Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot në çeljen e Panairit të Mobilierisë “Shqipëria 2015”, i cili zuri vend në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në vijim të një tradite.

Panairi prezanton prodhime kryesisht të kompanive shqiptare në fushën e industrisë së përpunimit të drurit, si dhe atyre nga Kosova. Ai do t’i shërbejë paraqitjes së kapaciteteve dhe mundësive të zhvillimit të këtij sektori, si dhe shkëmbimit të eksperiencave më të mira brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi informoi se pjesëmarrësit kryesorë të panairit janë kompanitë shqiptare të cilat përbëjnë 90% të ekspozuesve. Ai theksoi se ky sektor po përparon me ritme të shpejta, si rezultat i politikave mbështetëse të qeverisë ndaj prodhimit vendas. “Këtu janë pothuaj 90% kompani të prodhimit shqiptar “Made in Albania” dhe gati 12% janë kompani të huaja dhe nga Kosova. 250 milion euro janë investuar në sektor dhe 300 milion euro në vit janë eksportet e këtij sektori të mobilierisë. Pra, biznesi sot është në punë, punon në mënyrë të rregullt. Sot jemi këtu jo për të bërë një paradë suksesi, por për të demonstruar besimin që kemi në rritje për stabilizimin ekonomik të Shqipërisë, për mbështetjen që i ka dhënë qeveria këtij sektori, në mënyrë të veçantë prodhimit vendas me politikat nxitëse edhe për eksportet, por edhe në fushën e fiskale. Dëshiroj të falenderoj kryeministrin Rama që gjeti kohë dhe vizitoi këtë panair dhe kjo është një mbështetje për sektorin privat dhe në mënyrë të veçantë për prodhuesit e mobilierisë shqiptare.” – u shpreh Presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi.

Ndërsa Kryetari i Shoqatës të Mobilierëve u shpreh se nga viti në vit zgjerohet gama e produkteve, duke rritur ambicien e prodhuesve për të përsosur edhe më shumë cilësinë e tyre. Ai shtoi se synimi i Shoqatës së prodhuesve të Mobilierisë është rritja e eksporteve. “Çdo vit forcojmë gamën e produkteve dhe jemi mjaft të gëzuar që kemi Kryeministrin sot. Ne shpresojmë që do të shtojmë përsëri gamën e aktivitetit tonë dhe prodhimeve tona dhe do të fokusohemi në eksport, ku prodhimet tona “Made in Albania” të përfaqësohen në të gjithë Europën”.

Kryeministri Rama e vlerësoi mbresëlënës këtë panair të prodhimit shqiptar. Ai theksoi se qeveria do të vijojë mbështetjen ndaj sektorit, për të inkurajuar punësimin dhe rritur besimin e konsumatorëve tek prodhimet shqiptare.

“I jam shumë mirënjohës Shoqatës së Prodhuesve të Mobilierisë për ftesën. Është një ekspozim shumë mbresëlënës i ideve dhe kurajës së jashtëzakonshme të këtyre njerëzve që një pjesë e kanë nisur nga zeroja këtu, një pjesë tjetër kanë ardhur nga emigracioni për të vazhduar këtu, për të sjellë eksperiencën dhe në të njëjtën kohë për të krijuar vende të reja pune. Është një sektor që sot numëron mbi 80 mijë të punësuar. Ambicia është për të shkuar mbi 100 mijë të punësuar, duke i dhënë sigurisht mbështetje sektorit. Mbështetja kryesore është promovimi për të krijuar kushte ende më të favorshme për eksportin dhe njëkohësisht për të rritur besimin e konsumatorëve në vend, që shpeshherë i adresohen vendeve të tjera duke paguar më shtrenjtë për të marrë produkte që janë të së njëjtës cilësi.

E së fundi, besoj që është një industri, tek e cila duhet të shikojnë më shumë edhe njerëzit e dizajnit, njerëzit që kanë studiuar për arte sepse ka shumë vend për të përmirësuar në mënyrë që të shkohet drejt ciklit të mbyllur dhe në mënyrë që vet dizajni të jetë produkt vendas.

Unë kam bindjen që industria është krahëhapur për talentet dhe për ide të reja që sjellin talentet. Ndërkohë që është e detyruar të punojë dhe me kopje, por kjo është pjesë e arritjes.” –theksoi Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.