Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 25 Nëntor 2015
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADMINISTRIMIN E FONDIT PYJOR DHE KULLOSOR KOMBËTAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË*
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave, pasuri kombëtare me rëndësi të veçanta për vlerat e mëdha e të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës dhe tokës, në ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, ekuilibreve të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve gjenetike dhe regjimit hidrik, si detyrime në interes të brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
*Ky ligj përafron Rregulloren e Këshillit (KE) nr.2173/2005, 20 dhjetor 2005, “Për krijimin e një skeme licencimi FLEGT për importin e drurit në Komunitetin Evropian CELEX_32005R2173, OJ L 347, 30.12.2005, p. 1–6, dhe rregulloren (BE) nr.995/2010, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, 20 tetor 2010, që përcakton detyrimet e operatorëve, të cilët vendosin dru/lëndë druri dhe produkte druri në treg” CELEX_32010R0995 OJ L 295, 12.11.2010, p. 23–34
Neni 2
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Objekt i këtij ligji janë administrimi, qeverisja dhe mbrojtja e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar, në bazë të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, të pasqyruar në dokumentet strategjike dhe angazhimet në kuadrin e konventave, marrëveshjeve, protokolleve e traktateve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, për të garantuar përmbushjen, në vijimësi, të funksioneve mjedisore, ekonomike, sociale e kulturore, në interes të të gjithë shoqërisë.
2. Ky ligj përcakton rregullat, detyrimet, të drejtat, përgjegjësitë dhe marrëdhëniet e institucioneve shtetërore, të bashkive, pronarëve e biznesit privat, për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar.
3. Ky ligj përcakton funksionimin e Shërbimit Pyjor, si shërbim publik, unifikon sistemin e informacionit të pyjeve dhe kullotave, pavarësisht formës së pronësisë.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen për Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, ku përfshihen: pyjet dhe drurët pyjorë; shkurret; bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrale; tokat me bimësi pyjore; sipërfaqet e zhveshura; shkëmbinjtë; dunat e ranishtet, që ndodhen brenda sipërfaqeve pyjore; fidanishtet pyjore; infrastruktura rrugore; pritat; lerat; koritat; çezmat; rrethimet apo gardhimet në zonat e mbrojtura, në pyjet me funksion të veçantë; në rezervatet e gjuetisë; shenjat e ndryshme treguese të mbarështimit, të ndërtuara nga shërbimi pyjor, bashkia, pronari privat apo të dhëna në pronësi të tyre; kullotat dhe livadhet; bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore; sipërfaqet me drurë, shkurre ose bimësi pyjore, që përdoren për kullotje, të papërfshira në fondin pyjor; infrastruktura rrugore, hauzet, lerat, çezmat, koritat; sipërfaqet shkëmbore në përbërje të kullotave.
4. Zonat e mbrojtura, fauna e egër si dhe bimët mjekësore eterovajore e tanifere natyrore nuk janë objekt i këtij ligji, por i akteve ligjore e nënligjore të veçanta.
Neni 3
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm, kanë këto kuptime:
1. “Administrimi i pyjeve dhe kullotave”, tërësia e masave organizative, teknike e financiare për qeverisjen dhe mbrojtjen e tyre.
2. “Autoritet licencues”, autoriteti i caktuar nga një shtet partner për të lëshuar dhe miratuar licencën FLEGT.
3. “Autoritet kompetent”, autoriteti i caktuar nga shtetet anëtare për të verifikuar licencën FLEGT.
4. “Biodiversiteti pyjor”, tërësia e organizmave të gjalla dhe/ose jo, të cilat gjenden brenda fondit pyjor në bashkëveprimin e tyre dhe proceset ekologjike, pjesë e të cilave ato janë, ku përfshihet larmia brenda species, ndërmjet specieve, ekosistemeve dhe peisazheve.
5. “Certifikimi pyjor”, një deklaratë, me anën e së cilës një palë e tretë, e pavarur, verifikon dhe vërteton se një sistem prodhimi, një produkt apo një shërbim është në përputhje me kërkesat, standardet e specifikimet teknike sipas legjislacionit në fuqi.
6. “Dëmtimi i pyllit dhe mjedisit pyjor”, dëmtim me pasoja humbjen e funksioneve të pjesëve të pyllit ose mjedisit si dhe prishjen e ekuilibreve biologjike natyrore, si rezultat i ndërhyrjeve nga njeriu ose nga faktorë të tjerë natyrorë.
