Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen për trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri:

Fort të nderuar ambasadorë dhe miq të ftuar!

Mirë se erdhët në këtë takim tradicional, të cilin ndryshe nga vitet e kaluara e bëjmë fill pas ndërrimit të viteve, pasi fundviti i shkuar ishte posaçërisht intensiv.

Faktikisht, në kthim të pushimeve festive, ju gjetët këtu një qeveri të re, por gjetët të njëjtën Shqipëri, si shembull avazi tanimë i vjetër i Presidentit tonë të Republikës, i cili përsëri refuzoi të dekretojë një ministër, por, duke qenë se këtë radhë bëhet fjalë për ministrin e ri për Europën dhe Punët e Jashtme, s’mund ta anashkaloja këtë fakt në këtë fjalë, sonte.

Sidoqoftë, përpara sesa të flas për këtë dhe për të tjera akoma, është momenti për t’Ju uruar, sa jemi ende në kohë nga pikëpamja protokollare, një Vit të Ri sa më të mbarë për Ju, familjet Tuaja, ekipet këtu dhe vendet tuaja!

Një urim të posaçëm sonte, atyre që janë për herë të parë në këtë takim tradicional, krerëve të rinj të misioneve diplomatike, akredituar nga janari deri në dhjetor të vitit 2018, ambasadorëve të Turqisë, Hungarisë, Arabisë Saudite, Brazilit, Bullgarisë, Holandës, Katarit, Zvicrës dhe Sllovakisë, si dhe padyshim kreut të ri të Delegacionit të Bashkimit Europian. Bashkë me të cilin dua të uroj veçanërisht zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në pritje që viti i ri të na sjellë shefin apo shefen e re të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri, pavarësisht faktit se Leyla nuk ka lënë që të ndihet asnjë boshllëk.

Dëshiroj gjithaq që t’i uroj mirëseardhjen, këtu përpara jush, nga njëra anë dhe vijimësi të mbarë, nga ana tjetër, anëtarëve që i bashkohen skuadrës sonë qeveritare dhe atyre që largohen nga qeveria, por, siç e thotë një shprehje franceze, e përdorur rëndom 50 vite më parë, i bashkohen rezervës së republikës. Të gjithë sëbashku do t’i japin procesit qeverisës një dinamikë të re dhe s’kam asnjë dyshim, vendit një progres edhe më të prekshëm gjatë këtij viti, në çdo fushë.

Ju ftoj të gjithëve ju, të nderuar miq, përfaqësues të trupit diplomatik, që të krijoni kontaktet tuaja me ministrat e rinj, duke i përforcuar ato ekzistente me kolegët dhe pararendësit e tyre. Do të na duhet në çdo plan sinergji.

Sinergji mes nesh dhe jush.

Sinergji dinamikash konstruktive dhe shtendosëse në tërësi, duke filluar nga rajoni.

Sinergji urëlidhëse dhe rindërtuese në projektin europian, i cili pa zgjerimin është një proces i gjymtuar dhe pa Ballkanin është një Union i shpërfytyruar.

Sinergji në përballjen e krizave që janë kthyer mjerisht në fenomene, tanimë globale, prej të cilave nuk ikën dot asnjë vend, sado i madh, apo sado i vogël, sado në qendër, apo sado në periferi.

Dua ta theksoj se do të na duhet një sinergji autentike në fuqizimin e rolit të faktorit shqiptar në rajon dhe më gjerë, si një rol që bart misionin e stabilitetit, të dialogut dhe të paqes. Jo vetëm për të konsoliduar çfarë kemi arritur në këtë drejtim, por edhe për të parandaluar çfarëdo kthimi mbrapa.

E dua ta theksoj jo pa qëllim sot dhe këtu, se idetë hegjemonike që qarkullojnë hera-herës si re mbi kokat tona dhe jo rastësisht, kur në një hapësirë, apo një hapësirë tjetër, apo brenda hapësirës tonë ka përplasje interesash politike, nuk janë krijime të mendimit shqiptar. Autorëve të tyre, unë dua që t’u kujtojmë në gjuhën tonë shqip dhe në alfabetin tonë latin, se të atashuar ndaj territorit tonë të shenjtë të Republikës së Shqipërisë, ne jemi krenarë dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj kombit tonë të madh, që i shtrin gjymtyrët e tij stërgjyshor përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë.

