Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore, i cili po rilind nga themelet me qindra shkolla, kopshte dhe çerdhe në zonat e prekura nga tërmeti, është mirëpritur në mënyrë të veçantë nga mësuesit, të cilëve ju ofrohen standarde të larta dhe kushte optimale për mësimdhënie, të njëjta si në shkollat europiane.

Në takimin me qytetarë të Korçës, mes të cilëve dhe mësues e drejtues të institucioneve arsimore, Kryeministri Rama u shpreh se kriza e përjetuar pas tërmetit u kthye në një mundësi të madhe, për të rindërtuar më mirë, më sigurt dhe më fort për njerezit dhe për t’ju dhënë atyre mundësinë për t’u rikthyer në shtëpi dhe në shkolla me kushte më të mira se ato që humbën. “Goditja e tërmetit ishte një fatkeqësi me përmasa të jashtëzakonshme. Për fat të keq, disa prej atyre që u goditën nuk mundën t’ja dalin dhe t’i mbijetojnë goditjes dhe familjet e tyre humbën të afërm, ndërkohë që mijëra të tjerë u gjendën brenda pak sekondash pa strehë. Ashtu sikundër, edhe mijëra mësues dhe nxënës u gjendën pa shkollë, pa kopësht, pa çerdhe, pa destinacionin e tyre të përditshëm dhe për ne ishte shumë e qartë që kjo ishte një krizë shumë e madhe që duhej kthyer në një mundësi të madhe për të rindërtuar më mirë dh më fort për njerezit dhe për t’ju dhënë atyre mundësinë për t’u ktheyr në shtëpi me kushte më të mira se ato që humbën dhe nxënësve dhe mësuesve të kthehen në shkollë me kushte më të mira.”

Kryeministri theksoi se me mbështetjen që siguroi qeveria shqiptare pas tërmetit u mundësua hartimi dhe më pas, zbatimi i projektevë ambicioze dhe me cilësi shumë të lartë për rindërtimin e institucioneve arsimore, i cili po vijon.  “Ajo që ishte më e rëndësishmja dhe këtë kam përshtypjen që shumë kush nuk e sheh apo nuk e di, është që me atë mbështetje financiare ne garantuam mundësinë që ne të jemi krejtësisht të lirë që të mund të shpenzojmë. Duke patur këtë mundësi, – u shpreh kryeministri, – ne kemi bërë dhe po bëjmë një punë shumë të mirë me projektet dhe ndërtimin, duke përfshirë të gjitha pothuajse kompanitë  e ndërtimit që kanë  forca aktualisht të mundura, për t’u përfshirë dhe që janë në një masë të konsiderueshme. Janë 27 mijë punëtorë të përfshirë me rindërtimin.”

Por paralelisht është punuar edhe për rikonstruksionin e shkollave ekzistuese dhe ndërtimin e shkollave të tjera të reja, të cilat nuk janë pjesë e Programit të Rindërtimit. “Ndërkohë që për shkollat e tjera të reja, ne jemi përpjekur padiskutim që të rrisim standardet. Përgjithësisht ka një rritje të standardeve, por nuk është një rritje uniforme. Edhe kjo është e vërtetë. Financimi i shkollave dhe realizmi i projekteve të tyre në kushte normale kryhet në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe jo të gjitha bashkitë kanë kapacitetet e duhura për të bërë projekte të standardit që ju keni parë në Programin e Rindërtimit. Po ashtu jo gjithmonë kompanitë dhe supervizorët e bëjnë punën, ashtu siç po bëhet në kushtet e Programit të Rindërtimit. Kështu që, pa Programin e Rrindërtimit, ne kemi investuar konsiderueshëm për kryesisht rikonstruksionin e shkollave ekzistuese dhe jo pak shkolla të reja. Ndërsa me Programin e Rindërtimit, numri i shkollave të ndërtuara të reja në këto 7 vjet, është më i madh sesa të gjitha shkollat e ndërtuara apo të rikonstruktuara në të gjitha vitet e tjera, të marra sëbashku. Por është edhe një mësim, është edhe një eksperiencë që patjetër do të na ndihmojë të përmirësojmë standardet dhe të na garantojë të bëjmë investime me shumë cilësi dhe me kosto të arsyeshme”, – u shpreh Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.