Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 13 Maj 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për objektet pa leje, të ndërtuara përpara datës 27 qershor 2014, me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar.
Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
2. Objektet ndihmëse, në shërbim të ndërtimeve pa leje, legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore.
3. Ndërtimet pa leje, që nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, trajtohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar.”
Neni 2
Shkronja “gj/1”, e nenit 3, “Përkufizime”, shfuqizohet.
Neni 3
Pika 1, e nenit 17, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 (pesëqind) m².
Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit.
Kur për shkak të përmasave ose konfiguracionit të parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i së drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.
Lista e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat kryhet kalimi i pronësisë, miratohen nga Këshilli i Ministrave. Procedurat dhe rregullat e hollësishme që ndiqen nga ALUIZNI për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 4
Në nenin 30 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për regjistrimin e pasurisë së legalizuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ZRPP-ja zbaton dispozitat e ligjit nr.9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes” mbi regjimet pasurore martesore.”.
2. Paragrafi i fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Rregullat e bashkërendimit të punës ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP-së, si dhe procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 5
Pika 2, e nenit 45/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ndërtimet pa leje të përfshira në fushën e zbatimit të këtij ligji nuk u nënshtrohen procedurave, afateve dhe kushteve që lidhen me vetëdeklarimin pranë njësive të qeverisjes vendore. Vetëdeklarimet për legalizim, të bëra pranë njësive të qeverisjes vendore, sipas nenit 7, të këtij ligji, përfshirë dhe ato që kanë mangësi në elementet e formës, si dhe kërkesat për legalizim, të depozituara sipas ligjit nr.141/2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, konsiderohen të mirëqena.”.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10416, DATË 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10416, DATË 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 21, të nenit 3, shtohet pika 21/1, me këtë përmbajtje:
“21/1. “Hibrid” është materiali mbjellës e shumëzues bimor, që përftohet nga kryqëzimi i dy prindërve, brenda ciklit bimor. Nga mbjellja e këtyre farave dalin bimët e breznisë së parë hibride ose F1 (Breznia e parë).”.
Neni 2
Pika 1, e nenit 24, shfuqizohet.
Neni 3
Fjalia e dytë, e pikës 1, të nenit 27, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Gjithashtu, materiali mbjellës dhe shumëzues bimor i importuar shoqërohet me dokumente në gjuhën shqipe ose angleze.”.
Neni 4
Në pikën 3, të nenit 31, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Pavarësisht nga përcaktimi i bërë në pikën 1, të këtij neni, vlera e pranueshme për kultivimin dhe përdorim nuk kërkohet në rastet e hibrideve:”.
b) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të perimeve me përjashtim të varieteteve;”.
Neni 5
Në fund të fjalisë së parë, të pikës 2, të nenit 33, shtohen fjalët “… me kusht që furnizuesi për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor që importon të paraqesë në Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve dokumentacion zyrtar nga shteti importues, nëpërmjet të cilit vërtetohen karakteristikat e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor (Skedën), dhe provën e kryer për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet (DUS).”.
Neni 6
Shkronja “e”, e pikës 1, të nenit 41, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“e) të verifikojë dhe të analizojë mostrat për të gjitha sasitë e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të importuar, për çdo specie, varietet dhe lot, të sjella nga inspektorati që mbulon fushën përkatëse pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Çdo 6 muaj, ESHFF-ja duhet të pranojë për rianalizim në laboratorin e saj për treguesit e fuqisë mbirëse mostrat e çdo specie, varieteti dhe loti, të importuara apo të prodhuara në vendin tonë.”.
Neni 7
Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 42, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të kontrollojë materialin mbjellës dhe shumëzues bimor të furnizuesit, në çdo kohë dhe në çdo vend ku ai magazinohet, përpunohet, përgatitet për treg e tregtohet. Çdo 6 muaj, inspektorati që mbulon fushën përkatëse pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit duhet të kërkojë që furnizuesit të kryejnë rianalizimin për treguesit e fuqisë mbirëse për çdo specie, varietet dhe lot të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, të importuar apo të prodhuar në vendin tonë në laboratorin e ESHFF-së. Mostrat për rianaliza laboratorike duhet të merren nga specialisti i autorizuar i DB-së.”.
Neni 8
Neni 54 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 54
Sanksionet
Për kundërvajtjet administrative të parashikuara në nenin 53, të këtij ligji, nga inspektori jepen këto ndëshkime:
1. Për shkeljet e parashikuara në pikat 3 dhe 6, gjobë 70 mijë lekë.
2. Për shkeljet e parashikuara në pikën 1:
a) gjobë 200 mijë lekë, për shkeljet që parashikohen në pikat 1, 2, 3, 5, 6, 7, shkronjat “b”, “ç” dhe “d”, dhe 8, të nenit 4, të këtij ligji;
b) përveç gjobës për rastet sipas pikave 2, 3, 5 e 7, shkronjat “b”, “ç” dhe “d”, të nenit 4, merret masë sekuestrimi, asgjësimi e kthimi në vendin e origjinës me shpenzimet e furnizuesit.
3. Për shkeljet e parashikuara në pikën 2, gjobë 70 mijë lekë dhe merret masë sekuestrimi, asgjësimi ose kalimi për konsum, kur materiali është i konsumushëm.
4. Për shkeljet e parashikuara në pikën 4:
a) sanksione të njëjta me ato të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni;
b) gjobë 70 mijë lekë, për shkeljet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 8, të këtij ligji.
5. Për shkeljet e parashikuara në pikën 5:
a) gjobë 70 mijë lekë, për shkeljet e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të nenit 11, të këtij ligji.
b) për shkeljet sipas pikave 5, 6 dhe 7, të nenit 11, të këtij ligji, merret masë sekuestrimi, asgjësimi ose kalimi për konsum, kur materiali është i konsumushëm.
6. Për shkeljet e parashikuara në pikën 7:
a) gjobë 30 mijë lekë;
b) në rastet kur furnizuesi nuk plotëson detyrat e lëna nga inspektori në më shumë se dy herë, AKU-ja i propozon ministrit heqjen e licencës së furnizuesit.
7. Për shkeljet e parashikuara në pikën 8, gjobë 40 mijë lekë dhe merret masë sekuestrimi, asgjësimi e kthimi në vendin e origjinës.
8. Për shkeljet e parashikuara në pikën 9, gjobë 70 mijë lekë dhe kthim në vendin e origjinës me shpenzimet e importuesit.
9. Për shkeljet e parashikuara në pikën 10, gjobë 70 mijë lekë dhe bllokim deri në plotësimin e kërkesave ligjore.
10. Gjoba dhe masat e parashikuara në shkronjën “a”, të pikave 5 dhe 6, të këtij neni, janë dënime kryesore. Ndërsa masat ndëshkuese të tjera, të parashikuara në këtë nen, janë dënime plotësuese.”.
Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META