7. “Druri dhe produktet e drurit”, drurët dhe produktet e tyre, të përcaktuar në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë dhe/ose në nomenklaturën e kombinuar të mallrave. (rreg. 995/2010, neni 2(a))
8. “Ekosistemi pyjor”, një kompleks dinamik i komuniteteve të kafshëve, bimëve e mikroorganizmave dhe mjedisit të tyre abiotik, që bashkëveprojnë si një njësi funksionale, ku drurët janë një komponent kyç i sistemit. Njerëzit, me nevojat e tyre kulturore, ekonomike dhe mjedisore janë një pjesë integrale e ekosistemeve pyjore.
9. “Ekonomi pyjore”, sipërfaqja e ndarë në ngastra e nënngastra, si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të pyllit, dhe që plotëson parimin e vazhdimësisë së prodhimit.
10. “Ekonomi kullosore”, sipërfaqja e ndarë në ngastra e nënngastra, si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të kullotës, dhe që plotëson parimin e vazhdimësisë së prodhimit kullosor.
11. “Fondi kullosor”, sipërfaqja e kullotave dhe livadheve natyrore, drurët e shkurret brenda sipërfaqeve të tyre, që përdoren për kullotje, të papërfshira në fondin pyjor, sipërfaqet e zhveshura dhe shkëmbore brenda tyre si dhe infrastruktura përkatëse.
12. “Fondi pyjor”, sipërfaqja me grumbuj pyjorë dhe shkurre, pasuritë jopyjore bashkëshoqëruese, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtet), të cilat krijojnë një mjedis me pyjet e tokën pyjore si dhe infrastruktura përkatëse.
13. “Fondi Pyjor e Kullosor Kombëtar”, fondi pyjor e kullosor publik dhe privat.
14. “Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave”, procesi që realizon grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave mbi shtrirjen dhe gjendjen e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar, të cilat shërbejnë për hartimin e politikave të planifikimit në fushën e pyjeve dhe kullotave, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe shumëfunksional të tyre.
15. “Inspektorati Pyjor i Bashkisë”, organ i specializuar, me funksion kontrollues për veprimtaritë që zhvillohen në sipërfaqet pyjore kullosore në administrim të bashkisë, pjesë e strukturave të saj, që ushtron  veprimtarinë e tij brenda territorit administrativ të bashkisë.
16. “Kadastra”, sistemi i të dhënave të Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar, i organizuarnë nivel qendror, rajonal dhe vendor, në të cilin regjistrohen të gjitha informacionet bazë dhe ndryshimet periodike të ndodhura, i shoqëruar me sistemin e informacionit gjeografik (GIS), të nevojshëm për administrimin dhe qeverisjen e tij.
17. “Kullotë”, sipërfaqja e tokës, më e madhe se 0,5 ha, me bimësi barishtore natyrore, në formë të qëndrueshme, ose me bimësi tjetër, që plotëson kërkesat për kullotje.
18. “Licencë FLEGT”, dokumenti në të cilin bazohet dërgesa, një format standard, i cili është rezistent ndaj falsifikimit, ndërhyrjeve të paligjshme dhe i verifikueshëm. Licenca FLEGT lëshohet për një dërgesë të vetme dhe në përputhje me kërkesat e skemës së licencimit FLEGT, e lëshuar dhe e miratuar nga autoriteti licencues i një shteti partner.
19. “Kujdesi i duhur”, sistemi i kujdesit të nevojshëm për parandalimin e tregtimit të paligjshëm të drurit dhe prodhimeve që rrjedhin prej tij.
20. “Livadh”, sipërfaqja e tokës, homogjene, me bimësi barishtore natyrore, që përdoret për kositjen e barit ose për kullotjen e kafshëve/bagëtive dhe që nuk i përket fondit të tokës bujqësore.
21. “Marrëveshje partneriteti”, marrëveshja, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe një shteti partner, e caktuar me urdhër të Ministrit, nëpërmjet së cilës Republika e Shqipërisë dhe shteti partner marrin përsipër të punojnë së bashku për të mbështetur dhe për të zbatuar skemën e licencimit FLEGT.
