Projekt-buxheti 2019, më shumë kujdes social, investime dhe punësim real

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar:

Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë takim të Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku do të diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2019.

Ndër vite, hera-herës është përdorur si praktikë që buxheteve t’u vihen emra dhe besoj ju kujtohet buxheti për Decentralizimin, apo buxheti për Rrugën e Kombit, apo buxheti i Mirëqenies. Por, shpeshherë, emrat nuk kanë përmbushur më pas mision e vetë buxheteve. Ajo që është pjesa më e dukshme, nëse kthejmë kokën pas për të kuptuar se ku gjendemi sot, është ndërtimi i buxheteve me deficite deri edhe të frikshme, që më pas financoheshin nga një borxh gjithmonë e më i lartë kombëtar.

Më vjen mirë të them që kjo nuk ndodh më dhe tanimë është një traditë e konsoliduar e qeverisë sonë që deficiti dhe borxhi të jenë nën kontroll dhe hap pas hapi të kenë gjithnjë e më shumë soliditet, në raport me tërësinë e buxhetit, ndryshe nga më parë kur financoheshin prej huave që i mbivendoseshin njëra-tjetrës.

Ky i vitit 2019 është buxheti i gjashtë që do të aprovohet me propozim të qeverisë socialiste. Kujtoj se në buxhetin e parë, ne kishim detyrimin të përballeshim me shlyerjen e një stoku të konsiderueshëm borxhi të papaguar, apo më saktë, detyrimesh të papaguara të qeverisë së mëparshme dhe nga ana tjetër, me kërcënimin e një kolapsi të sistemit energjetik të vendit tonë.

Hap pas hapi, buxhetet filluan të çlirohen nga këto dy pesha shumë të rënda në këmbët tona dhe rritja e investimeve publike, nxitja e rritjes ekonomike, nxitja e punësimit nisën të marrin hap pas hapi, më shumë prioritet dhe vëmendje.

Gjithmonë thuhet që buxheti këtë radhë do jetë më i madhi ndonjëherë dhe normalisht, çdo buxhet i radhës është më i madh se ai paraardhësi, sepse vendi rritet më shumë, më pak, në vite, por vazhdimisht buxhetet e radhës kanë qenë krejt normalisht më të mëdhenj se buxhetet e një radhe më parë.

Brenda strukturës së buxhetit, ju do të shikoni që ky buxhet nuk është thjesht buxheti më i madh i radhës, por është një buxhet ku rritja e të ardhurave, krahasuar me vitin aktual, është shumë domethënëse dhe në raportin brenda për brenda kornizës së buxhetit është më domethënësja, krahasuar me buxhetet e mëparshme, pothuajse 300 milionë dollarë në një vit të vetëm.

Ky buxhet, mund ta them besoj me plot gojën dhe pasi kam marrë leje nga ministri i Financave, është i pari buxhet që ne e hartojmë me një koeficient të kënaqshëm lirie, pra, pa të gjitha ato shtrëngesa shumë të forta që kemi pasur në fillim dhe më pak të forta, por gjithsesi goxha ndikuese më pas.

Të ardhurat e parashikuara do të mbështesin në radhë të parë, një numër apo një masë të rëndësishme politikash sociale.

Po përgatisim një takim të posaçëm për peshën e sociales në buxhetin tonë, duke marrë në konsideratë të gjithë volumin e krijuar në vite dhe të konsoliduar si një e drejtë e fituar pastaj për të gjitha kategoritë, apo në të gjitha drejtimet ku kemi synuar të rrisim përkujdesjen sociale dhe është vërtetë, për ne, një arsye për të qenë krenarë, por për shumëkënd një arsye për të qenë i surprizuar nga masa e komponentes sociale në buxhet.

Këtë vit do të hyjë për herë të parë bonusi apo ceku i bebes i transformuar nga një politikë e bazuar në një simbolikë në një politikë që bazohet tek solidariteti kuptimplotë. Janë afro 30 mijë familje që do të përfitojnë nga një fond për rreth 20 milionë dollarë.

Pak a shumë, ky është parashikimi i familjeve dhe po të kemi parasysh për çfarë flasim, bëhet fjalë për 8-fishim, 16-fishim dhe 24-fishim të bonusit apo çekut ekzistues të bebes, që ishte vetëm 50 mijë lekë të vjetra. 8-fish për fëmijën e parë, 16-fish për fëmijën e dytë dhe 24-fish për fëmijën e tretë.

