Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 20 Maj 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10273, DATË 29.4.2010, “PËR DOKUMENTIN ELEKTRONIK””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10273, DATË 29.4.2010, “PËR DOKUMENTIN ELEKTRONIK”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas pikës 10, të nenit 3, “Përkufizime”, shtohet pika “11”, me këtë përmbajtje:
“11. “Kod dydimensional”, logo grafike, e cila përmban të dhëna dhe/ose informacione të koduara, në format numerik, alfanumerik dhe binar, e lexueshme nga sisteme kompjuterike.”.
Neni 2
Pas pikës 1, të nenit 10, “Kopja në letër e dokumentit elektronik”, shtohet pika “1/a”, me këtë përmbajtje:
“1/a. Kopja, në letër, e dokumentit elektronik, mund të bëhet duke vendosur në të një apo më shumë kode dydimensionale, të cilat mundësojnë verifikimin e përputhshmërisë së kopjes, në letër, me dokumentin elektronik origjinal.
Rregullat dhe procedurat për vërtetimin e kopjes, në letër, të dokumentit elektronik, nëpërmjet vendosjes të një apo më shumë kodeve dydimensionale, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për fushën e teknologjisë së informacionit.”.
Neni 3
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet ministri përgjegjës për fushën e teknologjisë së informacionit që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të nenit 2, të këtij ligji.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “MIRËMBAJTJE DHE SIGURI RRUGORE BAZUAR NË REZULTATE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “MIRËMBAJTJE DHE SIGURI RRUGORE BAZUAR NË REZULTATE”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META