22. “Mbarështimi i pyjeve dhe kullotave”, planifikimi afatgjatë për pyjet/kullotat publike dhe private, i cili kryhet në bazë të kritereve të caktuara për grumbullimin e informacionit mbi situatën/gjendjen faktike dhe përcaktimin e objektivave e masave të nevojshme, në funksion të statusit të dhënë, me synim përmbushjen e funksioneve ekologjike, ekonomike e sociale, duke zbatuar dhe harmonizuar parimet e zhvillimit të qëndrueshëm me nevojat e administruesve, pronarëve privatë dhe përdoruesve të tyre.
23. “Mbrojtja e pyjeve dhe e tokës pyjore”, veprimtaria për parandalimin e degradimit të pyjeve dhe tokave pyjore nga faktorët njerëzorë e natyrorë, me synim garantimin e ripërtëritjes dhe përmirësimin e burimeve pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese dhe të mjedisit pyjor në tërësi.
24. “Ministria”, Ministria përgjegjëse për pyjet dhe kullotat.
25. “Ministër”, Ministri përgjegjës për pyjet dhe kullotat.
26. “Nënngastër”, një njësi sipërfaqeje me madhësi minimale 0.5 ha, që shërben për vlerësimin e grumbujve pyjorë, planifikimin dhe kontrollin e trajtimeve të njëjta silvikulturore.
27. “Ngastër”, ndarja e sipërfaqes pyjore dhe kullosore në parcela, me kufij të pandryshueshëm, të cilat shërbejnë si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin e kontrollin e mbarështimit.
28. “Bashki”, njësia administrative, me të njëjtin kuptim të dhënë në legjislacionin në fuqi për qeverisjen vendore, që ka në pronësi sipërfaqe të fondit pyjor/kullosor brenda kufijve territorialë administrativë të saj, e cila është përgjegjëse për administrimin e fondit pyjor/kullosor publik.
29. “Pasuri pyjore”, tërësia e elementeve natyrore të një sipërfaqeje pylli a toke pyjore, me vlera të përdorshme për nevojat e shoqërisë, në të cilat përfshihen toka, drurët, uji, bimësia e shumëllojshme jopyjore dhe gjallesat e egra.
30. “Përdorues tradicionalë të pyllit/kullotës”, familja, grup familjesh, fisi, lagjia e fshatit ose fshati, banorët e së cilës/ve janë me qëndrim të përhershëm në kufijtë territorialë administrativë të bashkisë, e cila, nga pyjet/kullotat në pronësi të saj, u ka dhënë sipërfaqe të caktuara në përdorim, për një periudhë atafgjatë, sipas formës së përdorimit tradicional, në përputhje me vendimin e marrë në bazë të legjislacionit në fuqi.
31. “Përdorim tradicional”, përmbushja e nevojave vetjake të banorëve me qëndrim të përhershëm në kufijtë territorialë administrativë të bashkisë për dru zjarri, lëndë ndërtimi, kullotje për kafshët/bagëtitë dhe grumbullim të prodhimeve të dyta.
32. “Pronar privat i pyllit/kullotës”, personi fizik/juridik apo individi, i cili gëzon të drejtat ekskluzive të pronësisë, posedimit, përdorimit, transferimit dhe disponimit të pyllit dhe/ose kullotës, brenda kufijve të caktuar nga ligji.
33. “Plani i mbarështimit”, dokumenti bazë për qeverisjen e pyllit/kullotës, i hartuar për pyllin/kullotën publike ose private, që përmban tërësinë e informacioneve mbi situatën e këtyre pasurive natyrore si dhe masat/rekomandimet e nevojshme të propozuara për trajtimin e tyre, lidhur me objektivat që duhet të realizohen, në funksion të statusit që kanë.
34. “Plani operacional vjetor”, dokumenti i planifikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve nga aktivitetet në pyje e kullota, buxheti i shtetit, donacionet ose grantet e ndryshme, për realizimin e punimeve të përcaktuara ose rekomanduara nga planet e mbarështimit, të veprimtarive për zhvillimin dhe mbrojtjen e fondit pyjor e kullosor, ndërtimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës së nevojshme, si dhe për qëllime të tjera, të parashikuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
35. “Prerje kulturore”, tërësia e punimeve të seleksionimit, rrallimit, pastrimit, e çlirimit, që zbatohen periodikisht në një grumbull pyjor dhe kullosor, nga çasti i krijimit deri në çastin e shfrytëzimit, me synim përmirësimin dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit.
