Projektligje miratuar ne mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 08 prill 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10296, DATË 8.7.2010, “PËR MENAXHIMIN FINANCIAR DHE KONTROLLIN””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10296, DATË 8.7.2010, “PËR MENAXHIMIN FINANCIAR DHE KONTROLLIN”
Në bazë të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Paragrafi i parë, i nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Ky ligj zbatohet në njësitë publike, ku, sipas ligjit, përfshihen:”.
Neni 2
Në nenin 4 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në fund të pikave 5 dhe 6 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Njësia e qeverisjes qendrore përfshin organin qendror të njësisë dhe njësitë e varësisë, të kontrolluara prej saj.”.
2. Në fund të pikës 7 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Njësia e fondeve speciale përfshin organin qendror të njësisë dhe njësitë e varësisë, të kontrolluara prej saj.”.
3. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Të gjitha nivelet e njësisë publike ose njësi janë terma që u referohen njësive të përmendura në nenin 3, të këtij ligji, dhe nënkuptojnë organin qendror të njësisë publike dhe secilën njësi vartëse, të konsideruar më vete.”.
4. Pas pikës 19 shtohet pika 19/1, me këtë përmbajtje:
“19/1. “Veprimtaritë kryesore” janë ato veprimtari që kontribuojnë në arritjen e objektivave të njësisë dhe përfshijnë zbatimin e aktiviteteve, programeve, projekteve më të rëndësishme të saj.”.
5. Në fund të pikës 22 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në kuptim të këtij ligji, titullar i njësisë publike, që drejtohet me organe vendimmarrëse kolegjiale, por që nuk organizohet si shoqëri tregtare, konsiderohet ky organ.”.
6. Pas pikës 22 shtohet pika 22/1, me këtë përmbajtje:
“22/1. Titullar i njësisë në shoqëritë tregtare konsiderohet organi përgjegjës për përcaktimin e politikave të shoqërisë, sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.”.
7. Pas pikës 23 shtohet pika 23/1, me këtë përmbajtje:
“23/1. Nëpunës autorizues i nivelit të dytë dhe/ose të niveleve të tjera janë nëpunës të administratës publike në secilën nga njësitë vartëse, me buxhet më vete të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre, që përgjigjet përpara nëpunësit autorizues.”.
8. Në pikën 24, emërtimi “Nëpunës i nivelit të lartë menaxhues të njësisë” zëvendësohet me “Nëpunës i nivelit menaxherial të njësisë”.
Neni 3
Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 5
Menaxhimi financiar dhe kontrolli
Menaxhimi financiar dhe kontrolli është një sistem politikash, procedurash, veprimtarish dhe kontrollesh, nëpërmjet të cilave burimet financiare janë planifikuar, drejtuar dhe kontrolluar për të mundësuar dhe influencuar ofrimin me efikasitet dhe efektshmëri të shërbimeve publike. Ky sistem vendoset, ruhet dhe përditësohet rregullisht nga titullari i njësisë publike dhe vihet në zbatim nga i gjithë personeli, me qëllim për të adresuar risqet e për të dhënë garanci të mjaftueshme se objektivat e njësisë publike do të arrihen nëpërmjet:
a) veprimtarive efektive, të efektshme dhe me ekonomi;
b) pajtueshmërisë me legjislacionin dhe me aktet e brendshme e kontratat;
c) informacioneve operative e financiare të besueshme e të plota;
ç) mbrojtjes së informacionit e të aktiveve.”.
Neni 4
Pas shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 6, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Funksionet dhe detyrat e strukturës përgjegjëse për financat në njësitë e qeverisjes së përgjithshme.”.
Neni 5
Në pikën 8, të nenit 8, bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “a”, fjalët “… hartimin e politikave, miratimin dhe monitorimin e objektivave …” zëvendësohen me “… miratimin e politikave dhe monitorimin e objektivave …”.
2. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) propozimin e një strukture të përshtatshme organizative dhe vendosjen e linjave të raportimit, që mundësojnë kryerjen efektive të përgjegjësive të tyre, përveç rasteve kur legjislacioni i posaçëm parashikon ndryshe.”.
Neni 6
Në nenin 9 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Nëpunësi autorizues i njësisë publike cakton nëpunës autorizues të nivelit të dytë drejtuesit e programeve e nënprogrameve të çdo strukture dhe njësie të varësisë direkte, për të cilat identifikohet buxhet i veçantë. Në njësitë publike të përshkallëzuara me disa nivele njësish shpenzuese, nëpunësit autorizues caktohen nga organi epror direkt dhe emërtohen sipas nivelit të varësisë në nëpunës autorizues të nivelit të dytë, të tretë e të katërt.”
2. Fillimi i fjalisë së parë, të pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Nëpunësit autorizues të të gjitha niveleve të njësive të varësisë janë përgjegjës dhe raportojnë sipas shkallës hierarkike, …”.
3. Shkronja “ç”, e pikës 4, shfuqizohet.
Neni 7
Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Përgjegjshmëria menaxheriale e koordinatorit të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe koordinatorit të riskut
1. Koordinator i menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe koordinator i riskut është nëpunësi autorizues i njësisë publike.
2. Në përmbushje të përgjegjësive të tij, nëpunësi autorizues mund t’i delegojë disa prej detyrave të veta për koordinimin e menaxhimit financiar dhe kontrollin e koordinimin e riskut punonjësve, pjesë të strukturës së financës.
3. Përgjegjësitë dhe detyrat e koordinatorit të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe koordinatorit të riskut përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
Neni 8
Në nenin 12 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Nëpunës zbatues i njësisë publike është drejtuesi i strukturës përgjegjëse për financat të njësisë publike, në varësi direkte nga nëpunësi autorizues i njësisë dhe që ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në shkencat ekonomike ose zotëron diplomë universitare të ekuivalentuar me të, me përvojë pune jo më pak se pesë vjet në profesion. Nëpunësi zbatues emërohet në njësi, sipas kuadrit ligjor në fuqi, duke respektuar plotësimin e kërkesave të kësaj pike.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Në njësitë publike të ndërtuara me më shumë se dy nivele varësie, punonjësit e financës në strukturat përgjegjëse të financave, të vendosur në nivelet e poshtme të varësisë, konsiderohen punonjës të deleguar të nëpunësit zbatues të njësisë nga varen. Punonjësit e financës, të vendosur në nivelet e poshtme të varësisë, duhet të kenë përfunduar të paktën studimet e ciklit të parë në shkencat ekonomike dhe raportojnë në mënyrë të dyfishtë te nëpunësi zbatues i njësisë nga varen dhe nëpunësi autorizues përkatës.”.
Neni 9
Pika 4, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Delegimi i të drejtave dhe i detyrave nuk cenon të drejtat e menaxherit dhe nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia administrative për realizimin e objektivave, kontrollin e risqeve përkatëse apo për përzgjedhjen e vartësit, tek i cili delegohen të drejtat dhe detyrat. Delegimi kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative.”.
Neni 10
Në pikën 2, të nenit 16, fjalët “… të detajuara për procedurat kryesore …” zëvendësohen me “… për procedura që lidhen me veprimtari kryesore të njësisë …”.
Neni 11
Në nenin 18 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1, fjalët “… sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 3, …” zëvendësohen me “… sipas pikës 1, të nenit 3, …”.
2. Në pikën 2, fjalët “… fundi i muajit prill, …” zëvendësohen me “… fundi i muajit maj, …”.
3. Pika 3 riformulohet, si më poshtë vijon:
“3. Ministri i Financave u paraqet Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, brenda muajit qershor të çdo viti, raportin vjetor për cilësinë dhe funksionimin e kontrollit të brendshëm financiar publik për vitin paraardhës, përfshirë edhe gjetjet e rëndësishme dhe rekomandimet për përmirësimin e sistemit.”.
Neni 12
Në pikën 3, të nenit 22, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në fund të shkronjës “b”, fjalët “… sipas udhëzimit të ministrit të Financave …” shfuqizohen.
2. Në fund shkronjës “c” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“apo të nëpunësve të deleguar prej tyre sipas shkallës së riskut të lidhur me të, të vlerësuar për çdo angazhim.”.
Neni 13
Pika 1, e nenit 25, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ministri i Financave, në përmbushjen e detyrave të tij, sipas nenit 3, të këtij ligji, mbështetet nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit, si pjesë e strukturës përgjegjëse për harmonizimin e kontrollit të brendshëm financiar publik. Struktura përgjegjëse për harmonizimin e kontrollit të brendshëm financiar publik i raporton nëpunësit të parë autorizues dhe ministrit përgjegjës të financave.”.
Neni 14
Në nenin 26 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas shkronjës “d”, të pikës 1, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) Krijimin dhe përditësimin e regjistrit të nëpunësve autorizues dhe nëpunësve zbatues të njësive publike.”.
2. Pika 4 shfuqizohet.
Neni 15
Neni 28 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 28
Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik
1. Në Ministrinë e Financave ngrihet Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, me detyrën e mbikëqyrjes së çështjeve që lidhen me menaxhimin financiar dhe kontrollin e auditimin e brendshëm, në sektorin publik.
2. Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik përbëhet nga ministri i Financave, në cilësinë e kryetarit të këtij bordi, Nëpunësi i Parë Autorizues, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për kontrollin e brendshëm financiar publik, drejtuesi i strukturës përgjegjëse të buxhetit, tre anëtarë të emëruar nga ministri i Financave, me përvojë në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe në fushën e auditimit të brendshëm.
3. Bordi shqyrton nevojën për miratimin e legjislacionit shtesë apo për përmirësimin e kuadrit rregullator të kontrollit të brendshëm financiar publik.
4. Bordi diskuton rreth raportit vjetor për kontrollin e brendshëm financiar publik para se të miratohet nga ministri i Financave.
5. Struktura përgjegjëse për harmonizimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, në Ministrinë e Financave, siguron shërbimin e sekretariatit për veprimtarinë e bordit.
6. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të bordit miratohet me urdhër të ministrit të Financave.
7. Masa e shpërblimit të anëtarëve të bordit dhe i sekretarit të bordit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave.”.
Neni 16
Kudo në përmbajtjen e këtij ligji bëhen këto ndryshime:
1. Emërtimi “Njësia Qendrore e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit” zëvendësohet me “Struktura Përgjegjëse për Harmonizimin e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit”.
