Produktet bujqësore shqiptare po depërtojnë gjithnjë e më tepër në tregjet europiane falë rritjes së cilësisë, si rezultat i mbështetjes së këtij sektori të ekonomisë nga ana e qeverisë. Kryeministri Edi Rama ka vizituar në Fushë Krujë një prej fermave më të mëdha për fruta-perime në vend, Besa Agro Invest, një tjetër model i suksesshëm në bujqësi, me standarde dhe cilësi të lartë prodhimi, i cili ka kontribuar në rritjen e eksporteve dhe prodhimeve bujqësore.
Besa Agro Invest ka në zotërim një sipërfaqe prej 84 Ha në total, nga të cilat 6 Ha janë sera dhe 30 Ha pemëtore. Kompania së fundmi ka përfituar nga Programi i Bujqësisë për Zhvillimin Rural, për “Implementimin dhe certifikimin Global GAP”, sistemin vaditës me ujitje me pika, si dhe ndërtimin e një sere të re 1 Ha.
“Kompania është mbështetur, jo vetëm me ndërtimin e serës nga fillimi, është mbështetur edhe me certifikimin Global G.A.P., si dhe me gjithë instalimin në sistemin e ujitjes për fermën e pemëtores. Certifikimi Global G.A.P. i ka dhënë mundësinë që ferma të ketë mundësinë t’i eksportojë produktet jashtë vendit, nuk e ka poseduar më parë,” shprehet drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.
Falë këtij certifikimi produktet bujqësore të prodhuara në këtë fermë arrijnë sot të eksportohen jo vetëm në vendet e rajonit, si Serbi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Kroaci, por edhe Europë, si në Itali, Suedi etj.
“Nëpërmjet certifikimit Global G.A.P. kemi bërë të mundur njohjen tonë në tregun vendas kemi patur veprimtari shumë cilësore dhe prodhimet e kësaj ferme kanë qenë shumë të kërkuara në sezonin e parë. Jemi për mbylljen e një kontrate të re për eksport me Italinë thjesht e vetëm për vlerat që ka ky certifikim,” shprehet administratori.
Edhe sofistikimi i teknologjisë ka bërë që prodhimi në fermë të jetë më cilësor por dhe më i lartë.
“Për ne është goxha sipërfaqe e mjaftueshme për të bërë prodhim me teknologji të avancuar duke përdorur të gjitha mjetet dhe teknikat e veçanta që ndihmojnë në modernizmin, sigurimin e cilësisë ushqimore, por dhe për të arritur që të bëjmë një cikël me 3 faza prodhimi, pranverë verë dhe vjeshtë,” shprehet kryeagronomi.
Falë investimeve më të fundit të mbështetura nga Skema Kombëtare kjo kompani ka rritur edhe numrin e të punësuarve i cili pritet të shtohet akoma më tepër me zgjerimin e planifikuar të biznesit.
“Ne kemi 77 të punësuar. Vetëm muajin e fundit bëmë aplikim te zyra e punës për 15 punëtorë të rinj. Sipas planifikimit çdo vit duam të shtojmë nga 1 ha, deri në 11 ha,” shprehet administratori.
Fushë Krujë – Një tjetër shembull i ngritjes nga një biznes familjar në biznes i madh përmes mbështetjes së qeverisë me financime për investime që rrisin prodhimin dhe cilësinë. Vijojmë të nxisim sipërmarrësit e vegjël në zonat rurale për plotësimin e standardeve europiane, si dhe rritjen e prodhimit.