36. “Inspektorati i policisë pyjore”, organ i specializuar, me funksione kontrolluese, pjesë organike e inspektoratit shtetëror të ministrisë që mbulon fushën e pyjeve dhe kullotave.
37. “Publiku i interesuar”, term me të njëjtin kuptim, sipas përkufizimit të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe akteve nënligjore në  zbatim të tij.
38. “Pyll”, sipërfaqja e tokës, e përfshirë në fondin pyjor, më e madhe se 0,5 ha, me drurë më të lartë se 5 m, të cilët mbulojnë mbi 30 % të saj, ose me drurë të aftë për të arritur këta kufij in-situ.
39. “Protokoll i Kiotos”, protokolli, në të cilin Republika e Shqipërisë është palë, në bazë të ligjit nr.9334, datë 16.12.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e Kiotos të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”.
40. “Qeverisje e pyllit”, tërësia e masave të trajtimit dhe shfrytëzimit, të rekomanduara nga plani i mbarështimit, të cilat kanë për qëllim drejtimin e procesit të zhvillimit natyral, pas krijimit të grumbullit të ri e deri në zëvendësimin e gjeneratës së vjetër, në funksion të origjinës së tij.
41. “Ripyllëzim”, mbjellja e drurëve pyjorë në një sipërfaqe të përkufizuar “pyll”, në të cilën, për arsye të ndryshme, nuk është siguruar ripërtëritja në rrugë natyrale, ose ripërtëritja është dëmtuar dhe nuk garanton zhvillimin e grumbullit të ri, si dhe rimbjellja e drurëve, pas aplikimit të prerjeve rrah, në të njëjtën sipërfaqe ose rresht.
42. “Skema e licencimit FLEGT (zbatimi i ligji për pyjet, qeverisja dhe licencimi)”, tërësia e rregullave për dhënien e licencës së produkteve të drurit që eksportohen nga shtetet partnere në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe zbatimi i skemës së kontrollit doganor, si pjesë e masave për luftimin e prerjeve të paligjshme dhe tregtisë që lidhet me to, për lëndën drusore dhe prodhimet e drurit që importohen nga vendet pjesëmarrëse në këtë skemë.
43. “Subjekt”, personi fizik/juridik, i cili ushtron veprimtari projektuese, zbatuese, tregtare dhe/ose certifikuese, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
44. “Shfrytëzimi i pyjeve”, punimet për prerjen dhe nxjerrjen e lëndës drusore nga pyjet dhe shkurret që kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë, me qëllimin kryesor heqjen e gjeneratës së vjetër dhe krijimin e kushteve për instalimin e gjeneratës së re në rrugë natyrore, gjatë fazave të prerjeve, ose me pyllëzime artificiale, për llojet që trajtohen me prerje rrah, si dhe për vlerësimin ekonomik të materialit drusor të përfituar nga prerjet.
45. “Shkurre”, bimë drusore shumëvjeçare, përgjithësisht më shumë se 0.5 dhe më pak se 5 m e lartë, shpesh pa një trung dhe kurorë të përcaktuar.
46. “Shoqatat e përdoruesve të pyjeve dhe kullotave publike”, bashkimi vullnetar i përdoruesve të pyjeve dhe kullotave publike/private, të krijuara sipas legjislacionit në fuqi.
47. “Shtet partner”, shteti ose organizata rajonale që hyjnë në marrëveshje partneriteti.
48. “Tokë pyjore”, sipërfaqja e tokës, e përfshirë në fondin pyjor, më e madhe se 0.5 ha, me drurë që mbulojnë 5-30 % të saj, ose me një kombinim shkurresh, bimësie pyjore dhe drurësh, që mbulojnë 5-30 % të saj.
49. “Vendosja në treg e drurit/produkteve të drurit”, çdo veprimtari që ka për qëllim blerjen dhe shitjen e drurit të papërpunuar, ose të produkteve të drurit që rezultojnë nga përpunimi i tij, në tregun e brendshëm apo të jashtëm.
50. “Zhvillimi i qëndrueshëm i pyjeve dhe kullotave”, procesi i qeverisjes dhe shfrytëzimit të pyjeve e kullotave, në mënyra dhe intensitet të tillë që të ruajë larminë e tyre biologjike, prodhimtarinë dhe kapacitetet ripërtëritëse, për të përmbushur, tani dhe në të ardhmen, funksionet ekologjike, ekonomike dhe shoqërore, pa shkaktuar dëme në ekosistemet e tjera, si në nivel vendor, kombëtar, rajonal dhe botëror.
