Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 11 Nëntor 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8561, DATË 22.12.1999, “PËR SHPRONËSIMET DHE MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM TË PASURISË, PRONË PRIVATE, PËR INTERES PUBLIK””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8561, DATË 22.12.1999, “PËR SHPRONËSIMET DHE MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM TË PASURISË, PRONË PRIVATE, PËR INTERES PUBLIK”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas shkronjës “ë”, të nenit 8, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) Për realizimin e investimeve strategjike sipas legjislacionit përkatës.
Në rastin e parashikuar në këtë shkronjë, shpronësimi për interes publik do të bëhet sipas kritereve teknike të vlerësimit e të përllogaritjes së masës së shpërblimit, të cilat do të përcaktohen, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 2
Në pikën 2, të nenit 9, fjalët “… në shkronjat “c” dhe “ç”…” zëvendësohen me “… në shkronjat “c”, “ç” dhe “f”…,”.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT PËR ZHVILLIM ABU DHABI, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BULEVARDIT VERIOR DHE TË REHABILITIMIT TË LUMIT TË TIRANËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit Verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT PËR ZHVILLIM ABU DHABI, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BULEVARDIT VERIOR DHE TË REHABILITIMIT TË LUMIT TË TIRANËS
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit Verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META