Dua ta sqaroj edhe njëherë, sepse kam pasur në mënyrë të përsëritur pyetje, po sikur t’i kemi dy përnjëherë, apo tre përnjëherë, si do të marrin, në bazë të kush del i pari, kush del i dyti, kush del i treti? Do quhen i pari, i dyti, i treti, apo do quhen të tre të barabartë? Në të gjitha rastet e binjakëve, të dy marrin si i dytë, jo si i parë. Trinjaket marrin si i tretë. Nëse i treti është 24-fish më i lartë çeku sesa është, pra, është 1 milionë e 200 mijë, janë 3 herë 1 milionë e 200 mijë. Kështu që me jetë të gjatë dhe forca.

Përtej shakasë që është gjysma e të vërtetës gjithmonë, kemi mundësinë të bëjmë një rritje tjetër, duke nisur nga 1 prilli. Qëllon që është një ditë përrallash, por për ne ka qëlluar një ditë ku kemi pasur disa zhvillime pozitive për vendin dhe kështu ka qenë edhe për rritjen e pagave më parë, kështu do të jetë përsëri, për mjekët, për infermierët, për mësuesit dhe për ushtarakët.

Në sektorin e shëndetësisë do të kemi rritjen më të lartë. Besojmë shumë që është e domosdoshme dhe faktikisht do të jetë një rritje prej 10%.

Në sektorin e arsimit do të kemi një tjetër rritje të konsiderueshme prej 7%.

Janë 4650 mjekë dhe 13765 infermierë në të gjithë vendin, përfshihen edhe laborantët dhe farmacistët e spitaleve, si dhe 350 mijë arsimtarë që do përfitojnë nga këto rritje.

Po ashtu do kemi një rritje në sektorin e mbrojtjes për 6800 ushtarakë në një masë që do të variojë sipas kategorive, 5%-7%.

Buxheti i ri do të mbështesë dhe një numër politikash të reja që nga ndërmarrjet sociale, si program alternativ integrimi për grupet e pafavorizuara, me target punësimin e personave në nevojë, tek ngritja e 27 shërbimeve të reja të kujdesit social dhe qendrave në mbështetje të shtresave më të prekura, tek familjet përfituese të ndihmës ekonomike me paketat social-shëndetësore dhe këtu përfshihen një sërë elementësh për 69 mijë familje.

Ka një hap të parë për financimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Ne jemi në një fazë ku po përpiqemi dhe po presim rindezjen e llambës së arsyes të miqve tanë opozitarë, për të avancuar me Kodin Zgjedhor ku duam të sanksionojmë votën e emigrantëve. Ndërkohë paralelisht kemi një strukturë të tërë pune për emigrantët.

Por ajo që besoj është më e rëndësishmja, në kuptimin e volumit në buxhet, janë investimet në infrastrukturë, që janë gjysmë miliardi dhe që do të mbështesin, qoftë infrastrukturën e rrugëve kombëtare, qoftë infrastrukturën e ujësjellësve, si dhe trajtimin e mbetjeve, rehabilitimin e mëtejshëm të rrjetit energjetik.

Nuk po hyj në detaje për akset rrugore, por po kaloj në hapin tjetër, të rindërtimit të të gjithë rrjetit të qendrave tona shëndetësore.

Janë 100 qendra të tjera, pas 80 të parave, që janë në punë e sipër dhe që do të përfundojnë deri në fund të vitit. Janë 100 qendra të tjera shëndetësore që do të rindërtohen gjatë vitit të ardhshëm, ose do ndërtohen nga e para, si dhe disa projekte të tjera për spitalet.

Një numër barnash të reja, të domosdoshme, do të përfshihen në sistemin e ilaçeve të rimbursueshme. Do të mbështetet rritja e numrit të vizitave në Kujdesin Parësor, rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë trajtim spitalor, reduktimi i vdekshmërisë foshnjore dhe reduktimi i kohës së pritjes, sidomos për ekzaminime të rëndësishme, si rezonanca, skaneri, etj.

Do të mbështetet më tej politika e teksteve falas për nxënësit e ciklit të ulët. Një fokus të veçantë kemi vendosur te transporti i nxënësve që e kanë vendbanimin mbi 2 kilometra larg shkollës, si dhe i mësuesve që banojnë më larg se 5 kilometra nga vendndodhja e shkollës ku japin mësim. Ka një rritje të financimit për laboratorët dhe po ashtu ecim me synimin që të kemi 100 klasa mësimore inteligjente, ose digjitale çdo vit.

Nga ana tjetër është pozitive që konsolidojmë pozicionin në raport me fermerët dhe me mbështetjen me skemat kombëtare të mbështetjes së fermerëve. Besojmë tek një impakt i madh i drejtpërdrejtë, me një qasje gjithmonë e më të orientuar drejt produktivitetit dhe zinxhirit të vlerës dhe shtojmë edhe mbështetjen për pushtetin vendor.