51. “Zonë e mbrojtur”, përkufizimi që jepet në legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura.
KREU II
DOKUMENTET POLITIKE DHE TË PLANIFIKIMIT
Neni 4
Politika dhe Strategjia
1. Politika e zhvillimit të pyjeve dhe kullotave përfaqëson synimet, prioritetet dhe drejtimet kryesore për zhvillimin afatgjatë e të qëndrueshëm të pyjeve e kullotave, në kuadër të politikave ekonomike, sociale dhe mjedisore kombëtare, në interes të të gjithë shoqërisë.
2. Politika për zhvillimin e pyjeve dhe kullotave zbatohet nëpërmjet Strategjisë për zhvillim e pyjeve dhe kullotave, në të cilën përcaktohen synimet strategjike dhe objektivat që duhet të arrihen brenda një periudhe afatgjatë.
3. Politika dhe Strategjia janë në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga konventat, marrëveshjet, protokollet dhe traktatet ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
4. Politika dhe Strategjia harmonizohen dhe ndërthuren me politikat dhe strategjitë e sektorëve të tjerë, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Strategjia për zhvillimin e pyjeve dhe kullotave miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
Neni 5 
Programi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave
1. Programi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave hartohet në zbatim të Strategjisë së Zhvillimit të Pyjeve dhe Kullotave, për një periudhë 10-vjeçare.
2. Programi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave formulon masat konkrete për mbarështimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave, me qëllim përdorimin shumëfunksional të tyre, bazuar në parimet, standardet dhe kriteret e miratuar nga forumet, organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.
3. Programi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave përcakton veprimet, buxhetin, afatet dhe detyrat përkatëse, në nivel qendror, rajonal dhe vendor, për institucionet, agjencitë e ndryshme dhe grupet e interesit të përfshira në realizimin e tij.
4. Programi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave përditësohet në vijimësi, gjatë zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit të Pyjeve dhe Kullotave, në kontekstin e zhvillimeve të përgjithshme dhe të veçanta të vendit dhe të sektorit të pyjeve e kullotave.
5. Miratimi i Programit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave bëhet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
Neni 6
Programi i zhvillimit
1. Ministria dhe bashkia, në bashkëpunim me pronarët privatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit, hartojnë programet në nivel vendor/rajonal të zhvillimit të pyjeve dhe kullotave publike e private, në përputhje me Programin Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave.
2. Programi i zhvillimit hartohet bazuar në planet e mbarështimit të pyjeve e kullotave, në Inventarin Kombëtar të pyjeve e kullotave si dhe në dokumentet e tjera, dhe miratohet nga ministri.
KREU III
FUNKSIONET, KLASIFIMI, PËRBËRJA, PRONËSIA DHE ADMINISTRIMI I FONDIT PYJOR E KULLOSOR
Neni 7
Funksionet e pyjeve dhe kullotave
1. Pyjet, kullotat e livadhet janë ekosisteme komplekse, që përmbushin funksionet:
a) ekologjike, nëpërmjet ruajtjes dhe përmirësimit të potencialeve prodhuese, ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve gjenetike, regjimit hidrik, parandalimit dhe frenimit të dukurisë së gërryerjes, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe zbutjes së klimës;
b) ekonomike, nëpërmjet vjeljes së prodhimeve drusore, jodrusore, gjahut, grumbullimit të bimëve mjekësore, aromatike e eterovajore, përdorimit të pasurive të tjera natyrore dhe zhvillimit të veprimtarive tregtare;
c) sociale, nëpërmjet zhvillimit të veprimtarive argëtuese, çlodhëse, sportive, turistike, edukative, për mbrojtjen e shëndetit, trashëgimisë natyrore e kulturore dhe aspekteve të tjera mjedisore e estetike.
