Procesi i vaksinimit kundër COVID – 19 vijon

Sot është dita e dytë e vaksinimit kundër virusit COVID-19 në Shqipëri. Procesi vijon të kryhet sipas çdo rregulli dhe standardi të parashikuar, në ambientet e stadiumit Air Albania. Falë 975 dozave të para të siguruara të vaksinës Pfizer, mjekët, infermierët dhe epidemiologët do mund të vaksinohen për të pasur një armë më shumë në luftën kundër virusit.

Që në mëngjes ka nisur vaksinimi i epidemiologëve nga Tirana, Durrësi, Kruja e Kavaja, për të garantuar asgjësimin e rrezikut nga armiku i padukshëm të skuadrës së atyre që bëjnë testimet nëpër shtëpitë e qytetarëve me simptoma të Covid-19. Kryeministri i shoqëruar nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin edhe sot të pranishëm në ambientet e qendrës së vaksinimit ku panë nga afër vijimin e procesit.

“Dita e djeshme ka vajtur mirë. Kemi vaksinuar 50 mjekë dhe infermierë. Kemi sot serinë tjetër të mjekëve dhe infermierëve, të dy spitaleve COVID, “Shefqet Ndroqi”-t dhe Infektivit, pastaj vazhdojmë me treshin dhe katrën, por paralelisht, sot kemi filluar vaksinimin edhe të epidemiologëve. E kemi nisur te ata të Tiranës, Durrësit, Kavajës dhe Krujës e më pas në gjithë Shqipërinë”, – informoi ministrja Manastirliu.

Vaksina Pfizer është siguruar që të ruaj të gjitha karakteristikat e saj falë edhe ndjekjes me përpikmëri të procedurave të ruajtjes së saj në frigoriferë. “Vaksina ka ruajtur të gjitha karakteristikat e zinxhirit ftohës. Vjen nga Instituti i Shëndetit publik ku ruhet në frigoriferin -80 gradë dhe sillet këtu”, – u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Ditën e sotme janë të planifikuar 60 mjekë, infermierët dhe epidemiologë për t’u vaksinuar, ndërkohë që Kryeministri teksa pa nga afër procesin e vaksinimit falënderoi ekipet për punën e tyre. “Faleminderit për punën se keni bërë punë të jashtëzakonshme dhe keni qenë në risk gjatë gjithë kohës”,- i tha ai një prej epidemiologeve që po merrte dozën e vaksinës në ato momente.