Tiparet e kohës, sot, në tërësi mund të duken të zymta, shtrëngatat e aktualitetit si në politikat e brendshme, po ashtu edhe të jashtme, në shumë vende po marrin gjithnjë e më shumë forma të paparashikueshme, destruktive dhe irracionale në momente të caktuara. Megjithatë, Shqipëria, një vend i vogël, por shtet jo më dhe aq i ri, beson fuqishëm tek rruga e vlerave dhe e parimeve të shoqërisë së popujve dhe vendeve ku ne ndjehemi pjesë, tek rruga e stabilitetit, dialogut dhe e paqes ku ne duam të kemi zërin tonë, veçanërisht në një rajon ku kemi ndërmend të marrim edhe më shumë rol, në emër të këtij besimi të fortë tek sa na shtyn dhe na frymëzon në këtë rrugë.

Ndërvarësia dhe sinergjitë tona ndërlidhëse, posaçërisht me dy aleatët tanë të patjetërsueshëm strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian janë jo vetëm hë për hë, por, në këndvështrimin tim, edhe për shumë e shumë e shumë kohë, të vetmet antidot ndaj tundimeve hegjemonike, përballjeve nervoze, kokëkrisjeve verbale, apo kërcënimeve të armatosura, në këtë zonë të Europës ku jetojmë, por edhe në tërësi, sipas meje.

Më vjen fort mirë që sonte, ne në mblidhemi këtu, pas një përpjekjeje maksimale, por të suksesshme njëkohësisht, për të marrë kryesinë e OSBE-së. Besoj që është hiri i të vërtetës që e kërkon, të nënvizoj se ministri Bushati ka luajtur një rol të veçantë në këtë proces, si në shumë aspekte të tjera. Edhe përpara jush sot, unë dua ta falënderoj me mirënjohje për shërbimin dinjitoz që i ka bërë Republikës së Shqipërisë.

Ai dha më të mirën e tij në detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe nga lartësia r një eksperience, tanimë goxha të konsiderueshme, do të vijojë të jetë një vlerë e shtuar e qeverisjes tonë dhe e familjes sonë politike.

Më vjen sinqerisht keq, që pasuesi i tij, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, gjëra të cilat do të keni mundësinë t’i konstatoni nga afër, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm i Europës dhe Punëve të Jashtme në një mënyrë tejet të pazakonshme në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik dhe publik.

Paragjykimet, balta e terrenit politik shqiptar dhe mllefi i pangushëllueshëm i injorantëve kanë bërë për të, prezantimin më të rrejshëm publik që mund të imagjinohet, përpara se ai vetë të hapë gojë si ministër.

E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për të paktën 3 arsye:

Sepse është shumë i ri, domethënë, nuk i përket botës së tyre të vjetër;

Sepse është shumë i pastër, domethënë, nuk mund të akuzohet për asgjë;

Sepse është nga Prishtina, domethënë, që një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por, ama, si kosovar mund të përdoret si mish për top nga të gjithë ata që haptazi, ose nën rrogoz i janë kundërvënë egërsisht, me vandalizëm verbal, dialogut Kosovë-Serbi.

Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, as si i ri, por si një shqiptar europian, pasionant për dijen, për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon me mua, shtetas i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër, që në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme ka mbuluar integrimin.

Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është një keqdashës, ose është një keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma.

Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, që i takon lidershipit demokratikisht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës, në radhë të parë.

E di shumë mirë që s’kemi dëgjuar asgjë akoma, me ç’do na dëgjojnë veshët më tutje, por dua ta bëj të qartë, për të gjithë dhe njëherë: Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Pikë!

Të tjerat janë fukarallëk mendjesh dhe maskarallëk politikanësh. Nuk e di si do t’ua përkthejnë në anglisht shprehjet “fukarallëk”, “maskarallëk”, por ambasadori i Turqisë, besoj, mund t’ju ndihmojë me një përkthim alternativ.

Më tutje dua të theksoj se ne kemi qëllim të rrisim intensivisht komunikimin politik dhe të drejtpërdrejtë në rajon. Në radhë të parë me shqiptarët në rajon. Padiskutim, me theks të veçantë Kosovën, por edhe të gjithë vendet e tjera, shqiptarët në Serbi, shqiptarët në Malin e Zi, shqiptarët në Maqedoni. Por, ama, qëllimi ynë është ai që thashë dhe ne do të punojmë me mish e me shpirt në drejtimin e patjetërsueshëm për ne. Ne duam një rajon që të jetë vendi ku e ardhmja e fëmijëve tanë shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, të mos jetë si e djeshmja, që, me sa duket, e kemi ende shumë të vështirë ta lëmë pas.

