Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet e qeverisë shqiptare në infrastrukturën rrugore synojnë kthimin e të gjithë akseve të rëndësishme nacionale në rrugë të parametrave europiane. Një prej tyre është edhe segmenti Vorë-Fushë Krujë, i cili, edhe pse renditet i dyti në vend për nga numri i mjeteve që qarkullojnë në ditë, pas autostradës Tiranë-Durrës, kishte degraduar në vite në një aks pa asnjë standard dhe me rrezikshmëri të lartë për aksidente rrugore. Një investim prej 4.9 milionë euro po e shndërron këtë segment në një rrugë me parametrat e duhura të lëvizshmërisë, elementëve të sigurisë dhe sinjalistikës.

“Ky është rindërtim goxha i thellë dhe i domosdoshëm, sepse ishte një nga akset më të shpartalluar, ndërkohë që është aks kombëtar, për momentin, deri kur të ndërhyjmë në mënyrë rrënjësore me ndërtimin e të gjithë rrugës së re Kashar-Thumanë, pastaj lart deri në Balldren dhe të krijojmë një rrugë të standardeve siç dimë ne,” u shpreh Kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi sot ecurinë e punimeve në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

“Segmenti Vorë-Fushë Krujë, një segment i gjatë 11.2 kilometra, është një segment relativisht i plotë, i thellë, me paketë asfaltike, me shtresat me të gjithë elementët e sigurisë rrugore, sinjalistikë vertikale e horizontale,” u shpreh Afrim Qendro, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. “Afati është 6 muaj e gjysmë, por besoj për 3 muaj është e përfunduar. Kemi bërë më shumë se gjysmën deri tani, me ritme të jashtëzakonshme, me dy turne. Kemi aktivizuar rreth 210 punonjës dhe 160 makineri,” u shpreh drejtuesi i kompanisë ndërtuese.

Kreu i ARRSH-së tha se paralelisht po punohet në të gjitha arteriet e hapura rrugore, si dhe në zonat që paraqisnin rrezikshmëri për rrëshqitje me afrimin e stinës së dimrit, apo për katastrofa natyrore. “Të gjitha pjesët e tjera të rehabilitimit i kemi hapur e jemi në përfundim. Shkodër-Muriqan është drejt fundit, edhe Fushë Mjeda, edhe Tamara. Gjithashtu Gjirokastër-Lazarat është drejt përfundimit. E gjithë paketa rehabilituese është drejt përfundimit. Ndërkohë që janë bërë dhe shumë emergjenca, si në Xhurë, në Urën e Peqinit, disa vepra të tjera që janë shumë të rëndësishme për sigurinë rrugore dhe për të shmangur të gjithë këto katastrofat e mundshme që mund të na vinin,” tha Qendro.

Dy akse të tjera shumë të rëndësishme, Rruga e Arbrit dhe Burrel-Klos, do t’i shtohen hartës së infrastrukturës rrugore rrënjësisht të transformuar të vendit.  “Klosi, – u shpreh Kryeministri, – që në kohën kur kishte shkel shoku Enver atje, s’kishte vënë dorë më as njeri, vetëm për të shkuar për të ngritur gishtat e demokracisë. Edhe rruga e Arbrit po ecën shumë mirë.”

“Rruga e Arbrit deri tani është me ritme shumë të kënaqshme. Jemi diku mbi 20 e ca për qind punime të kryera. Shumë afër fillojmë dhe Milot-Balldren dhe Thumanë-Kashari dhe me këto, i gjithë aksi merr formë përfundimisht, bashkë me të gjithë elementët, deri në Balldren ku shmanget ajo rrëmuja dhe gjithë ajo situata e pakëndshme që është krijuar në hyrje të Lezhës. I gjithë aksi, me doganën e Muriqanin dhe me Hanin e Hotit, kalon në kushte normale dhe bëhet një aks i mbyllur. Përfundimisht do kemi kategori A të mbyllur, një rrugë në të cilën nuk hyhet më, nuk ka më mundësi, do jetë siç kemi bërë edhe Unazën Lindore. Nëse sot, nga Skurajt kërkon një orë e gjysmë gati të shkosh në Burrel dhe gjatë luginës është një rrugë e keqe, me bërjen e Burrel-Klosit dhe me e Rrugën e Arbrit, Klosi vetë vjen për 35 minuta në Tiranë. Po ashtu Burreli. I gjithë aksi lëvizës do ndryshojë, po ashtu dhe i gjithë zhvillimi ekonomik,” tha kreu i ARRSH-së.

Kryeministri Rama nënvizoi gjithashtu nevojën e zgjidhjes përfundimtare të problemit të ujërave në autostradën Tiranë-Durrës, që sollën përmbytje një vit më parë. Drejtori ARRSH-së tha se është gati i gjithë studimi hidrik dhe ajo çfarë duhet për të ndërhyrë. “Kemi gjetur hapësirat në kontratë dhe do bëhet një ndërhyrje emergjence, të shpejtë, për të bërë të mundur mospërsëritjen e asaj situate që kishim. Ndërkohë që kemi një bashkëpunim të mirë me disa biznese, të cilët në pjesën mbrapa bizneseve të tyre kanë filluar pastrimin e kanaleve,” deklaroi Qendro, duke shtuar se është vendosur edhe bashkëpunimi me KESH-in dhe institucione të tjera për të realizuar një zgjidhje përfundimtare, për shkak se në atë zonë ka rrjete të sistemit të ujit të pijshëm dhe të tensionit të lartë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.