2. Emërtimi “Njësi e sektorit publik” zëvendësohet me “Njësi Publike”.
Neni 17
Dispozita kalimtare
Kërkesat e pikave 1 dhe 3.1, të nenit 12, do të përmbushen brenda një periudhe kalimtare dyvjeçare, deri në implementimin e kërkesave ligjore për nëpunësin zbatues.
Neni 18
Ngarkohet ministri i Financave, që, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 19
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
#
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERI TË NDRYSHME NËN FONDIN E PËRBASHKËT EVROPIAN TË BALLKANIT PERËNDIMOR, PËR PROJEKTIN E DETAJUAR TË LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – TIRANË DHE VLERËSIMIN FINANCIAR/EKONOMIK TË TË GJITHË RRJETIT HEKURUDHOR NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant të siguruara nga qeveri të ndryshme nën Fondin e Përbashkët Evropian të Ballkanit Perëndimor, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERI TË NDRYSHME NËN FONDIN E PËRBASHKËT EVROPIAN TË BALLKANIT PERËNDIMOR, PËR PROJEKTIN E DETAJUAR TË LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – TIRANË DHE VLERËSIMIN FINANCIAR/EKONOMIK TË TË GJITHË RRJETIT HEKURUDHOR NË SHQIPËRI
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant të siguruara nga qeveri të ndryshme nën Fondin e Përbashkët Evropian të Ballkanit Perëndimor, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR GRANTIN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR PROJEKTIN “NGRITJA E KAPACITETEVE PËR ZHVILLIMET NË PËRMASA TË MËDHA TË INFRASTRUKTURËS SË GAZIT NË SHQIPËRI, II””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri, II””, në shumën prej 6 600 000 (gjashtë milionë e gjashtëqind mijë) eurosh, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR GRANTIN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR PROJEKTIN “NGRITJA E KAPACITETEVE PËR ZHVILLIMET NË PËRMASA TË MËDHA TË INFRASTRUKTURËS SË GAZIT NË SHQIPËRI, II”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri, II”, në shumën prej 6 600 000 (gjashtë milionë e gjashtëqind mijë) eurosh.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7961, DATË 12.7.1995, “KODI I PUNËS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7961, DATË 12.7.1995, “KODI I PUNËS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në fund të pikës 1, të nenit 3, shtohet fjalia me përmbajtjen e mëposhtme:
“Punësimi i përkohshëm i punëmarrësve të huaj në Shqipëri rregullohet sipas nenit 3/1, të këtij kodi”.
Neni 2
Pas nenit 3 shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 3/1
Punësimi i përkohshëm i punëmarrësve të huaj në Shqipëri
1. Ky nen zbatohet në rastet kur një ndërmarrje e huaj:
a) i dërgon punëmarrësit në Shqipëri, për një periudhë jo më shumë se 12 muaj, për llogari dhe nën drejtimin e saj, në bazë të një kontrate të lidhur midis ndërmarrjes dërguese dhe ndërmarrjes së regjistruar në organet tatimore shqiptare, për të cilën synohen punët ose shërbimet, me kusht që, gjatë periudhës së dërgimit, të ketë një marrëdhënie punësimi midis ndërmarrjes dërguese dhe punëmarrësit; ose
b) i dërgon punëmarrësit në një ndërmarrje, pjesë të saj, në territorin e Shqipërisë, me kusht që, gjatë periudhës së dërgimit, të ketë një marrëdhënie punësimi midis ndërmarrjes që kryen dërgimin dhe punëmarrësit; ose
c) duke qenë agjenci për punë të përkohshme, rekruton një punëmarrës për një subjekt pritës, që është krijuar apo vepron në territorin e Shqipërisë, me kusht që, gjatë periudhës së dërgimit, të ketë një marrëdhënie punësimi midis agjencisë së punësimit të përkohshëm apo agjencisë së punësimit dhe punëmarrësit.
2. Marrëdhënia e punësimit, që krijohet sipas rasteve të parashikuara në paragrafin 1, të këtij neni, rregullohet nga dispozitat e legjislacionit shqiptar, lidhur me:
a) kohën maksimale të punës dhe kohën minimale të pushimit;
b) kohëzgjatjen minimale të lejes së paguar vjetore;
c) nivelin e pagës minimale;
ç) kushtet për agjencinë e punësimit të përkohshëm;
d) sigurinë, shëndetin dhe higjienën në punë;
dh) kushtet e punësimit, ose të punës, për gratë shtatzëna ose gratë që sapo kanë lindur, për të rinjtë dhe fëmijët;
e) parimin e trajtimit të barabartë, përfshirë dispozitat e kontratës kolektive.
3. Në rast se rregullimi që bën legjislacioni shqiptar, lidhur me elementet e përcaktuara në pikën 2, është më pak i favorshëm se legjislacioni i shtetit dërgues, do të zbatohet legjislacioni më i favorshëm për punëmarrësin.
4. Rregullimi, për elementet e përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 2, të këtij neni, nuk zbatohet në rastin e punëmarrësit që dërgohet për të punuar përkohësisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, për montimin ose instalimin fillestar të pajisjeve, kur ky shërbim është pjesë integrale e kontratës së furnizimit dhe është i nevojshëm për vënien e tyre në funksionim, kryhet nga punëmarrës të specializuar të ndërmarrjes furnizuese dhe kur periudha e shërbimit nuk është më shumë se 8 ditë kalendarike.
Përjashtohet nga rregullimi i përcaktuar në këtë pikë punësimi në sektorin e ndërtimit si: mirëmbajtja, riparimi, devijimi dhe shkatërrimi i ndërtesave dhe, veçanërisht, në punime gërmimi, nivelimi, montimi dhe çmontimi të elementeve parafabrikate, modifikimi, riparimi, rinovimi, përmirësimi, shembja, lyerja, pastrimi.
5. Përjashtohet nga fusha e rregullimit të këtij neni punësimi i marinarëve të anijeve tregtare.
6. Kohëzgjatja e dërgimit të punëmarrësit të huaj për punësim të përkohshëm, sipas këtij neni, llogaritet duke marrë si periudhë reference 1 (një) vit kalendarik, nga data e dërgimit për herë të parë. Për llogaritjen e kohëzgjatjes merren në konsideratë edhe periudhat e mëparshme, gjatë së cilave punëmarrësi ka qenë i dërguar për t’u punësuar përkohësisht.”.
Neni 3
Shkronja “b”, e nenit 5, shfuqizohet.
Neni 4
Neni 9 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 9
1. Ndalohet çdo formë diskriminimi në fushën e punësimit dhe të profesionit.
2. Me “diskriminim” kuptohet çdo dallim, përjashtim, kufizim apo parapëlqim, që bazohet në gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzaninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicionet gjenetike, aftësinë e kufizuar, jetesën me HIV/AIDS, përkatësinë në një grup të veçantë, ose në çdo shkak tjetër që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen të pamundur të ushtrimit, në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të së drejtës për punësim dhe profesion.
3. Të gjitha format e diskriminimit, në kuptim të pikës 2, të këtij neni, nënkuptojnë të gjitha format që parashikohen nga ligji specifik për mbrojtjen nga diskriminimi.
4. Ndalimi i diskriminimit, i përcaktuar nga ky ligj, nuk zbatohet nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.
5. Dallimet, kufizimet, përjashtimet ose parapëlqimet, që bazohen në një karakteristikë të lidhur me shkaqet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, nuk përbëjnë diskriminim kur, për shkak të natyrës së aktiviteteve profesionale, ose të kushteve në të cilat profesioni ose veprimtaria ushtrohet, këto karakteristika përbëjnë një kërkesë të vërtetë dhe profesionale të domosdoshme, me kusht që qëllimi i trajtimit të ndryshëm të jetë i përligjur dhe kërkesa të mos kapërcejë atë çfarë është e domosdoshme për realizimin e saj.
6. Në kuptim të këtij neni, me “punësim” dhe “profesion” kuptohet:
a) mundësia për punësim, vetëpunësim dhe profesion, duke përfshirë kriteret e përzgjedhjes dhe kushtet e rekrutimit, të çfarëdo lloj dege të aktivitetit dhe në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale, duke përfshirë edhe ngritjen në detyrë;
b) qasja në të gjitha llojet dhe në të gjitha nivelet e orientimit profesional, trajnimit profesional, trajnimit dhe ritrajnimit të avancuar profesional, përfshirë këtu edhe përvojën e punës në praktikë;
c) kushtet e punës dhe punësimit, përfshirë zgjidhjen e kontratës së punës dhe pagën;
ç) anëtarësimin dhe aktivizimin në organizata sindikale dhe organizata të punëdhënësve, ose ndonjë organizatë, anëtarët e së cilës ushtrojnë një profesion të caktuar, duke përfshirë përfitimet e siguruara nga këto organizata;
7. Në zbatim të parimit për trajtim të barabartë, të gjithë punëmarrësit dhe çdo grup punëmarrësish duhet të trajtohen me të njëjtin respekt e kujdes dhe, po kështu, duhet të respektohen edhe rrethanat e tyre të veçanta.
8. Punëdhënësi është i detyruar të sigurojë përshtatjen e arsyeshme të vendit të punës për personat me aftësi të kufizuar ose persona të ndodhur në kushte të tjera, të përmendura në pikën 2, të nenit 9, të këtij kodi. Për të siguruar përshtatjen e arsyeshme punëdhënësi duhet të bëjë modifikime dhe rregullime të nevojshme dhe të përshtatshme, që nevojiten në raste të veçanta dhe që nuk imponojnë një barrë të tepruar për të, për t’u garantuar këtyre personave gëzimin ose ushtrimin, në kushte të barabarta me të tjerët, të së drejtës për punësim dhe profesion. Mohimi i përshtatjes së arsyeshme nga ana e punëdhënësit përbën diskriminim.
9. Në rastin kur një person pretendon se ai/ajo është cënuar nga moszbatimi i parimit të trajtimit të barabartë, ndiqet procedura e ankimimit, e përcaktuar në ligjin nr.10221, datë 4.2.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Kur çështja paraqitet për shqyrtim në gjykatë dhe paditësi paraqet fakte, nga të cilat mund të pretendohet se është diskriminuar, i padituri duhet të provojë se nuk është shkelur parimi i trajtimit të barabartë, apo se ka patur cënim të parimit të trajtimit të barabartë.”.
Neni 5
Pas nenit 9 shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje.
“Neni 9/1
Mirëbesimi
Gjatë ushtrimit të së drejtave dhe përmbushjes së detyrimeve, punëdhënësit, përfaqësuesit e punëdhënësve, punëmarrësit dhe përfaqësuesit e punëmarrësve duhet të udhëhiqen nga parimi i mirëbesimit, drejtësisë dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Ata informojnë njëri-tjetrin për të gjitha faktet dhe kushtet, si dhe ndryshimet e tyre, të cilat janë të rëndësishme për ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve.”.
Neni 6
Në fund të pikës 4, të nenit 11, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Marrëveshjet e sipërpërmendura nuk zbatohen për pushimet vjetore të paguara.”
Neni 7
Në nenin 12, në fund të paragrafit, shtohet fjalia me përmbajtjen e mëposhtme:
“Kur marrëdhëniet midis dy palëve nuk janë qartësisht të përcaktuara, gjykata ose Agjencia e Punësimit të Përkohshëm duhet të përcaktojnë natyrën e vërtetë të marrëdhënieve mes tyre, në bazë të fakteve që lidhen me aftësinë në punë dhe shpërblimin e punëmarrësit.”.
Neni 8
Neni 13 shfuqizohet.
Neni 9
Përmbajtja e nenit 14 ndryshon, si më poshtë vijon:
1. Pika 2 riformulohet:
“2.Punëmarrësit me kohë të pjesshme gëzojnë të njëjtat të drejta si punëmarrësit me kohë të plotë që kryejnë të njëjtën punë. Nëse kushtet e punësimit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kohën e punës së punëmarrësit, punëmarrësi me kohë të pjesshme gëzon të drejta përpjesëtimore me punëmarrësit me kohë të plotë.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3.Punëdhënësi informon punëmarrësin e punësuar me kohë pune të pjesshme për vendet e lira të punës dhe i siguron mundësi-shanse të barabarta me punëmarrësit/punëkërkuesit e tjerë, për t`u punësuar në një punë me kohë të plotë. Gjithashtu, punëdhënësi informon punëmarrësin e punësuar me kohë pune të plotë për vendet e lira të punës dhe i siguron mundësi-shanse të barabarta me punëmarrësit/punëkërkuesit e tjerë për t`u punësuar në një punë me kohë të pjesshme.”.
Neni 10
Përmbajtja e nenit 15 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Puna në shtëpi dhe telepuna
1. Me kontratën e punës në shtëpi punëmarrësi kryen punën e tij në shtëpi, apo në ndonjë vend tjetër të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës.
2. Me kontratën e telepunës punëmarrësi kryen punën e tij në shtëpi, apo në një vend tjetër, të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, duke përdorur teknologjinë e informacionit, brenda kohës së punës të përcaktuar nga punëmarrësi, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës.
3. Dispozitat e këtij kodi zbatohen edhe për kontratat e punës të përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij neni, me përjashtim të:
a) dispozitave për rregullimin e kohës javore të punës dhe të pushimit, orët jashtë orarit, punën në ditët e festave zyrtare dhe punën e natës;
b) dispozitave që rregullojnë të drejtën e kompensimit për vështirësi pune.
4. Kushtet e punës për punonjësit që punojnë në shtëpi, apo në telepunë, nuk mund të jenë më pak të favorshme, në krahasim me punëmarrësit e tjerë, të cilët kryejnë punë të njëjtë ose të krahasueshme. Për këtë arsye, punëdhënësi duhet të marrë masa për:
a) të lehtësuar telepunën, duke vënë në dispozicion, instaluar e mirëmbajtur pajisjet e nevojshme kompjuterike për kryerjen e saj, përveç rasteve kur punëmarrësi, që kryen telepunën, përdor pajisje personale;
b) të parandaluar izolimin e punëmarrësit, duke i krijuar kushte për t’u takuar me punëmarrësit e tjerë.
5. Nuk do të konsiderohet se punëmarrësi kryen “punë në shtëpi” ose “telepunë” nëse ai punon, rastësisht, në një vend tjetër pune nga ai i rënë dakord në marrëveshjen me punëdhënësin ose, në rrethana të veçanta, me pëlqimin e tij, apo sipas një marrëveshjeje me të, kryen një lloj tjetër pune, të parashikuar në kontratë”.
Neni 11
Në pikën 1, të nenit 18, pas fjalëve “… e punës në shtëpi …” shtohen fjalët “… dhe telepunës …”.
Neni 12
Pas nenit 18 shtohen nenet 18/1, 18/2, 18/3, 18/4 e 18/5, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
Punësimi i përkohshëm nga Agjencia
1. Agjencia e punësimit të përkohshëm (në vijim “Agjencia”) nënkupton punëdhënësin, i cili, në bazë të një kontrate pune, punëson një punëmarrës për të punuar përkohësisht në një subjekt pritës dhe që ushtron të drejtat e detyrimet e punëdhënësit bashkërisht me subjektin pritës.
2. Subjekt pritës është çdo punëdhënës, i cili punëson përkohësisht një punëmarrës, të vendosur nga Agjencia, dhe ushtron të drejtat e detyrimet e punëdhënësit bashkërisht me Agjencinë.
3. Punësim i përkohshëm nga Agjencia do të konsiderohet periudha kur një punëmarrës kontraktohet nga Agjencia për t’u punësuar përkohësisht nga një subjekt pritës, me kusht që midis Agjencisë dhe punëmarrësit të ketë një marrëdhënie kontraktore punësimi.
4. Kohëzgjatja e së njëjtës punë, e kryer nga punëmarrësi i kontraktuar nga Agjencia, për të njëjtin subjekt pritës, është jo më shumë se 2 vjet.
5. Ndalohet përdorimi i punës së përkohshme të Agjencisë në disa raste, sektorë apo për disa kategori të caktuara punonjësish, në rast se cënohet interesi i përgjithshëm, që lidhet, posaçërisht, me mbrojtjen e punonjësve të përkohshëm të agjencisë, kushtet e shëndetit dhe sigurisë në punë, ose kur kjo kërkohet për të siguruar funksionimin e duhur të tregut të punës apo për të parandaluar abuzimet. Rastet e ndaluara të punësimit të përkohshëm përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 18/2
1. Gjatë periudhës së punësimit të një punëmarrësi të Agjencisë, të drejtat e detyrimet e punëdhënësit ushtrohen bashkërisht nga Agjencia dhe subjekti pritës, sipas kushteve të mëposhtme:
a) Të drejtën e zgjidhjes së kontratës së punës e ka punëmarrësi dhe Agjencia. Në rastin e zgjidhjes së kontratës nga ana e punëmarrësit, për shkaqe që kanë të bëjnë me subjektin pritës, punëdhënësi ka të drejtë t’i kërkojë punëmarrësit, me shkrim, të paraqesë arsyet e kësaj zgjidhjeje.
b) Pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit paguhen nga Agjencia. Mosshlyerja e detyrimeve financiare të subjektit pritës, kundrejt Agjencisë, nuk prek pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit.
c) Të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me deklarimet në organet tatimore, konfidencialitetin e të dhënave personale si dhe zbritjet nga paga, lidhur me tatimin mbi të ardhurat dhe kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëmarrësit, janë përgjegjësi e Agjencisë.
ç) Përveçse kur është rënë dakord ndryshe, Agjencia mbulon të gjitha shpenzimet e lidhura me punësimin, të parashikuara në dispozitat ligjore.
d) Për kohëzgjatjen e punësimit, subjekti pritës konsiderohet punëdhënës, në kuptimin e rregullimeve, lidhur me:
i. shëndetin dhe sigurinë në punë;
ii. parimin e trajtimit të barabartë;
iii. kohën e punës dhe të pushimit;
iv. dhënien e urdhrave dhe udhëzimeve punëmarrësit.
dh) Subjekti pritës nuk ka të drejtë ta urdhërojë punëmarrësin të punojë te një punëdhënës tjetër.
e) Subjekti pritës informon rregullisht sindikatat për numrin dhe kushtet e punës së punëmarrësve të punësuar të Agjencisë.
ë) Subjekti pritës informon punëmarrësit e Agjencisë lidhur me vendet e lira për punësim dhe u jep atyre mundësi të barabarta për t’u punësuar drejtpërdrejt nga ajo.
f) Subjekti pritës mund të konsiderohet si punëdhënës në rast se punëmarrësi, gjatë periudhës së punësimit, i shkakton dëme subjektit pritës, përveçse kur është rënë dakord ndryshe nga subjekti pritës, ose një palë e tretë.
g) Për çdo dëm që i shkaktohet punëmarrësit, gjatë periudhës së punësimit, subjekti pritës dhe Agjencia mbajnë përgjegjësi të përbashkëta dhe të veçanta në marrëveshje midis tyre.
gj) Agjencia dhe subjekti pritës, në marrëveshje midis tyre, mund të parashikojnë kushte të tjera lidhur me punësimin, përveç sa parashikohet në këtë nen, dhe me kusht që të mos cënohen kushtet e punësimit të punëmarrësit me Agjencinë.
Neni 18/3
1. Marrëveshja midis Agjencisë dhe subjektit pritës bëhet me shkrim dhe, kryesisht përmban:
a) kohëzgjatjen e punësimit;
b) vendin e punësimit;
c) përshkrimin e përgjithshëm të punës;
ç) tarifën e shërbimit.
2. Përveç përmbajtjes së marrëveshjes, të përcaktuar më sipër, subjekti pritës duhet të informojë Agjencinë, me shkrim, për të gjitha aspektet që konsiderohen të rëndësishme për sa i përket punësimit të punëmarrësit. Subjekti pritës i jep agjencisë, në kohën e duhur, të gjitha informacionet e nevojshme për përllogaritjen dhe dhënien e pagës apo për zgjidhjen e kontratës së punës me punëmarrësin.
3. Çdo marrëveshje konsiderohet e pavlefshme, në rast se:
a) ndalon apo kufizon punësimin e punëmarrësit në subjektin pritës, pas përfundimit të kontratës së punës midis punëmarrësit dhe agjencisë;
b) parashikon detyrimin e punëmarrësit për t’i paguar agjencisë tarifë për punësimin në subjektin pritës ose krijimin e një marrëdhënieje juridike me subjektin pritës.
Neni 18/4
1. Në kontratën e punësimit palët parashikojnë, shprehimisht, se kontrata lidhet për qëllime pune të përkohshme të Agjencisë.
