Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, gjatë prezantimit projektit Lungomare, në Vlorë:
Mirëmbrëma të gjithëve,
Është sinqerisht, një moment i bukur, sepse kurorëzojmë një pjesë të rëndësishme të punës që kemi nisur, për një transformim rrënjësor të vijës sonë bregdetare. Të vijës bregdetare të mbarë vendit, që nis duke vendosur këtë gur të rëndësishëm themeli, me vijën bregdetare të Vlorës.
Po ashtu është shumë e rëndësishme që projekti i prezantuar na siguron një cilësi krejt të re të vizionit për Vlorën dhe Shqipërinë e këtij shekulli të ri dhe na garanton një nivel realizueshmërie absolutisht të plotë, duke qenë një projekt sa i thjeshtë, aq dhe i mrekullueshëm në qartësinë me të cilën arkitektët dhe gjithë ekipi i tyre kanë arritur të mishërojnë nevojat, sëbashku me aspiratat, në një kornizë të vetme.
Është me shumë rëndësi, po ashtu, që ne sot kemi në dispozicion një projekt, të realizuar në një kohë rekord për nga volumi i çështjeve me të cilat duheshim të përballeshim dhe nga ana tjetër bëjmë realitet, falë kësaj kohe rekord të realizimit të projektit, në kohë rekord edhe realizimin e pjesës së parë të vijës bregdetare të qytetit, që përfshin segmentin tek Porti deri tek tuneli, që është edhe pjesë më e rrahur historikisht, e vijës bregdetare, por që është edhe pjesa më prezantuese e qytetit dhe e gjithë kësaj krahine.
Është me shumë rëndësi, po ashtu, që ky projekt përkon me fillimin e një transformimi rrënjësor, që do të vijë si rezultat i reformës së ndarjes së re administrative. Tanimë, Bashkia e Vlorës do të shtrihet në një hapësirë shumë më të gjerë dhe vija bregdetare e Jonit do të fillojë me Bashkinë e Vlorës, do të vazhdojë me Bashkinë e Himarës dhe do të përfundojë me Bashkinë e Sarandës, por jo vetëm me anën e detit, por edhe me anën që prek të gjithë territoret, ku ne do t’i japin jetë një zhvillimi të ri të bujqësisë, të blegtorisë dhe të turizmit përmes bujqësisë dhe blegtorisë.
Pa asnjë dyshim, të tria këto pika kyçe të zhvillimit të bregdetit Jon, nga Vlora, në Himarë dhe në Sarandë kanë marrë një forcë të re dhe janë tanimë, në një potencial shumë më të madh të zhvillimit të integruar urban, ekonomik e social, falë integrimit të gjithë komunave ekzistuese në përbërjen e këtyre tre bashkive të mëdha. Çka do të thotë nga ana tjetër, se tanimë garantohet administrativisht, edhe një integrim shumë më i plotë mes gjithë pjesës së kësaj zone të Shqipërisë që banon pranë detit dhe pjesës që banon më në thellësi, duke harmonizuar zhvillimin që vjen nga turizmi bregdetar me zhvillimin që do të garantojë politika jonë e re, në të gjithë pjesën e lumit të Vlorës e deri poshtë, ku përfundon jugu bregdetar i Shqipërisë.
Për të gjitha këto arsye që nuk janë të vetmet, në fakt, ky projekt ka një rëndësi të posaçme dhe ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë zbatimit të tij. Ndërkohë që bazuar edhe tek forca e re që i jep zhvillimit të vendit ndarja e re administrative, ne do të fillojmë menjëherë punën për të pasur të qartë ecurinë e mëtejshme dhe zinxhirin e projekteve që do të pasojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që hapja e këtij sipari me vijën bregdetare të Vlorës, të shoqërohet me zhvillime të reja dhe intensive përgjatë gjithë territoreve të këtyre tre bashkive, tanimë shumë të rëndësishme për nga potencialet, por edhe për nga përgjegjësia, në gjithë vijën e Jonit, ku Vlora, padyshim, ka rolin e qendrës së gravitetit që lidh pjesën e Jugut me pjesën e Veriut të vendit.
Në këtë aspekt dua të theksoj se ne kemi një plan shumë të qartë. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po punon intensivisht për të bërë të mundur që, qoftë nëpërmjet financimeve të brendshme, qoftë nëpërmjet financimeve të huaja, ne të sigurojmë që në harkun e tre viteve të ardhshme, zhvillimi që fillon si një fazë e re transformimi e bregdetit këtu në Vlorë, të preki të gjithë vijën bregdetare të vendit dhe të fillojë të shtrihet brendapërbrenda zemrës së këtyre tre bashkive të mëdha dhe përkatësisht, brendapërbrenda qytetit të Vlorës.