Dy gjëra kam për ju, të dashur miq dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Së pari, ne jemi përgatitur dhe në pranverë do të hapim kufirin me Kosovën, por dëshiroj që askush të mos e deformojë qëllimin dhe përmbajtjen e këtij akti, duke e ricikluar përsëri në atë vazhdën e mbetjeve të nacional-folklorizmit të të shkuarës. Çka ne do të bëjmë, është shumë e thjeshtë. Kemi marrë të gjithë regjimin Shengen, e kemi përkthyer nga fillimi në fund, i jemi nënshtruar një procesi teknik shumë të detajuar mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës, për të garantuar të gjithë parametrat e sigurisë dhe për të garantuar një liri lëvizjeje që sot është absurde, pa cenuar asnjë standard të garancive që japim si një vend që përfiton nga regjimi i liberalizmit të vizave.

Thënë kjo, qëllimi ynë është më shumë se kaq. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë me Maqedoninë. Unë e kam shtruar këtë me Kryeministrin Zaev dhe ne jemi gati që të fillojmë punën me Maqedoninë, për të bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, një kufi fluid, sipas modelit Shengen. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me Malin e Zi dhe të njëjtën gjë do dëshironim të kishim në të gjithë zonën europiane të Ballkanit Perëndimor, ku na mungon B-ja, ajo që është Bashkimi, por kemi E-në, jemi europianë si ju dhe kemi të drejtën që të lëvizim të paktën mes nesh, siç lëvizni ju mes jush, derisa të bashkohemi bashkë të dy në lëvizje e sipër.

Së dyti, dua ta bëj shumë të qartë, ne dhe unë personalisht jemi të shqetësuar për degradimin e marrëveshjes së CEFTA-s. Është një degradim që shkon kundër gjithçkaje kemi parafytyruar dhe jemi përpjekur të bëjmë bashkërisht në tryezat e vazhdueshme të procesit të Berlinit, iniciuar nga Kancelarja dhe pastaj mbështetur dhe organizuar nga shumë vende që ju i përfaqësoni këtu.

Por nga ana tjetër më lejoni që t’ju them se, pavarësisht se marrëveshja e CEFTA-s, sot është në një situatë të degraduar, ne e kemi të pamundur të reagojmë në funksion të rikthimit në gjendjen e mëparshme, nëse nuk ka një zhvillim serioz, pozitiv dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse Serbia nuk ka të gjithë vullnetin për të korrigjuar të gjitha ato aspekte degraduese të marrëveshjes, që pararendën tarifën 100%.

Tarifa 100% nga pikëpamja tregtare, nga pikëpamja e marrëveshjes së CEFTA-s është e papranueshme, por, – e kam thënë dhe dua t’ua përsëris, – ajo nuk është një masë tregtare, ai është një reagim, një klithmë e një vendi të lënë në një izolim të papranueshëm nga BE si rezultat i mosliberalizmit të vizave dhe nga ana tjetër, i një vendi që ka bërë gjithçka për të normalizuar procesin me Serbinë, por nuk ka marrë mbrapsht të njëjtën shfaqje gatishmërie, ose më saktë ka marrë mbrapsht të njëjtën shfaqe gatishmërie, por në përmbajtje nuk ka marrë mbrapsht të njëjtat rezultate që ka merituar.

Thënë të dyja këto, ne do të bëjmë çmos për të lehtësuar, për të mbështetur, për të thjeshtuar ngarkesat e krijuara së fundmi, të cilat duhet të vlejnë në këndvështrimin tim, për të gjithë ju, flas për të gjithë vendet tuaja, për të kuptuar atë çka deri dje dukej thjesht si një parashikim fantazioz, i zymtë, që e shkuara në Ballkan është  një fantazmë që është lehtësisht në rrugën e kthimit, nëse BE dhe vendet e mëdha të Europës harrojnë që, për ta ndryshuar faqen, u desh një luftë me bomba dhe nëse Kosova lihet në mes të rrugës, siç është lënë sot, për fat të keq, ç’ është e vërteta.

Nga ana tjetër, unë jam shpresëplotë se ne mund të thellojmë partneritetet rajonale përmes trelateraleve. Kemi trelateral goxha stimulues në kuadrin e bashkëpunimit mes vendeve të NATO-, mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Duam të shkojmë drejt trelateraleve me Kroacinë dhe Kosovën, me Maqedoninë dhe Kosovën dhe më tutje.

Është koha për të finalizuar një proces aspak të lehtë, me një ndjeshmëri të veçantë edhe historike, edhe politike, me Greqinë.

Greqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe është një partner i pazëvendësueshëm, por duke qenë fqinj e duke qenë dhe në Ballkan, ne e kemi gjithmonë jo të vështirë që hera-herës të mbytemi në lugën e nxehtë të qumështit të historisë. Kemi bërë shumë progres, por djalli është në detaje, siç thonë fqinjët tanë grekë dhe deri në fund do të bëjmë çmos që të zgjidhim çdo detaj, për të patur një marrëveshje që të na çoje në një nivel të ri partneriteti strategjik dhe për të firmosur më në fund dokumentin e Partneritetit Strategjik.

Thënë kjo, dua ta ritheksoj se, ashtu siç ka qenë që në ditën e parë, ashtu mbetet për ne e domosdoshme që në këtë trekëndësh të partneriteteve strategjike mes Greqisë, Italisë dhe Turqisë, – radhën vendoseni si të doni, që të mos kemi probleme me radhën, – ne të thellojmë bashkëpunimin. Për ne, Italia nuk diskutohet është porta hyrëse drejt rrugëtimit tonë të së ardhmes europiane dhe Turqia mbetet një partner i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik, pavarësisht sesi mund të fryjnë hera-herës erërat e marrëdhënieve të  miqve të tjerë me Turqinë. Turqia është mike dhe miqësia me Turqinë nuk preket nga asnjë erë që fryn mes miqve tanë dhe Turqisë mike.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, dua të theksoj se nuk e kam harruar, përkundrazi e lashë që ta theksoj me forcë në fund, ne shpresojmë që ky vit të kurorëzojë një proces që duhet të ishte kurorëzuar që vitin e shkuar. Shpresojmë që bashkë me zgjedhjet europiane të mbarojë edhe kushtëzimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë, me  problemet e brendshme të vendeve të BE-së.

Patjetër që kjo është një sfidë që është e jona.

Patjetër që ne, pavarësisht se morëm ftesën pa kushte nga Komisioni Europian dhe pastaj morëm një shtyrje të procesit, por, ama, me mirëkuptimin e madh, për të cilin i mbetemi mirënjohës të gjitha vendeve të BE-së, që të fillojë procesi screening, njësoj si t’i kishim hapur negociatat de fakto, ma ha mendja që tanimë kemi bërë dhe me bindje do  të bëjmë të gjithë detyrat e shtëpisë.

E kemi shumë të qartë që nuk është një proces që mbaron. Është një proces pambarim. Nuk janë detyra që janë bërë dhe ikën. Çdo vit, çdo muaj, çdo ditë  ka detyrat e veta. Kështu që jemi të vetëdijshëm për këtë, por dua që ta përcjell mesazhin që jemi po kaq të qartë dhe për faktin se disa vende të mëdha i kanë të gjithë instrumentet që t’i thonë gjërat si të duan dhe t’i ndryshojnë fjalët si të jetë nevoja dhe duke qenë të mëdha dhe duke patuar shumë më tepër fuqi për t’i komunikuar gjërat, patjetër që nuk është problemi më i madh, për të mos thënë, nuk është problem fare, se çfarë pasojash krijon kjo te një vend si i yni, apo një vend si Kosova që i është premtuar liberalizmi i vizave me tam-tame, – tani po harrojmë dhe që kur ka filluar kjo punë – dhe fjala nuk është mbajtur,  apo si një vend si Maqedonia që ndërroi emrin. Nuk e di sa mund ta përfytyrojë ndonjëri nga ju, që vendi juaj të ndërrojë emrin për të qëndruar në BE dhe ende sot është në të njëjtën pozitë si ne. Që do të thotë që unë shpresoj shumë që burimet tona të mëdha të frymëzimit, që janë vendet tuaja, vendet e Bashkimit Europian dhe sidomos ato vende që të jene burime shtyse dhe energjie pozitive, që ne t’i çelim negociatat dhe të shkojmë më tutje.

Me falënderimin për durimin tuaj, me gjithë mirënjohjen për bashkëpunimin, për mbështetjen, për dispononimin tuaj si përfaqësues të vendeve tuaja në Shqipëri, i bindur që të gjitha këto cilësi të marrëdhënieve tona do të shkëlqejnë më shumë këtë vit, por edhe me kënaqësinë që, ma ha mendja, kjo godinë është hapësira e fundit ku ju do të keni një koktej për Vitin të Ri, – s’ma ha mendja të ketë më njerëz që ju ftojnë për festën e viti të ri, – kështu që është një kënaqësi e madhe që ne t’ua ofrojmë këtë gosti, për t’ju uruar çdo të mirë për vitin e ri!

Ju jam shumë falënderues për gjithçka keni bërë dhe paraprakisht, për gjithçka jam i bindur do bëni për ta ndihmuar Shqipërinë dhe për te mbështetur shqiptarët, që nuk kam asnjë dyshim i doni me gjithë zemër.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.