhe një kursim energjie për secilën banesë, që mund të shkojë deri në 15 mijë lekë në vit.

Këto nga ana teknike besoj që janë informacione të nevojshme, pasi kanë qenë pjesë e pyetjeve të shumta, jo vetëm të gazetarëve, por dhe teknikëve në këto kohë që kemi bërë hulumtimin e në kohën që kemi qenë në procesin e hartimit të këtyre modeleve. Prandaj e menduam të nevojshme në ditën e sotme, që t’ju paraqisnim të gjitha aspektet teknike dhe kompozicionale, përveç atyre të standardeve më të larta të jetesës së tyre. Mendoj që ministri Ahemtaj do t’ju plotësojë më shumë me aspekte të tjera ekonomike.

Ministri i Rindërtimit, Arbem Ahmetaj: Faleminderit! I gjithë kuadri i prezantimit ka të bëjë mbi të gjitha, me një nga parimet kryesore të rindërtimit, që është transparenca, që është edhe parimi bazë i deklaratës së qëllimeve midis donatorëve dhe qeverisë shqiptare.

Është hera e parë që bëjmë një prezantim me gazetarët dhe siç e patë, modelet janë rezultante e kujdesshme e një procedure tejet mitikuloze nga ana juridike, por dhe teknike, për të garantuar atë që në detaje iu referua ministrja, pra, edhe zhvillimit urban, edhe zhvillimit ekonomik dhe parimit tjetër, që është po kaq i rëndësishëm, rindërtim edhe më i mirë.

Programet janë të detajuara në ligj, është ndërtimi i objekteve të reja, janë grantet e rindërtimit, është krijimi i fondit të banesave, ndërtimi i infrastrukturës publike dhe kritike dhe masat e rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike, që të gjitha të formatuara në një plan, i cili në javët apo në muajin e ardhshëm do të detajohet, për t’u prezantuar nga Kryeministri.

Ndërkohë, grantet për riparim, për dijeni të publikut, do të jenë për ato godina të dëmtuara në nivelin, për referencë teknike, DS1 deri në DS3, pra, të dëmtuara lehtë deri në mesatarisht. Rindërtimi aty ku do të shemben, dua të ndaj me një informacion të mëngjesit, vetëm në zonën jashtë Tirane, procesi vazhdon i vlerësimit të thelluar, janë 115 pallate për t’u shembur, në bazë të akteve të thelluara të Institutit të Ndërtimit dhe janë njësi individuale jashtë Tiranë, 2471, të vlerësuara në bazë të gjithë teknikës që përdor Instituti i Ndërtimit, për t’u shembur. Ndërkohë po presim dhe informacionin nga Bashkia e Tiranës, që sigurisht numrat do të jenë dhe më të mëdhenj.

Grantet janë 100 mijë lekë të reja për DS1, 250 mijë lekë të reja për DS2 dhe 500 mijë lekë të reja për DS3. Do t’i jepen drejtpërsëdrejti qytetarëve, familjareve, pas vlerësimit që do të bëhet nga bashkitë që janë brenda zonës së dëmtuar, me një procedurë po shumë të detajuar, që unë do ta përmend shumë shkurt pak më vonë. Ndërkohë kemi infrastrukturën publike që janë gati 62 shkolla që do të rindërtohen dhe disa të tjera që do të riparohen, por me konceptin rindërto më mirë, qendrat shëndetësore, infrastruktura kritike dhe objektet publike, që është një listë e detajuar që po kalon në një vlerësim të thelluar.

Ndërkohë, programi për strehimin nuk do të jetë kompensim. Do të jetë ofrimi i niveleve optimale të strehimit, jo kompensim i gjithçkaje që kanë humbur qytetarët. Për dijeninë tuaj, por dhe qytetarëve që na ndjekin, mënyra se si qeveria shqiptare i kthehet rindërtimit, mund ta them pa frikë, është unike, në përgjithësi dhe shtetet më të zhvilluara shkojnë me kombinim grantesh dhe kredish për qytetarët. Pra, programi, në krahasim me shumë programe rindërtimi në botë, por dhe në vendet e zhvilluara, edhe Italisë nëse doni, është në skajet e veta fatmirësisht shumë i vëmendshëm ndaj qytetarëve dhe tejet social për dy arsye; e para, ne humbëm për 30 sekonda 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto e nuk jemi një vend i pasur dhe e dyta, kjo qeveri, kjo maxhorancë është e majtë e në fokus ka qytetarin. Janë 60 deri në 70 metra, në bazë të modeleve që iu referua dhe ministrja, 70-80 metra për familje me 2-4 anëtarë, 90-100 metra, familje me më shumë se 5 anëtarë.

Procesi i rindërtimit, zonat e reja për zhvillim janë 26 zona të shpallura në 8 bashki. Modelet e banesave individuale, çfarë do të thotë kjo? Për njësitë individuale nuk do të ketë modele përveç 3 modeleve dhe 3 tipologjive që ne prezantuam, pra, dhe kontributorët e tjerë, që janë le të themi shoqata bamirësie, nuk do dalin dot jashtë modeleve në bazë të ligjit, kështu që dhe përpjekja dhe procedura do të jenë të përbashkëta, pavarësisht se fondet do të jenë të veçanta.

