Qeveria zgjeron përmes një programi të ri të saj mbështetjen për bujqësinë. Në fillim të vitit të ardhshëm bëhet efektiv Fondi i Garancisë prej 300 milionë euro, i vlefshëm për tre vitet në vazhdim, në dispozicion të fermerëve dhe sipërmarrësve agrobujqësorë. Ky Fond është një program i përbashkët me BERZH, që do t’u mundësojë atyre financimin nga bankat e nivelit të dytë jo me kredi tregtare, por me kredi me kushte shumë të lehtësuara dhe me qeverinë përmes AZHBR-së si garant.
Programin e shpjegoi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të një investimi të rëndësishëm në Lushnje, përfitues nga skemat mbështetëse të AZHBR-së; linjën e grumbullimit dhe përpunimit të fruta-perimeve “Agro-Lev 2”.
“Jemi në fazën e çeljes të programit të ri “Mbështetje për fermerët” dhe për krijimin e ciklit të mbyllur nga toka deri në shitje, falë një bashkëpunimi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me bankat e nivelit të dytë, me pjesëmarrjen e qeverisë që ka ndërtuar një fond garancie për fermerët. Ne do të bëjmë të mundur që në ciklin e tre viteve të jetë në dispozicion të çdo sipërmarrësi dhe fermeri që ka një projekt, një fond prej 300 milionë eurosh. Duke bërë të mundur që ajo që sot është e kufizuar për shkak të buxhetit tek AZHBR-ja, të jetë tanimë shumë më e zgjeruar si mundësi. Nuk do të shkojnë fermerët tek banka, por do të shkojë shteti në emër të tyre tek banka dhe fermerët do të marrin kredi me kushte shumë lehtësuese, jo siç do t’i merrnin sot, ose siç i kanë marrë ata që kanë shkuar në bankë, me kushte tregtare, por me kushte shumë lehtësuese. Për projekte të veçanta, ne do të paguajmë krejtësisht edhe të gjithë interesat. Pra, është një program i ri për t’i ardhur edhe më shumë pranë të gjithë atyre që po transformojnë mënyrën sesi funksionon prodhimi dhe tregu bujqësor. Kështu që ajo që ne kemi vuajtur për kaq shumë vite në lidhje me fragmentimin e tokës nuk është më një problem, pasi mjafton që të futen të gjithë me tokën e tyre në zinxhirin e prodhimit dhe të kenë prodhimin e shitur të garantuar përmes grumbulluesit “ – u shpreh Kryeministri.
Ky program i ri do të ndihmojë fermerin që të futet në zinxhirin e prodhimit, duke i garantuar që në fillim shitjen e produktit të tij.
“Çdo bujk e fermer që ka tokën e vet të jetë pjesë e sistemit dhe i gjithë procesi që nga punimi i tojës, tek mbjellja, korrja, grumbullimi, përpunimi, paketimi dhe eksportimi të jetë një proces i plotë dhe një cikël i mbyllur që i jep mundësi atyre që punojnë tokën të mos jetë me ankthin se ku do ta shesë prodhimin, por që në momentin e parë janë të orientuar duke ju vënë në dispozicion farat dhe teknologjinë dhe duke ju thënë përkundër kësaj sasie prodhimi, kjo është pagesa, etj..” – nënvizoi Kryeministri.
Pasi përfitoi nga skemat e mbështetjes së AZHBR-së, kompania “Agro-Lev 2” ka ngritur një linjë moderne, të standardeve të BE-së, të përpunimit dhe ambalazhimit të fruta-perimeve. Falë kësaj linje, pronari i saj synon që me prodhimet bio të fermerëve shqiptarë të konkurrojnë edhe në tregjet e cilësisë më të lartë të BE-së si Itali, Spanjë. Sipërmarrësi tregon se në ciklin e prodhimit do ketë mundësinë të përfshijë 1500-2000 fermerë të zonë.
“Për të dytin vit radhazi, qeveria është angazhuar për të mbështetur të gjithë sipërmarrësit në fushën e bujqësisë. Këtu kemi mundësuar ngritjen e një pike grumbullimi e përpunimi të produkteve bujqësore, duke mundësuar kështu krijimin e standardit dhe të konkurrueshmërisë së produkteve tona. Mbi të gjitha kemi mundësuar krijimin e tregut të shitjes së prodhimeve bujqësore të komunitetit përreth, duke punësuar jo vetëm direkt, por edhe indirekt komunitetin e zonës,” – thotë Drejtoresha e AZHBR-së Suela Popa.
Kryeministri Rama vizitoi edhe pikën në ndërtim të grumbullimit e të magazinimit të produkteve bujqësore të grupit “Elcos”, një investim shumë i rëndësishëm në Lushnje, që pritet të përfshijë në aktivitetin e saj rreth 10 mijë fermerë.