Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 19 shkurt 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8308, DATË 18.3.1998, “PËR TRANSPORTET RRUGORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8308, DATË 18.3.1998, “PËR TRANSPORTET RRUGORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas shkronjës “b”, të nenit 10, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas nenit 14, të këtij ligji.”.
Neni 2
Pas paragrafit të parë, të nenit 14, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Tarifa e llojit të biletës në transportin qytetas të udhëtarëve me autobus miratohet nga këshilli bashkiak në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim.”.
Neni 3
Në fund të nenit 85 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohet nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
Për
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË NDRYSHIMET E NENEVE 25 DHE 26 TË KONVENTËS “PËR MBROJTJEN DHE PËRDORIMIN E UJËRAVE NDËRKUFITARE DHE LIQENEVE NDËRKOMBËTARE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V e n d o s i:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË NDRYSHIMET E NENEVE 25 DHE 26 TË KONVENTËS “PËR MBROJTJEN DHE PËRDORIMIN E UJRAVE NDËRKUFITARE DHE LIQENEVE NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V e n d o s i:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META