2. Përpara fillimit të punës në subjektin pritës, agjencia informon punëmarrësin, me shkrim, lidhur me:
a) emrin, adresën e selisë dhe të vendit të punës;
b) emrin e punëdhënësit ose të përfaqësuesit të subjektit pritës;
c) rregullat për mbarëvajtjen normale të punës, kohën e punës dhe kohën e pushimit;
ç) çdo kusht tjetër të rëndësishëm punësimi për punën e dhënë.
Neni 18/5
1. Kushtet bazë të punës dhe punësimit të punëmarrësve të Agjencisë, gjatë kohës kur ata punojnë në subjektin pritës, janë, të paktën, ato që zbatohen në rast se punëmarrësit do të ishin rekrutuar drejtpërdrejt nga subjekti pritës për të njëjtin vend pune.
2. Kushtet bazë të punës dhe punësimit mbulojnë:
a) kohëzgjatjen e punës, orët shtesë të punës, pushimet ditore si dhe kohën e marrjes së këtyre pushimeve, punën gjatë natës, pushimet me dhe papagesë si dhe festat zyrtare;
b) të gjitha elementet e pagës;
c) mbrojtjen e grave shtatzëna, grave që sapo kanë lindur, nënave me fëmijë në gji dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve;
ç) rregullat e parimit të trajtimit të barabartë.
3. Punëmarrësit e Agjencisë përfitojnë nga shërbimet dhe mjediset kolektive në subjektin pritës, mjediset për kujdesin e fëmijëve dhe shërbimet e transportit, në kushte të njëjta me punonjësit e punësuar drejtpërdrejt nga ndërmarrja e përdoruesit, përveçse kur dallimi në trajtim justifikohet nga arsye objektive.
4. Në rast se punëmarrësi është punësuar për një kohëzgjatje të pacaktuar, gjatë periudhës që nuk është i punësuar në subjektin pritës paguhet, të paktën, 50% të pagës së tij/saj bazë, nëse ka, të paktën, 4 (katër) muaj punë pa ndërprerje tek Agjencia, ose 4 (katër) muaj gjithsej, brenda 6 (gjashtë) muajve nga fillimi i punësimit.
5. Punëmarrësit e Agjencisë së punësimit të përkohshëm gëzojnë të drejtat dhe liritë sindikale njëlloj si të gjithë punëmarrësit e tjerë.”.
Neni 13
Neni 21 ndryshon, si më poshtë vijon:
1. Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Ajo mund të ndryshohet me shkrim, nëse palët bien dakord për ta bërë këtë.
2. Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi, për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar, brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të punëdhënësit dhe që, në bazë të këtyre rrethanave, kryhet vetëm kundrejt pagesës.
3. Kontrata e punës duhet sidomos të përmbajë:
a) identitetin e palëve;
b) vendin e punës;
c) përshkrimin e përgjithshëm të punës;
ç) datën e fillimit të punës;
d) kohëzgjatjen, kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar;
dh) kohëzgjatjen e pushimeve të paguara;
e) afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës;
ë) elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj;
f) kohën normale javore të punës;
g) referenca në kontratën kolektive në fuqi;
gj) periudhën e provës;
h) llojet dhe procedurat e masave disiplinore.
4. Për raste të veçanta, të justifikueshme, nëse kontrata nuk është lidhur sipas pikave 1 e 3, punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike, që nga momenti i punësimit.
5. Kur punëmarrësit i kërkohet të punojë jashtë Shqipërisë, për një periudhë më shumë se një muaj, punëdhënësi, pasi merr edhe pëlqimin e punëmarrësit, duhet t`i japë atij një dokument me shkrim, i cili duhet të përmbajë, së paku, informacionin e kërkuar në pikën 3 si dhe informacionin plotësues, si më poshtë:
a) kohëzgjatjen e punësimit jashtë shtetit;
b) llojin e monedhës në të cilën do të paguhet;
c) nëse është e nevojshme, përfitimet në para apo në natyrë për punësimin jashtë shtetit;
ç) nëse është e nevojshme, kushtet që rregullojnë rikthimin e punëmarrësit.
6. Informacioni mbi elementet e përcaktuara në shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “gj”, të pikës 3, në rast nevoje, jepet me anë të referencave ndaj dispozitave të këtij kodi, vendimeve të Këshillit të Ministrave ose të një kontrate kolektive.
Neni 14
Paragrafi 3, i nenit 22, shfuqizohet.
Neni 15
Në pikën 2, të nenit 32, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësit me veprime të përsëritura, që kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës, në një shkallë të tillë që mund të çojë në cënimin e të drejtave dhe dinjitetit të personit, në prishjen e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale.”.
Fjalia e fundit e pikës 3, të nenit 32, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shqetësim seksual është çdo formë e padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike e simbolike me natyrë seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cënimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes, që kryhet nga punëdhënësi kundrejt një punëmarrësi, një punëkërkuesi për punë ose midis punëmarrësve.”.
Neni 16
Titulli i nenit 33 ndryshon, si më poshtë:
“Kufizimet e informimit për punëmarrësin”
Neni 17
Pas nenit 33, shtohet neni 33/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 33/1
Informimi dhe Konsultimi
1. Punëdhënësi informon dhe konsultohet me përfaqësuesit e punëmarrësve.
Në kuptim të këtij neni:
a) informacion do të thotë transmetimi i të dhënave nga punëdhënësi përfaqësuesit të punëmarrësve, për t’u bërë të mundur atyre njohjen dhe shqyrtimin e çështjes;
b) konsultim do të thotë shkëmbim i ideve dhe vendosja e dialogut ndërmjet punëdhënësit dhe përfaqësuesit të punëmarrësve;
c) përfaqësuesi i punëmarrësve është përfaqësuesi i organizatës sindikale ose, në mungesë të saj, përfaqësues i zgjedhur nga punëmarrësit.
2. Punëdhënësi duhet të informojë përfaqësuesit e punëmarrësve dhe të konsultohet me ta rregullisht, së paku, një herë në vit, për aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të ndërmarrjes, situatën ekonomike dhe gjendjen e marrëdhënieve të punësimit.
3. Para marrjes së vendimit për riorganizimin e ndërmarrjes, e vendimeve të tjera, të cilat mund të kenë efekte të rëndësishme e thelbësore në organizimin e punës në ndërmarrje dhe në statusin ligjor të punëmarrësve, punëdhënësi duhet të informojë përfaqësuesit e punëmarrësve dhe të zhvillojë konsultime me ta për arsyet e këtyre vendimeve, pasojat ligjore, ekonomike e sociale për punëmarrësit si dhe për çdo masë që synon të shmangë apo zbutë pasojat e pritshme.
4. Rastet e tjera, kushtet dhe procedurat e informimit e konsultimit përcaktohen në kontratën kolektive dhe në marrëveshje midis punëdhënësit dhe përfaqësuesve të punëmarrësve.
5. Punëdhënësi duhet të informojë përfaqësuesit e punëmarrësve me shkrim ose në formë elektronike, në kohën e përshtatshme, pa pagesë, dhe është përgjegjës për saktësinë e informacionit. Informacioni jepet në një formë që u bën të mundur përfaqësuesve të punëmarrësve të kryejnë një studim të përshtatshëm dhe, sipas rastit, të përgatiten për konsultime.
6. Përfaqësuesit e punëmarrësve dhe specialistët e thirrur prej tyre për të asistuar në bisedime, në bazë të angazhimit me shkrim për të mos zbuluar asnjë sekret tregtar, industrial apo profesional, kanë të drejtë të njihen me informacionin që përbën sekret tregtar, industrial apo profesional, por që është i domosdoshëm për kryerjen e detyrave të tyre.
Punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre ndalohen të përdorin, për çfarëdo qëllimi tjetër, ose të zbulojnë te persona të tretë, informacionin që u është dhënë atyre si sekret tregtar, industrial apo profesional, gjatë kohës që janë të punësuar, apo kur marrëdhënia e punësimit apo mandati i përfaqësimit ka përfunduar.
Mundësia e njohjes me sekrete zyrtare e shtetërore dhe përgjegjësia për zbulimin ose përdorimin e paligjshëm të tyre rregullohet me ligj të veçantë.
7. Zhvillimi i konsultimeve për informacionin e dhënë nga punëdhënësi dhe shkëmbimi i pikëpamjeve kanë si qëllim arritjen e një marrëveshjeje të pranuar nga të dyja palët. Konsultimet zhvillohen brenda afateve kohore, metodës dhe përmbajtjes së përshtatshme, me pjesëmarrjen e nivelit të përshtatshëm drejtues të palëve, në mënyrë të tillë që t’u bëjë të mundur përfaqësuesve të punëmarrësve të takohen me punëdhënësin dhe të marrin një përgjigje, dhe arsyet e saj, për çdo mendim të formuluar prej tyre. Rezultatet e konsultimeve regjistrohen në procesverbalin përkatës.
8. Punëdhënësi mund të kundërshtojë, me shkrim, të japë çdo informacion që përbën sekret tregtar, industrial apo profesional, ose të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e punëmarrësve, kur natyra e këtij informacioni ose e konsultimeve është e tillë që do të dëmtonte seriozisht ndërmarrjen përkatëse dhe funksionimin e saj.
Përfaqësuesit e punëmarrësve, kur nuk janë dakord me këtë vendim të punëdhënësit, mund t’i drejtohen gjykatës, brenda 6 (gjashtë) ditëve. Gjykata shqyrton kërkesën dhe merr vendim brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
Nëse gjykata vendos që kundërshtimi për të dhënë këtë informacion apo për të zhvilluar konsultime është i pajustifikuar, punëdhënësi është i detyruar ta japë këtë informacion dhe të zhvillojë konsultime brenda një kohë të arsyeshme.”.
Neni 18
Në titull dhe në përmbajtjen e nenit 35, fjala “certifikatë” zëvendësohet me fjalën “vërtetim”.
Neni 19
Neni 38 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 38
Vënia në dispozicion e legjislacionit
Punëdhënësi duhet të vërë në dispozicion të punëmarrësve, në çdo ndërmarrje, një kopje të Kodit të Punës, si dhe çdo ligj tjetër që rregullon detyrimet dhe të drejtat midis punëmarrësve dhe punëdhënësve.”.
Neni 20
Në paragrafin e parë të nenit 42, pas shkronjës “b”, shtohet shkronja “b/1” me këtë përmbajtje:
“b/1.Dokumentin e vlerësimit të riskut për çdo vend pune, të shoqëruar me masat parandaluese.”.
