Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 22 janar 2014

 

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8246, DATË 1.10.1997, “PËR INSTITUTIN E INTEGRIMIT TË TË PËRNDJEKURVE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

  V e n d o s i:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8246, datë 1.10.1997, “Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve”, të ndryshuar, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8246, DATË 1.10.1997, “PËR INSTITUTIN E INTEGRIMIT TË TË PËRNDJEKURVE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.8246, datë 1.10.1997, “Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

 

Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 1

Instituti i Integrimit të të Përndjekurve (IIP), si institucion shtetëror në varësi të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka për qëllim të marrë të gjitha masat dhe të ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me integrimin në jetën e shoqërisë shqiptare të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist.”.

Neni 2

Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 3

Struktura dhe organika e IIP-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa rregullorja e funksionimit të institutit miratohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Drejtori i IIP-së emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pasi merret mendimi i shoqatave të të përndjekurve.”.

 

Neni 3

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

Për të siguruar veprimtarinë e tij, IIP-ja mbështetet në një fond buxhetor, i cili miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

IIP-ja mund të sigurojë burime financiare edhe nëpërmjet donacioneve e projekteve të ndryshme nga donatorë vendas e të huaj ose edhe nga çdo burim tjetër i ligjshëm.

Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme, që i vijnë IIP-së, përdoren vetëm për qëllimet, për të cilat është krijuar ky institut.

IIP-ja informon dhe i raporton ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të gjitha të ardhurat financiare që sigurohen nga cilido burim.”.

 

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

ILIR META
***
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË POLICISË EVROPIANE (EUROPOL), PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK DHE OPERACIONAL”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË POLICISË EVROPIANE (EUROPOL), PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK  DHE OPERACIONAL

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.