Vlerësimi i thelluar është shumë i rëndësishëm nga ana juridike dhe financiare dhe është pjesa më e rëndësishme e dosjeve që do të vlerësohen për çdo familje. Bashkia e Tiranës mbaron në 24 prill, Instituti i Ndërtimit mbaron në 30 mars procesin e thelluar. Tek shpronësimet, përshembull, në zonën e Laçit, siç i referohemi zona TOKI, ku do të ndërtojë Enti Rregullator i Banesa të Republikës së Turqisë, jemi shumë të avancuar, procedurat shkojnë nga 80 ditë në 40 ditë.

Fondi i Rindërtimit në të gjitha formatet e veta shkon në 1.15 miliardë, ju e ndoqët Konferencën e Donatorëve. Fondi është dinamik gjatë vitit dhe në fund të vitit është i trashëgueshëm. Grantet janë 295 milionë euro. Jo të gjitha grantet do shkojnë në mbështetje buxhetore, pra, do të kalojnë nëpërmjet buxhetit të shtetit, por një pjesë e tyre do të kalojën nëpërmjet buxhetit të shtetit, por të gjitha do të koordinohen, orientohen nga qeveria, nga Këshilli i Ministrave dhe nga strukturat që unë ua kam rreshtuar në një slide më pas.

Shumë e rëndësishme që të fokusohemi tek auditimi, pra, tek transparenca. Është auditimi i brendshëm, KLSH, donatorët që kanë mundësi të auditojnë gjithë programin, ose projekte të veçanta, pavarësisht nëse kanë kontribuuar apo jo në ndonjë nga programet dhe rregullat financiare janë në bazë të ligjit organik të buxhetit dhe të rregullave të menaxhimit të financave publike, që monitorohen nga Komisioni Europian, sëbashku me qeverinë. Ju sjell thjesht një tabelë fiskale nga buxheti për të parë kompozimin, që programi është më vete, është i destinuar vetëm për rindërtimin. Është shumë e rëndësishme të themi që edhe në një moment të vështirë si ky nuk e rrisim borxhin publik, përkundrazi e mbajmë në nivele, kuptohet, ulje modeste. Shumë vende e rrisin, përshembull, në Shtete e Bashkuara, kur kanë pasur uraganin Katrina, llogaria fiskale kaloi shumë miliardë dollarë në shërbim të rimëkëmbjes.

Në këndvështrimin tim shumë i rëndësishëm për t’u kuptuar është edhe se si merren vendimet, në funksion të transparencës e të instrumentit financiar. Partnerët lokalë, që janë bashkitë në zonat e prekura, fillojnë procesin, qoftë në asketin e bërjes së zonave, – dua ta theksoj se propozimet për zonat ose për P2V-të vijnë nga bashkitë, propozimet për familjet, në bazë të aplikimit dhe vlerësimit do të vijnë të votuara nga këshillat bashkiakë, me propozim të kryetarëve të bashkisë.

Njësi zbatuese, është Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës për rindërtimin dhe rikonstruksionin, AKPT është për planifikimin dhe Enti Kombëtar i Banesave është njësia zbatuese që prodhoi me sukses modelet e banesave që i patë më parë. Ministritë e linjës kanë persona të dedikuar. Koordinimi, monitorimi dhe procesimi bëhet nga ministri i Shteti për Rindërtimin.

Vendimmarrja është Komisioni Shtetëror për Rindërtimin, ku bëjnë pjesë 9 ministra dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, për informacionin tuaj, Kryeministri i ka kërkuar dhe është tashmë pranuar nga donatorët që Komisioni Shtetëror i Rindërtimit të hapet për donatorët. Donatorët kanë pranuar, mbledhja e parë e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, ku do të zgjerohet me praninë e donatorëve, Shtete e Bashkuara, Komisioni Europian, Banka Botërore, UN dhe një nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian, potencialisht Turqia, do të jenë anëtarë të përhershëm të Komisionit dhe Komisioni ka sekretarinë e vet, ku do të kemi edhe ekspertë të dedikuar nga donatorët në nivelin e Komisionit.

Këshilli i Ministrave që është niveli më i lartë i vendimmarrjes dhe transparencës, është niveli i fundit i vendimmarrjes. Instrumenti financiar është fondi i rindërtimit, grante, buxheti i shtetit, llogari unike e thesarit, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, Agjencia Kombëtarë e Emergjencave Civile është sekretariati i Komisionit, Këshilli i Ministrave vendos për shpërndarjen e fondeve dhe pastaj, Ministria e Financave dhe institucionet e tjera alokojnë fondet në bazë të vendimmarrjes, siç janë procedurat korrekte të ligjit organik të buxhetit.

Portali unik qeveritar do të update-t edhe përditë. Ne i kemi kërkuar Kombeve të Bashkuara që të jenë partnerë me ne në këtë portal, për të mbajtur transparencën të përditshme, përsa i përket proceseve në terren dhe procedurave në institucione.

