Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Brezat e Rinj dhe Europa e Bashkuar” bashkoi sot në COD, në një dialog me të rinj, akademikë, politikanë e diplomatë, Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian dhe Kryeministrin Edi Rama. Takimi u moderua nga studentë të ekselencës, të shkencave politike e gazetarisë.

Brezat e rinj dhe roli i tyre në Europën e Bashkuar të së sotmes e së nesërmes, sfidat në rrugëtimin drejt BE-së dhe çështje të tjera të ditës ishin në qendër të dialogut.

Znj. Fajon, e cila ka mbajtur disa detyra në PE, mes të cilave, raportuese për procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, proces që i dha edhe Shqipërisë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, u shpreh se vëren progres domethënës në Shqipëri. Ndërsa sfidat e sotme europiane nga ekonomia tek terrorizmi janë sfida që kërkojnë bashkëveprim mes vendeve.

“Ju e dini që ne jetojmë në kohë mjaft të vështira. Kam udhëtuar sot nga Brukseli për 9 orë, pasi aeroporti ynë është ende i mbyllur për shkak të sulmeve terroriste dhe ajo çfarë po ndodh është vërtetë tronditëse. Në Europë po kalojmë nga një krizë tek tjetra për disa vjet tanimë. Sfida e përbashkët që është terrorizmi, kriza ekonomike apo papunësia e të rinjve. Të gjithë këto janë sfida me të cilat duhet të përballemi të gjithë së bashku. Shpresoj se Shqipëria do të shënojë një vit vërtetë të mirë në ecurinë e saj drejt BE. Keni arritur rezultate mjaft domethënëse gjatë vitit të kaluar.”

Shqipëria dhe Europa i nevojiten njëri-tjetrit, beson Fajon dhe shprehu angazhimin për të vazhduar mbështetjen në etapën e radhës në integrimin europian të Shqipërisë. “Ne po përpiqemi t’ju mbështesim së bashku me kolegët në Parlamentin Europian, të mbështesim datën e hapjes të negociatave. Shqipëria për mua ka qenë gjithnjë pjesë e Europës dhe gjithnjë do të jetë pjesë e Europës. Na duhet Shqipëria, i nevojitemi njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja pse besoj fort që për brezat e rinj, sidomos na duhet të përqendrohemi, duke qenë se ata meritojnë më mirë. Janë ata, të cilët në të ardhmen do të formësojnë fatet e vendeve tona. Kur brezat e rinj në vendin tuaj, do të kenë vizionin, kjo nënkupton që dhe vetë vendi ka një të ardhme. Për këtë arsye, ne po punojmë fort në Parlamentin Europian për të nxitur perspektivat e të rinjve.”

Në këtë hark kohor 25 vjeçar, ndryshimet në Shqipëri, në këndvështrimin e Kryeministrit, kanë qenë kolosale, por jo gjithmonë për mirë, pasi kanë sjell edhe plagë shumë të mëdha. “Ajo çka i ka munguar seriozisht gjithë këtij zhvillimi të paqëndrueshëm ka qenë mungesa e një përpjekje të mirëorientuar dhe të mirëorkestruar, për të ndërtuar institucione të qëndrueshme. Fakti që ne sot, jemi të gjithë të përfshirë pas 25 vitesh me kaq shumë domosdoshmëri, por dhe me kaq shumë nevojë të brendshme, ankth të brendshëm të popullit tonë, në një reformë si ajo e drejtësisë, flet vetë për çfarë na mungon. E ajo që na mungon në sistemin e drejtësisë, na mungon përgjithësisht në të gjitha sistemet që e bën të funksionojë shtetin shqiptar.”

Unë besoj fort se natyra pozitive e zhvillimit, – theksoi Kryeministri, – është përcaktuar nga dy faktorë, nga kapaciteti i shqiptarëve për të guxuar dhe për të projektuar të ardhmen me shumë guxim dhe nga fakti që Shqipëria është një vend në mes të Europës dhe angazhimi në procesin e integrimit. “Pa procesin e integrimit Shqipëria do ta kishte të pamundur që të hidhte hapat që ka hedhur, aq sa ka hedhur dhe do ta kishte të pamundur që të synonte që të bëhej një vend modern, që të ndërtonte një shtet normal.” Procesi i integrimit është instrumenti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm që ne kemi si shoqëri, për t’u bërë një shtet modern. Sepse është i vetmi instrument që mund ta mbajë Shqipërinë të fokusuar tek një qëllim i madh dhe pavarësisht gjithë luhatjeve, pavarësisht gjithë energjive të çuara dëm dhe pavarësisht të gjithë konfliktualitet të natyrshëm, – që ne pastaj e ekzagjerojmë në mënyrë të panatyrshme, – do të vazhdojë të jetë e bashkuar në këtë proces.”

Për Kryeministrin Edi Rama, projekti europian është së pari, projekti i të rinjve. “Nëse sot kemi një rini të orientuar, siç është në të mirën e perspektivës të shoqërisë sonë dhe të shoqërive tona në rajon, kjo i dedikohet Europës, Bashkimit Europian, sepse është një forcë e madhe tërheqëse që krijon perspektivë.” Po të mos ishte BE, – vijoi Kryeministri – nuk do të ishte arritur paqja në Ballkan. “Është BE që i bën të gjitha palët të vetëdijshëm se ajo është rruga e të nesërmes dhe që e bën shumë më të lehtë rrugën e paqes. Ashtu sikundër varet shumë nga BE dhe nga mënyra sesi do të zhvillohet historia aktuale e Europës, sesa ne do të jemi mirë nesër. Për këtë arsye, projekti europian është një projekt i të rinjve në radhë të parë.”

Në fund u përcoll mesazhi i përbashkët, për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes dhe të angazhimit më aktiv të të rinjve në jetën shoqërore. “Do të jeni ju që do të formësoni të ardhmen e vendit tuaj. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për ju tani,” – tha Fajon.

“Ne kemi çelur një konkurs për të rinjtë që duan të provojnë nëse kanë aftësi për të qenë lider, “Fresh Voice”, që ka pasur 2100 regjistrime deri pak para pak ditësh. Është një mundësi unikale për shumë të rinj që duan një rrugë, një shans e një moment ku të evidentohen, të dëgjohen,” – u shpreh Kryeministri Rama, duke shtuar se në këtë mënyrë të rinjtë mund ta përdorin politikën si një hapësirë ku bën të dëgjohet zëri i tyre, të përçohen idetë e tyre dhe të influencojnë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.