Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Apolloni, ku u prezantuan projektet e reja për Qarkun e Fierit:
Përshëndetje të gjithëve!
Sot, përpara sesa të vinim këtu, ishim në Panairin e Punës në qendër të Bashkisë së Fierit, ku ishin të afishuara 1194 vende të lira pune nga 60 kompani. Bëhet fjalë për vende pune të profileve të ndryshme, që nga rojet, apo punonjësit e thjeshtë, deri tek inxhinierë elektronikë, inxhinierë mekanikë, inxhinierë ushqimi, teknologë, e kështu me radhë.
Është me shumë rëndësi të nënvizohet që, për sa i përket programit tonë të punësimit përmes zyrave të punës, Fieri është një nga zonat ku numri i të punësuarve përmes zyrave të punës është më i larti.
Nga ana tjetër, është po ashtu me rëndësi të nënvizohet se në të gjithë paketën e programeve për investimet në këtë zonë dhe në tërësi për 3 vitet e ardhshme, theksi përsëri është tek rritja e mëtejshme e punësimit.
Janë 406 projekte që kemi iniciuar dhe zbatuar me financim të qeverisë shqiptare në një vlerë prej afro 270 milionë dollarësh gjatë mandatit të parë në këtë zonë.
Po ashtu, në periudhën 2018-2020 kemi një numër të konsiderueshëm projektesh, që, jam i bindur, do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të gjithë kësaj zone, por patjetër edhe një impakt të konsiderueshëm në ekonominë tonë kombëtare.
Kjo është një zonë që i ka të gjitha potencialet për të qenë një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit dhe nuk diskutohet që, me zhvillimin më të ri, që është vendosja e stacionit të kompresorëve të Gazsjellësit Transadriatik, si dhe me zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së hidrokarbureve që shtrihet që nga ky qark dhe pastaj shkon deri në zonën e Shpiragut, Fieri do të jetë epiqendra industriale e vendit tonë. Kjo do të thotë patjetër më shumë punësim, më shumë ekonomi dhe më shumë perspektivë, veçanërisht për më të rinjtë.
Nga ana tjetër, është e qartë që Fieri ka dhe një potencial tërësisht të pashfrytëzuar turistik, po të kemi parasysh të gjithë vijën bregdetare që është krejt e pazhvilluar dhe ku ne duam të nxisim një zhvillim sa më të shpejtë, por njëkohësisht dhe një zhvillim sa më të arsyeshëm në funksion të dekadave që vijnë.
Kështu, projekti i ndërtimit të një rruge të re nga Fieri në Seman është një prioritet. Ne tanimë, siç e nënvizoi dhe drejtori i Fondit të Zhvillimit, jemi në procesin e garës dhe shumë shpejt do të fillojmë punën për këtë rrugë, duke punuar paralelisht edhe me Bashkinë e Fierit për disa propozime konkrete që na kanë ardhur për investime në turizëm në bregdetin e Semanit, që shtrihet nga Darëzeza dhe më tutje.
Nga ana tjetër, e di shumë mirë që By-Pass-i i Fierit është bërë një gangrenë dhe një stres i madh për të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë, por dhe për të gjithë turistët e shumtë. Ky do të jetë me siguri viti i fundit i këtij stresi, pasi ne u detyruam të prishim kontratat ekzistuese, një trashëgimi shumë e rëndë e të shkuarës me kompani që nuk paguanin njëra-tjetrën dhe që arritën ta kthejnë në një ngërç të madh, qoftë projektin e By-Pass-it të Fierit, qoftë edhe të By-Pass-it të Vlorës.
Kemi rifilluar procedurën me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kemi përfunduar fazën e parë të parakualifikimit dhe sipas të gjitha gjasave, në shtator do të jemi gati për të filluar dhe për të mos e ndalur më punën në mënyrë që të kemi të përfunduar By-Pass-in e Fierit, përpara sezonit tjetër turistik.
Këtu u fol edhe për ndërtimin e unazës bujqësore të Myzeqesë, por besoj që, përtej rëndësisë strategjike që ka dhe unaza bujqësore e Myzeqesë, ia vlen që të qëndrojmë pak më shumë tek turizmi, duke pasur parasysh, jo vetëm vënien në funksionim më efikas të kësaj zone të bekuar këtu ku jemi, në Apolloni, por edhe nxitjen e agroturizmit. Është një sferë tërësisht e pashfrytëzuar e potencialeve tona të mëdha për t’i kthyer bukuritë, traditën dhe mundësitë e mikpritjes në punësim dhe në zhvillim real të ekonomisë familjare.
Për këtë arsye, qeveria ka bërë gati edhe një plan mbështetjeje për të gjithë ata që do të investojnë në agroturizëm dhe këtu nuk bëhet fjalë për investime madhështore, këtu bëhet fjalë për investime familjare, apo individuale në shtëpi ekzistuese, në ferma të vogla ekzistuese për të krijuar kushtet për të pasur një mikpritje të shtrirë që nga tryeza deri në dhomat e fjetjes dhe duke përfituar një regjim fiskal tërësisht të ndryshëm nga restorantet dhe baret në tërësi, me vetëm 6% TVSh dhe me vetëm 5% tatim-fitimi.
Janë dy masa që i japin një nxitje, besoj, imagjinatës dhe rrisin kurajën e atyre që nuk e kanë të mundur që të nxjerrin mjaftueshëm, apo aq sa do të dëshironin para duke zhvilluar aktivitet tradicional bujqësor, por që kanë pronat dhe shtëpitë e tyre në pozita strategjike, në raport me natyrën, në raport me prodhimin bujqësor dhe blegtoral dhe që fare mirë, në vend që të stërmundohen për të nxjerrë atë pak prodhim nëpër rrugë e për ta shitur nëpër anët e rrugëve, mund të bëjnë që rrugën ta përshkojnë të tjerët për të ardhur e për t’i vizituar.
Agroturizmi është një histori suksesi e njohur në të gjithë Europën mesdhetare në mënyrë të veçantë dhe patjetër që shembujt e pakët që kemi sot tregojnë se kush merret me agroturizëm bën para dhe është një nga mënyrat më efikase për të dalë nga varfëria. Këtu në këtë zonë ka një mundësi fantastike për agroturizëm dhe për më tepër, qeveria edhe në financimet aktuale të Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka një program të veçantë që financon drejtpërdrejtë strukturat e agroturizmit, pra merr pjesë në financim falas, jep paratë për të plotësuar nevojën për të transformuar një shtëpi në një bujtinë, apo për të ndërtuar një bujtinë të re në një pronë pranë një ferme të vogël.
Jo vetëm kaq, por edhe programi i mbështetjes i Bashkimit Europian, – nga i cili ne për herë të parë përfitojmë, – për bujqësinë ka 11 milionë euro vetëm për ata të cilët investojnë në agroturizëm. Janë para që jepen pa asnjë interes. Nuk janë kredi. Janë grante që merr dhe vihen në punë nga njerëzit që kanë një pjesë të investimit dhe pjesën tjetër e plotëson mbështetja e qeverisë.
Ky regjim do jetë në fuqi deri në vitin 2021, për t’i dhënë një hop të parë agroturizmit, sepse ne jemi të bindur që pastaj kjo do të kthehet në një zinxhir të vazhdueshëm dhe do të përbëjë një nga rrugët kryesore të zhvillimit të ekonomisë familjare në fshat.
Nuk po zgjatem me gazsjellësin, apo me projektin e interkonjeksionit 400 kilovolt që shkon nga Fieri në Elbasan dhe në Bitola, që lidh praktikisht me një linjë interkonjeksioni Shqipërinë me Maqedoninë dhe as me një plagë të vjetër të zonës, që është rafinimi i naftës, ku shpresoj që tani jemi në rrugë të mbarë, pasi ka një marrëveshje të re dhe ka disa angazhime serioze. Por të gjitha këto i them me gjysmë zëri pasi eksperienca më ka mësuar që të jem më i përmbajtur në shprehjen e optimizmit për të rritur kapacitetet e rafinerisë, për të rritur patjetër në radhë të parë sigurinë dhe patjetër për të rritur edhe prodhimin.
E di shumë mirë që një nga pikat më të dobëta të zonës ka qenë uji i pijshëm, në shumë pjesë të territorit. Një zgjidhje tërësore e çështjes së ujit është dhe një objektiv parësor i yni. Është bërë një progres i konsiderueshëm në bashkinë e Fierit, por dhe në bashkitë e tjera rreth e rrotull. Do të investohet shumë në ndërtimin e ujësjellësve të rinj apo dhe në rindërtimin dhe rehabilitimin e rrjeteve të shpërndarjes ekzistuese, duke trajtuar probleme akute në Patos, në Roskovec dhe në shumë zona ish komunash apo edhe lagjesh në qytete.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë që ndjek drejtpërdrejtë punësimin dhe arsimin profesional foli për investimet në arsimin profesional. E vërteta është që kemi akoma një hendek shumë të madh, megjithëse është rritur numri i nxënësve që marrin pjesë në arsimin profesional, në mënyrë të ndjeshme, megjithëse janë rritur investimet, është rritur mbështetja për strukturat e arsimit profesional. Po të shikonit edhe sot në panairin e punës në Fier, mangësitë kryesore të kompanive janë për burime njerëzore të kualifikuara profesionalisht.
Ajo shprehja që dikur Blendi Klosi pati thënë me atë sportivitetin e tij karakteristik që “punë ka, por nuk ka profesionistë”, është shprehja që e dëgjon nga çdo kompani, që “kemi vende të lira pune, por na mungojnë profesionistët që mund t’i mbulojnë këto vende pune”. Saldatorë nga Tailanda, saldatorë nga Turqia, saldatorë nga Pakistani, saldatorë nga fundi i botës janë sot në Shqipëri dhe punojnë për stadiumin e Arenës Kombëtare, punojnë këtu në investimet e mëdha që janë bërë për gazsjellësin. Kjo sepse kemi mungesë për saldatorë. Po jap vetëm një shembull. Pra vijnë nga Tailanda, vijnë nga Pakistani, vijnë nga Turqia, vijnë nga Kina, saldatorë kinezë dhe paguhen nga kompani shqiptare. Albstar-i është një nga kompanitë më fantastike të vendit tonë. Është kompani që e ka bazën këtu në Fier, është kompani prodhuese që prodhon dhe eksporton në një sektor teknologjie të lartë dhe ka nevojë për saldatorë. Ndërkohë që, është e qartë që shumë djem që mbarojnë arsimin e përgjithshëm dhe nuk shkojnë në universitet, por edhe shumë që kanë mbaruar universitetin më parë dhe kanë marrë diploma kot, janë pa punë.
Ata të cilët shkojnë në arsimin profesional, është statistikisht e provuar që kanë 35% më shumë shans që të fillojnë një punë se sa ata me arsim të përgjithshëm dhe 20% më shumë shans se sa ata me universitet dhe ndryshe nga ata me arsim të përgjithshëm, kur fillojnë punë të parët, ata me arsim profesional kanë gjithmonë një rrogë më të mirë, sepse dinë diçka, bëjnë diçka. Në këtë aspekt, Fieri ka disa pika ku ne do të mbështetemi fort për të forcuar më tutje dhe për të zgjeruar gamën e mundësive në arsimin profesional, ashtu sikundër do të vazhdojmë të investojmë në një numër të konsiderueshëm shkollash 9- vjeçare dhe të mesme në gjithë qarkun.
Janë 300 qendra shëndetësore që kemi identifikuar në pikë të hallit nga 20 e kusur vite trashëgimi e rënduar në sistemin shëndetësor. Të 300 do të rindërtohen brenda këtij mandati. 80 të parat i përkasin këtij viti dhe një numër prej tyre janë edhe në këtë zonë.
Jemi duke punuar ngushtësisht me kryetarin e bashkisë së Fierit që gjej rastin ta komplimetoj për punën e shkëlqyer që po bën, sepse faktikisht nuk besoj që të ketë “qorr” me sy në ballë që të mos shikojë se çfarë transformimi rrënjësor i ka ndodhur Fierit, për të vazhduar të sistemojmë situatën lidhur me përmbytjet dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe të Pyjeve të Turqisë kemi filluar të hartojmë dy projekte të rëndësishme, njëri për Vjosën dhe tjetri për Bunën, ku duam të bëjmë disa ndërhyrje të thella, në mënyrë që ajo pjesë e përmbytjeve që lidhet me mungesën e kapaciteteve mbrojtëse, të mund të eliminohet.
Më vjen shumë mirë që, më në fund edhe polemika absurde e nxitur nga gjithfarë sharlatanësh dhe gjithfarë manipulatorësh politikë dhe jo vetëm politikë, për trajtimin e mbetjeve ka përfunduar dhe Fieri, e gjithë zona, do ketë një impiant modern të trajtimit dhe të përpunimit të mbetjeve nga ku do prodhohet dhe energji.
Ajo që njerëzit duet të kuptojnë mirë kur i dëgjojnë këta sharlatanë është se në ndërkohë, mbetjet që janë jashtë çdo kontrolli, vazhdojnë të krijojnë probleme të rënda afatgjata për ujërat nëntokësorë dhe për gjithë procesin e prodhimit të tokës bujqësore. Ndërkohë që, në mes të Vjenës ka një impiant të përpunimit të mbetjeve që prodhon energji elektrike dhe ndërkohë që tendenca në të gjitha vendet e Bashkimit Europian është tërheqja nga landfilldet të cilat zënë shumë territore dhe të cilat kanë një cikël të shkurtër përpunimi, tek përpunuesit e mbetjes përmes djegies dhe transformimit të mbetjeve, në energji elektrike.
Kështu që, ajo që do të ndodhë edhe në Fier, si në Elbasan, si në Tiranë dhe më tutje hap pas hapi, pasi këto janë investime që kanë koston e tyre, është që do të kemi më në fund vendosje nën kontroll të mbetjeve në një zonë që ka prioritet bujqësinë dhe prodhimin bujqësor cilësor dhe do të kemi më në fund një mjedis të mbrojtur nga helmet dhe nga pasojat që krijojnë mbetjet jashtë kontrollit.
Kjo është e vërteta dhe prandaj të gjithë banorët rreth e rrotull atij investimi, por dhe gjithë të tjerët, jo vetëm që nuk duhet të shqetësohen se çfarë po ju ndodh, por përkundrazi, duhet të marrin frymë lirisht që më në fund po shpëtojnë nga helmimi i pandjeshëm dhe i padukshëm i ditëpërditshëm i më shumë se 30-40 vjetëve, pasi plehrat kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Një tjetër element që dua të prek këtu është programi i 100 fshatrave ku ne do të ngremë 100 modele të zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe ku edhe Fieri ka 9 të tillë si pjesë e programit për të ndërtuar shembuj të integruar të transformimit në funksion të turizmit.
Turizmi është e ardhmja jonë.
Turizmi është motori kryesor i ekonomisë sonë natyrale dhe ne për këtë arsye duhet të fokusohemi dhe do të fokusohemi gjithmonë e më tepër tek turizmi, duke harmonizuar politikat dhe duke harmonizuar edhe investimet që nga bregdeti deri në Alpe. Që nga zonat urbane, deri në zonat e thella rurale dhe duke kombinuar turizmin tradicional me agroturizmin.
Do të vazhdojmë me projektet e rilindjes urbane, të kombinuara me projektet e rilindjes rurale sepse jemi shumë të vetëdijshëm për sa shumë nevojë ka akoma për infrastrukturë të të gjitha llojeve, sidomos në zonat jashtë bashkive, por ka akoma nevojë edhe brenda bashkive po të kemi parasysh, jo vetëm Fierin, por edhe Patosin, edhe Roskovecin, edhe Mallakastrën edhe Lushnjën, se Divjakën, dihet tani, e ka Erjon Braçja në dorë dhe gjërat aty shkojnë me më shumë shpejtësi se ai është dhe më i vogël dhe vrapon më shpejt se ne të tjerët.
Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj!
Kam shumë besim se, ashtu sikundër besoj të gjithë e kanë para syve provën që ne e premtuam kur ndryshuam drejtimin e bashkive se me mbështetjen e qeverisë do të bënim më shumë se sa është bërë në gjithë vitet e tjera të marra sëbashku, unë dua t’ju siguroj se qoftë për Fierin, qoftë për gjithë bashkitë e tjera dhe për gjithë qarkun, gjatë këtij mandati do të bëjmë më shumë se sa të gjithë vitet e tjera të marra sëbashku.
Faleminderit!