Kryeministri Edi Rama në komunikimin për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Durrës:
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Kjo është një javë që ka filluar pozitivisht me dy lajme të mira.
Së pari, me rënien e papunësisë, pas 22 vitesh, nën 13%, më saktë, 12.5%. Është një shifër e INSTAT-it, e cila reflekton raportin e Bankës Botërore, ku shprehimisht thuhet se “Shqipëria ka progresin më pozitiv në rajon për punësimin dhe uljen e papunësisë në periudhën e fundit”.
Pavarësisht skepticizmit, që është i mirëkuptueshëm, pavarësisht faktit që shumëkush në mjegullën e dendur të propagandës, apo faktit se jemi në kushtet kur kemi shumë ende për të bërë, dimë shumë mirë që kemi sfidën e madhe të forcimit të disiplinës kontraktuale mes punëdhënësve dhe punëmarrëse, të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të punës, të domosdoshmërisë për të rritur më tutje pagat e ulëta, gjë që shkakton edhe reagime të natyrave të ndryshme. Mbetet fakt se papunësia e regjistruar zyrtarisht dhe objektivisht nga INSTAT-i, në mënyrë të pavarur, në masën 18 pikë disa për qind në vitin 2014, kur ne vendosëm të bëjmë ndarjen historike të INSTAT-it nga zyra e Kryeministrit dhe sot, e rënë nën 13%, që do të thotë se është një fakt inkurajues, por nuk do të thotë aspak se ekonomia dhe punësimi po lulëzon, se jemi të kënaqur me këtë rekord historik, sepse është një rekord brenda një historie aspak të lavdishme të punësimit në vite e vite të tëra, ama do të thotë që përpjekjet tona kanë filluar të japin rezultat.
Do të thotë që edhe ecuria e punësimeve, që është e verifikueshme lehtësisht në librin e llogarive të shtetit ku regjistrohen të punësuarit e rinj me sigurimet shoqërore, e dhënë përmes shifrave tona të përmuajshme, reflekton pikërisht që jemi në një përpjekje serioze për punësim real brenda një kornize kushtesh që janë larg së qeni optimale, apo shpeshherë të vështira, sidomos për familje që kanë të punësuar me pagat më të ulëta. E këtë përpjekje do ta vazhdojmë, duke u bazuar tek optimizmi që po krijohet në një ekonomi ku lajmi tjetër pozitiv është se investimet e huaja janë rritur me 61%, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Thënë kjo, kemi nevojë për shumë më tepër investime dhe më vjen shumë mirë që më në fund do t’i japim fund 100 vite ëndrra e heshtje, pritje, premtime, zotime, betime për Rrugën e Arbrit, jo më larg sesa të dielën e ardhshme, ku hapet kantieri i parë i madh i Programit tonë “1 Miliardë për Rindërtim”. Kantier, i cili do të pasohet nga të tjera kantiere dhe do të realizohet ajo që kemi thënë në fushatën e kaluar, se ky do të jetë mandati i Shqipërisë kantier ndërtimi në infrastrukturën rrugore. Por jo kantier ndërtimi me shirita dhe me rrugë që mbeten rrugëve, duke lënë pas një mal borxhesh mes qeverisë dhe përfundimit, por me rrugë të standardeve ndërkombëtare.
Kështu do të jetë Rruga e Arbit;
Kështu do të jetë rruga Thumanë-Kashar;
Kështu do të jetë rruga Balldren-Milot;
Kështu do të jetë rruga Shëngjin-Velipojë;
Kështu do të jetë rruga Delvinë-Kardhiq;
Kështu do të jetë By-Pass-i i ri i Tepelenës;
Kështu do të jetë rruga e re e Orikumit.
Kështu do të jenë edhe Unaza e re Myzeqesë, rruga e Thethit, rruga Fier-Seman dhe një sërë aksesh të tjera, që më vjen shumë mirë që janë shumë për t’u numëruar, sepse më në fund jemi çliruar nga mali i borxheve që na u desh një mandat për ta rrafshuar. Ndërkohë që kemi realizuar nga pikëpamja e terrenit faktik, një numër kilometrash të ndërtuara më shumë sesa qeveria paraardhëse, e cila hapi tendera për shumë kilometra, por ndërtoi faktikisht shumë më pak, sesa çfarë mori përsipër të ndërtonte dhe pas la vetëm borxhe, borxhe e borxhe.
