Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 22 prill 2015
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHËRBIMIN GJEOLOGJIK SHQIPTAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
P  R O J E K T L I GJ
PËR
 
SHËRBIMIN GJEOLOGJIK SHQIPTAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME 
 
Neni 1 
 
Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë parimet e organizimit, drejtimit, bazat dhe detyrat e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
 
Neni 2
 
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
 
1. “Ministria”, ministria përgjegjëse për veprimtarinë e shërbimit gjeologjik.
 
2. “Ministër”, ministri përgjegjës për shërbimin gjeologjik.
 
3. “Mineral”, çdo substancë në gjendje të ngurtë, të lëngët e të gaztë, që ndodhet në trajtë natyrore mbi ose nën tokë, në ose nën ujë, formuar prej proceseve gjeologjike.
4. “Mineral i dobishëm”, çdo substancë në gjendje të ngurtë, të lëngët e të gaztë, që ndodhet në trajtë natyrore mbi ose nën tokë, në ose nën ujë, formuar prej proceseve gjeologjike që plotëson kushtet gjeologjike, minerare dhe teknologjike për përdorim në degë të ndryshme të ekonomisë.
 
5. “Ujëra nëntokësore”, të gjitha ujërat e zonës së ngopjes, që formojnë shtresa, me dhe pa trysni.
 
6. “Basen ujor”, ka kuptimin që jepet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
 
7. “Shkenca të tokës”, disiplinat kryesore, si: gjeologjia, metalogjenia, gjeokimia, gjeofizika, hidrogjeologjia, gjeologjia inxhinierike, gjeomjedisi, mineralogjia, petrografia, petrologjia, paleontologjia, stratigrafia, topografia dhe pedologjia.
 
8. “Kërkim – zbulim”, fazat metodike të kryerjes së vrojtimeve, studimeve, vlerësimeve, punimeve gjeologjike komplekse me qëllim identifikimin e ekzistencës së mineraleve të dobishme. 
 
9. “Vlerësim”, përcaktimi cilësor e sasior i mineralit në përputhje me kërkesat tekniko – ekonomike të çdo stadi studimor.
 
10. “Agrogjeologji”, studimi kompleks i tokës për përdorimin efektiv dhe mbrojtjen e saj.
 
11. “Autoritet shkencor”,  një person me gradë ose titull shkencor. 
 
KREU II
OBJEKTI I VEPRIMTARISë Së SHëRBIMIT 
GJEOLOGJIK SHQIPTAR
 
Neni 3
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është institucion këshillimor, teknik dhe shkencor i shtetit, person juridik publik, buxhetor, i cili kryen veprimtari në fushën e shkencave të tokës në territorin e Republikës së Shqipërisë.
 
 
Neni 4
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar organizohet si Drejtori e Përgjithshme, në varësi të ministrit dhe e ka selinë e tij në Tiranë.
 
Neni 5
 
Shteti, i përfaqësuar nga ministria, është zotëruesi i vetëm i kapitalit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe ushtron të drejtën e tij si pronar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
Neni 6
 
Në veprimtarinë e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar përfshihen:
 
a) studimet gjeologjike sistematike bazë në tokë, në dete, në liqene dhe lumenj, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet hartografimeve komplekse të shkallëve të ndryshme për administrimin e territorit e të mineraleve;
b) studimet e thelluara shkencore për gjeologjinë dhe metalogjeninë;
c) studimet gjeofizike e gjeokimike të çdo shkalle;
ç)  studime dhe promovime të perspektivës së mineraleve të dobishme;
d) studimet hidrogjeologjike të baseneve ujore, monitorimi i tyre dhe përcaktimi i masave për ruajtjen e rezervave ujore nëntokësore;
 dh) studimet gjeologjike komplekse për mjedisin dhe monitorimin e tij, në funksion të planifikimit e të administrimit të territorit;
e) studime gjeologo-inxhinierike dhe rreziqet gjeologjike;
ë)  studime agrogjeologjike dhe studime për erozionin; 
f) studime, vlerësime dhe monitorime të gjeomonumenteve; 
g) kërkime dhe vlerësime të mineraleve metalore, hidrokarbureve, mineraleve industriale, burimeve ujore nëntokësore, ujërave të pijshme e industriale, ujërave minerale e termale;
gj) vlerësimi, mbikëqyrja dhe monitorimi i lejeve minerare të kërkim-zbulimit;
h) matjet gjeodezike të shkallëve të ndryshme;
i) krijimi i bazës të të dhënave gjeologjike, bilanceve të rezervave të mineraleve të dobishme, rezervave të ujërave nëntokësore, rreziqeve gjeologjike dhe vënia në dispozicion e tyre organeve të pushtetit qendror e vendor, subjekteve të tjera të interesuara, përgatitja dhe publikimi i informacionit.
 
Neni 7
 
1. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka të drejtë dhe detyrë të grumbullojë dhe të ruajë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë të gjithë informacionin e dokumentacionin e përfituar deri tani dhe atë që do të përfitohet në të ardhmen në fushën e gjeologjisë bazë, të mineralogjisë, të gjeofizikës, gjeokimisë, stratigrafisë, hidrogjeologjisë, gjeologjisë inxhinierike, topogjeodezisë, kampionaturën, provat e dublikatet e tyre, të sistemojë, të ruajë, të përpunojë e të informatizojë këto informacione dhe t’i përdorë sipas rregullave që përcaktohen në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
 
2. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është e detyruar të dorëzojë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë, për qëllime studimore, raportet e studimeve të çdo lejeje hidrokarbure kërkim-zbulimi.
 
3. Në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë arkivohet informacioni gjeologjik i çdo zotëruesi të lejes minerare e të lejeve të kërkim-zbulimit, duke respektuar kërkesat e ligjit minerar.
 
4. Pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar arkivohet edhe dokumentacioni gjeologjik krahinor i studimeve dhe lejeve, si dhe dokumentacioni faktik i punimeve gjeologjike, hidrogjeologjike, gjeologo-inxhinierike e inxhinierike të çdo natyre të gërmimit të tokës, të kryera nga subjekte private apo shtetërore në fazën e zbatimit të projektit dhe raportit përfundimtar.
 
Neni 8
 
1. Personi, fizik ose juridik, privat ose shtetëror, që kryen shpime për ujërat 
    nëntokësore, me thellësi mbi 15 m nga sipërfaqja e tokës, përpara se të paraqesë projektin hidrogjeologjik në këshillin e baseneve, është i detyruar të marrë miratimin për projektin nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, që e shqyrton sipas akteve ligjore përkatëse.
 
2. Agjencia e Ujit dhe Basenit dorëzon në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë një kopje të projektit, pas miratimit të lejes së shpimit dhe një kopje të relacionit për rezultatet e punimeve të kryera, pas miratimit të lejes së shfrytëzimit nga Këshilli i Basenit Ujëmbledhës.
 
 
Neni 9
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kryen shërbime me pagesë për të tretët, sipas parashikimeve të nenit 6, të këtij ligji. Për studime dhe projekte që kryhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë merret miratimi i ministrit.
 
KREU III 
ORGANIZIMI
 
Neni 10
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe në mungesë të tij nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm.
 
Neni 11
 
1. Brenda strukturës së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar funksionon Këshilli Teknik Shkencor, i cili përbëhet nga 15 nëpunës të institucionit, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm.
 
2. Këshilli Teknik Shkencor bën diskutimin dhe miratimin e programeve të zhvillimit, projekteve dhe raporteve studimore të ndryshme.
 
3. Rregullorja e funksionimit të Këshillit Teknik Shkencor miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
 
Neni 12
 
1. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe nëpunësve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.
 
2. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar duhet të jetë person me autoritet shkencor dhe me përvojë pune në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar ose struktura të tjera të këtij lloji.
 
Neni 13
 
Drejtori i Përgjithshëm ka këto kompetenca:
 
a) Drejton dhe menaxhon veprimtarinë e institucionit;
b) Përfaqëson Shërbimin Gjeologjik Shqiptar në marrëdhëniet me të tretët;
c) Administron buxhetin e miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm;
ç) Nxjerr urdhra dhe udhëzime për veprimtarinë e strukturave të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar;
d) I propozon për miratim ministrit rregulloret dhe aktet në zbatim të këtij ligji.
 
Neni 14
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar funksionon me një rregullore të veçantë, e cila miratohet nga ministri.
 
 
KREU IV
MëNYRA DHE BURIMET E FINANCIMIT
 
Neni 15
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar financohet nga buxheti vjetor i shtetit dhe nga të ardhurat e shërbimeve me të tretët.
 
Neni 16
 
1. Tarifat e shërbimit me pagesë për të tretët, që kryhen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit.
 
2. Të ardhurat e krijuara nga shërbimet me të tretët përdoren nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 17
 
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar paraqet dhe merr miratim nga ministri për pjesëmarrjen në projektet dypalëshe ose shumëpalëshe, brenda dhe jashtë shtetit.
 
Neni 18
 
Ngarkohet ministri, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, sipas neneve 11, 14 dhe 16, të këtij ligji.
 
Neni 19
 
Ligji nr.8366, datë 2.7.1998, “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, të ndryshuar, shfuqizohet.
 
Neni 20
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I 
 
ILIR META
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE  PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
    
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë  
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji dhe pjesëve përbërëse të tij.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.