Reforma në Drejtësi është një angazhim, jo thjesht për të ndryshuar Kushtetutën, për të ndryshuar ligjet, por edhe për të mbështetur financiarisht të gjithë këtë proces, goxha të shtrenjtë në raport me mundësitë, por absolutisht të padiskutueshëm dhe të patjetërsueshëm.

Në aspektin e paketës së re fiskale, ku, bazuar edhe në insistimin e vazhdueshëm edhe të një pjese prej jush, por ka ardhur dhe nga kategoria juaj, bëjmë, së pari:

– Një rritje të kufirit të pagës të tatueshme që sot është në nivelin nga 1.2 deri në 1.5 milionë. Është një ulje e konsiderueshme, e kërkuar për afro 16 mijë individë që janë në sektorin publik, por shumica në sektorin privat, që marrin paga falë kualifikimeve dhe aftësive dhe që përfaqësojnë, në njëfarë mënyre, elitën drejtuese të të gjithë sistemit administrativ, qoftë shtetëror, qoftë privat.

– Jemi në ditën kur mund të plotësojmë një tjetër kërkesë insistuese, por besoj të drejtë të sipërmarrjes dhe kur mund të shpresojmë në hapjen e bagazheve të mbushura me lekët e dividentit të pashpërndarë dhe derdhjen e tyre në ekonomi dhe në konsum, me një ulje të dividentit në masën 8%. Nga kjo, besoj që do jetë një përfitim të konsiderueshëm, jo i juaji, por shumë më gjerë sesa kaq, ekonomik dhe social, përtej propagandës dhe përtej ideologjizimeve të pakuptimta të dividentit.

– Kemi një zgjerim të përjashtimit të TVSH-së së importit të makinerive bujqësore që shkon për makineri dhe pajisje të reja. Kemi një reduktim takse për importuesit e autobusëve elektrike.

– Përjashtohen nga TVSH-ja të gjithë nënkontraktorët në industrinë fason, apo importues të lëndëve të parë për prodhim farmaceutik, që janë dy kontradikta të rënda që kanë qenë vazhdimisht dhe kanë krijuar shumë konfuzion.

– Më e rëndësishmja në këndvështrimin tonë është ajo që bëjmë për rritjen e tavanit të xhiros për biznesin e vogël, që shkon nga 80-140 milionë xhiro, është vetëm 5% tatim-fitimi.

Kush thotë se ne jemi qeveria “taksa, taksa, taksa”, duhet të japë një provë të vetme dhe kuptimplotë: të gjejë një vend tjetër në Europë që taton 5% këtë masë që në ekonominë shqiptare është 93%.

Pra, 93% e biznesit në Shqipëri tatohet 5%;

7%-shi tjetër, që jeni dhe ju këtu, 15% dhe të jeni shumë të kënaqur, sepse fitoni më shumë, do paguani më shumë. E kemi thënë dhe i qëndrojmë kësaj. Çfarëdo të thotë Nikolini, që e ka detyrë ta thotë dhe do ta thotë përsëri, jam i sigurt, 15% dhe nuk ulet asnjë milimetër.

Me ndalimin e basteve, prodhuesit e qumështit dhe të gjithë të tjerët me radhë që janë këtu duhet të konsiderojnë faktin që kalkulojmë një mesatare, mund të jetë pak më e lartë, mund të jetë pak më e ulët, prej 700 milionë euro që do shkojnë nga lumi dhe llumi i basteve në konsumin racional të familjeve.

Kështu që do të ketë shumë më tepër kapacitet për konsum familjar dhe do të shikoni edhe ju përfitimin tuaj në këtë aspekt, por që në radhë të parë është përftimi i grave, i nënave, i prindërve. Sigurisht është edhe një kontribut i drejtpërdrejtë për shërimin e të sëmurëve nga obsesioni i paracaktimit të fatit.

Në mbyllje, për të gjithë ata që këndojnë, – jo ju këtu, se ju madje doni që ta rrisim borxhin, jo ta ulim, – këngën e borxhit, lajmi është që në 2019-ën pritshmëria është 65.3%. Domethënë është një ulje e konsiderueshme me 2.5% të PBB-së.  Nga një borxh jashtë kontrollit, që kërcënonte seriozisht vendin 5 vjet më parë, sot kemi një situatë që solli jo më kot edhe suksesin në tregjet e kapitaleve. Ashtu sikundër jam i bindur që, më herët se vonë, ne do të mund të marrim edhe një “B” tjetër në ratting-un tonë ndërkombëtar.

Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj!