Lëvizja sportive në shkolla u formësua sot me një finale basketbolli mes dy shkollave 9-vjeçare më të mira të qarkut të Tiranës, shkollës “Hilary Clinton” dhe “Dhora Leka”.
I pranishëm në këtë finale mes skuadrave të vajzave ishte dhe Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli dhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Shqipërisë Fidel Ylli. Kryeministri Rama përgëzoi shkollën fituese, të cilët ngritën në mënyrë simbolike edhe kupën e këtij eventi.
“Unë pashë një pjesë të ndeshjes por realisht, nuk e prisja të ishte një ndeshje kaq e fortë, kaq e bukur, kaq e barabartë. Të dyja skuadrat e meritonin të fitonin por nuk fitojnë dot dy, fiton një dhe sot Kamza i dha Tiranës një mësim. Kështu që, ju lumtë; luajtët me shpirt, luajtët me inat, luajtët me durim dhe fituat”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Kryebashkiaku i Kamzës nga ana e tij e vlerësoi këtë nismë si tëjashtëzakonshme. “Falë misionit dhe kësaj nisme, vetëm në bashkinë e Kamzës janë përfshirë rreth 300djem dhe vajza dhe falë këtij aktiviteti ne sot jemi këtu”, – tha Kryetari I Bashkisë Suli.
Për herë të parë qeveria përcakton një fond të veçantë në buxhet për të mbështetur financiarisht këtë program. Kampionatet e programit “Ekipet Sportive” po i japin jetë lëvizjes sportive kombëtare të shumëpritur për nxënësit e prindërit, me rreth 700 ekipe në disiplinën e volejbollit dhe basketbollit.