Shumë shpejt do të fillojmë edhe një ndërhyrje tjetër që unë e konsideroj të rëndësishme, falë bashkëpunimit me Bashkinë e Vlorës dhe gjej rastin këtu që t’i falënderoj të gjithë ata që u përfshinë drejtpërdrejt në Bashkinë e Vlorës, me mbështetjen e skuadrës projektuese të vijës bregdetare dhe e kam fjalën për projektin e ndërtimit të disa fushave dhe zonave të reja sportive pranë shkollave, këtu në Vlorë. Që është një projekt që përbën edhe ky, vetëm fillimin e një procesi tërësor transformimi të të gjithë rrjetit dhe infrastrukturës së sistemit parauniversitar këtu në qytet, pastaj dhe në gjithë Bashkinë e re të Vlorës.
Nuk dua të zgajtem më tutje, besoj që durimi me të cilin të gjithë ju e përballuat këtë shfaqe jo të shkurtër, që nuk është në fakt një durim karakteristik për vlonjatët, tregon që projekti ka merituar vlerësimin tuaj më të mirë. Nga ana tjetër jam i bindur që bashkërisht, ne do ta shoqërojmë projektin në vijim, gjatë gjithë periudhës së realizimit dhe do të bëjmë të mundur që aty nga ku ne hoqëm rreth 45 mijë tonë mbeturina inerte dhe ku kemi çliruar deri tani rreth 95 mijë metra katrorë sipërfaqe, qytetarët e Vlorës, familjet vlonjate, në mënyrë të posaçme gjyshet e Vlorës, që deri kur arrijnë 100 vjeç, asnjëherë nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të bëjnë shëtitje, bashkë me nipërit e mbesat, të kenë mundësi që duke filluar nga vjeshta e vitit të ardhshëm ta shijojnë në realitetin e ri të vijës bregdetare, frytin e kësaj pune të madhe të përbashkët, mes qeverisë sonë, mes studios projektuese, faktikisht të dyja studiove që po bashkëpunojnë, një studio e famshme ndërkombëtare dhe një studio e mirë shqiptare, Bashkisë Vlorë dhe gjithë komunitetit këtu në Vlorë, që deri tani ka qenë mjaft mbështetës, por unë e di shumë mirë se, nëse oreksi vjen duke ngrenë, oreksi i vlonjatëve shtohet edhe pa ngrënë.
Kështu që, ne kemi nevojë të ecim shumë shpejt, në mënyrë që të garantojmë që mbështetja e komunitetit të shkojë duke u forcuar dhe falë kësaj mbështetjeje, ne të gjithë bashkë, brenda këtij mandati të parë të qeverisës t’i japim mundësinë të gjithë këtij komuniteti, veçanërisht të gjeneratës së re të vajzave dhe djemve të Vlorës, që të shikojnë se çfarë potencialesh të jashtëzakonshme kemi në dorë, për të zhvilluar këtë qytet dhe gjithë këtë zonë fantastike të Shqipërisë dhe se sa shumë me fakt është kush lind dhe rritet këtu në Vlorë.
Shumë faleminderit.
***
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit bëri sot, prezantimin publik të projektit të zbatimit për vijën bregdetare të Vlorës, në një takim të hapur në sheshin “Pavarësia” të këtij qyteti.
Projekti i njohur synon ta shndërrojë vijën bregdetare të Vlorës jo vetëm në një destinacion në guidat për vizitorët dhe turistët e huaj, por edhe si një model zhvillimi në pjesë të tjera të bregdetit shqiptar.
“Ky projekt është një premtim i mbajtur në kohë rekord, si dëshmi e vullnetit të kësaj qeveri për të punuar me shumë përkushtim në një proces tashmë të pandalshëm, për rigjenerimin dhe rigjallërimin e zonave urbane dhe rurale që ofrojnë potenciale turistike të jashtëzakonshme, “ – u shpreh Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.
Projekti për vijën bregdetare të Vlorës është hartuar nga studio belge XDGA, në vijim të projekt-propozimit që u përzgjodh nga një juri ndërkombëtare, në një konkurrim ndërkombëtar midis 45 projekt-propozimeve të paraqitura nga studio arkitekturore vendase e të huaja.
Përfaqësuesit XDGA, të kryesuar nga arkitekti Xaveer de Geyter dhe në një bashkëpunim me një studio shqiptare shpjeguan detaje të projektit, i cili, sipas tyre, synon të përmbushë dy objektiva, respektimin dhe shfrytëzimin e të gjithë hapësirës së vijës bregdetare dhe përshtatjen e tij me elementët specifikë të saj, duke krijuar kështu, një hapësirë për të gjithë dhe aktive për pjesën më të madhe të vitit.
Prezantimi publik u shoqërua me një ekspozitë të posaçme, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të sezonit veror. Ndërsa projekti do të hyjë në fazën e zbatimit në vjeshtë të këtij viti.