Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 15 tetor 2014
 
V E N D I M
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9948, DATË 7.7.2008, “PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR 
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9948, DATË 7.7.2008, “PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
Neni 1
 
Në pikën 1/1, të nenit 17, bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
 
a) Pas nënndarjes “iv”, të shkronjës “a”, shtohet nënndarja “v”, me këtë përmbajtje:
 
“v) toka bujqësore, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.”.
 
b) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
                “e) Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon në datën 31 dhjetor 2015.”. 
 
c) Në nënndarjen “ii”, të shkronjës “d”, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
 
“- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.”.
 
Neni 2
 
Pas nenit 18 shtohet neni 19, me këtë përmbajtje:
 
“Neni 19
 
Vendimet e këshillave të komunave/bashkive dhe dokumentacioni i pronësisë mbi tokën bujqësore, i plotësuar në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, në periudhën nga data 31 dhjetor 2013 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji konsiderohen të vlefshme.”.
 
Neni 3
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
***
 
V E N D I M
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRFUNDIMIN E PROCEDURAVE LIGJORE TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE” 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
PËRFUNDIMIN E PROCEDURAVE LIGJORE TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE 
 
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Ky ligj ka për qëllim përfundimin e procedurave ligjore të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore përfituesve sipas ligjit nr.8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar, të cilët nuk kanë bërë kalimin në pronësi, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
 
Neni 2
 
Ky ligj vepron për:
 
a)  familjet bujqësore apo individët, të cilët janë përfitues të tokës bujqësore, sipas vendimit nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë banorë të njësisë së qeverisjes vendore dhe, në asnjë rast, që nga data 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre, sipas regjistrit të gjendjes civile, dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë;
b)  familjet bujqësore apo individët, të cilët kanë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave ata janë përfitues të tokës bujqësore në pronësi dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.
 
Neni 3
 
1. Përjashtohen nga veprimi i këtij ligji:
 
a) tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të përcaktuara në nenin 2, të ligjit nr.8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar;
b) toka bujqësore në rastet kur:
 
i. është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si pronë private;
ii. përfshihet në procesin e legalizimit, sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
iii. është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), deri në datën 15.8.2008, nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme;
iv. me vendim të Këshillit të Ministrave apo vendime të KRRTSH/KKT-së nuk është më e tillë. Këtu nuk përfshihen familjet ose individët që kanë fituar tokë bujqësore si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të ish-ndërmarrjeve bujqësore;
v. është objekt kërkese, e cila po shqyrtohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por nuk është dhënë ende vendim;
vi. është objekt i një konflikti gjyqësor, për të cilin njësia e qeverisjes vendore është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata;
vii. është dhënë me qira, në bazë të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve e kullotave që janë pasuri shtetërore”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij ose ka kaluar në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, me destinacion dhënien me qira sipas vendimit nr.45, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të fondit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore shkencore të kësaj ministrie, aktualisht në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.
 
2. Tokat bujqësore që nuk kalojnë në pronësi private, sipas këtij neni, mbeten pronë shtetërore.
 
Neni 4
 
1. Familjet bujqësore apo individët pajisen me akte pronësie, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj, nëse janë përfitues të tokës bujqësore në përdorim, sipas vendimit nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, dhe, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi,:
 
a) e përdorin tokën për veprimtari bujqësore dhe e kanë aktin e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuar deri më 15.8.2008;
b)  e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, pavarësisht se nuk janë pajisur me aktin e përdorimit.
 
2. Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi, sipas këtij neni, do të jetë:
 
a) për përfituesit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, e barabartë me tokën që përdoruesi ka në shfrytëzim, por, në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që tregohet në aktin e përdorimit dhe as më e madhe se sipërfaqja që i takon sipas normës për frymë, të përcaktuar nga legjislacioni i kohës;
b) për përfituesit sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, e barabartë me tokën që përdoruesi ka në shfrytëzim, por, në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që i takon sipas normës për frymë, të përcaktuar nga legjislacioni i kohës.
 
Neni 5
 
1. Familjet bujqësore apo individët, të cilët kanë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore, pajisen me akte pronësie, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:
 
a) Me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave janë përfitues të tokës në pronësi apo në përdorim;
b) Që nga hyrja në fuqi e këtyre vendimeve e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, pavarësisht se nuk janë të pajisur me aktin e përdorimit apo të pronësisë;
c) Toka e tyre bujqësore nuk përfshihet në një nga rastet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji.
 
2. Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi, sipas këtij neni, do të jetë e barabartë me tokën që familjet bujqësore apo individët përdorin për veprimtari bujqësore, por, në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që i takon, sipas përcaktimeve të vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 6
 
Aktet e marrjes së tokës në pronësi, të përfituara nga familjet bujqësore apo individët, pa pasur më parë akt të marrjes së tokës në përdorim apo duke pasur akt të marrjes së tokës në përdorim, të lëshuar pas shkurtit të vitit 1996, si dhe që plotësojnë të gjitha kushtet e tjera të legjislacionit të kohës, konsiderohen të vlefshme.
 
Neni 7
 
1. Kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore dhe administrata e tij evidentojnë, përcaktojnë e saktësojnë përdoruesit në fakt të tokës për veprimtari bujqësore, vendndodhjen e saj, sipërfaqen dhe kufitarët për çdo përdorues.
 
2. Përcaktimi i përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat në njësinë e qeverisjes vendore bëhet me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, i marrë në përputhje me pikën 4, të nenit 33, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, i cili përbën aktin administrativ përfundimtar për përcaktimin e përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat.
 
3. Akti i marrjes së tokës në pronësi, në asnjë rast, nuk mund të plotësohet për familjet bujqësore apo individët që nuk figurojnë në vendimin e  këshillit të njësisë së qeverisjes vendore të përmendur në pikën 2. Personat e evidentuar si përdorues, sipas procedurës së parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, pajisen me AMTP vetëm nëse plotësojnë kushtet, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj.
 
Neni 8
 
Ngarkohet kryetari i njësisë së qeverisjes vendore për kryerjen e procedurave për pajisjen e subjekteve me AMTP, sipas kërkesave, kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë ligj. Kjo procedurë fillon vetëm pasi:
 
a) është marrë vendimi i këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, që përcakton përdoruesit e tokës bujqësore;
b) vendimi i këshillit të njësisë së qeverisjes vendore është përcjellë zyrtarisht pranë institucioneve që merren me drejtimin dhe kontrollin e procesit të verifikimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, si:
 
i.  Komisioni Qeveritar i Tokës dhe sekretariati teknik pranë tij; 
ii. Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefektit të qarkut; 
iii. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të   Qarkut; 
iv.   Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
 
Neni 9
 
Lëshimi i AMTP-së, në asnjë rast, nuk mund të kryhet nëse nuk është marrë përgjigjja zyrtare nga të gjitha institucionet e ngarkuara, sipas shkronjës “ç”, të nenit 12, të këtij ligji. Vlerësimi bëhet në datën e përpilimit të përgjigjes nga institucioni përkatës.
 
Neni 10
 
1. Në të gjitha rastet kur nga informacioni zyrtar i siguruar gjatë procesit të verifikimit, sipas nënndarjeve “i”, “ii’, “iii’, ‘iv” dhe “vii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, rezulton se prona ka kaluar në pronësi ose në administrim të një organi apo enti publik, atëherë përdoruesit i përfundon afati i përdorimit të tokës bujqësore, sipas aktit të marrjes së tokës në përdorim, nëse ai e ka atë.
 
2. Nëse nga informacioni zyrtar i siguruar gjatë procesit të verifikimit të gjendjes juridike të pronës rezulton se toka bujqësore është objekt shqyrtimi në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo në gjykatë dhe këto institucione:
 
a) me vendim të formës së prerë përcaktojnë, brenda afatit të plotësimit të AMTP-ve, sipas përcaktimit të nenit 11, të këtij ligji, një pronar tjetër nga përdoruesi për këtë tokë, atëherë përdoruesit i përfundon afati i përdorimit të tokës bujqësore;
b) me vendim të formës së prerë nuk përcaktojnë, brenda afatit të plotësimit të AMTP-ve, sipas përcaktimit të nenit 11, të këtij ligji, një pronar tjetër nga përdoruesi për këtë tokë, atëherë kjo nuk bëhet pengesë për kalimin e tokës nga përdorimi në pronësi, në qoftë se përdoruesi plotëson kushtet e tjera të këtij ligji;
c) nuk arrijnë të marrin vendim të formës së prerë, brenda afatit të plotësimit të AMTP-ve, sipas përcaktimit të nenit 11, të këtij ligji, atëherë vazhdon përdorimi i tokës nga përdoruesi, derisa të ketë një vendim të formës së prerë nga njëri prej institucioneve të sipërpërmendura. Më pas veprohet sipas përcaktimeve të shkronjave “a” e “b”, të kësaj pike. Nëse do të ketë një vendim, si në rastin e shkronjës “b”, atëherë përdoruesit i lind e drejta të kërkojë pronësinë e kësaj toke në gjykatë, në përputhje me kriteret e këtij ligji.
 
Neni 11
 
 Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon në datën 31 dhjetor 2015.
 
Neni 12
 
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të përcaktojë me vendim:
 
a) detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat për përcaktimin përfundimtar të përdoruesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas kritereve të këtij ligji;
b) dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë, si dhe dokumentacionin dhe informacionin që duhet të kërkojë e të kontrollojë kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me këtë ligj;
c)  dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë për të provuar qenien e tij si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të ish-ndërmarrjeve bujqësore;
ç) institucionet ku zyrtarisht do të kërkohet plotësimi i kërkesave, sipas pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, procedurat dhe rregullat e hollësishme të bashkëpunimit, si dhe afatet e komunikimit me këto institucione;
d) formën e dokumentit përfundimtar të pronësisë dhe mënyrën e ruajtjes dhe të përcjelljes së tij pranë institucioneve që drejtojnë dhe kontrollojnë procesin, deri në dërgimin e tij për regjistrim në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
 
Neni 13
 
Aktet ligjore e nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
 
Neni 14
 
Vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore dhe dokumentacioni i pronësisë mbi tokën bujqësore, i plotësuar në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, në periudhën nga data 1 tetor 2013 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji konsiderohen të vlefshme.
 
Neni 15
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.