Më vjen shumë mirë që kemi nisur edhe projektin e madh të mirëmbajtjes, me rrugën Tiranë-Durrës, e cila ishte kthyer në një problem shumë të madh. Na është dashur një periudhë jo e vogël për të sistemuar të gjithë projektin, për të sistemuar të gjitha kontratat. Ka qenë një hap i parë i mandatit, shumë intensiv nga pikëpamja e përgatitjes së projekteve dhe të përgatitjes së kontratave përkatëse. Do të mbarojë i gjithë riparimi i rrugës nga Kashari deri në Durrës në pikat kritike deri në fund të qershorit, – ky është objektivi, do punohet ditën dhe natën – dhe edhe në të gjithë akset kombëtare të Shqipërisë.
Sigurisht nuk ka asnjëherë perfeksion. Ashtu sikundër jetojmë në një vend ku “çfarëdo uji i jep gomarit, prapë nuk është në temperaturën e duhur,” siç thotë ajo fabula popullore, por e rëndësishme është se tani hyjmë në një fazë të qeverisës ku ka punë konkrete në terren, pas një periudhe të gjatë përgatitore.
Jemi në finalizim të negociatave për Aeroportin e Vlorës. Shpresojmë që të konkludojmë. Kemi bërë kundërofertën e fundit, sipas nesh. Të shikojmë si do të reagojë pala tjetër, për të marrë një kontratë që është natyrisht e favorshme për të dyja palët, por që mbron deri në fund interesin publik në raport me këtë vepër të madhe që do të kryhet nga një konsorcium i mirënjohur ndërkombëtar, që ndërton edhe aeroportin e tretë të Stambollit, që do të jetë në përfundim aeroporti më i madh i botës.
Po ashtu, sot në këtë mbledhje kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël në raport me nevojën, por jo të pandjeshëm për 665 mijë pensionistë, pasi kem rritur pensionet mbi inflacionin. Nëse do t’i referoheshin shifrave, kemi vendosur 15 milionë dollarë plus në paketën e pensioneve, me 2.8%, duke nisur nga data 1 korrik.
Kemi marrë një tjetër vendim shumë të rëndësishëm, për përditësimin e listës së barnave dhe mjekimeve të spitaleve dhe të qendrave shëndetësore të vendit, që do t’u japë mundësinë spitaleve të ecin me hapin e kohës dhe të ofrojnë trajtimin më të mirë të mundshëm sot për një numër sëmundjesh të rrezikshme, kjo bazuar në standardet ndërkombëtare, jo në dëshirat tona. Ky vendim vjen vetëm pak javë pas publikimit të listës së re të barnave të rimbursueshme, ku për herë të parë kemi përfshire herceptinën, një medikament shumë i shtrenjtë, por absolutisht jetik për trajtimin e kancerit të gjirit, që tani përfitohet falas në spitalet shtetërore. Përfshimë për herë të parë mbi 40 medikamente të tjera, të domosdoshme për sëmundjet kardiovaskulare, neurodegjeneruese, tumorale dhe të tjera. Një valë keqkuptimesh apo keqinformimi që u krijua në fillim tani po tretet, ndërkohë që do të rritet në mënyrë të ndjeshme përfitueshmëria e njerëzve në nevojë për mjekim.
Dua po ashtu të theksoj se ka filluar edhe Shkolla e Drejtorëve të Spitaleve, një domosdoshmëri për të rritur kapacitetet njerëzore në menaxhimin e spitaleve. Sikundër është dhënë një urdhër i prerë, me pasoja për këdo që e shkel dhe këtu kam parasysh drejtuesit e spitaleve, në raport me çdo rast kur do konstatohet se pacientëve iu jepen receta për të blerë jashtë spitalit, çka spitali disponon.
Një tjetër vendim i rëndësishëm për të ardhmen e vendit është aprovimi për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Bllokun 4 nga kompania e madhe globale “Shell”, ku parashikohet një investim prej 42 milionë dollarësh. Investim që i hap rrugë një angazhimi shumë të madh, një përfshirjeje shumë më sistemike të “Shell”-it në fushën e hidrokarbureve, marrë parasysh dhe faktin që presim në vjeshtë konfirmimin dhe shpresojmë shumë në një konfirmim pozitiv të një zbulimi të madh, të një sasie të madhe nafte të lehtë dhe po ashtu gazi në vendin tonë, që pastaj do të ishte një perspektivë e jashtëzakonshme për ekonominë e vendit në dekadën e ardhshme.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është vendimi për masat mbështetëse dhe nxitëse për burimet e rinovueshme të diellit dhe të erës. Një vendim që i shërben rregullimit të sektorit me një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi dhe hap rrugën për tërheqjen e investitorëve strategjikë në fushën e energjisë së pastër.
Duke qenë se kjo mbledhje e qeverisë u spostua këtë muaj, – sipas traditës që kemi krijuar çdo muaj në një qark, – këtu në Durrës, vlen të thuhen gjërat për të cilat janë drejtpërdrejtë të interesuar të gjithë banorët e qarkut, aq më tepër që bëhet fjalë për një qark që ka një impakt jo të vogël në ekonominë kombëtare.
U miratua dokumenti i të gjithë ndërhyrjeve prioritare për periudhën 2018-2021.
U miratuan në total 100 projekte që do të financohen drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, të cilat i bashkëngjitjen 123 projekteve në proces dhe disa qindra projekteve të tjera në financim nga donatorët e huaj, në bashkëpunim me qeveritë vendore të këtij qarku. Është një paketë e konsiderueshme financimesh, që vjen pas zbatimit të mbi 400 projekteve në periudhën 2014-2017, me një vlerë totale prej 17.3 milionë dollarësh.
Investimet e reja, që synojnë të shndërrojnë Durrësin në vazhdimësi në një portë të rëndësishme hyrëse dhe një kryeqendër turistike, duke qenë një shtyllë kryesore e zhvillimit turistik të vendit, që ka nevojë për një forcim dhe konsolidim të vazhdueshëm, përfshijnë projekte që kanë të bëjnë me rrugët.
Jemi ndërkohë në një proces studimi dhe vlerësimi për rindërtimin dhe zgjerimin qoftë të rrugës Tiranë-Durrës, qoftë hapjen e rrugës së re Kashar-Rrogozhinë dhe pastaj rindërtimin dhe zgjerimin e të gjithë segmentit nga Rrogozhina në Fier, ku është aksi kryesor turistik i Shqipërisë dhe ku standardet janë jashtë çdo lloj standardi, krahasuar me Shqipërinë që ne duam dhe me Europën me të cilën duam të ngjajmë në çdo punë që bëjmë. Rehabilitimin e plotë të rrugës Durrës-Shijak, që është një tjetër segment shumë problematik, sistemin e segmentit Fushë-Krujë-Milot-Morinë, si dhe vendosjen e mbikalimeve në aksin rrugor Thumanë-Milot.
Jemi në një fazë të avancuar të një projekti të madh për rindërtimin e të gjithë rrugëve të brendshme dhe rikualifikimin urban të hapësirave publike brenda një blloku të konsiderueshëm në zonën e plazhit në Shkëmbin e Kavajës, që do të sjellë një rivitalizim të rëndësishëm të kësaj zone turistike ku ka një intensitet të madh jo vetëm banorësh, por edhe turistësh.
Gjithashtu jemi drejt përfundimit të proceseve për korridorin hekurudhor që do lidhë Durrësin me Tiranën dhe Rinasin përmes një linje të re të standardeve të lara europiane. Më tutje edhe një sërë investimesh që lidhen me qendrat shëndetësore dhe me furnizimin me ujë. Paketa e miratuar parashikon ndërtimin e disa ujësjellësve, kanalizimeve dhe linjave të reja të furnizimit që do të zgjidhin problemin e ujit në të gjithë qarkun, duke plotësuar edhe të gjithë kuadrin e krijuar nga investimi madhor që është një vazhdim i ujësjellësit. Përparësinë do ta kenë zonat bregdetare.
Në shëndetësi dua të shtoj rindërtimin e plotë të godinës së Pediatrisë të Spitalit të Durrës, që është një nga pikat më problematike të shërbimit tonë shëndetësor në Durrës, si edhe qendrat shëndetësore që do të jenë jo vetëm në Durrës, por deri në Krujë.
Janë edhe disa dhjetëra shkolla që do i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë në qark, Durrës, Shijak, Krujë dhe në njësi administrative ish komuna.
Durrësi është një nga zonat ku janë 6 fshatra në Programin “100 Fshatra”. Për më tepër, në Durrës kemi edhe një program ambicioz për stimulimin e agroturizmit, për të cilin po punojmë ngushtësisht, qoftë me kryetarin e Bashkisë e Durrësit, qoftë me kryebashkiakët e tjerë të qarkut.
Përsa i përket infrastrukturës, ju referuat pak më parë se do të ketë një rikonstruksion të superstradës Tiranë-Durrës, që më saktë ka nisur. A e ka parë të arsyeshme qeveria ta lëshojë me koncesion këtë rrugë?
Kryeministri Edi Rama: Të mos i ngatërrojmë. Ajo që ka nisur është një ndërhyrje mirëmbajtjeje, pra, një rehabilitim i shtratit të rrugës në segmentin nga Kashari drejt Durrësit, që është një problem serioz dhe këtë e kemi vënë re që të gjithë. Ndërkohë çka ne po studiojmë, është një ndërhyrje e thellë rindërtuese. Varianti që po studiojmë është faktikisht një variant miks midis një rindërtimi dhe zgjerimi të aksit Tiranë-Durrës dhe rindërtimit të aksit Tiranë-Ndroq-Plepa, duke krijuar 2 korridore, njëri në të ardhmen me pagesë, ndërsa tjetrit pa pagesë. Ky është procesi ku jemi. Besoj deri në mes të korrikut do të kemi një pamje të qartë të të gjithë analizës dhe të skenarëve të mundshëm. Sigurisht do të shikojmë se ku shkon më arsyeshëm llogaria dhe do të jemi shumë transparentë në raport me publikun, pasi bëhet fjalë për një paketë të madhe financiare, që përfshin edhe rrugën e re Kashar-Rrogozhinë që do të sillte një shkurtim të lidhjes midis Tiranës dhe Vlorës. Sikundër edhe Kashar- Thumanë, bashkë me rrugën Milot-Balldren, do të sjellë një shkurtim të ndjeshëm të distancës me Veriun, por në të dyja rastet do të kemi dhe një ngritje shumë të ndjeshme të standardeve.
Ju përmendet disa projekte që do të financohen nga qeveria, që i takojnë qarkut të Durrësit. Por ka një problem me fushën e mbetjeve në Porto-Romano, ku mbetjet prej vitesh depozitohen dhe kjo gjë nuk po gjen zgjidhje.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që më ndihmoni të plotësoj diçka që mungoi në prezantimin tim, sepse faktikisht u diskutua dhe nesër, ne do të shkojmë në Porto-Romano, sepse nuk duhet të jemi vetëm aty ku ka diçka të bukur për të treguar, por edhe aty ku ka plagë për të prekur dhe për të ndarë me njerëzit.
Ajo që ne kemi si objektiv është që të transformojmë atë zonë, nga një vatër emergjence mjedisore dhe një zonë lëngate e Shqipërisë që kishim, në një park për Durrësin që duam dhe për Shqipërinë që duam. E për këtë jemi në proces të studimit të një projekti ku do të përfshimë jo vetëm, siç kemi përfshirë si bashkëpunëtorë në diskutim, Bashkinë e Durrësit, por edhe si kontributorë, sepse duam ta çlirojmë Durrësin nga ajo plagë, duam ta çlirojmë Shqipërinë nga ajo lloj gangrene në zemër të trupit të saj. E jo vetëm kaq, por ta transformojmë atë zonë në një park të madh të qytetit, duke krijuar një tjetër rrugë për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve.
Ne besojmë shumë që investimi kolosal që po bëhet në Tiranë për trajtimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë është një investim që duhet të përmbledhë të gjitha bashkitë rreth e rrotull, sepse nuk kemi as luksin dhe as nevojën që të ndërtojmë në çdo bashki një impiant. Ashtu siç impianti i Elbasanit sot, falë edhe bashkëpunimit mes bashkive, ka mbledhur të gjitha bashkitë e qarkut, kështu edhe impianti i Tiranës mund të mbledhë dy qarqe, Durrësin dhe Tiranën, të gjitha bashkitë. Por është një fazë studimi dhe besoj se deri, le të themi, në vjeshtën e vitit të ardhshëm do të jemi duke bërë një diskutim tjetër. Pra, këto që po them do të jenë ose te realizuara, ose në rrugën e realizmit konkret. Të falënderoj për pyetjen.
Nga ajo që ju sapo thatë, kuptohet se nuk është në 100 projektet.
Kryeministri Edi Rama: Prandaj e falënderova për pyetjen, sepse është një projekt në diskutim. U diskutua sot dhe ne po e studiojmë. Ne kemi filluar studimin e situatës. Jemi duke bashkëpunuar me bashkinë e Durrësit, kemi përfshirë edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që të jemi plotësisht transparentë, për të hartuar një projekt të parkut dhe do të shohim një variant. Bashkia e Durrësit është ftuar të bëjë një variant të saj dhe të shikojmë si do të konkludojmë nga pikëpamja e financimit dhe afateve. Por brenda vjeshtës së ardhshme ose do ta kemi realizuar, ose do të jemi duke e realizuar, sepse është edhe çështje kohësh që shpeshherë nuk parashikohen dot deri në fund, kur vjen puna tek studimi, procedura, etj..
Shpresojmë që kjo të jetë një ndërhyrje e shpejtë, nga e cila do të përfitojë i gjithë komuniteti, por edhe turistët e shumtë.
Kryeministri Edi Rama: Besoj që, pasi është pritur 28 vjet, edhe një vit më shumë nuk është fundi i botës.
A është faktik, niveli zyrtar i papunësisë që ju sapo e përmendët në fjalën tuaj, pasi perceptimi në terren është i ndryshëm. Kjo pasi shumë të rinj të suksesshëm synojnë të studiojnë, por dhe të punojnë jashtë vendit.
Kryeministri Edi Rama: INSTAT është një institucion serioz, i cili është pjesë e rrjetit të EUROSTAT. Metodologjia është e EUROSTAT. Kam bërë disa shkëmbime në rrjetin social me disa që thoshin normal ka rënë papunësia, sepse është ulur numri i njerëzve që jetojnë në Shqipëri. Në fakt, përqindja e papunësisë llogaritet në bazë të popullsisë së regjistruar. Pavarësisht se dikush është larguar, është i regjistruar në Shqipëri, në bazë të censusit të vitit 2010. Kështu që ajo është popullsia në Shqipëri dhe mbi atë numër popullsie dalin edhe rezultatet. Që do të thotë që, nëse do të merrnin logjiken që paskan ikur njerëzit, atëherë do të ulej dhe më shumë. Por ka dy gjëra; E para, ka një perceptim, që nuk është i pajustifikueshëm, që “s’ka punë”, ndërkohë që jo vetëm punë ka, por ka një problem shumë të madhe nga ana e shumë kompanive, që ka vende të lira pune që nuk i mbushin dot, jo për shkak se s’ka njerëz, por për shkak se mungojnë kualifikimet, sepse për 20 e ca vite nuk u mor njeri me arsimin profesional. Sot, këtu punojnë tajlandezë, pakistanezë, turq, si saldarorë. Në plazhin e Durrësit punojnë të huaj si kuzhinierë. Domethënë, këto janë vende pune që fare mirë mund t’i kishin shqiptarët, nëse do të kishin kualifikimet për atë çka kërkohet. Për këtë, ne i kemi dhënë një shtytje arsimit profesional dhe rezultatet do të vijnë hap pas hapi.
Ajo që dua të theksoj po ashtu është se shifrat e INSTAT-it, edhe përsa i përket ikjeve dhe ardhjeve janë ndryshe nga perceptimi. Këtu bëhet një propagandë, “kanë ikur 400 mijë, kanë ikur 500 mijë, ja këtë muaj ikën 300 mijë”. Faktet janë ndryshe, ka njerëz që ikin, ka njerëz që vijnë. Sigurisht ata që janë larguar, që largohen, janë më shumë se ata që janë kthyer dhe kthehen. Kjo nuk është një tendencë shqiptare. Kjo është një tendencë në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe Jugore, po të doni. Mjafton të shikoni shifrat e atyre që largohen nga jugu i Italisë, mjafton të shikoni shifrat e atyre që largohen nga Greqia, grekë. Por është normale, jetojmë në një botë të lirë, nuk jetojmë më në bunker. Të rinjtë që nisen jashtë për të studiuar bëjnë një gjë që është vetëm për t’u admiruar dhe për t’u respektuar. Ashtu sikundër është fakt që sa shumë eksperienca dhe sa shumë gjëra të mira i sjellin vendit ata që kthehen nga emigracioni. Ne kemi plot shembuj, njerëz që bëjnë sukses në bujqësi, bëjnë sukses në biznes, të cilët kthehen nga emigracioni. E në fund fare është fakt që, nëse nuk do të kishte emigracionin, Shqipëria do të kishte vdekur në vitin 1998. Nuk do të ngrihej më në këmbë, pas gjithë asaj shembjeje që ndodhi. Kështu që unë nuk e kuptoj për çfarë flasin. Jetojmë në një kohë që lidhet me këtë fenomen, por kjo nuk është as çudi, as tragjedi. Është një kohë e historisë sonë, kur ne jemi akoma në një proces zbulimi të një bote me shumë mundësi dhe kur ne jemi në një moment të historisë sonë që nuk jemi të zhvilluar, siç janë të tjerët në vendet ku njerëzit synojnë të shkojnë, për ta marrë më shpejt atë që ëndërrojnë.
Kështu që nuk kuptoj realisht, pse duhet ta trajtojmë këtë si një tragjedi. Kjo është historia jonë sot, prej 20 e kusur vitesh, në një fazë që për jetën e një njeriu mund të jetë shumë e gjatë, por për jetën e një vendi është shumë e shkurtër. E po të shikojmë sot vendet që janë shumë të zhvilluara, p.sh., Norvegjia ka qenë një vend që vdiste nga uria. Sot i thonë “sheikët e Europës”. Kush i bëri ata? I bëri emigracioni. Kështu janë edhe plotë vende të tjera, Irlanda, Italia, Greqia e kështu me radhë.
Pas problematikave që sollën në vëmendje kolegët, një tjetër problematikë që ka në nivel bashkish janë dy grykëderdhjet e lumenjve, qoftë lumi Erzen, qoftë edhe Ishëm, të cilët jo vetëm janë shkaktarë të përmbytjeve në këto zona, por edhe shërbejnë si vendgrumbullim mbetjesh.
Kryeministri Edi Rama: Unë jam absolutisht dakord. Është një tjetër aspekt i katastrofës mjedisore të shumë e shumë viteve. Unë mbase nxitohem, mbase jo, nuk e di, por dua t’u them të gjithëve, që ne po studiojmë marrjen e një vendimi radikal për ndalimin e qeseve plastike në Republikën e Shqipërisë. Jemi duke e studiuar. Ka anë pozitive të panumërta, ka anë problematike që duhen parë me kujdes, por unë jam i prirur të shkojmë drejt këtij vendimi, Shqipëria të jetë një vend pa qese plastike për përdorim të përditshëm. E kështu të hakmerremi me vetveten dhe më në fund të bëjmë diçka për natyrën, që ja kemi borxh fëmijëve tanë. Historia e qeseve plastike që fluturojnë në ajër, që rrinë nëpër pemë, që bukosin grykët e lumenjve, që shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, është një histori, të cilës, ne duhet t’i japim fund. Mbase ideja që do të edukohemi, do të qytetërohemi, do të sillemi në vendin tonë siç sillemi në Gjermani apo në Francë, ku nuk na shkon mendja se mund të hedhim përtokë çfarë kemi në dorë, është shumë e gjatë për t’u besuar dhe për t’u ndjekur. Mbase duhet të marrim një vendim radikal dhe t’i japim fund këtij filmi të shëmtuar, që luhet në kurrizin e fëmijëve tanë.
Shumë faleminderit dhe shpresoj të shihemi prapë, për të parë rezultate e këtyre që thashë.