Faleminderit për vëmendjen. Këto ishin pakat kryesore të instrumentit financiar të procedurave të transparencës.

Kryeministri Rama: Para se të vazhdojmë, kemi përgatitur një video, për të dhënë një pamje sa më të përafërt të banesave individuale dhe të mënyrës se si do të bëhet ndërtimi i tyre, ku preferueshmërisht do të nisim me ato pika ku do të kemi grumbullim, pra, do të krijojmë blloqe banesash individuale pranë qendrave të komunave apo të fshatrave, duke i sjellë banorët që kanë humbur shtëpitë e izoluara dhe larg shërbimeve, pranë shërbimeve, pranë kopshteve, pranë shkollave, pranë qendrave shëndetësore e duke ju ofruar një jetë të re komunitare.

[Pas shfaqjes së videos] Kryeministri Rama: Në Thumanë ka një bllok të konsiderueshëm banesash individuale dhe gjithashtu edhe disa godina me shumë njësi banimi dhe me shërbime, që vijnë në një fazë pak më të vonshme. Brenda këtij viti, nga një anë do të sistemohen ata që kanë humbur banesën individuale, nga ana tjetër do të fillojnë të ngrihen dhe të jenë në punë kantieret për ndërtimin e godinave me shumë njësi banimi dhe me njësi shërbimesh. Kështu do të jenë edhe blloqe në periferinë e Tiranës, ku kemi disa pika tanimë të përcaktuara dhe do të bëhen disa grumbullime shtëpish, për t’i dhënë një tjetër cilësi jete, në radhë të parë, fëmijëve dhe më të moshuarve që kanë nevojë për t’i pasur shërbimet pranë dhe natyrisht, për të krijuar edhe komunitet. Por do të ketë edhe shtëpi që do të thjesht vendosen aty ku janë trojet e shtëpive të prekura në fshatra të caktuar. Edhe për Bubqin e njëjta gjë. Është një plan qendërzimi i një numri të konsiderueshëm banesash. Po kështu, në Bashkinë e Shijakut, në Bashkinë e Durrësit, ku kemi parasysh që janë disa zona pranë si Ishmi, që janë të prekura në mënyrë të konsiderueshme.

Ajo që dua ta theksoj shumë fort, sepse është e rëndësishme të theksohet, është se bëhet fjalë për një sistem me të cilin sot që flasim ndërtohen resorte turistike me 5 yje. Bëhet fjalë për një sistem që ka në të gjithë skeletin e vet çelik të galvanizuar. Kemi bërë shumë kërkime, janë bërë analiza nga grupet e punës dhe kemi preferuar që të paguajmë më shumë, për të garantuar një qëndrueshmëri shumë të lartë. Bëhet fjalë për godina që kanë garancinë e paprekshmërisë së tyre, që nuk do kenë nevojë për asgjë, përveç lyerjes ndoshta, kur ta kenë të nevojshme banorët që në 70 vjet garanci. Ndërkohë që të tjerat kanë vite garancie më të ulëta, përshirë edhe ndërtimet e sotme që bëhen nëpër zonat periferike apo rurale, me tullat me vrima e me ato historitë me blloqe betoni, që janë me garanci shumë më të ulët.

Dua të theksoj po ashtu që me këtë proces hapet një front i madh punësimi. Qëllimi ynë është që të kërkojmë nga kompanitë që do të hyjnë në proces si fituese të garave, që të vendosin paga të konsiderueshme dhe jo paga të ulëta apo minimale për punëtorët. Do të kërkohet një punë që fillon në ditët në vijim, për të trajnuar krah pune. Do iu referohemi në radhë të parë, shkollave profesionale. Do të ftojmë nxënësit e shkollave profesionale, që janë të lidhur me procesin e ndërtimit, që të aplikojnë për të marrë pjesë në këtë zhvillim kaq të rëndësishëm për vendin dhe po kaq të favorshëm për të rritur kapacitetet profesionale dhe teknike. Keni parasysh që bëhet fjalë për shumë vende pune, ndërkohë që sot po e shohim shumë mirë që ka plot nevoja, madje dhe alarmante, pikërisht në këtë fushë nga kompanitë që kanë filluar të merren me meremetimet dhe faktikisht nuk ka kapacitete të mjaftueshme të krahut të punës si pasojë e shumë juristëve që qëndrojnë në kafenenë poshtë dhe thonë jemi pa punë. Por kjo është një temë tjetër.

Ne mezi po presim që të fillojmë punën në terren. Gjithçka është bërë sipas kalendarit, me shpejtësi maksimale, por nuk duam që shpejtësia të dëmtojë cilësinë. Dëshirojmë shumë që të jemi të shpejtë dhe cilësorë dhe do bëjmë gjithçka për këtë. Ndërkohë që gjithë planifikimet dhe studimet e nevojshme, bashkë me projektimin nuk janë një fjalë goje, por kërkojnë shumë kohë dhe ato po bëhen në kohë rekord dhe besoj se do të mbajmë fjalën që familjet e prekura, që kanë humbur shtëpitë, do ta kalojnë Vitin e Ri në shtëpi dhe në shtëpi të pakrahasueshme për nga të gjitha aspektet me ato që humbën. Shtoj këtu një element, që ky program rindërtimi ka edhe një komponent politike të rëndësishme sociale strehimi, pasi ato familje me disa kurora që kanë humbur një shtëpi, do të mund të marrin aq shtëpi, sa kanë kurora. Natyrisht, ky do të jetë një proces shumë i monitoruar dhe shumë transparent, për të mos i hapur shteg abuzimeve dhe për të mos stimuluar kurora me normë pune, për të marrë një shtëpi të re.

Zoti Kryeministër, qeveria ka përfituar rreth 300 milionë euro donacion nga Konferenca e Donatorëve, ndërkohë që pjesa tjetër ishte oferta për kredi dhe grante. A ka marrë qeveria një vendim, sesa kredi do të marrë, apo a do të marrë kredi nga këto oferta në mënyrë që të përballohet procesi i rindërtimit, fatura e të cilit kalon 1 miliardë euro?

Kryeministri Rama: Qeveria ka falë suksesit të jashtëzakonshëm që arritëm në Bruksel, një frymëmarrje shumë të gjerë. Faktikisht, të gjithë këto procese që fillojnë, fillojnë pa pritur që të materializohet kanalizimi i fondeve nga donatorët, pra, janë të gjitha procese që, siç e kam thënë më parë, i kemi garantuar vetë. Edhe sikur të ktheheshim nga Brukseli pa asnjë cent, ne nuk do linim asnjë jashtë, por sigurisht që do të ishte shumë më e shtrënguar dhe do të cenonte të tjera programe, ashtu sikundër do të ndikonte në parametrat fiskalë të vendit, gjë që nuk ka ndodhur dhe kjo është diçka historike, mendoj, në shumë aspekte.

Përsa i përket shumës së mbledhur në Bruksel, ne jemi në punë me donatorët. Është një punë më vete, sepse kini parasysh që vendet erdhën në Bruksel pa u konsultuar me njëri-tjetrin, por duke lexuar raportin, për të cilin kemi marrë komplimente goxha të pëlqyeshëm për nga shpejtësia dhe profesionalizmi me të cilin e kemi bërë. Duke lexuar raportin, të gjithë kanë avancuar angazhimet e tyre. Tani është koha për t’i ulur të gjithë në një tryezë dhe për t’i koordinuar, pasi, siç ndoshta e vutë re, shumë vende e lidhnin dhurimin me diçka konkrete, shkolla, ujësjellës, institucione publike e kështu me radhë, që do të thotë që, p.sh, kemi pasur shumë më tepër ofertë për shkolla, sesa është nevoja. Atëherë do të duhet që të bashkërendojmë dhe për këtë arsye po bëjmë një diskutim intensiv me Komisionin, për të pasur një trup të përbashkët dhe Komitetin Shtetëror, për ta kthyer në një komitet të rindërtimit ndërkombëtar, në mënyrë që donatorët të dinë ekzaktësisht ku shkojnë fondet buxhetore, edhe të Shqipërisë dhe ku shkojnë fondet e akorduara prej tyre. Ashtu sikundër të monitorojnë bashkë me ne të gjithë procesin, për të garantuar transparencë maksimale dhe për të mos lënë asnjë shteg për abuzime.

Kjo është pritur mirë. Nuk është diçka e zakonshme dhe duke mos qenë diçka e zakonshme, kanë ndodhur eksperienca shumë të hidhura me vende të tjera që kanë përballuar fatkeqësi natyrore. Besoj se do ta bëjmë shumë mirë, por ajo që është e rëndësishme, është që nuk presim. Ne vazhdojmë punën, sepse të gjitha gjërat i kemi me radhë në kalendar dhe nuk kemi ankthin që a do kemi fonde për t’i mbuluar të gjitha.

Kështu që ne do të marrim nga ajo shumë të gjitha ato që na nevojiten. Kreditë janë super të favorshme, por jo domosdoshmërisht do të na duhet e gjithë shuma në këtë fazë. Gjëja më e rëndësishme është që ne nuk kemi asnjë problem për të mbuluar financiarisht këtë rindërtim që po bëjmë. Kur them “rindërtimi që po bëjmë”, këtë e them me përgjegjësi. Është një rindërtim që ne duam ta bëjmë model suksesi për të gjithë dhe që të përdoret si model edhe nga Komisioni nesër, në rast se do të ketë largqoftë, fatkeqësi të tjera në vende të tjera, për mënyrën sesi organizohet një proces i tillë. Po të shikoni adresimet e plagëve të hapura nga tërmetet, nuk do të gjeni një rast ku qeveria t’u japë vila falas, me hapësira sipas standardeve europiane për frymë, atyre që kanë humbur shtëpitë. Nuk ka. Ose i fut nëpër kotece, ose, nëse shkojnë në shtëpi, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve, sidomos në vendet e zhvilluara, nuk ka falas, nuk ekziston. I krediton në një mënyrë të caktuar, të kombinuar me një grant, pra, është një proces komplet tjetër.

Ne shtëpitë do t’ua japim falas, shumë më të mira sesa i kishim.

Por nuk është vetëm kjo. Ne nuk do të rindërtojmë thjesht mbi truallin e shtëpisë, por do të rindërtojmë gjithë hapësirën ku do të jetojnë këto familje, me infrastrukturën komplet ndryshe. Thumana, kur ne të shkojmë për t’ju dhënë njerëzve çelësin, nuk do ketë lidhje me Thumanën ku ata jetonin nga pikëpamja e infrastrukturës, shërbimeve dhe gjithë hapësirës së jetesës. Po kështu edhe në zonat e tjera. Blloqet e reja të banimit që do të ndërtohen, do të jenë për arsye sociale, por ju siguroj se do jenë absolutisht në të njëjtin nivel cilësie si apartamentet që blejnë të pasurit në Tiranë apo në Durrës, ose si ato që blejnë ata që mund ta blejnë një apartament dhe do të jenë falas.

Kjo është sfida jonë, në mënyrë që të bëjmë një transformim.

Flasim për Spitallën. Sot, kur sheh Spitallën pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, duket sikur po i merr njerëzit dhe po i çon në një hapësirë pa lidhje. Nesër, aty do të jetë një pol i ri zhvillimi, i kombinuar me një projekt tjetër, që ne uroj dhe shpresoj ta finalizojmë sa më shpejt, të një investimi të madh të huaj për një zonë ekonomike në anën tjetër të universitetit. Plus, parku ekologjik që do të ndërtohet aty ku deri dje ishte vatra e kancerit të gjithë qytetit të Durrësit dhe më gjerë, plehrat në Porto Romano, do të bëjnë që fëmijë e gjithë këtyre familjeve, në radhë të parë, por dhe të gjithë të tjerët të kalojnë në një tjetër standard jetese. Kjo është sfida.

Zoti Kryeministër, Programi i Rindërtimit parashikon që brenda këtij viti të keni përmbyllur ndërtimin e 4 mijë banesave të para. Sa kohë do t’i duhet qeverisë që të përmbyllë 26 zonat e ndërtimit me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe çfarë efektesh pozitive pritet të ketë në ekonomi injektimi i këtyre fondeve të konsiderueshme?

Ndërsa për zonjën ministre, doja të dija sa përqind e këtij buxheti pritet të shkojë për monumentet e trashëgimisë kulturore dhe a do jetë e nevojshme prania e ekspertizës së huaj për to?

Kryeministri Rama: Për shtëpitë, sot mund të themi me plot gojën që në mos të gjitha, pjesën dërrmuese, – quajeni 90%, quajeni 95%, se ka gjithmonë gjëra që dalin jashtë parashikimeve, – t’i kemi të ngritura dhe njerëzit të kalojnë Vitin e Ri aty.

Përsa i përket blloqeve, ato janë pak më të komplikuara, sepse bëhet fjalë për ndërhyrje shumë më masive, por besoj që të gjitha kantieret do të mund të ngrihen brenda këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër. Jam i bindur që brenda vitit 2021 do të kemi filluar të fusim një pjesë të madhe të njerëzve në këto apartamente dhe pjesa tjetër do ta dijë ekzaktësisht dhe do e shohë që ajo godinë ku do marrë apartamentin është në ndërtim. Kjo është pak a shumë, se të japësh afate precize, kur janë gjëra që kanë shumë të papritura rrugës, të të gjitha natyrave, mbase është pak e ekzagjeruar, por 2020-ta është viti i familjeve që kanë humbur shtëpinë individuale dhe 2021-shi është viti i familjeve që kanë humbur apartamentin në godina të pabanueshme, të cilat do t’i lënë vendin godinave të reja. Kjo është pak a shumë e ndarë në dy pjesë.

Përsa i përket ekonomisë, ajo që është më e rëndësishmja, pas garantimit të financimit për të gjithë procesin e rindërtimit, është pikërisht mundësia e re që na është dhënë nga ky 1.1miliardë, që nuk është thjesht një shumë parash që ne e kemi aty dhe mund ta përdorim për rindërtimin, por është një hapësirë e re fiskale. Kjo, e kombinuar me OFL-në, sepse OFL-ja është një operacion kundër krimit, por është një operacion me ndikim ekonomik të rëndësishëm, për të çliruar ekonominë nga tentakulat bllokuese të krimit, bashkë me një masë tjetër, që nesër do ta prezantoj në Kongres dhe me disa masa të tjera shtesë, mendojmë dhe besojmë që do të kemi një situatë ekonomike me një potencial të çliruar dhe në çlirim të vazhdueshëm, që do të çojë në një nivel tjetër tërësor, duke pasur në konsideratë edhe faktin që tanimë jemi drejt finalizimit të një sërë investimesh shumë të rëndësishme të huaja.

Parashikojmë që, më në fund, pas shumë vitesh përpjekjeje dhe shumë vitesh vështirësi, do të mund të krijojmë në volum investimesh të huaja që është shumë më i madh sesa volumi mesatar i të gjitha viteve të mëparshme, përshirë dhe këtë vit. Kështu që jam shumë optimist dhe për këtë arsye i gjithë fokusi ynë do jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia. Të gjitha të tjerat janë çështje që ka plot të tjerë që mund të merren me to.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti: Ne tashmë kemi hartuar një plan të detajuar që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Jemi në fazën që jemi gati për ditën e martë në Komisionin e ardhshëm të Rindërtimit të paraqesim të gjithë analizën për projektet e nevojshme, pasi, siç e dini, specifika e monumenteve është e tillë që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar. Ashtu siç bëmë për planet e detyruara vendore, në të njëjtën mënyrë do të kemi një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjitha projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha të konsolidimit. Mendojmë që do kemi pa ashtu nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë, por projekti i detajuar i zbatimit do duhet të kalojë në një proces tjetër. Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve që janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore, si rasti i Amerikës, si rasti i Polonisë, Zvicrës e vende të tjera. Kështu që është një proces, i cili po futet tashmë në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve të shkurtra, do të kemi dhe koston totale të implementimit të tyre.

Zoti kryeministër, duke qenë se në Konferencën e Donatorëve, një nga kriteret kryesore ishte transparenca, a do të ketë një strukturë të posaçme të vendosur në vendin tonë për monitorim nga ndërkombëtarët?

Një pyetje të dytë, lidhur me marshimin që Presidenti i Republikës ka paralajmëruar ditën e hënë, ai akuzon se ndaj Presidencës dhe ndaj vendit po bëhet “grusht shteti”. A keni ju një koment për këtë?

Kryeministri Rama: Presidenti e ka shtëpinë, më shumë se një shtëpi. Unë jam këtu për shtëpitë e atyre që jetojnë në çadra, apo që jetojnë në shtëpitë e të tjerëve me qera dhe presin të kthehen në shtëpitë e tyre. Për ata jam unë këtu, jo thjesht në këtë konferencë, por në të gjitha orët e ditës time, me gjithë natë. Kështu që jua kam lënë juve çështjen e Presidentit. Unë nuk merrem me Presidentin. Është shumë luks i madh për mua.

Përsa i përket transparencës, unë dua të përsëris që, duke arritur të kemi një Komitet Shtetëror të përbashkët, pra, një Komitet Shtetëror Ndërkombëtar, ne garantojmë të gjithë procesin nga kjo pikëpamje, garantojmë donatorët, garantojmë qytetarët, garantojmë veten tonë, për të mos pasur abuzime me fondet e buxhetit tonë, por dhe të donatorëve. Nuk kam kërkuar në Amerikë fillimin e punës së Akademisë së Transparencës për të siguruar donatorët, por, në radhë të parë, për të siguruar taksapaguesit shqiptarë dhe sigurisht, edhe donatorët. Kështu që besoj që edhe nga kjo pikëpamje, ne duam ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për të rindërtuar me standarde komplet të tjera, për t’ju dhënë njerëzve të pamundur mundësinë që të kenë shtëpi, që nuk do t’i ndërtonin dot kurrë me forcat e tyre ekonomike, për t’iu dhënë zonave të prekura një dimension të ri social dhe ekonomik.

Thumana, – sot mund të duket si absurditet kjo që po them, por kështu dukej edhe për Belshin kur thoja se do të jetë një vend turistik, pasi Belshi ishte bërë faktikisht si stacion treni ku të gjithë prisnin të vinte treni dhe të iknin, – ka një liqen shumë pranë dhe është e rrethuar nga një natyrë e mrekullueshme. E nga një ferr urban që u prek rëndë nga tërmeti, ajo do të kthehet në një pikë që fare mirë mund të jetë një pikë që të jetojë me turizëm ditor, fundjavor, me shërbime.

Laçi që për shumë vite ishte kryeqyteti i bingove dhe i bixhozit ka tre milionë turistë në vit, që shkojnë në zonën e shenjtë të Shna Noit. Ata janë nga Shqipëria dhe nga trojet shqiptare, të cilët vijnë me makinë, bëjnë një parkim asfiksues atje se s’kanë çfarë bëjnë tjetër, kryejnë ritualet, hipin në makinë dhe ikin prapë. Nuk ndalon njeri në Laç. Me këtë zhvillim do të jetë e mundur që edhe Laçi të hapë një përmasë të re.

Çfarë do të thotë të rindërtosh për të qenë më mirë?

Nuk është rindërtimi që do të bëjmë i godinave që u dëmtuan dhe që tani janë shembur dhe ku do të ndërhyjë agjencia e strehimit, Enti Kombëtar i Banesave të Turqisë, por është edhe rruga, spitali ku do të ndërhymë ne. Janë bashkë me këtë edhe projektet e infrastrukturës, është dhe projekti i transformimit të zonës, të hapësirës që shkon për tek Kisha, në një hapësirë turistike, të transformimit të rrugës, krijimit të mundësive të tjera për parkim, të moslejimit të makinave që të shkojnë e më falni që po e them, por vetëm në Shqipëri dhe vetëm shqiptarët mund të jenë besimtarët që duan t’i shkojnë altarit me fuoristradë dhe mos bëjnë asnjë metër në këmbë. Ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera nuk bëhet fjalë që të shkosh në zonat e shenjta me makinë dhe të prekësh me parafango këmbët e Krishtit.

Të gjitha këto do të krijojnë një mundësi ekonomike të madhe, pasi do të thotë që njerëzit mund të qëndrojnë një ditë, mund të qëndrojnë një fundjavë. Ata që vijnë me të sëmurë dhe që e besojnë se mund të gjejnë lehtësim për njerëzit e tyre mund të qëndrojnë me ditë, duke patur struktura akomoduese dhe njësi shërbimi. E të gjitha këto vënë në lëvizje një ekonomi.

Folët për monumentet e kulturës. Është prekur Kalaja e Durrësit, është dëmtuar, por kjo nuk është një arsye që ne thjeshtë të riparojmë murin e kalasë, por kemi filluar projektin për gjithë amfiteatrin. Është bërë një projekt tërësor për amfiteatrin, për ta çuar në një nivel tjetër, duke prishur një sërë godinash, aty. Jemi i vetmi vend që kemi akoma shtëpi që rrinë mbi historinë aq të çmuar  për ekonominë. E të gjitha këto janë të mundura se morëm 1.1 miliardë dhe jo se do t’i çojmë 1.1 miliardët në drejtime të tjera, por se ai 1.1 miliardë na jep mundësinë që të kemi frymëmarrje më të gjerë fiskale. Nuk jemi të shtrënguar thjesht që të plotësojmë nevojat imediate për strehim, por jemi të detyruar të plotësojmë nevojën për një kapërcim në një tjetër situatë.

A ka një datë konkrete se kur do të fillojë puna në terren me ndërtimin e banesave të para të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit?

Pyetja e dytë, nëse më lejoni, gjatë ditës së djeshme është publikuar një letër e tetë socialistëve të vjetër, të cilët i kanë dërguar një letër përfaqësisë së Kongresit të PS-së, ku kërkojnë reformimin e Partisë Socialiste. Së pari, ju jeni njohur me këtë letër dhe së dyti, a jeni të gatshëm t’i votoni këto ndryshime në Kongresin e PS-së, ditën e shtunë?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk ka socialistë të vjetër. Socialistët janë gjithmonë të rinj. Mos harroni Dritëro Agollin. Ishte, nuk e di sesa, dekada më i moshur se ju, por ishte shumë më i ri se ju. Kështu që mos flisni për socialistë të vjetër. Të jesh socialist do të thotë të mos jesh asnjëherë i vjetër. E dyta, e përsëris, unë jam këtu për ata që kanë humbur shtëpitë. Socialistët e kanë shtëpinë top. Kështu që kur e ke shtëpinë top, të gjitha të tjerat janë luks, diskutimet, debatet. Nuk kemi problem me shtëpinë e socialistëve, e kemi top për të gjithë, pa dallim moshe.

Përsa i përket datës, ju e doni një datë tamam, apo do t’ju mjaftonte t’u thosha fillon të hënën.

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj: Të hënën, jo të kësaj jave, por të javës tjetër hapet procedura ndërkombëtare për njësitë individuale.

Kryeministri Edi Rama: Që do të thotë se ka  një afat për të marrë ofertat, përcaktohen fituesit, bëhet një marrëveshje kuadër, si është përcaktuar i gjithë procesi dhe fillon puna. Kështu që datë tamam nuk mund t’u jap, por jemi shumë pranë fillimit dhe kini parasysh edhe një gjë, që i gjithë plani ishte që në pranverë  të fillojë pasi edhe klima është e nevojshme. Po kështu edhe spitali i Laçit, që e kam thënë qysh atëherë që do ta fillojmë – të gjithë thonin “si ka mundësi”, “çfarë po flet ky”, – brenda pranverës dhe ai do të nisë nga puna. Le të themi në qershor maksimumi, sepse janë procedura që duhen ndjekur. Ajo që po e përsëris, në datë 31 dhjetor 2020, në vigjilje të 1 janarit 2021, të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë, – me përjashtime të natyrës që nuk i parashikojmë dot, – 4 mijë banesa do të hapin dyert për njerëzit që sot janë pa shtëpi, që rrinë në çadra, rrinë tek fqinjët, të afërmit e kështu me radhë. Këtë mund ta them me plot gojën. Në 31 dhjetor, këtu do të jemi dhe do të flasim përsëri për këtë. Mbajeni në arkiv dhe ta nxirrni në video që e ke thënë kështu.

Zoti Kryeministër, ka një ligj të miratuar për borxhin publik dhe në 2020-n nuk duhet ta kalojë 320 milionë euro. Duke qenë se nga Konferenca e Donatorëve morët afër 800 milionë euro dhe donacione që kryesisht përkthehen në kredi, ju e prekët pak, po desha ta dija saktë, nëse do ta shkelni ligjin për borxhin publik, meqë ka dhe një debat tani me Presidentin që ju akuzon si maxhorancë që shkelni ligjet, shkelni Kushtetutën , apo do të ketë një ndryshim të kufirit të borxhit publik?

Kryeministri Edi Rama: E patë në prezantimin e  ministrit. Unë e kam thënë më parë, pa e ditur rezultatin e Konferencës së Donatorëve, ne do të rindërtojmë dhe nuk do të prekim borxhin. E vetmja gjë që do të bëjmë, është që do të ngadalësojmë uljen e borxhit. Pra, nëse do ta ulnim më shpejt, tani do ta ulim më ngadalë, por nuk do ta rrisim borxhin dhe nuk do të prekim programet vitale të ekonomisë. Ndaj sot e them prapë, mos u shqetësoni, mos u mundoni nëpër shifra, të kombinuara me këto ankesat që vijnë nga krahët e tjerë për Shqipërinë që “po lëngon”. Të çojnë në drejtim të paditur. E rëndësishme është që borxhi nuk preket.

Zoti Ahmetaj, prej disa javësh qytetarët janë duke aplikuar në platformën online në lidhje me problematikat që ato kanë patur në  banesat e tyre, me dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Sot, në fakt është dita e fundit, është 28 shkurti. Si po ecën ky aplikim dhe a keni ju informacion që qytetarët kanë aplikuar në këtë platformë online. Pyetja e dytë, pak minuta më parë, ju prezantuat dhe platformën e procesit të rindërtimit. Për të gjithë qytetarët dhe për ta bërë dhe pak më të qartë edhe për publikun, familja me një deri në dy anëtarë përfitonte nga 60 deri në 70 metra katrorë banesë. Por, nëse kjo familje me këto anëtarë ka dhe një banesë tjetër të shembur nga tërmeti, si do të procedohet për banesën e dytë? Do të përfitojë dhe për banesën e dytë, apo vetëm për një banesë?

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj: Po e nis nga pyetja juaj e fundit. Siç e theksuam, programi i rindërtimit nuk është kompensim. Ky program është thelbësisht social, zgjidh problemin e strehimit, siç ju referua edhe Kryeministri, për kurorat, madje, në fund të procesit ka për të krijuar edhe fond social  banesash për atë hap tjetër që do të ndërmarrim vitin tjetër me këtë logjike, për të frenuar rënien demografike. Pra, jo. Nëse ti ke dy banesa, edhe sikur të jenë rrëzuar të dyja, vetëm njërën përfiton nga Programi i Rindërtimit. Edhe nëse ke dy banesa, njëra nuk është rrënuar, por është e padëmtuar, ajo familje nuk përfiton nga Programi i Rindërtimit, sepse nuk është kompensim. Juve ju referuat platformës së aplikimit. Sot që jemi duke folur janë dhe 40 mijë aplikime, vazhdojnë edhe sot, sepse është dita e fundit. Të dielën, ne kemi planifikuar një takim me bashkitë, për t’i përgatitur për fazën e dytë që është faza e vlerësimit. Sigurisht që 28 nuk ishte afat ligjor, ishte afat procedurial, i vendosur nga qeveria në mënyrë që bashkitë si përgjegjëse për këtë proces të ecnin me ritmin e duhur, në mënyrë që ne, si planifikues në nivelin qendror, të kemi mundësinë që të planifikojmë saktë çfarë profilesh shtëpish dhe ku do të ndërtojmë.

E treta, në lidhje me atë që pyetët dhe Kryeministrin, ai është deficiti dhe duhet ta theksoj është shkatërruar 7,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 30 sekonda. Pyetja për borxhin nuk është relevante. Në çdo vend, hapësira fiskale – e shënuar edhe në ligjin  e buxhetit, – në momente të vështirësive dhe të fatkeqësive natyrore relaksohet. Është parimi numër një që bie menjëherë pas parimeve të normalitetit. Nuk është normale situata, kalohet në instrumente normalë. E megjithatë jemi shumë të maturuar, po ta shikoni, ne nuk e rrisim borxhin. Po jetë nevoja në një plan patjetër që do të relaksojmë maturueshëm por jo, siç e shikoni është një nivel gati flat, me një ulje më të ngadaltë sesa 5 vitet e tjera. E fundit fare është, për çfarë u konsoliduam  5 vite, kursyem 5 vite, rritëm të ardhurat 5 vite. Logjika e çdo qeverie është që përgatitet edhe për një ditë shiu, ose për një ditë tërmeti, ose për një ditë përmbytjeje. Ja si ndodhi që nuk është në duart tona.

Kryeministri Edi Rama: Sikur tërmeti të kishte ndodhur larg qoftë në nëntor të vitit 2013, këto biseda do të dukeshin përralla. Do të kishte qenë absolutisht e pamundur, jo të rindërtohej, por as të rimëkëmbeshe nga goditja në ekonomi që përmendi ministri. Kjo është ajo që kemi bërë ne nga 2013 deri më sot, që jemi të gatshëm të përballojmë një goditje të tillë, edhe pa mbështetje. Sigurisht me shtrëngim, por pikërisht që kemi bërë gjithë sa kemi bërë, e patë në Bruksel se çfarë morëm.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.