Neni 21
Pas pikës 3, të nenin 45, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Këshilli i Ministrave përcakton kushtet minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.”.
Neni 22
Në nenin 48, pas fjalëve “…kufijtë e lejueshëm…” shtohen fjalët “… dhe masat që duhet të ndërmarrë punëdhënësi…”.
Neni 23
Nenet 49 dhe 50 shfuqizohen.
Neni 24
Neni 54 ndryshon, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“1. Kur punëmarrësi punon më shumë se 6 (gjashtë) orë në ditë pa ndërprerje, duhet të parashikohet një pushim, pa pagesë, jo më pak se 20 minuta, i cili duhet të jepet pas tri orësh dhe jo më vonë se pas 6 (gjashtë) orësh pune të vazhdueshme. Nëse punëmarrësi punon më shumë se 9 (nëntë) orë të vazhdueshme në ditë, i jepet një tjetër pushim, prej jo më pak se 20 minutash. Kohëzgjatja dhe koha e dhënies së këtij pushimi mund të përcaktohen me kontratën individuale ose kontratën kolektive të punës.”.
2. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Për gratë shtatzëna pushimi të jetë çdo 3 (tre) orë, jo më pak se 30 minuta.”.
3. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 25
Në nenin 63 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Paragrafi ekzistues numërtohet me numrin “1”.
2. Pas tij shtohen pikat 2 e 3, me këtë përmbajtje:
“2. Ambient shpërthyes është përzierja në ajër, në kushte atmosferike, e substancave të djegshme, në formën e gazrave, avujve apo pluhurave, ku, pas marrjes flakë, flakët përhapen në tërësinë e përzierjeve të padjegura.
3. Këshilli i Ministrave përcakton kërkesat minimale të mbrojtjes së punëtorëve nga rreziku i ambienteve shpërthyese.”.
Neni 26
Në nenin 70 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi ekzistues numërtohet me numrin “1” dhe në përmbajtjen e tij fjala “…lokal…” zëvendësohet me fjalët “…vend i posaçëm…”.
2. Shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Këshilli i Ministrave përcakton numrin e punëmarrësve për plotësimin e detyrimit, të parashikuar në paragrafin e parë, si dhe kushtet higjieno-sanitare që duhet të plotësojë vendi i posaçëm për ngrënie”.
Neni 27
Në nenin 76 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Me kohëzgjatje të punës kuptohet koha gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit, përfshirë edhe kohën gjatë së cilës kryen formimin ose riformimin profesional, të urdhëruar nga punëdhënësi. Nuk përfshihet në kohën e punës koha e pushimit, gjatë së cilës punëmarrësi nuk është në dispozicion të punëdhënësit.”.
2. Në pikën 2, fjalët “… për të ardhur në punë…” bëhen “… për të ardhur në vendin individual të punës….”
Neni 28
Pas pikës 2, të nenin 80, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Punëmarrës që punojnë gjatë natës janë të gjithë punëmarrësit që punojnë, të paktën 3 (tri) orë të kohës së përditshme të punës së tyre, si rrjedhë normale, gjatë natës, ose që kanë të ngjarë të kryejnë një pjesë të caktuar të kohës vjetore të punës së tyre gjatë natës, siç përcaktohet në marrëveshjet individuale apo kolektive.”.
Neni 29
Pas nenit 81 shtohet neni 81/1, si më poshtë vijon:
“Neni 81/1
Puna me turne
Punë me turne konsiderohet puna e kryer nga punëmarrësit që pasojnë njëri-tjetrin në të njëjtin vende pune, sipas një radhe të caktuar, në kohë (orare) të ndryshme, gjatë një periudhe të caktuar ditësh ose javësh.”.
Neni 30
Në fund të pikës 4, të nenin 85, shtohen fjalët “…ose me kontratë kolektive…”.
Neni 31
Neni 87 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Puna e kryer në ditën e pushimit javor kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune.
2. Puna e kryer në ditët e festave zyrtare, kur ato bien në ditë pune, kompensohet me një shtesë mbi pagë, jo më pak se 125 për qind, ose me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një shtesë, jo më pak se 125 për qind, të kohëzgjatjes së kësaj pune.
3. Pushimi merret një javë para ose pas kryerjes së punës.
4. Mënyra dhe masa e kompensimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kontratë kolektive ose kontratë individuale.
5. Kur dita e festës zyrtare bie ditën e pushimit javor, puna e kryer gjatë kësaj dite do të kompensohet sipas përcaktimeve të paragrafit 2, të këtij neni.”.
Neni 32
Neni 89 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Nëse rrethanat kërkojnë kryerjen e orëve shtesë të punës, punëdhënësi mund të urdhërojë punëmarrësit për të kryer orë shtesë pune, për aq kohë sa është e mundur dhe e nevojshme si dhe duke marrë parasysh kushtet vetjake dhe familjare të punëmarrësit.”.
Neni 33
Në nenin 90 bëhen këto ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Punëdhënësi mund të urdhërojë, në mënyrë të njëanshme, kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit.”.
2. Pika 2 ndryshon, si më poshtë:
“2. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Në raste të veçanta, për një periudhë deri në 4 (katër) muaj, mund të punohet me shumë se 48 orë në javë, por koha mesatare javore e punës, për këtë periudhë, nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Ndalohet kryerja e orëve shtesë të punës nga gratë shtatzëna dhe mbas lindjes së fëmijës, deri sa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç.”.
4. Pika 4 bëhet pika 5.
Neni 34
Pika 2, e nenit 92, ndryshon, si më poshtë vijon:
“2. Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 28 ditë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim. Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet.”.
Neni 35
Në nenin 93 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshon, si më poshtë vijon:
“2. Pushimi vjetor shtyhet kur punëmarrësi, gjatë periudhës së këtij pushimi, ka qenë i shtruar në spital ose ka qëndruar në shtëpi, për shkak sëmundjeje ose aksidenti, të vërtetuar me raport mjekësor.”.
2. Në pikën 3, fjalët “…një javë kalendarike…” zëvendësohen me “…shtatë ditë kalendarike…”.
3. Pika 4 ndryshon, si më poshtë vijon:
“4. E drejta e punëmarrësit për pushime vjetore të pagueshme, që nuk janë dhënë nga punëdhënësi, parashkruhet pas tre vjetëve, që nga dita në të cilën punëmarrësit i lind kjo e drejtë.”.
Neni 36
Pika 5, e nenin 94, ndryshon, si më poshtë:
“5. Pushimet vjetore nuk zëvendësohen me pagesë, me përjashtim të rasteve kur marrëdhënia e punës ka përfunduar dhe punëmarrësi nuk i ka kryer pushimet që i takojnë. Në këtë rast, ai ka të drejtë për një shpërblim të barabartë me pagën e këtyre pushimeve.”.
Neni 37
Në nenin 95, në fund të fjalisë së parë, pas fjalëve “…inspektorët e punës…” shtohet “…dhe inspektorët e autorizuar të administratës tatimore qendrore…”.
Neni 38
Në nenin 96 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Në rast martese të punëmarrësit ose në rast vdekjeje të bashkëshortit/bashkëjetuesit, paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë të tij, punëmarrësi përfiton 5 (pesë) ditë pushimi të paguar.”.
2. Pika 2 ndryshon, si më poshtë:
“2. Në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton, jo më shumë, se 10 (dhjetë) ditë pushimi të papaguar.”.
3. Pas pikës 2, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3.Në rast lindjeje fëmije, bashkëshorti/bashkëjetuesi përfiton 3 ditë pushimi të paguar.”.
Neni 39
Në pikën 1, të nenit 97, pas fjalës “…të veçanta…“, shtohen fjalët “…mbi kohëzgjatjen e punës dhe pushimit…”.
Neni 40
Në nenin 98 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, shprehja “…14 vjeç… ” bëhet “…15 vjeç…”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Dispozitat e veçanta të Kodit të Punës, që zbatohen për punëmarrësit e mitur, nën moshën 18 vjeç, do të zbatohen për çdo marrëdhënie juridike të punëmarrësit që synon punësim ose punë në çfarëdolloj profesioni.”.
Neni 41
Në nenin 104 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, shprehja “…42 ditë…” bëhet “…63 ditë…”.
2. Pas pikës 2, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Kur gruaja shtatzënë, gruaja që sapo ka lindur dhe/ose gruaja me fëmijë në gji, e cila vendos të rikthehet në punë pas periudhës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, por vendi i mëparshëm i punës nuk vlerësohet i përshtatshëm, sipas përcaktimeve në legjislacionin për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, punëdhënësi:
a) duhet të përshtatë vendin e punës; ose
b) të transferojë punëmarrësen në një punë të ngjashme, për të cilën ajo mund të jetë e përshtatshme;
c) në rast se transferimi i saj në një punë tjetër nuk është i mundur, punëmarrësja gëzon përfitimet sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore në fuqi.”.
Neni 42
Në neni 105 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, shprehja “…42 ditore…” bëhet “…63 ditore…”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, me përmbajtjen si më poshtë vijon:
“3. Nëse gruaja vendos, me dëshirën e saj, të punojë pas periudhës 63 ditore të paslindjes, në marrëveshje me punëdhënësin, për ushqyerjen e fëmijës ka të drejtë që, deri sa fëmija të mbushë 1 vjeç, të zgjedhë:
a) një pushim të paguar, prej 2 orësh, brenda kohëzgjatjes normale të punës; ose
b) kohëzgjatje pune, të reduktuar me 2 orë, me pagë të njëjtë sikur të kishte punuar për kohëzgjatjen normale ditore të punës.
4. Me mbarimin e lejes së lindjes, punëmarrësi ka të drejtë të kthehet në vendin e punës ose në një vend pune të barazvlefshëm, në kushte që nuk janë më pak të favorshme për të, si dhe të përfitojë çdo përmirësim të kushteve të punësimit që do të kishte përfituar gjatë mungesës së saj.”.
Neni 43
Në nenin 105/a bëhen këto ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Gruaja, gjatë periudhës së shtatzënisë, në marrëveshje me punëdhënësin, ka të drejtë për leje të pagueshme për kryerjen e vizitave mjekësore, kur këto janë të nevojshme të kryhen gjatë orarit të punës.”
2. Në pikën 2 shprehja “…neni 30…” bëhet “…neni 105…”.
Neni 44
Në nenin 106 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë:
“1. Në rast birësimi të një fëmije të porsalindur, punëmarrësi ka të drejtën e lejes së parashikuar nga legjislacioni mbi sigurimet shoqërore. Lejen e birësimit mund ta përfitojë vetëm njëri nga prindërit, nëna ose babai birësues.”.
2. Pas pikës 2, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Me mbarimin e lejes së birësimit, punëmarrësi ka të drejtë të kthehet në vendin e tij/saj të punës, ose në një vend tjetër ekuivalent pune, me kushte që nuk janë më pak të favorshme për të, si dhe të përfitojë çdo përmirësim të kushteve të punësimit që do të kishte përfituar gjatë mungesës së saj/tij.”.
Neni 45
Në pikën 1, të neni 107, fjala “…gruaja…” zëvendësohet me fjalën “…punëmarrësi…”.
Neni 46
Neni 108 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Punëdhënësi nuk mund të urdhërojë kryerjen e punës natën për gratë shtatzëna dhe gratë që kanë lindur fëmijë, deri në moshën 1 vjeç të fëmijës, nëqoftëse ajo është e dëmshme për shëndetin e gruas dhe të fëmijës, vërtetuar kjo me raport mjekësor.
2. Kur gruaja shtatzënë dhe/ose gruaja me fëmijë në gji, e cila vendos të rikthehet në punë pas periudhës 63 ditore pas lindjes, bëhet e papërshtatshme për të punuar natën, vërtetuar kjo me raport mjekësor, por që nuk është e papërshtatshme për të punuar ditën, ajo transferohet në një punë të ngjashme ditën, për të cilën është e përshtatshme. Kur transferimi i saj ditën nuk është objektivisht i mundur, atëherë:
a) gruaja shtatzënë mund të transferohet në një vend pune tjetër, të përshtatshëm dhe, nëse ka diferenca në pagë, kjo kompensohet sipas ligjit për sigurimet shoqërore. Kur gjetja e vendit të përshtatshëm nuk është e mundur, gruaja përfiton pagesë për paaftësi të përkohshme në punë, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Në rastet kur, nga komisioni mjekësor, vlerësohet se nuk plotëson kriteret për paaftësi të përkohshme në punë, atëherë, në marrëveshje me punëdhënësin, ajo mund të marrë leje pa pagesë;
b) gruaja me fëmijë në gji rikthehet në trajtimin sipas skemës së sigurimeve shoqërore.”.
Neni 47
Pika 3, e nenit 111, ndryshon, si më poshtë:
“3.Këshilli i Ministrave mund të caktojë një pagesë më të ulët se paga minimale në shkallë vendi për rastet e mësimit të profesionit në sistemin e arsimit dhe formimit profesional në formën e dyfishtë.”.
Neni 48
Neni 115 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 115
Barazia në shpërblim
1. Punëdhënësi jep pagë të barabartë për punë të njëjtë, apo punë me vlerë të barabartë, pa kurrfarë diskriminimi për shkak të një prej karakteristikave të përshkruara në paragrafin 2, të nenit 9, të këtij kodi.
2. Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, sipas paragrafit 2, të nenit 9, në lidhje me të gjitha aspektet dhe kushtet e shpërblimit për punë të njëjtë ose për punë me vlerë të barabartë. Pagë e barabartë, pa diskriminim, do të thotë që:
a) paga, për të njëjtën punë të normuar, të llogaritet në bazë të së njëjtës njësi matjeje;
b) paga, për punë të matur me kohë, të jetë e njëjtë për të njëjtin pozicion pune.
3. Në kuptim të këtij neni, paga nënkupton pagën e zakonshme bazë ose minimale, ose pagën dhe çdo pagesë tjetër, qoftë në para apo në natyrë, që përfiton punëmarrësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga punëdhënësi i tij/saj, për punën e tij/saj.
4. Puna e barabartë ose puna me vlerë të barabartë mbështetet në gjithë kriteret përkatëse, veçanërisht në natyrën e punës, cilësinë dhe sasinë e saj, kushtet e punës, formimin profesional dhe vjetërsinë në punë, përpjekjet fizike dhe intelektuale, përvojën dhe përgjegjësitë. Ndryshimet në pagë, të cilat bazohen në kriteret objektive, të përcaktuara në këtë pikë, nuk do të konsiderohen diskriminim në pagë.
5. Diskriminimi eliminohet kur punëdhënësi i akordon punëmarrësit të diskriminuar një pagë që përfshin të gjitha përparësitë që gëzojnë punëmarrësit e tjerë në një situatë të krahasueshme.”.
Neni 49
Në nenin 118 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalia e parë ndryshon, si më poshtë:
“Paga jepet vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Ajo duhet të paguhet në monedhë shqiptare, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe nga marrëveshja ndërmjet palëve.”.
2. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Vlera e pagës në natyrë duhet të jetë e drejtë dhe e arsyeshme. Shuma mujore e pagës në natyrë nuk duhet të tejkalojë 20% të pagës mujore.”.
Neni 50
Pika 2, e nenit 124, ndryshon, si më poshtë vijon:
“2. Në rast paaftësie paguese, detyrimet e punëdhënësit ndaj punëmarrësve kanë përparësi ndaj të gjitha detyrimeve të tjera edhe kur këto detyrime garantohen me pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, dhe mbulojnë:
a) pretendimet e punëtorëve për pagat, për një periudhë jo më pak se tre muaj para përfundimit të punësimit;
b) pretendimet e punëmarrësit për pagesë për pushimet, që i takojnë si rezultat i punës së kryer gjatë vitit në të cilin ka ndodhur ndërprerja e marrëdhënieve të punës si dhe gjatë vitit të mëparshëm;
c) pagesën për shkurtim nga puna, që i takon punëmarrësit pas përfundimit të punësimit.”.
Neni 51
Pas nenit 132 shtohet neni 132/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 132/1
Leja prindërore
1. Punëmarrësi, i cili ka më shumë se një vit pune të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës, ka të drejtë për një leje të papagueshme, jo më pak se 4 (katër) muaj, derisa fëmija që ka në ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç. E drejta për të kërkuar lejen prindërore është individuale për secilin prind dhe nuk është e transferueshme, me përjashtim të rasteve kur njëri prind vdes. Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Kohëzgjatja përcaktohet me marrëveshje me shkrim midis punëdhënësit dhe punëmarrësit.
2. Në rastin e birësimit të fëmijës leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve, që nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush moshën 12 vjeç.
3. Punëmarrësi duhet të lajmërojë, me shkrim, punëdhënësin, të paktën dy javë përpara fillimit të lejes prindërore. Punëdhënësi ka të drejtë, pas konsultimit me punëmarrësin, të shtyjë datën e fillimit të lejes, deri në gjashtë muaj, për arsye të cilat kanë të bëjnë me nevojat operacionale të ndërmarrjes, kur punëmarrësi nuk mund të zëvendësohet përkohësisht, kur kjo leje kërkohet njëkohësisht nga shumë punëmarrës ose kur pozicioni i punës është i një rëndësie të veçantë. Punëdhënësi njofton punëmarrësin, me shkrim, brenda dy javëve nga data e kërkesës, për arsyet e shtyrjes së lejes prindërore.”.
Neni 52
Në nenin 138 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafët ekzistues numërtohen “2”, “3”, “4”.
2. Shtohet pika 1, me përmbajtjen e mëposhtme:
“1. Me transferim të ndërmarrjes ose të një pjese të saj kuptohet transferimi i subjektit ekonomik, i cili ruan identitetin e tij, në kuptimin e të qenit një grup burimesh i organizuar, që ka për qëllim kryerjen e një aktiviteti ekonomik, pavarësisht nëse ky aktivitet është kryesor ose ndihmës.”.
Neni 53
Në fund të pikës 1, të nenin 139, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Detyrimi për njoftim dhe për konsultime zbatohet pavarësisht nëse vendimi që çon në transferim merret nga punëdhënësi ose nga një ndërmarrje kontrolluese.”.
Neni 54
Pas nenit 139 shtohet neni 139/1, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“Neni 139/1
Zgjidhja e kontratës së punës nga punëmarrësi, për shkak se transferimi përfshin ndryshime thelbësore në kushtet e punës, në dëm të tij, konsiderohet si zgjidhje e kontratës së punës nga punëdhënësi. Punëmarrësi njofton, me shkrim, punëdhënësin për zgjidhjen e kontratës brenda 30 ditëve që nga data e transferimit, duke parashtruar edhe arsyet e zgjidhjes së saj.”.
Neni 55
Pika 2, e nenit 140, ndryshon, si më poshtë:
“2. Kontrata e punës lidhet për një periudhë të pacaktuar. Lidhja e kontratës së punës për një periudhë të caktuar duhet të justifikohet me arsye objektive, që lidhen me natyrën e përkohshme të detyrës në të cilën punëmarrësi do të punësohet.
Moszbatimi i kësaj dispozite nuk e cënon vlefshmërinë e kontratës, por sjell përgjegjësinë e punëdhënësit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 2, të nenit 202, të këtij kodi.”.
Neni 56
Në pikën 3, të nenit 142, shprehja “… 5 ditë…”, zëvendësohet me: “…7 ditë kalendarike…”.
Neni 57
Në nenin 143 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej dy javësh, kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur deri në gjashtë muaj, prej një muaji, për kohëzgjatjen mbi gjashtë muaj deri në dy vjet, prej dy muajsh, për kohëzgjatjen mbi dy vjet deri në pesë vjet, dhe prej tre muajsh, për kohëzgjatjen për më shumë se pesë vjet.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Gjatë periudhës së njoftimit, kur kontrata e punës zgjidhet nga ana e punëdhënësit, punëmarrësi përfiton, së paku, 20 orë leje të pagueshme në javë për të kërkuar punë të re. Kohëzgjatja e lejes dhe procedurat për marrjen dhe përdorimin e saj mund përcaktohen në kontratën kolektive apo individuale të punës.”.
Neni 58
Neni 144 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 144
Procedura e zgjidhjes së kontratës së punës
1. Pas kohës së marrjes në provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë, me shkrim, punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojë me të.
2. Punëdhënësi, gjatë kësaj bisede, i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësinë për t’u shprehur.
3. Zgjidhja njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit.
4. Punëdhënësi, i cili nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim të barabartë me pagën e dy muajve, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Zgjidhja e kontratës në kundërshtim me këtë dispozitë mbetet e vlefshme.”.
4/1. I takon punëdhënësit të provojë respektimin e procedurës së përcaktuar në këtë nen.
5. Kjo procedurë nuk zbatohet në rastet e pushimeve kolektive nga puna, por arsyet me shkrim për zgjidhjen e kontratës do t’i jepen punëmarrësit, sipas afateve të përcaktuara në pikën 5, të nenit 148.”.
Neni 59
Në nenin 146 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, ndryshon, si më poshtë:
“c) shkel ndalimin e diskriminimit, sipas përcaktimeve në këtë kod dhe në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi.”
2. Pas shkronjës “g”, në pikën 1, shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) bëhet në kundërshtim me parashikimet e përcaktuara në pikën 3, të nenit 144, lidhur me arsyet e zgjidhjes së kontratës së punës.”
3. Pika 3 ndryshon, si më poshtë vijon:
“3. Zgjidhja e kontratës, pa shkaqe të arsyeshme nga punëdhënësi, është e pavlefshme. Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin deri në një vit page, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit.”.
Neni 60
Në nenin 148 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë:
“1. Vlerësohet pushim kolektiv nga puna përfundimi i marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi, për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësin, kur numri i pushimeve nga puna, brenda 90 ditëve, është, të paktën, 10 punëmarrës për ndërmarrjet me deri në 100 punonjës; 15, për ndërmarrjet me mbi 100 deri në 200 punonjës dhe 20, për ndërmarrjet me mbi 200 punonjës.”
2. Në pikën 3 shprehja “…brenda 20 ditëve…” bëhet “…për një periudhë jo më pak se 30 ditë…”.
3. Pika 4 ndryshon, si më poshtë vijon.
“4. Punëdhënësi njofton, me shkrim, ministrinë përgjegjëse për punën për përfundimin e këshillimeve. Ai i dërgon një kopje të këtij njoftimi palës së interesuar. Nëse palët nuk kanë rënë dakord, ministria përgjegjëse për punën i ndihmon ata të arrijnë një marrëveshje, brenda 30 ditëve, duke filluar nga data e njoftimit, e parashikuar në këtë pikë. Ministria përgjegjëse për punën nuk mund t’i ndalojë pushimet kolektive.”
4. Pika 5 ndryshon, si më poshtë:
“5. Punëdhënësi njofton punëmarrësit që do të pushohen nga puna, duke respektuar afatet e njoftimit, të përcaktuara në nenin 143, pas përfundimit të periudhës së përcaktuar në pikën 3, në rastin kur kemi një marrëveshje midis palëve dhe në rastin kur ndërhyn ministria përgjegjëse për punën, pas përfundimit të periudhës së përcaktuar në pikën 4.”.
Neni 61
Në nenin 149 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3.Në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të caktuar, përpara përfundimit të afatit, zbatohet procedura e përcaktuar në nenin 144, të këtij kodi.”.
Neni 62
Pas nenit 149 shtohen nenet 149/1 dhe 149/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 149/1
Informimi për vendet e lira të punës
Punëdhënësi informon punëmarrësin e punësuar me kontratë me afat të caktuar për vendet e lira të punës dhe u siguron mundësi/shanse të barabarta me punëmarrësit e tjerë për t`u punësuar në një punë me afat të pacaktuar.
“Neni 149 /2
Trajtimi i barabartë
Punëmarrësit e punësuar me kontratë me afat të caktuar nuk mund të trajtohen në mënyrë më pak të favorshme se punëmarrësit e punësuar me kontratë me afat të pacaktuar, lidhur me kushtet e punësimit, trajnimit dhe mundësive të karrierës në punë. Punëmarrësit me kontratë pune me afat të caktuar gëzojnë të njëjtat të drejta, përpjesëtimisht, si punëmarrësit me kontratë me afat të pacaktuar.”.
Neni 63
Në pikën 2, të nenit 150, shprehja “…5 ditë…” zëvendësohet me “…7 ditë kalendarike…”.
Neni 64
Në fund të pikës 1, të nenin 151, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Kontratat me afat të caktuar ndërmjet të njëjtave palë do të konsiderohen si të njëpasnjëshme edhe në ato raste kur ka një ndërprerje të shkurtër, jo më shumë se tre muaj, ndërmjet mbarimit të një kontrate dhe lidhjes së kontratës tjetër.”.
Neni 65
Në nenin 155 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 3 ndryshon, si më poshtë:
“3.Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme, të pajustifikuar, të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, me kërkesë të punëmarrësit dhe duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos dëmshpërblimin, deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit.”
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të justifikuara, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit, në gjykatë, brenda 180 ditëve nga dita e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës. Në rastin kur motivi i pajustifikuar është zbuluar pas kalimit të këtij afati, punëmarrësi duhet të ngrejë padinë brenda 30 ditëve nga dita e zbulimit të këtij motivi. Për punëmarrësit në administratën publike zbatohen procedurat dhe afatet për ngritjen e padisë, të përcaktuara në ligjin për gjykatën administrative.”.
Neni 66
Pika 1, e nenit 156, ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Kur kontrata e punës zgjidhet nga punëdhënësi, për arsye se punëmarrësi nuk paraqitet në vendin e punës, të caktuar në kontratën e punës, ose e braktis atë menjëherë, pa shkaqe të arsyeshme, dhe brenda 7 ditëve kalendarike nuk ka njoftuar, me shkrim, punëdhënësin, ajo konsiderohet si zgjidhje e pajustifikuar e kontratës së punës nga ana e punëmarrësit. Punëmarrësi duhet të përgjigjet financiarisht ndaj punëdhënësit, jo më shumë se paga e një jave. Ai duhet të përgjigjet edhe për dëmin shtesë, që është diferenca midis dëmit dhe pagës së një jave.”.
Neni 67
Pika 3, e nenit 162, ndryshon, si më poshtë:
“3.Kur punëdhënësi tjetërson ndërmarrjen, kontrata kolektive zbatohet njësoj ndaj marrësit, deri në përfundimin e kohës gjatë së cilës ajo është e vlefshme, ose deri kur të jetë nënshkruar apo zbatohet një tjetër kontratë kolektive me marrësin e ri.”.
Neni 68
Përmbajtja e nenit 163 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 163
1. Çdo organizatë përfaqësuese punëmarrësish, e krijuar në bazë të ligjit, mund t’i kërkojë çdo punëdhënësi ose çdo organizate punëdhënësish, fillimin e bisedimeve për lidhjen e kontratës kolektive të punës në nivel ndërmarrjeje, ndërmarrjesh apo degësh aktiviteti, në favor të një apo disa kategorive profesionale. Shumë organizata punëmarrësish mund ta ushtrojnë këtë të drejtë së bashku.
2. Organizatat sindikale kanë të drejtë të kërkojnë informacion mbi të gjitha çështjet që lidhen me bisedimet. Informacioni duhet të jepet brenda 1 jave kalendarike, nga dita që është kërkuar, përveçse kur palët apo përfaqësuesit e tyre kanë ranë dakord për një afat tjetër.
3. Kërkesa për fillimin e bisedimeve për lidhjen e kontratës kolektive bëhet me shkrim. Ajo shoqërohet me kopjen e statutit të organizatës ose organizatave kërkuese të punëmarrëve si dhe me treguesit e nevojshëm mbi përfaqësueshmërinë e këtyre të fundit në ndërmarrje, ndërmarrjet apo degën e caktuar.
4. Punëdhënësi, të cilit i është kërkuar fillimi i bisedimeve, duhet ta bëjë kërkesën publike, duke e afishuar, në mënyrë të dukshme, gjatë dy javëve, në ndërmarrje. Nëse kërkesa është bërë në nivel dege, ajo duhet të afishohet në të gjitha ndërmarrjet ose degët. Organizata ose organizatat e punëmarrësve, që kërkojnë fillimin e bisedimeve, duhet të kujdesen që afishimi të kryhet në mënyrë të rregullt.
5. Nëse përfaqësueshmëria e organizatës ose e organizatave të punëmarrësve, që kërkojnë fillimin e bisedimeve, nuk është kundërshtuar, veprohet sipas nenit 165. Në këtë rast, përfaqësueshmëria e organizatës ose organizatave të punëmarrësve nuk mund të kundërshtohet gjatë dy vjetëve.
6. Nëse lidhja e kontratës kolektive nuk është paraprirë nga një afishim i rregullt i kërkesës, punëdhënësit ose organizata e punëdhënësve nuk mund të kundërshtojnë fillimin e një procedure të re të njohjes së përfaqësueshmërisë së organizatës ose organizatave të punëmarrësve, me qëllim hapjen e bisedimeve për lidhjen e një kontrate tjetër kolektive. Kontrata e parë kolektive, e lidhur pa respektuar detyrimin e afishimit, është e pavlefshme që nga çasti i hyrjes në fuqi të kontratës së dytë, që është lidhur duke respektuar procedurat e parashikuara në këtë kod.
7. Përpara miratimit të planeve të punës, që kërkojnë shërbimet e punëmarrësve gjatë natës, punëdhënësi duhet të këshillohet me përfaqësuesit e punëmarrësve të interesuar në lidhje me detajet e këtyre planeve dhe format e organizimit të punës së natës, që janë më të përshtatshme për sipërmarrjen dhe personelin e saj, si dhe për masat për shëndetin në punë dhe shërbimet sociale të nevojshme. Konsultimi duhet të zhvillohet rregullisht në sipërmarrjet ku ka punëmarrës që punojnë gjatë natës.”.
Neni 69
Pika 1, e nenit 167, ndryshon, si më poshtë:
“1. Punëdhënësi duhet të depozitojë origjinalin e kontratës kolektive, brenda 15 ditëve nga data e përfundimit të kësaj marrëveshjeje midis palëve, në:
a) zyrën rajonale të punësimit, për kontratat kolektive në nivel ndërmarrjeje;
b) ministrinë përgjegjëse për punën, për kontratat kolektive në nivel dege ose ndërmarrjeje, nëse ndërmarrja ushtron aktivitetin në më shumë se një rajon.”.
Neni 70
Pika 2, e nenit 169, ndryshon, si më poshtë vijon:
“2. Secila nga palët zbaton detyrimin e paqes së punës vetëm kur palët kanë rënë dakord, për të shprehimisht, me shkrim.”.
