Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 02 Shtator 2015
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8328, DATË 16.4.1998, “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË TË PARABURGOSURVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 6/1
Regjimi i posaçëm i trajtimit të të dënuarve
në burgun e sigurisë së lartë.
1. Për të dënuarit që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë, në raste të jashtëzakonshme revolte ose në situata emergjence, ministri i Drejtësisë mund të pezullojë në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të dënuarve. Pezullimi duhet të jetë i motivuar nga nevoja për të rivendosur rendin dhe sigurinë si dhe ka të përcaktuar kohëzgjatjen e domosdoshme për të arritur qëllimin.
2. Kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, edhe me kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij të aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të dënuarve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion, si dhe për të parandaluar lidhjet e të dënuarve me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë. Në të tilla raste, masa mund të zgjatë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë prej një viti, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.
3. Të dënuarit, që i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm, qëndrojnë brenda institucionit në qeli të posaçme, të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve, dhe ndaj tyre zbatohen masat e mëposhtme:
a) Masa të sigurisë së lartë, të brendshme dhe të jashtme, kryesisht lidhur me nevojën për të parandaluar kontaktet me të dënuarit e tjerë, lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë.
b) Lejimi i një takimi në muaj, në një interval kohor të përcaktuar, në mjedise ku nuk lejohet kalimi apo dhënia e sendeve gjatë takimit.
c) Lejimi i takimeve vetëm me familjarë, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, kur njoftimi është bërë më parë dhe me miratimin e drejtorit të institucionit.
ç) Lejimi i një bisede mujore telefonike me familjarët apo bashkëjetuesin, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila mund të regjistrohet.
d) Kufizimi në sendet që mund të marrë nga jashtë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të institucionit.
dh) Kontrolli i korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuara në nenin 43, të këtij ligji.
e) Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë, e cila nuk mund të kryhet në grupe prej më shumë se katër personash, nën mbikëqyrje të posaçme, për të siguruar pamundësinë absolute të komunikimit midis të dënuarve.
4. Rregullimet e sipërpërmendura për takimet nuk zbatohen për avokatin e të dënuarit, takimet me të cilin mund të bëhen deri në tre herë në javë.
5. Ndaj urdhrit të ministrit të Drejtësisë për pezullimin e regjimit normal të trajtimit të të dënuarit mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, brenda 10 ditëve. Ankimi nuk pezullon zbatimin e regjimit të posaçëm.”.
Neni 2
Në nenin 12, pas togfjalëshit “burgu i sigurisë së ulët” shtohet togfjalëshi “burgu me regjim të hapur”.
Neni 3
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Burgu i sigurisë së lartë
Burgu i sigurisë së lartë është institucioni ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuara për krimet e parashikuara nga nenet 77, 78, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 141 të Kodit Penal, si dhe për subjekte të dënuara për krimet që gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Ndryshimi i klasifikimit të sigurisë nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë në institucione të tjera të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet me kërkesë të prokurorit, të të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor apo të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, pasi të ketë kryer jo më pak se ½ e dënimit, si dhe të ketë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit.
Shpërndarja dhe transferimi i të dënuarve në burgjet e sigurisë së lartë bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në burgjet e sigurisë së lartë vihen kufizime në të drejtat e të dënuarit, në rastet dhe sipas kritereve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.
Në burgjet e kategorive të tjera, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, mund të krijohen seksione të burgut të sigurisë së lartë, në të cilat zbatohen rregullat e sipërpërmendura.”.
Neni 4
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 14
Burgu i sigurisë së zakonshme
Burgu i sigurisë së zakonshme është institucioni, ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuara me burgim mbi 5 vjet, me përjashtim të atyre që vendosen në institucione të veçanta, në burgun e sigurisë së lartë apo në burgun e sigurisë së ulët.
Ndryshimi i klasifikimit të sigurisë nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme në institucione të tjera të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet me kërkesë të prokurorit, të të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor apo të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, pasi t’i ketë mbetur për të vuajtur jo më pak se 5 vjet burgim, si dhe të ketë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit.
Shpërndarja dhe transferimi i të dënuarve në burgjet e sigurisë së zakonshme bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në burgjet e kategorive të tjera, me urdhër të ministrit të Drejtësisë mund të krijohen seksione të burgut të sigurisë së zakonshme, në të cilat zbatohen rregullat e sipërpërmendura.”.
Neni 5
Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Burgu i sigurisë së ulët
Burgu i sigurisë së ulët është institucioni, ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuara për kundërvajtje penale, për vepra penale të kryera nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim.
Shpërndarja dhe transferimi i të dënuarve në burgjet e sigurisë së ulët bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në burgjet e kategorive të tjera, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, mund të krijohen seksione të burgut të sigurisë së ulët, në të cilat zbatohen rregullat e sipërpërmendura.”.
Neni 6
Pas nenit 15/1 shtohet neni 15/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 15/2
Burgu me regjim të hapur
1. Burgu me regjim të hapur është institucioni, në të cilin i dënuari kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuan dënimin e tij, i dënuari ka të drejtë të punojë.
2. Burgu me regjim të hapur është institucioni, ku vuhet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale të kryera nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim.
3. Komisioni i transferimit, me kërkesë të të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin apo me nismën e vet, për të dënuarit të cilëve u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit, vendos për transferimin e tyre nga burgu i sigurisë së ulët në një burg me regjim të hapur, me kusht që i dënuari të ketë siguruar një kontratë të rregullt pune, sipas legjislacionit në fuqi për punësimin.
4. Për marrjen e vendimit për transferim, Komisioni mban në konsideratë nëse transferimi lehtëson riintegrimin e të dënuarit, ndihmon në mbajtjen e lidhjeve familjare, sociale dhe ekonomike, përmes punësimit të tij.
5. Komisioni i Transferimit kryesohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ka në përbërje:
a) tre përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përkatësisht nga:
i. sektori ligjor;
ii. sektori i çështjeve shoqërore;
iii. sektori i çështjeve shëndetësore.
b) drejtorin e institucionit ku vuan dënimin i dënuari;
c) një përfaqësues nga Avokati i Popullit;
ç) një përfaqësues nga shoqëria civile.
6. Rregullat për përzgjedhjen e përfaqësuesit nga shoqëria civile, organizimin, funksionimin, mënyrën e vendimmarrjes së Komisionit të Transferimit, si dhe mënyra e rregullimit të punësimit të të dënuarit sipas paragrafit 3 të këtij neni përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.
7. Organizimi, disiplina e brendshme dhe kërkesat e trajtimit në kushtet e institucionit përcaktohen në rregulloren e brendshme, të dalë në bazë të rregullores së përgjithshme të burgjeve, sipas parashikimeve të nenit 18, të ligjit.
8. Në rast të shkeljes së rregullores së përgjithshme të burgjeve apo rregullores së brendshme të institucionit, Komisioni i Transferimit shqyrton rastin dhe vendos me shumicën e anëtarëve të tij kthimin e të dënuarit në burgun e sigurisë së ulët.”.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8328, DATË 16.4.1998, “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË TË PARABURGOSURVE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA