Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 14 maj 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2011 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I MBROJTJES MJEDISORE TË LIQENIT TË SHKODRËS””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011 për projektin “Programi i mbrojtjes mjedisore të liqenit të Shkodrës””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2011 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I MBROJTJES MJEDISORE TË LIQENIT TË SHKODRËS”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011 për projektin “Programi i mbrojtjes mjedisore të liqenit të Shkodrës”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8454, DATË 4.2.1999, “PËR AVOKATIN E POPULLIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8454, DATË 4.2.1999, “PËR AVOKATIN E POPULLIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 60-63, 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në fund të paragrafit të parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.”.
b) Në paragrafin e dytë, pas fjalëve “… të refugjatëve …” shtohet fjala “… azilkërkuesve …”.
Neni 2
Titulli i nenit 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shkarkimi i Avokatit të Popullit”.
Neni 3
Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9
Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit brenda një muaji nga mbarimi i funksionit. Avokati i Popullit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, në rastin e parashikuar në shkronjën “b”, të nenit 7, të ligjit. Kur Avokati i Popullit jep dorëheqjen, vdes, shkarkohet apo është në pamundësi të kryejë detyrat, komisionari më i vjetër në detyrë kryen funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.”.
Neni 4
Në paragrafin e parë, të nenit 13, hiqen fjalët “…, por me pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit …”.
Neni 5
Në nenin 21 bëhen këto ndryshime:
a) Fjalia e dytë, e shkronjës “b”, shfuqizohet;
b) Fjalia e dytë, e shkronjës “c”, shfuqizohet.
Neni 6
Paragrafi i fundit, i nenit 25, shfuqizohet.
Neni 7
Në fund të nenit 28 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Nëse raporti vjetor ose raportet e veçanta nuk diskutohen nga Kuvendi, brenda 1 (një) muaji nga data e depozitimit, Avokati i Popullit ka të drejtë të publikojë raportin.”.
Neni 8
Neni 29 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 29
Përgatitja e raporteve për të drejtat e njeriut
Avokati i Popullit kontribuon në përgatitjen e raporteve të shtetit shqiptar për organizmat ndërkombëtarë, në zbatim të konventave të ratifikuara nga shteti shqiptar lidhur me të drejtat e liritë e njeriut në Republikën e Shqipërisë.
Avokati i Popullit, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe të interesave të ligjshëm të individit, nxit kërkimin shkencor në këtë drejtim. Avokati i Popullit nxit përfshirjen e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë dhe në legjislacionin në fuqi në programet mësimore si dhe zbatimin e tyre në institucionet arsimore.”.
Neni 9
Në nenin 31 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në paragrafin e parë, numri “3” zëvendësohet me numrin “5”.
b) Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
5. Seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.”.
Neni 10
Paragrafi i dytë, i nenit 33, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Zgjedhja e komisionarëve bëhet nga Kuvendi me propozimin e Avokatit të Popullit. Kuvendi voton kandidaturat jo më vonë se 30 ditë nga data e propozimit. Komisionari duhet të plotësojë të njëjtat kushte të parashikuara në nenin 3, të ligjit.
Në ushtrimin e funksionit të tij, komisionari u nënshtrohet të njëjtave papajtueshmëri që parashikohen për Avokatin e Popullit në nenin 10.
Paga e komisionarëve është sa dy të tretat e pagës së Avokatit të Popullit.”.
Neni 11
Neni 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 34
Mbarimi i funksionit dhe shkarkimi i komisionarëve
Mbarimi i funksionit dhe shkarkimi i komisionarëve u nënshtrohen kushteve dhe procedurave të njëjta të parashikuara në nenet 7 dhe 8, të ligjit.
Komisionari mund të shkarkohet me kërkesë të Avokatit të Popullit kur ka shkelur dispozitat e këtij ligji ose të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi, të cilat rregullojnë veprimtarinë e Avokatit të Popullit, si dhe për sjellje e akte që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij.
Jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i funksionit ose shkarkimi i komisionarit, Avokati i Popullit i propozon Kuvendit kandidaturat për zgjedhjen e komisionarit të ri. Kuvendi voton kandidaturën jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së propozimit.”.
Neni 12
Në paragrafin e fundit, të nenit 35, fjala “tre” zëvendësohet me fjalën “pesë”.
Neni 13
Neni 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 36
Buxheti i Avokatit të Popullit
Projektbuxheti i Avokatit të Popullit propozohet nga Avokati i Popullit në përputhje me ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe miratohet nga Kuvendi.
Avokati i Popullit përgatit për çdo vit llogaritë e veta, në përputhje me ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Llogaritë financiare të institucionit të Avokatit të Popullit kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.”.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10039, DATË 22.12.2008, “PËR NDIHMËN JURIDIKE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10039, DATË 22.12.2008, “PËR NDIHMËN JURIDIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
Neni 1
Pas nenit 2 shtohet neni 2/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 2/1
Përkufizime
1. “Ndihmë juridike”, ka kuptimin e parashikuar në nenin 11, të ligjit nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike” të ndryshuar, dhe jepet për shtetasit shqiptarë me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, për shtetasit e huaj të pajisur me leje qëndrimi, për shtetasit e huaj që e përfitojnë atë mbi bazën e parimit të reciprocitetit, si dhe për personat pa shtetësi të pajisur me leje qëndrimi, sipas legjislacionit në fuqi.
2. “Mjete të mjaftueshme”, të ardhurat mujore të kërkuesit, që nuk e kalojnë vlerën e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Subjektet me të ardhura mujore nën këtë vlerë konsiderohen se janë në kushtet e pamundësisë financiare.
3. “Subjekte të përfshira në programet e mbrojtjes shoqërore” konsiderohen të gjitha subjektet përfituese nga ligji nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, i ndryshuar.”.
Neni 2
Pas shkronjës “j”, të nenit 10, të ligjit, shtohet shkronja “k”, me përmbajtjen si më poshtë vijon:
“k) Për shkelje të dispozitave të këtij ligji nga avokatët, sipas rastit, i propozon Dhomës Kombëtare të Avokatisë pezullimin e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit ose heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9109, datë 17.7.2003, ‘Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
Neni 3
Në paragrafin e dytë të pikës 1, të nenit 11, të ligjit, pas fjalëve “… Ndihma juridike parësore është dhënia e informacionit …”, shtohen “… në klinikat ligjore vendore …”.”.
Neni 4
Në nenin 13, të ligjit, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shkronjat “b” dhe “c”, nënndarja “i”, të pikës 1, fjala “sociale” zëvendësohet me “shoqërore”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“1/1. Në rastet kur ofrimi i ndihmës juridike paraqet urgjencë, vërtetimi i pamundësisë financiare mund të bëhet në një moment të mëvonshëm dhe ndihma juridike jepet menjëherë. Personi që përfiton ndihmë juridike sipas kësaj dispozite ka detyrimet e parashikuara në nenet 13, pika 4, dhe 14, të ligjit nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, të ndryshuar. Ngarkohet Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të përcaktojë rastet dhe kushtet e urgjencës.”.
Neni 5
Pas pikës 2, të nenit 14, të ligjit, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Subjektet e parashikuara në pikën 1/1, të nenit 13, të ligjit, të cilët nuk vërtetojnë pamundësinë financiare si kusht për përfitimin e ndihmës juridike, janë të detyruara të kthejnë të gjitha shpenzimet e kryera për ofrimin e kësaj ndihme.”.
Neni 6
Pas pikës 1/1, të nenit 16, të ligjit, shtohet pika 1/2, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“1/2. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike për personat që janë viktimë e dhunës në familje ose viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, për çështjet gjyqësore që lidhen me to, paraqiten personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij i autorizuar me prokurë. Formulari i kërkesës dhe dokumentet shoqëruese përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.”.
Neni 7
Në fund të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit, shtohen fjalët “… kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 9, të ligjit nr.9109, datë 17.7.2003, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
Neni 8
Pas pikës 3, të nenit 20, të ligjit, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Avokati i caktuar për dhënien e ndihmës juridike ka detyrimin të pranojë detyrën dhe të mos heqë dorë prej saj, duke mos cenuar në asnjë rast të drejtën e të përfaqësuarit për t’u mbrojtur, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga pika 2, e nenit 18, të këtij ligji.”.
Neni 9
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË BOTIMEVE ZYRTARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË BOTIMEVE ZYRTARE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe të institucioneve të përfshira në procesin e botimit të akteve, si dhe i procedurës për botimin e “Fletores zyrtare” të Republikës së Shqipërisë dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare në formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik.
2. “Fletorja zyrtare” e Republikës së Shqipërisë është i vetmi botim zyrtar në Republikën e Shqipërisë, ku botohen aktet juridike, botimi i të cilave është i detyrueshëm në bazë të legjislacionit në fuqi.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të botimit të “Fletores zyrtare” dhe Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, si dhe garantimin e mirëfunksionimit të arkivit elektronik të akteve.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:
1. “Akte të botueshme”, të gjitha aktet, botimi i të cilave është i detyrueshëm në bazë të legjislacionit në fuqi.
2. “Akt i përditësuar”, akti që pasqyron të gjitha ndryshimet, që ka pësuar akti origjinal, në një tekst të vetëm integral dhe që pasqyron variantin në fuqi të tij.
3. “Botimi në arkivin elektronik të akteve”, përfshin:
a) botimin e “Fletores zyrtare” në formatin elektronik;
b) botimin e akteve;
c) botimin e ndryshimeve të akteve;
ç) aktet e përditësuara.
4. “Botimi në “Fletoren zyrtare””, bërja e njohur në mënyrë botore, në formë të shkruar dhe elektronike, e akteve të botueshme sipas legjislacionit në fuqi.
5. “Botimi në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare”, bërja e njohur në mënyrë botore, në formë të shkruar dhe elektronike, e të gjitha njoftimeve të institucioneve shtetërore, të cilat lidhen me procedurat e ndërmarra prej tyre dhe që duhen të bëhen publike.
6. “Buletini i Njoftimeve Zyrtare”, formati i botimit zyrtar, i cili përmban të gjitha njoftimet e institucioneve shtetërore me qëllim bërjen e tyre publike.
7. “Faqja elektronike e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, faqja elektronike në internet, në të cilën botohen të gjitha aktet juridike të nxjerra nga institucionet e Republikës së Shqipërisë.
8. ““Fletore zyrtare” e Republikës së Shqipërisë”, është i vetmi botim zyrtar në Republikën e Shqipërisë ku publikohen aktet juridike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, botimi i të cilave parashikohet në Kushtetutë ose në legjislacionin në fuqi.
9. “Indeksi i “Fletores zyrtare””, listimi kronologjik i të gjitha akteve juridike të botuara në “Fletoren zyrtare”, në serinë e fletoreve zyrtare të një viti.
10. “Përditësim”, procesi i pasqyrimit të ndryshimeve të aktit në tekstin bazë të tij.
11. “Qendra e Botimeve Zyrtare”, institucioni përgjegjës për botimin e “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare.
KREU II
QENDRA E BOTIMEVE ZYRTARE
Neni 4
Statusi i Qendrës së Botimeve Zyrtare
1. Qendra e Botimeve Zyrtare është person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
2. Drejtori dhe nëpunësit e Qendrës së Botimeve Zyrtare kanë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil. Për punonjësit administrativë, marrëdhënia e punës rregullohet nga Kodi i Punës.
3. Struktura dhe organika e Qendrës së Botimeve Zyrtare miratohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.
4. Rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 5
Përgjegjësitë e Qendrës së Botimeve Zyrtare
1. Qendra e Botimeve Zyrtare është përgjegjëse për:
a) botimin e akteve të botueshme, të cilat dërgohen në këtë Qendër;
b) botimin në formë të shtypur të kodeve të përditësuara dhe të përmbledhësve të legjislacionit sipas tematikës;
c) mbajtjen dhe mospublikimin e të dhënave, të ligjeve dhe akteve të tjera të botueshme, deri sa ato të botohen në “Fletoren zyrtare” apo Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;
ç) redaktimin teknik të versioneve përfundimtare, të cilat botohen në
“Fletoren zyrtare” apo Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;
d) sigurimin e botimit të saktë dhe në kohë të akteve në “Fletoren zyrtare” apo Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;
dh) bashkërendimin e punëve me operatorin ekonomik i cili bën shpërndarjen e “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
e) bashkëpunimin me institucionet kompetente shtetërore për sigurimin e faqes zyrtare të internetit nga keqpërdoruesit e mundshëm dhe mirëmbajtjen e saj;
ë) ribotimin e “Fletores zyrtare” apo të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare për numrat që u janë ezauruar kopjet e botuara dhe botimin me kërkesë.
2. Për botimin në formë elektronike të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, Qendra e Botimeve Zyrtare është përgjegjëse për:
a) publikimin dhe garantimin e origjinalitetit të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
b) zbatimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të informacionit, duke prodhuar botimin elektronik të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
c) përmirësimin e sistemit në përputhje me zhvillimet e ardhshme teknike;
ç) zbatimin dhe zgjerimin e objekteve teknike për të siguruar qasjen për të gjithë përdoruesit në botimin elektronik të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
d) vendosjen e rregullave të brendshme për ngritjen e sigurisë dhe qasjen në lidhje me sistemin e informacionit në prodhimin e botimit elektronik të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
dh) ruajtjen e përhershme të 2 (dy) kopjeve fizike dhe elektronike të çdo
numri të “Fletores zyrtare” dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare;
e) arkivimin e dokumenteve të parashikuara në shkronjën “dh”, të kësaj pike, dhe trajtimin e tyre në përputhje me zhvillimet e ardhshme teknologjike.
3. “Fletorja zyrtare” dërgohet për botim me miratimin dhe nën përgjegjësinë e drejtorit të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe, në mungesë të tij, nga nëpunësi i deleguar prej tij.
4. Buletini i Njoftimeve Zyrtare dërgohet për botim me miratimin dhe nën përgjegjësinë e drejtorit të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe, në mungesë të tij, nga nëpunësi i deleguar prej tij.
5. Buletini i Njoftimeve Zyrtare botohet sa herë të jetë e nevojshme, por jo më pak se një herë në javë. Formati, kriteret teknike, procedurat e përgatitjes, ditët e botimit, tirazhi i kopjeve, mënyra e vënies në qarkullim dhe shpërndarja e Buletinit të Njoftimeve Zyrtare përcaktohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave.
6. Qendra e Botimeve Zyrtare është përgjegjëse për përgatitjen e raportit vjetor të punës dhe prezantimin e këtij raporti përpara ministrit të Drejtësisë brenda muajit janar të çdo viti kalendarik. Një kopje e raportit i dërgohet Kryeministrit.
KREU III
BOTIMI NË “FLETOREN ZYRTARE” DHE në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare
Neni 6
Fletorja zyrtare
1. “Fletorja zyrtare” është dokumenti zyrtar, në formatin e shtypur dhe elektronik, në të cilin gjendet i pasqyruar teksti i aktit të botueshëm në versionin përfundimtar të tij, pas procedurës së miratimit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi.
2. Në “Fletoren zyrtare” botohen:
a) ligjet;
b) dekretet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
c) aktet normative të Këshillit të Ministrave;
ç) aktet normative të ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore;
d) vendimet, rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
dh) vendimet e Gjykatës Kushtetuese;
e) vendimet për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, të cilat botohen në numrin më të parë të “Fletores zyrtare”;
ë) të gjitha aktet e tjera, botimi i të cilave është i detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi;
f) indeksi vjetor i “Fletores zyrtare”.
3. “Fletorja zyrtare” botohet në formë të shtypur nga Qendra e Botimeve Zyrtare në atë sasi që përkon me nevojat dhe kërkesat për përfitimin e këtij shërbimi nga abonentët.
4. Botimi i “Fletores zyrtare” në formë të shtypur dhe në formë elektronike nga kushdo tjetër është i ndaluar. Të gjithë shfrytëzuesit e materialeve të “Fletores zyrtare” duhet të përmendin numrin dhe vitin e botimit të “Fletores zyrtare”.
Neni 7
Kriteret teknike të botimit të “Fletores zyrtare” në formatin letër
1. “Fletorja zyrtare” botohet në format A4, bardh e zi, letër 80 gr/m² mat pa lustër.
2. Lidhja bëhet me qepje me tel për një numër faqesh deri në 80 dhe me ngjitje për numër faqesh më shumë se 80.
3. “Fletorja zyrtare” përmban:
a) emërtimin “Fletorja zyrtare e Republikës së Shqipërisë”;
b) numrin rendor;
c) datën e botimit (ditën, muajin dhe vitin e botimit);
ç) vendin e botimit.
4. Emërtimi, viti i botimit dhe numri i “Fletores zyrtare” duhet të shënohen qartë në të gjitha faqet e “Fletores zyrtare”.
5. Formati i “Fletores zyrtare” është sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 8
Dërgimi i akteve për botim
1. Aktet e botueshme të parashikuara në nenin 6, të këtij ligji, publikohen në “Fletoren zyrtare”, vetëm atëherë kur versioni përfundimtar në origjinal i aktit është nënshkruar nga organi që e ka nxjerrë atë dhe me kërkesën e tij.
2. Teksti i akteve të botueshme në “Fletoren zyrtare” i dërgohet Qendrës së Botimeve Zyrtare në formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik nga institucionet shtetërore përkatëse që kanë miratuar aktin.
3. Në rastin e dërgimit për botim të ligjeve, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i dekretit të Presidentit për shpalljen e ligjit, por, në çdo rast, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e dekretit.
4. Nëse Presidenti e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend dhe dekreti i tij e humbet fuqinë, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 (pesë) ditëve nga data e votimit kundër tij prej shumicës të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
5. Nëse Presidenti nuk ushtron të drejtën e parashikuar në pikën 1, të nenit 84, dhe në pikën 1, të nenit 85, të Kushtetutës, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 (pesë) ditëve nga kalimi i afatit kushtetues për shpalljen ose kthimin për rishqyrtim të ligjit. Në këtë rast, Kuvendi shënon edhe datën e dërgimit të ligjit të miratuar te Presidenti i Republikës.
6. Në rastin e dërgimit për botim të ligjeve, të miratuara sipas procedurës së përcaktuar në pikën 4, të nenit 84, të Kushtetutës, Kuvendi e dërgon aktin e botueshëm menjëherë. Ky ligj botohet në numrin më të parë të “Fletores zyrtare”.
7. Institucioni shtetëror, që dërgon aktin e botueshëm, kujdeset që formati elektronik të nënshkruhet elektronikisht, sipas legjislacionit në fuqi. Të dyja formatet kanë vlerë të njëjtë juridike. Në rast mospërputhjeje të të dyja formateve, Qendra e Botimeve Zyrtare i kërkon institucionit të konfirmojë përmbajtjen e saktë të aktit të botueshëm dhe, vetëm pas përgjigjes zyrtare të institucionit dërgues, vijon me botimin e aktit.
8. Këshilli i Ministrave përcakton me udhëzim mënyrën, format dhe procedurën e dërgimit të tekstit të akteve të botueshme në “Fletoren zyrtare”, si dhe formatin e shkruar në letër dhe formatin elektronik të tyre.
Neni 9
Detyrimet e institucioneve të cilat i publikojnë aktet e tyre në “Fletoren zyrtare”
1. Dërgimi i akteve të botueshme të nxjerra nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për publikim në “Fletoren zyrtare” bëhet nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës apo personi i deleguar prej tij.
2. Dërgimi i ligjeve dhe i akteve të tjera të botueshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për publikim në “Fletoren zyrtare” bëhet nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit apo personi i deleguar prej tij.
3. Dërgimi i akteve të botueshme të Këshillit të Ministrave për publikim në “Fletoren zyrtare” bëhet nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave apo personi i deleguar prej tij.
4. Dërgimi i akteve të botueshme të ministrive për publikim në “Fletoren zyrtare” bëhet nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë apo personi i deleguar prej tij.
5. Dërgimi i akteve të tjera të botueshme për publikim në “Fletoren zyrtare” bëhet nga titullari i institucionit, organit apo organizatës që ka nxjerrë aktin.
6. Titullari i institucionit është përgjegjës për dërgimin e aktit përfundimtar për publikim në “Fletoren zyrtare”.
7. Detyrimet e përcaktuara në këtë dispozitë zbatohen dhe për dërgimin e njoftimeve që do të botohen në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
8. Parashikimet aktuale në aktet ligjore dhe nënligjore, që kanë të bëjnë me botimin në median kombëtare, zëvendësohen me botimin në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
Neni 10
Afati i botimit
1. Afati i botimit të akteve të botueshme është jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e ardhjes së aktit për botim.
2. Në rast të masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje dhe urgjence, institucioni i interesuar bën kërkesë të arsyetuar për botimin sa më parë të një akti në numrin më të parë të “Fletores zyrtare” të radhës.
Neni 11
Botimi
1. “Fletorja zyrtare” dhe Buletini i Njoftimeve Zyrtare në formë elektronike publikohen në të njëtën ditë kur janë publikur edhe në formën e tyre të shtypur.
2. Botimi në formë elektronike i “Fletores zyrtare” dhe Buletinit të Njoftimeve Zyrtare duhet të përmbajë edhe informacion në lidhje me datën dhe orën e publikimit. Momenti i daljes së “Fletores zyrtare” nga botimi konsiderohet data dhe ora e përfshirjes në arkivin elektronik të akteve.
3. Pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare, çdo subjekt mund të njihet, drejtpërdrejt dhe pa shpërblim, me përmbajtjen e akteve të botuara.
Neni 12
Regjistri shtetëror i akteve
Qendra e Botimeve Zyrtare administron regjistrin elektronik dhe shkresor të akteve, ku pasqyrohen të gjitha të dhënat e detyrueshme për botimin, numërtimin, korrektimet gjuhësore e juridike, shënimet në rubrika të veçanta për shfuqizimet, ndryshimet ose shtesat pas miratimit të aktit. Modeli i regjistrit elektronik dhe shkresor miratohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 13
Detyrimi për bashkëpunim
Institucionet shtetërore kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Qendrën e Botimeve Zyrtare, duke i siguruar të gjithë informacionin që ajo kërkon në përmbushje të detyrave të saj.
KREU IV
ARKIVI ELEKTRONIK I AKTEVE DHE NJOFTIMEVE
Neni 14
Arkivi elektronik i akteve
1. Qendra e Botimeve Zyrtare kujdeset për funksionimin e arkivit elektronik të akteve.
2. Arkivi elektronik i akteve është baza elektronike e të dhënave, që përmbledh të gjitha fletoret zyrtare në formatin elektronik dhe të gjitha aktet e botuara.
3. Arkivi elektronik i akteve është lehtësisht i përdorshëm dhe me aksesim të plotë nga publiku, në rrugë elektronike. Konsultimi i tij është pa pagesë.
4. Në arkivin elektronik të akteve botohen të gjitha aktet e botueshme, së bashku me të gjitha ndryshimet e pësuara pas miratimit të tyre. Kur akti i botuar pëson ndryshime pas miratimit, Qendra e Botimeve Zyrtare, gjatë botimit të aktit ndryshues në arkivin elektronik të akteve përditëson aktin bazë me këto ndryshime. Në arkivin elektronik të akteve botohet, në çdo rast, akti i përditësuar.
5. Arkivi elektronik i akteve përmban një rubrikë të posaçme, ku pasqyrohen të gjitha aktet e botueshme, të cilat dalin në bazë dhe për zbatim të një akti tjetër të botueshëm.
Neni 15
Administrimi i arkivit elektronik të akteve
1. Arkivi elektronik i akteve administrohet nga Qendra e Botimeve Zyrtare, në përputhje me këtë ligj dhe rregullat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Ministri i Drejtësisë, në përputhje me standardet, rregullat dhe procedurat e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore, i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e rregullave të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të arkivit elektronik të akteve.
2. Dhënës të informacionit në arkivin elektronik të akteve janë të gjitha institucionet shtetërore që miratojnë aktet e botueshme.
3. Kur nuk është i mundur realizimi i botimit elektronik të “Fletores zyrtare” për shkak të një mosfunksionimi të paparashikuar dhe të jashtëzakonshëm të sistemit informativ të Qendrës së Botimeve Zyrtare, kjo e fundit merr masat e menjëhershme për rivendosjen e lidhjes sa më shpejt të jetë e mundur.
4. Kur është i nevojshëm publikimi i “Fletores zyrtare” dhe sistemi informativ i Qendrës së Botimeve Zyrtare nuk është funksional, vetëm botimi i shtypur i “Fletores zyrtare” është autentik dhe prodhon efekte juridike.
5. Pas rikuperimit të sistemit të informacionit të Qendrës së Botimeve Zyrtare, versioni përkatës elektronik i edicionit të shtypur, të përmendur në pikën 4, do të vihet pa vonesë në dispozicion për publikun në faqen zyrtare të internetit.
6. Pas rikuperimit të sistemit informativ të Qendrës së Botimeve Zyrtare, faqja zyrtare do të ofrojë informata për të gjitha botimet e shtypura që janë autentike dhe që prodhojnë efekte juridike në përputhje me pikën 4, të këtij neni.
KREU V
BUXHETI DHE ANKESAT
Neni 16
Buxheti
1. Qendra e Botimeve Zyrtare financohet nga buxheti i shtetit dhe buxheti i saj miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
2. Qendra e Botimeve Zyrtare siguron burime financiare edhe nëpërmjet donacioneve të ndryshme nga donatorë, vendas e të huaj, ose nga çdo burim tjetër i ligjshëm.
3. Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme, që i vijnë Qendrës së Botimeve Zyrtare, përdoren sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor.
4. Përcaktimi i çmimeve dhe i tarifave të shërbimeve, si dhe lista e instituciuoneve që përfitojnë falas kopje të botuara të “Fletores zyrtare” bëhet me urdhër të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, me propozimin e drejtorit të Qendrës së Botimeve Zyrtare.
5. Fletoret Zyrtare, pas kalimit të 3 (tri) viteve nga dita e botimit, shpërndahen falas sipas listës që depozitojnë institucionet qendrore për institucionet e tyre të varësisë.
6. Pas kalimit të 5 (pesë) viteve nga dita e botimit të tyre, ato shpërndahen falas në institucionet shtetërore të pushtetit qendror dhe vendor si dhe në fakultetet juridike, publike dhe private.
Neni 17
Ankesat
1. Qendra e Botimeve Zyrtare pranon ankesat lidhur me gabimet dhe defektet që kanë të bëjnë me publikimin e akteve juridike në “Fletoren zyrtare” dhe të njoftimeve në Buletinin e Njoftimeve Publike në formë të shtypur apo në formë elektronike.
2. Afatet dhe masat që duhet të merren në lidhje me ankesat për gabimet dhe defektet e publikimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 18
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve të parashikuara në pikën 5, të nenit 5, pikën 8, të nenit 8, pikën 1, të nenit 15, dhe pikën 2, të nenit 17, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë, që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të miratojë aktet e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, në nenin 12 dhe në pikën 4, të nenit 16, të këtij ligji.
Neni 19
Shfuqizime
Ligji nr.96/2012, “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, si dhe çdo dispozitë tjetër nënligjore, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
#
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN e PROJeKTLIGJIT, “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.10171, DATË 22.10.2009, “PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
PROJEKTLIGJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.10171, DATË 22.10.2009, “PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pas shkronjës “g”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtohen shkronjat “gj” dhe “h”, me këtë përmbajtje:
“gj) punonjësi social;
h) psikologu.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATE 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime.
Neni 1
Pas nenit 1 shtohet neni 1/1, “Përkufizime”, me këtë përmbajtje:
“Neni 1/1
Përkufizime
Në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Naftë bruto (naftë)” ka të njëjtin kuptim sipas përkufizimit të dhënë në ligjin nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar.
2. “Nënproduktet e naftës”, produktet e gatshme apo gjysmë të gatshme, të përftuara nga përpunimi i naftës bruto.
3. “GLN”, gazi i lëngshëm i naftës, si nënprodukt i naftës.
4. “Përpunim”, procesi i distilimit dhe rafinimit që përdor si lëndë të parë naftën bruto ose nënproduktet e saj, për përftimin e produkteve përfundimtare.
5. “Rafineri”, instalime komplekse teknologjike, përfshirë edhe kapacitetet depozituese të lëndës së parë, të gjysmëprodukteve dhe produkteve të gatshme, ku kryhet përpunimi i naftës bruto apo nënprodukteve të saj për përftimin e nënprodukteve apo produkteve të gatshme.
6. “Impiant përpunimi”, instalime teknologjike, ku kryhet përpunimi i nënprodukteve të naftës për përftimin e produkteve të gatshme.
7. “Transportim”, procesi i lëvizjes së naftës bruto apo nënprodukteve të saj nga një vend në një tjetër nëpërmjet tubacioneve dhe mjeteve të posaçme të transportit që përshkojnë një distancë të caktuar.
8. “Transportues”, personi, fizik apo juridik, që transporton naftën dhe nënproduktet e saj me anë të mjeteve specifike të autorizuara.
9. “Depozitim i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, procesi i grumbullimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në rezervuarë të posaçëm, nëpërmjet instalimeve teknologjike.
10. “Tregtim”, procesi i shitblerjes së naftës bruto dhe i nënprodukteve të saj nga një subjekt te tjetri.
11. “Shoqëri tregtimi me shumicë”, personi juridik që ble naftë dhe nënproduktet e saj me qëllim shitjeje tek të tretët, përveç konsumatorit fundor.
12. “Shoqëri tregtimi me pakicë”, person juridik që ble nënprodukte të naftës me qëllim shitjeje tek personat që janë konsumatorë fundorë.
13. “Rezerva e sigurisë”, sasia e naftës dhe nënprodukteve të saj, e vendosur dhe e ruajtur në vende të caktuara, e cila përdoret sipas përcaktimeve të këtij ligji.
14. “Konsumatorë të mëdhenj’’, personat juridikë që konsumojnë për nevojat e veta nënproduktet e naftës në një sasi jo më pak se 50 m3 në muaj dhe që posedojnë instalime depozitimi të këtyre produkteve.
15. “Konsumator fundor”, personi fizik apo juridik që ble produktet e gatshme për nevojat e veta.
16. “Standard i naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, tërësia e specifikimeve teknike të miratuara nga organet përgjegjëse që përcaktojnë cilësinë e tyre fiziko – kimike.
17. “Falsifikim”, ndërhyrje në nënproduktet e naftës, duke shtuar nënprodukte të tjera nafte apo produkte të tjera të huaja që prishin standardin fillestar të tyre.
18. “Terminale bregdetare”, komplekse instalimesh teknologjike bregdetare për import – eksportin e naftës, gazit dhe nënproduktet e tyre, duke përfshirë pontilin e ankorimit të anijeve, depozitat, sistemin e ngarkim – shkarkimit dhe sistemet e trajtimit të mbejtjeve teknologjike.”.
Neni 2
Pas shkronjës “C”, të kategorisë III, të nenit 10, shtohet shkronja “Ç”, me këtë përmbajtje:
“Ç. Lëndë djegëse për përdorim termik civil dhe/ose industrial.”.
Neni 3
Në nenin 11 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me përmbajtje, si më poshtë vijon:
“b/1) Impiante të përpunimit të nënprodukteve të naftës.”.
2. Në fund të shkronjës “c” shtohen fjalët “… dhe lëndëve që shërbejnë si lëndë djegëse; …”.
3. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Njësitë e shitjes së lëndëve djegëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të tyre për përdorim nga konsumatorët fundorë.”.
Neni 4
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Rafineritë e naftës janë të detyruara të zbatojnë normat dhe kushtet teknike të projektit. Ndryshimet në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të rafinerive bëhen vetëm me miratim të ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet. Transferimi i licencës përkatëse të rafinerisë lejohet vetëm pas miratimit të ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet, sipas kushteve dhe procedurës të parashikuar me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Rafineritë e naftës kanë të drejtë t’i shesin prodhimet e tyre në vend, tek shoqëritë e tregtimit me shumicë e impiantet e përpunimit, si dhe t’i eksportojnë në shtete të tjera.”.
Neni 5
Pas nenit 12 shtohet neni 12/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
1. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës janë persona juridikë, të krijuar sipas legjislacionit në fuqi, që ushtrojnë veprimtari në fushën e përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ndërtimi dhe funksionimi i impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës bëhet pasi ato të jenë pajisur me “Licencë përpunimi”, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës e zhvillojnë veprimtarinë e shitjes së prodhimeve të tyre vetë ose nëpërmjet një shoqërie tjetër tregtimi me shumicë, vetëm pas marrjes së licencës së tregtimit sipas legjislacionit në fuqi.
3. Impiantet e përpunimit kanë të drejtë të tregtojnë prodhimet e tyre vetëm te shoqëritë e tregtimit me shumicë, shoqëritë e tregtimit me pakicë dhe konsumatorët e mëdhenj.
4. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve përgjigjen për markën e prodhimit dhe cilësinë e produkteve që prodhojnë.
5. Impianteve të përpunimit u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte në të cilat është kryer falsifikim.
6. Subjektet zotëruese të impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me pakicë të prodhimeve të tyre.”.
Neni 6
Pas pikës 2, të nenit 13, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Subjektet juridike që ushtrojnë veprimtarinë e transportimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, me naftësjellës, janë të detyruara të përcaktojnë në programet e zhvillimit për një periudhë pesëvjeçare, një plan të detajuar për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, si dhe të bëjnë shfrytëzimin e instalimeve në përputhje me rregullat dhe standardet teknike të përcaktuara në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore.”.
Neni 7
Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:
1. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 1, shtohen fjalët “… vetëm në rafineritë e naftës, eksport dhe te shoqëritë e pajisura me licencë tregtimi të kategorisë 0/A.”.
2. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) impiantet e përpunimit që do të tregtojnë prodhimet e tyre.”.
3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të garantojnë furnizim normal dhe jodiskriminues, në përputhje me nevojat që kanë subjektet e përcaktuara në pikën 7. Në zbatim të këtij detyrimi ato duhet të mbajnë dokumentacion të veçantë, sipas përcaktimeve të bëra nga ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për hidrokarburet.”.
4. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë të drejtë të furnizojnë sipas kushteve të licencës përkatëse rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, shoqëritë e tregtimit me pakicë të pajisura me licencë tregtimi, mjetet detare dhe ajrore, si dhe konsumatorët e mëdhenj.”.
5. Në fund të pikës 9 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Shoqëritë e tregtimit me shumicë shoqërojnë çdo produkt me certifikatë cilësie dhe mostër përfaqësuese të sekretuar, sipas kritereve të përcaktuara në aktet e miratuara nga ministri përgjegjës për hidrokarburet.”.
6. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Futja në treg dhe përdorimi i pajisjeve nën presion, që shërbejnë për trajtimin dhe ambalazhimin e gazit të lëngshëm të naftës (GLN) nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të këtij nënprodukti, bëhet vetëm kur ato plotësojnë kushtet teknike dhe kërkesat e përcaktuara në kuadrin e posaçëm ligjor e nënligjor.
Shoqëritë e tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës përgjigjen për kryerjen e kontrollit teknik dhe mbushjen e bombolave me GLN.
Përpara përdorimit, bombolat duhet të kenë të evidentuar markën tregtare të shoqërisë, peshën neto, peshën bruto, vitin e prodhimit, datën e kontrollit teknik, si dhe udhëzimin për përdorimin e sigurt të tyre.”.
7. Pas pikës 12 shtohet pika 13, me këtë përmbajtje:
“13. Shoqërive të tregtimit me shumicë u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte në të cilat është kryer falsifikim.”.
Neni 8
Pas pikës 7, të nenit 15, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Stacioneve të shitjes së karburanteve u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte në të cilat është kryer falsifikim.”.
Neni 9
Në nenin 16 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 5, pas fjalëve “… e këtyre bombolave, …” shtohen “… me përjashtim të mbushjes së tyre …”.
2. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Njësive të shitjes së lëndëve djegëse u ndalohet që të shesin te subjekte të tjera produkte në të cilat është kryer falsifikim.”.
Neni 10
Në nenin 17, pas fjalëve “… licencë koncesioni …” shtohen “… licencë përpunimi …”.
Neni 11
Pas nenit 18 shtohet neni 18/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
Licenca e përpunimit
1. Licenca e përpunimit u jepet personave juridikë, të përcaktuar në shkronjën “b/1”, të nenit 11, të këtij ligji.
2. Licenca e përpunimit jepet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet, sipas kushteve dhe procedurave të këtij ligji dhe vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
3. Licenca e përpunimit jepet për 15 vjet, me të drejtë rinovimi.”.
Neni 12
Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
2. Pika 4 ndryshohet, më poshtë vijon:
“4. Kriteret, procedurat dhe organet kompetente shtetërore për dhënien e licencave për subjektet juridike të përcaktuara në shkronjat “ç” dhe “d”, të nenit 11, të këtij ligji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 13
Shkronja “a”, e pikës 2, të nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Inspektorati shtetëror përgjegjës ka të drejtë dhe përgjigjet për:
– kontrollin e zbatimit të normave dhe kushteve teknike në përdorimin e instalimeve, impianteve dhe pajisjeve përkatëse nga personat juridikë, që kryejnë veprimtari në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
– miratimin e kartave teknologjike të impianteve dhe instalimeve përkatëse;
– kontrollin e zbatimit të kushteve të përcaktuara në licencat përkatëse, që u janë dhënë personave juridikë, përfshirë edhe kushtet teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe ruajtjen e mjedisit;
– kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj;
– kryerjen e analizave në laboratorët e akredituar, sipas përcaktimit të pikës 1, për sasitë e naftës e nënprodukteve të saj të prodhuara në vend, të importuara, para zhdoganimit, si dhe për kontrollin periodik të detyrueshëm të subjekteve që kryejnë veprimtari në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
– kontrollin e cilësisë së nënprodukteve të naftës te konsumatorët e mëdhenj.
Shpenzimet për kontrollin e cilësisë së naftës e nënprodukteve të saj përballohen nga vetë subjektet:
– për rastin e futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë;
– për rastin e kontrollit të cilësisë për sasitë e prodhuara në vend;
– për rastin e kontrolleve periodike të detyrueshme;
– për rastin kur rezultojnë shkelje në treguesit e cilësisë.
Tarifat e kontrolleve dhe afatet e kontrolleve periodike përcaktohen nga ministri përgjegjës për hidrokarburet. Në rastet e tjera zbatohen rregullat e parashikuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.”.
Neni 14
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen përkatësisht me gjobë e, sipas rastit, edhe me një ose disa dënime plotësuese, të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni:
a) Për shkelje të kërkesave të nenit 8, nga 100 000 deri 150 000 lekë;
b) Për mosrespektim të sasisë së rezervës së sigurisë dhe të afateve të plotësimit të tyre, sipas nenit 9, deri në 50 për qind të vlerës së tregut të sasisë së produktit që mungon nga kuota e përcaktuar si rezervë sigurie;
c) Për shkelje të kërkesave të nenit 12, pika 5, 2 000 000 lekë;
ç) Për shkelje të kërkesave të nenit 12, pika 6, 5 000 000 lekë;
d) Për shkelje të kërkesave të nenit 12/1, pika 4, nga 1 500 000 deri në 2 000 000 lekë;
dh) Për tregtimin e naftës bruto të prodhuar nga shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, te subjekte të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 1, shkronja “a”, të nenit 14, 5 000 000 lekë;
e) Për shkelje të nenit 14, pika 5, 2 000 000 lekë;
ë) Për shkelje të nenit 14, pika 6, 1 000 000 deri në 1 500 000 lekë;
f) Për shkelje të nenit 14, pika 7, 3 000 000 lekë;
g) Për shkelje të nenit 14, pika 9, 1 500 000 deri në 2 000 000 lekë;
gj) Për shkelje të nenit 14, pika 12, 300 000 deri në 500 000 lekë;
h) Për shkelje të nenit 15, pikat 2 e 3, 100 000 deri në 200 000 lekë;
i) Për shkelje të nenit 15, pika 4, 500 000 deri në 700 000 lekë;
j) Për shkelje të nenit 15, pika 6, 1 500 000 deri në 2 000 000 lekë;
k) Për shkelje të nenit 15, pika 7, 100 000 deri në 150 000 lekë;
l) Për shkelje të nenit 16, pika 3, 300 000 deri në 500 000 lekë;
ll) Për kryerjen e veprimtarive falsifikuese sipas përcaktimeve të neneve 12/1, pika 5, 14, pika 13, 15, pika 8, dhe 16, pika 6, 10 000 000 lekë;
m) Për mosrespektim të kushteve dhe normave teknike në instalimet dhe pajisjet:
i) nga 2 500 000 deri në 3 000 000, për rafineritë, impiantet e përpunimit dhe naftësjellësit;
ii) nga 2 000 000 deri në 2 500 000 lekë, për instalimet dhe terminalet bregdetare;
iii) nga 1 000 000 deri në 1 500 000 lekë, për shoqëritë e tregtimit me shumicë;
iv) nga 500 000 deri në 700 000 lekë, për stacionet e tregtimit të karburanteve dhe njësitë e shitjes të lëndëve djegëse.
n) Për ushtrimin e veprimtarisë pa licencë, konform dispozitave të këtij ligji:
i) nga 15 000 000 deri në 20 000 000 lekë, për rafineritë, impiantet e përpunimit dhe naftësjellësit;
ii) nga 10 000 000 deri në 15 000 000 lekë, për instalimet dhe terminalet bregdetare;
iii) nga 7 000 000 deri në 10 000 000 lekë, për shoqëritë e tregtimit me shumicë;
iv) nga 1 000 000 deri në 1 500 000 lekë, për stacionet e tregtimit me pakicë dhe njësitë e lëndëve djegëse.
2. Gjobat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, jepen nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet.
Gjobat e tjera jepen nga inspektorati shtetëror përgjegjës, i ngritur si strukturë e ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet.
Në rast se konstatohet mosmarrja e masave për përmirësimin e shkeljes, përsëritje e shkeljes apo kryerje e një shkeljeje tjetër të ndryshme nga shkelja e parë, masa e gjobës rritet me 50 % dhe, nëse subjekti gjobitet për herë të tretë, masa e gjobës dyfishohet.
3. Inspektorati shtetëror përgjegjës ka të drejtë që, paralelisht me aplikimin e gjobës sipas parashikimeve të pikave 1 dhe 2, të këtij neni, të vendosë edhe dënimet plotësuese, si më poshtë:
3.1 Bllokimin e përkohshëm të veprimtarisë, por jo më shumë se 90 ditë;
3.2 Propozimin pranë ministrisë përgjegjëse të hidrokarbureve për fillimin e procedurave të heqjes së licencës së koncesionit, licencës së përpunimit, licencës së tregtimit me shumicë apo licencës së tregtimit me pakicë në stacionet e karburanteve apo njësitë e tregtimit të lëndëve djegëse. Ky dënim plotësues merret në rast se subjekti nuk respekton kushtin e bllokimit të përkohshëm të veprimtarisë ose përsërit shkeljen apo kryen një shkelje tjetër. Në këtë rast, vendimi për heqjen e licencës duhet të merret nga organi kompetent jo më vonë se 90 ditë nga data e konstatimit të shkeljes.
4. Inspektorati shtetëror përgjegjës, sipas nevojave të rastit, vendos marrjen e masave urgjente, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.
5. Të ardhurat e përfituara nga gjobat e vëna kalojnë në buxhetin e shtetit.
6. Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj vendimit të ministrisë përgjegjëse dhe inspektoratit shtetëror përgjegjës bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin.
Ankimi ndaj vendimit të dhënë për heqjen e licencës së koncesionit, licencës së përpunimit, licencës së tregtimit me shumicë apo licencës së tregtimit me pakicë në stacionet e karburanteve apo njësitë e tregtimit të lëndëve djegëse, sipas nënpikës 3.2, të pikës 3, të këtij neni, bëhet në gjykatë, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
Ekzekutimi i gjobave bëhet në përputhje me parashikimet e ligjit nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
7. Pas kalimit të afateve të ankimit administrativ, inspektorati shtetëror përgjegjës mund të urdhërojë kryerjen e publikimit të vendimit përfundimtar apo një përmbledhje të tij.”.
Neni 15
Kudo në përmbajtjen e ligjit termi “shoqëri anonime” zëvendësohet me “shoqëri aksionare”.
Neni 16
Dispozita kalimtare
Impiantet përpunuese të parashikuara në nenin 12/1, të cilat operojnë aktualisht në treg, janë të detyruara që, brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas nenit 18/1, pika 2, të plotësojnë kushtet përkatëse dhe të depozitojnë aplikimin pranë ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet për të përfituar licencën e përpunimit.
Neni 17
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore që lidhen me ndryshimet e bëra me këtë ligj.
Neni 18
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META