Neni 71
Pika 1, e nenit 170, ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Kur kontrata kolektive shkelet nga njëra palë, pala tjetër mund t’i drejtohet gjykatës ose Gjykatës së Arbitrazhit, kur kjo e fundit parashikohet në kontratën kolektive.”.
Neni 72
Përmbajtja e nenit 176 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 176
Organizatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve
1. Organizatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve janë organizata shoqërore të pavarura, që krijohen si bashkime vullnetare të punëmarrësve ose punëdhënësve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave ekonomike, profesionale dhe shoqërore të anëtarëve të tyre.
2. Organizatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve kanë të drejtë të krijojnë federata e konfederata dhe të anëtarësohen në to. Federata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë organizatave. Konfederata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë federatave. Çdo organizatë, federatë ose konfederatë ka të drejtë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare punëmarrësish ose punëdhënësish.
3. Në kuptimin e kësaj dispozite, pensionistët dhe të papunët mund të anëtarësohen në organizatat e punëmarrësve.”.
Neni 73
Në të gjithë përmbajtjen e pikës 1, të nenit 177, fjalët “…organizatë profesionale…” zëvendësohen me “…organizatë…”.
Neni 74
Në të gjithë përmbajtjen e nenit 178, pas fjalëve “…organizatë sindikale…” shtohen fjalët “…dhe organizatë punëdhënësish…”.
Neni 75
Në përmbajtjen e nenit 179, pas fjalëve “…organizatë sindikale…” shtohen fjalët “…dhe organizatë punëdhënësish…”.
Neni 76
Neni 180 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 180
“Çdo organizatë sindikale dhe organizatë punëdhënësish duhet të depozitojë një kopje të statutit të saj dhe të vendimit të gjykatës pranë ministrisë përgjegjëse për punën.”.
Neni 77
Në nenin 181 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshon, si më poshtë:
“4. Zgjidhja e kontratës së punës, nga punëdhënësi, për përfaqësuesit e organizatës sindikale, pa pëlqimin e kësaj organizate, është e pavlefshme. Përfaqësuesit e organizatës sindikale mund të mos japin pëlqimin për zgjidhjen e kontratës, nëse zgjidhja e kontratës shkel parimin e trajtimit të barabartë ose kur dëmton rëndë ose e bën të pamundur funksionimin normal të sindikatës. Kërkesës së punëdhënësit për dhënien e pëlqimit të organizatës sindikale i kthehet përgjigje brenda 8 ditëve, nga organi përkatës i kësaj organizate. Punëdhënësi mund të zgjidhë kontratën e punës nëse organizata sindikale jep pëlqimin e saj ose kur gjykata e shpall të pabazuar mosdhënien e këtij pëlqimi. Nëse punëdhënësi nuk respekton procedurën e parashikuar në këtë pikë, zgjidhja e kontratës së punës konsiderohet e pavlefshme.”
2. Pas pikës 7 shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Përfaqësuesit e organizatave sindikale gëzojnë mbrojtjen e përcaktuar në këtë nen edhe pas mbarimit të mandatit, për një periudhë jo më pak se 1 vit.”.
Neni 78
Në nenin 193 bëhen këto ndryshime;
1. Pika 1 ndryshon, si më poshtë:
“1. Në rast se ndërmjetësi shpall dështimin e ndërmjetësimit, ministri përgjegjës për punën, ose organi administrativ i autorizuar prej tij, vë në lëvizje zyrën e pajtimit.”
2. Pika 5 ndryshon, si më poshtë:
“5. Zyra e pajtimit i paraqet palëve një propozim pajtimi, të cilin ajo mund ta bëjë publik vetëm nëse të dyja palët bien dakord për këtë gjë.”
3. Në pikën 7, shprehja “…20 ditë…” zëvëndësohet me “…10 ditë…”.
Neni 79
Në nenin 196, fjalia e fundit ndryshon, si më poshtë vijon:
“Në rast se palët nuk bien dakord, arbitrat zgjidhen me short, nga lista e arbitrave, nga gjykata, brenda 5 ditëve, duke filluar nga data e kërkesës së njërës prej palëve.”.
Neni 80
Në pikën 2. të nenit 197/3, pas fjalës “…nënshkrimin…”, shtohen fjalët “…ose zbatimin…”.
Neni 81
Në nenin 197/5 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronjat “b” e “c”, të pikës 2, shfuqizohen.
2. Në përmbajtjen e shkronjave “d” e “dh”, të pikës 2, pas fjalës “…shërbimet…” shtohet fjala “…e domosdoshme…”.
Neni 82
Në nenin 197/6 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshon, si më poshtë vijon:
“2. Shërbimet minimale mund të kërkohen në sektorët e furnizimit me ujë, të furnizimit me energji elektrike si dhe në sektorët e shërbimeve të tjera, për plotësimin e nevojave të rëndësisë themelore të popullsisë, me qëllim që asaj t’i sigurohet plotësimi i këtyre nevojave.”
2. Në pikën 4, fjalia e parafundit ndryshon, si më poshtë:
“Kur palët nuk arrijnë të merren vesh për numrin dhe detyrat e punonjësve përkatës, për sigurimin e shërbimeve minimale, mosmarrëveshja zgjidhet, detyrimisht dhe përfundimisht, brenda 24 orësh, nga një arbitër i zgjedhur me short nga gjykata, nga lista e arbitrave, në bazë të kërkesës së njërës palë.”.
Neni 83
Neni 197/7 ndryshon, si më poshtë vijon:
“Neni 197/7
Greva e solidaritetit
Greva e solidaritetit është e ligjshme në rast se mbështet një grevë të ligjshme. Nëse greva e mbështetur deklarohet e paligjshme, me vendim gjykate, greva e solidaritetit duhet të ndërpritet menjëherë dhe, që nga ai moment, konsiderohet e paligjshme.
Përfaqësuesit e organizatës sindikale, para fillimit të grevës, i paraqesin, me shkrim, punëdhënësit njoftimin për fillimin e grevës, arsyet, vendin dhe kohën e fillimit të grevës. Greva e solidaritetit mund të fillojë jo më parë se dy ditë nga data e njoftimit.”.
Neni 84
Pas nenit 197/8 shtohet neni 197/8/a, me përmbajtjen e mëposhtme:
“Neni 197/8/a
Greva e përgjithshme
Greva e përgjithshme, në nivel kombëtar ose rajonal, është e ligjshme, nëse:
a) nuk bie ndesh me përcaktimet e neneve 197/4, 197/5, 197/6, të këtij kodi dhe dispozitat e tjera ligjore në fuqi; dhe
b) ka për qëllim kundërshtimin e politikave dhe masave ekonomike e sociale të qeverisë, të cilat kanë ndikim mbi interesat e punëmarrësve.”.
Neni 85
Në pikën 1, të nenit 197/9, pas fjalëve “…Kur greva nuk është e ligjshme …” shtohen fjalët “…sipas vendimit të gjykatës…”.
Neni 86
Pas nenit 200 shtohet neni 200/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 200/1
Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal
1. Në çdo qark krijohet Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal, (në vijim Këshilli), i cili përbëhet nga përfaqësues të organizatave të punëdhënësve, të organizatave sindikale dhe përfaqësues të strukturave shtetërore.
2. Këshilli shqyrton çështjet me interes të përbashkët për organizatat e punëdhënësve dhe organizatat sindikale, me qëllim që të arrijë zgjidhje të pranueshme për palët, në nivel rajonal.
3. Konsultimet bëhen, veçanërisht, lidhur me politikat rajonale që kanë të bëjnë me punësimin, formimin profesional, mbrojtjen e punëmarrësve, higjienën dhe sigurimin teknik, prodhimin, mirëqenien, arsimin si dhe çështjet ekonomike.
4. Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal përbëhet nga 15 anëtarë dhe 15 kandidatë, me këtë përbërje:
– 5 anëtarë e 5 kandidatë nga organizatat sindikale;
– 5 anëtarë e 5 kandidatë nga organizatat e punëdhënësve;
– 5 anëtarë (prefekti i qarkut dhe 4 kryetarë të njësive të qeverisjes vendore) e 5 kandidatë (nënkryetarë të njësive të qeverisjes vendore).
Përfaqësuesit kandidatë marrin pjesë në seancat e këshillit, në mungesë të përfaqësuesve anëtarë.
5. Në Këshill marrin pjesë organizatat më të përfaqësuara sindikale dhe të punëdhënësve të qarkut, që përcaktohen me vendim të prefektit të qarkut, çdo 3 vjet.
6. Akti administrativ i prefektit cakton komisionet e specializuara trepalëshe, të përhershme në konsultim, edhe me partnerët socialë.
7. Emërimi i anëtarëve e i kandidatëve të Këshillit Konsultativ Trepalësh Rajonal dhe i përfaqësuesve të organizatave sindikale e të punëdhënësve bëhet nga prefekti, sipas propozimeve të këtyre organizatave, në përputhje me pikën 5, të këtij neni.
8. Këshilli mund të krijojë komisione të specializuara ose grupe pune të përkohshme për këshillimin dhe studimin e çështjeve të veçanta, me interes të përbashkët.
9. Të gjitha shpenzimet për organizimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të Këshillit dhe komisioneve të tij mbulohen nga buxheti i prefektit të qarkut.
10. Rregullat e organizimit dhe funksionimit të Këshillit Konsultativ Trepalësh Rajonal rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 87
Në nenin 202 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1, pas shprehjes “…44 (paragrafi i dytë)…” shtohet “….68, pika 3…”.
2. Në pikën 2, bëhen këto ndryshime:
a) pas fjalëve “…paragrafi i tretë dhe i katërt…” shtohen fjalët “…paragrafi i pestë…”;
b) pas numrit “…139…” shtohet “…140, paragrafi 2…”:
c) pas shprehjes “…32, paragrafi i tretë…” shtohet “…32/1…”.
Neni 88
Në fund të pikës 1, të nenit 203, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Afati i parashkrimit për masën disiplinore është një vit, nga momenti i marrjes së masës disiplinore, njoftuar me shkrim punëmarrësit”.
Neni 89
Në të gjithë përmbajtjen e ligjit bëhen këto ndryshime:
1. Falët “…organizatë punëmarrësish…” zëvendësohen me fjalët “…organizatë sindikale…”:
2. Emërtimi “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” zëvendësohet me “…ministria përgjegjëse për punën…”;
3. Emërtimi “Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” zëvendësohet me “ministri përgjegjës për punë
Neni 90
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META