Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligj i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 18 mars 2015
 
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR RREGULLAT E ZBATIMIT TË ASISTENCËS FINANCIARE TË BE-SË PËR SHQIPËRINË, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAANËTARËSIMIT (IPA II)”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I: 
 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR RREGULLAT E ZBATIMIT TË ASISTENCËS FINANCIARE TË BE-SË PËR SHQIPËRINË, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAANËTARËSIMIT (IPA II)
 
Në mbështetje të neneve 78, 82, pikat 1 e 2, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9875, DATË 14.2.2008, “PËR METROLOGJINË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9875, datë 14.2.2008, “Për metrologjinë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.  
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9875, DATË 14.2.2008, “PËR METROLOGJINË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9875, datë 14.2.2008, “Për metrologjinë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
Neni 1
 
Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:
 
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“a) Autoriteti i Inspektimit të Tregut dhe Metrologjisë (këtu e në vijim Autoriteti).”
 
2. Shkronja “e” shfuqizohet. 
 
Neni 2
 
Neni 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 7
Autoriteti i Inspektimit të Tregut dhe Metrologjisë
 
1. Autoriteti është person juridik publik, me juridiksion në të gjithë territorin e vendit, e organizuar si drejtori e përgjithshme në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë. 
 
2. Autoriteti, në kuadër të këtij ligji, është përgjegjës për metrologjinë shkencore, industriale dhe ligjore si dhe për inspektimin metrologjik, sipas dispozitave të këtij ligji. 
 
3. Autoriteti kryen dhe funksione të tjera inspektuese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.
 
4. Autoriteti drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili është njëkohësisht edhe kryeinspektor, sipas përcaktimeve në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
 
5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe nëpunësve të Autoritetit rregullohen, sipas legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen me Kodin e Punës.
 
6. Organizimi dhe funksionimi i Autoritetit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 3
 
Neni 7/1 shfuqizohet. 
 
Neni 4
 
Në nenin 8 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:  
 
1. Titulli ndryshohet dhe zëvendësohet me: “Detyrat dhe të drejtat e Autoritetit”
 
2. Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Autoriteti ka këto të drejta dhe detyra : …”.
 
3. Pas pikës 21 shtohen pikat 22, 23 e 24, me këtë përmbajtje:
 
“22. Realizon inspektimin metrologjik.
 
23. Merr vendim për heqjen nga tregu të instrumentit matës, kur ky instrument nuk plotëson kërkesat teknike dhe metrologjike të kërkuara, të përcaktuara për një procedurë testimi.
 
24. Kryen dhe funksione të tjera inspektuese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave sipas legjislacionit në fuqi.”.
 
Neni 5
 
Neni 8/1 shfuqizohet.
 
Neni 6
 
Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 10
Këshilli i Metrologjisë
 
1. Në Autoritet krijohet dhe funksionon Këshilli i Metrologjisë i cili është organ këshillimor i Autoritetit.
 
2. Organizimi dhe funksionimi i këtij organi përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.”.
 
Neni 7
 
Në pikën 2, të nenit 18, pas fjalëve “… instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara …” shtohen “ …, që nuk janë objekt i markimit CE …,”.
 
Neni 8
 
Në nenin 22 bëhen këto shtesa:
 
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… miraton tipin e instrumentit matës …” shtohen  “ …, që nuk janë objekt i markimit CE,…”.
 
2. Në pikën 4, pas fjalëve “… instrumenteve matëse ligjërisht të      kontrolluara …”  shtohen “ …, që nuk janë objekt i markimit CE,…”.
 
Neni 9
 
Titulli i nenit 25 ndryshohet dhe zëvendësohet me: “Verifikimi fillestar i instrumentit matës ligjërisht të kontrolluar, që nuk është objekt i markimit CE”.
 
Neni 10
 
Në pikën 2, të nenit 30, pas fjalëve “… organizma të tjerë …” shtohet “… të akredituar …”.
 
Neni 11
 
Në pikën 2, të nenit  34, pas fjalëve “… person juridik i autorizuar …” shtohen “…, që nuk ka qenë i përfshirë në verifikimet e instrumentit matës në fjalë, …”.
 
Neni 12
 
Nenet 38 dhe 39 ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“Neni 38
Regjistrimi i prodhuesve dhe i importuesve
 
1. Prodhuesit dhe importuesit e parapaketimeve dhe shisheve enëmatëse duhet të regjistrohen pranë strukturës përgjegjëse për metrologjinë,  sipas kërkesave dhe procedurave të miratuara nga ministri përgjegjës për ekonominë. 
 
2. Prodhuesit dhe importuesit detyrohen të njoftojnë Autoritetin për çdo ndryshim të kryer pas regjistrimit.
 
Neni 39
Miratimi dhe monitorimi i sistemit të kontrollit sasior të prodhuesve të parapaketimeve
 
1. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit miraton sistemin e kontrollit sasior të prodhuesve të parapaketimeve, që kanë bërë kërkesë për miratim sistemi, nëse ai plotëson kërkesat e përcaktuara.
 
2. Autoriteti monitoron sistemin e kontrollit sasior të miratuar të prodhuesit dhe, në qoftë se është e nevojshme, jep rekomandime për përmirësimin e tij.
 
3. Regjistrimi i prodhuesve të parapaketimeve me shenjë konformiteti bëhet dhe ruhet si i tillë vetëm nëse sistemi i tij i kontrollit sasior është i miratuar.
 
4. Ministri përgjegjës për ekonominë përcakton kërkesat dhe procedurat e miratimit, regjistrimit dhe monitorimit të sistemit të kontrollit sasior të prodhuesve të parapaketimeve me shenjë konformiteti.”.
 
Neni 13
 
Në nenet 3, pikat 21, 25 dhe 28; 6, shkronja “dh”; 10, paragrafi i parë; 12, pikat 1 dhe 4; 13, pikat 1, 3, 4 dhe 5; 16, pikat 2 dhe 4; 20, pika 4; 22, pikat 1 dhe 2;  23, pikat 3 dhe 4; 27; 28, pika 2; 29, pika 1; 30, pikat 2 dhe 3; 31, pikat 2 dhe 3; 34, pikat 2 dhe 5; 40, pikat 1, 2 dhe 3; 41, pikat 1 dhe 4; 42, pika 1; 43,     shkronja “b”; 44, pika 1; 45, pikat 1, shkronjat “b” dhe “ç”, dhe 2; 46, pikat 2 dhe 3; 56; 58; 59; 62; 63, pika 2 dhe 67, fjala “… Inspektori …” zëvendësohet me “… Autoriteti …”.
 
Neni 14
Dispozitë e fundit
 
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 7 dhe 8, të ligjit.
 
Neni 15
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.