2. Pyjet, gjithashtu, kontribuojnë në procesin e përvetësimit (sekuestrimit) të karbonit. Ministria është organi përgjegjës për zbatimin e dispozitave të Protokollit të Kiotos dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
Neni 8
Klasifikimi i pyjeve
1. Në varësi të qëllimeve që caktohen për të përmbushur, pyjet klasifikohen në:
a) prodhues, funksioni i të cilëve është  prodhimi i lëndës drusore;
b) mbrojtës, funksioni i cilëve është mbrojtja e tokës nga gërryerja, rrëshqitjet, përmbytjet, mbrojtja nga erërat e tokave bujqësore dhe stabilizimi e përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së regjimit ujor;
c) të mbrojtur, funksioni i të cilëve është përmbushja e qëllimeve të përcaktuara në statusin e dhënë.
2. Klasifikimi i pyjeve, në funksion të qëllimeve që duhet të përmbushin, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
3. Krijimi i rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë, ruajtja dhe trajtimi i pyjeve të virgjër ose pothuajse të virgjër si dhe kalimi i tyre në konservim të plotë bëhen në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
Neni 9
Klasifikimi i kullotave
1. Kullotat, livadhet dhe sipërfaqet me drurë e shkurre ose me bimësi pyjore, që përdoren për kullotje, të papërfshira në fondin pyjor, sipas periudhës së përdorimit, klasifikohen në:
a) kullota verore;
b) kullota dimërore.
2. Klasifikimi i kullotave dhe livadheve bëhet në përputhje me kriteret teknike, të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
Neni 10
Përbërja e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar
1. Fondi Pyjor e Kullosor Kombëtar përbëhet nga pyjet dhe kullotat e livadhet, sipas përcaktimeve të mëposhtme.
2. Fondi Pyjor Kombëtar përbëhet nga këto formacione bimore e jobimore:
a) pyjet dhe drurët pyjorë;
b) shkurret;
c) bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrale;
ç) tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura, shkëmbinjtë, dunat e ranishtet që ndodhen brenda sipërfaqeve pyjore;
d) fidanishtet pyjore;
dh) infrastruktura rrugore, pritat, lerat, koritat, çezmat, rrethimet apo gardhimet në zonat e mbrojtura, në pyjet me funksion të veçantë, në rezervatet e gjuetisë, shenjat e ndryshme treguese të mbarështimit, të ndërtuara nga shërbimi pyjor, bashkia, pronari privat apo të dhëna në pronësi të tyre.
3. Fondi Kullosor Kombëtar përbëhet nga:
a) kullotat dhe livadhet;
b) bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore;
c) sipërfaqet me drurë, shkurre ose bimësi pyjore, që përdoren për kullotje, të papërfshira në fondin pyjor;
ç)  infrastruktura rrugore, hauzet, lerat, çezmat, koritat;
d)  sipërfaqet shkëmbore në përbërje të kullotave.
4. Në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar nuk përfshihen, por administrohen, sipas dispozitave të këtij ligji:
a) drurët e veçantë dhe grupet e drurëve, kudo që ndodhen, kur sipërfaqja që mbulojnë nuk plotëson kriterin për t’u konsideruar pyll, si dhe ata që ndodhen në një rresht rreth tokave bujqësore, anës rrugëve, kanaleve, vijave të ujit, brezat erëmbrojtës;
b) paraqet urbane dhe sipërfaqet e pyllëzuara pranë monumenteve dhe varrezave, pavarësisht nga sipërfaqjet e tyre.
5. Pjesë të Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, livadhet e tokat pyjore, të cilat përfshihen në rrjetin e zonave të mbrojtura, menaxhohen sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi për zonat e mbrojtura.
Neni 11
Pronësia
1. Pyjet, kullotat e livadhet, në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë pasuri kombëtare.
2. Fondi Pyjor e Kullosor Kombëtar përbëhet nga:
a) fondi pyjor dhe kullosor në pronësi publike, pronë e paluajtshme e bashkisë, për sipërfaqet brenda kufijve territorialë administrativë;
b) fondi pyjor dhe kullosor në pronësi publike, pronë e paluajtshme e Ministrisë, që është pjesë e Rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Republikës së Shqipërisë;
c) fondi pyjor dhe kullosor në pronësi private të personave fizikë/juridikë.
3. Kuotat e karbonit, në procesin e përvetësimit të tij, u përkasin pronarëve, sipas pronësisë që kanë mbi fondin pyjor.
Neni 12
Administrimi i Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar
1. Në varësi të formës së pronësisë, fondi pyjor dhe kullosor administrohet nga:
a) bashkitë, për fondin pyjor e kullosor brenda kufijve territorialë administrativë;
b) Ministria, për fondin pyjor dhe kullosor që është pjesë e Rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Republikës së Shqipërisë;
c) pronarët privatë, për pyjet dhe kullotat e livadhet në pronësi të tyre;
2. Bashkia ngre strukturën e saj për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor dhe kullosor brenda kufijve territorialë administrativë, me personel inxhiniero-teknik me arsim pyjor. Raporti, midis një nëpunësi të bashkisë me sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor që ai mbulon, është jo më pak se një nëpunës për:
a) 750 – 1 000 ha, për pyjet e larta;
b) 1 500 – 2 500 ha, për pyjet e ulta dhe shkurret;
c) 4 000 – 6 000 ha, për kullota dhe livadhe.
3. Bashkia bashkëpunon me shoqërinë civile dhe strukturat e shërbimit pyjor për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor e kullosor të marrë në pronësi.
4. Administrimi i fondit pyjor dhe kullosor kombëtar bëhet sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pavarësisht formës së pronësisë.
KREU IV
KADASTRA E FONDIT PYJOR E KULLOSOR 
KOMBËTAR
Neni 13
Kadastra 
1. Kadastra e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar përfaqëson një sistem të dhënash, në të cilin pasqyrohet tërësia e informacioneve të nevojshme për administrimin dhe qeverisjen e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar, shoqëruar me sistemin e informacionit gjeografik (GIS).
2. Pyjet, kullotat e livadhet, së bashku me infrastrukturat përkatëse, regjistrohen në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nga pronarët e tyre, sipas dispozitave të legjislacionit përkatës në fuqi.
Neni 14
Organizimi i Kadastrës së Fondit Pyjor 
dhe Kullosor Kombëtar
1. Kadastra e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar evidenton dhe pasqyron gjendjen dhe ndryshimet që ndodhin në mënyrë periodike në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar.
2. Ministria është institucioni përgjegjës për mbajtjen dhe përditësimin e të dhënave kadastrale për Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar.
3. Bashkitë mbajnë regjistër për të dhënat kadastrale, për fondin pyjor dhe kullosor publik e privat brenda territorit të tyre administrativ, dhe i përditësojnë ato në mënyrë periodike.
4. Pronarët privatë mbajnë regjistër për të dhënat kadastrale.
5. Pronari privat dhe bashkia raportojnë në Ministri për ndryshimet përkatëse në fondin pyjor dhe kullosor, në muajt janar e qershor të çdo viti.
6. Tërësia e të dhënave të Kadastrës së Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, mënyra e mbajtjes së të dhënave kadastrale në nivel vendor, rajonal dhe qendror, informacioni që duhet regjistruar, forma si dhe afatet e përgatitjes dhe raportimit nga administratorët dhe/ose pronarët e pyjeve dhe kullotave, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit.
KREU V
MBROJTJA E FONDIT PYJOR E KULLOSOR 
KOMBËTAR
Neni 15
Mbrojtja e Fondit Pyjor dhe Kullosor 
Kombëtar
1. Mbrojtja e pyjeve, mjedisit pyjor dhe e kullotave nga dëmtimet që ndikojnë në ekuilibrin ekologjik të tyre, është detyrim i përhershëm dhe përgjegjësi ligjore e të gjitha strukturave shtetërore, bashkive, pronarëve privatë dhe personave fizikë a juridikë, vendas e të huaj, që zhvillojnë veprimtari në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar. Mbrojtja e tyre bazohet në dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Mbrojtja e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar nga dëmtimet, prerjet ose kullotjet pa leje, sëmundjet, insektet, zjarret, shkatërrimi, pushtimi apo tjetërsimi i paligjshëm, si dhe çdo element tjetër, i cili dëmton apo ka gjasa të dëmtojë, përfshirë veprat hidroteknike, pritat malore e gardhet, veprat e ujit të pijshëm për blegtorinë, lerat, hauzet, koritat e çezmat, të cilat ndodhen brenda Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar dhe që shërbejnë për zhvillimin e mbrojtjen e tij, është detyrim i përhershëm i të gjitha strukturave shtetërore, bashkive, pronarëve privatë dhe personave fizikë a juridikë, vendas e të huaj, që zhvillojnë veprimtari në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar.
3. Luftimi i sëmundjeve, dëmtuesve dhe insekteve në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, në rastet e forcës madhore, organizohet nga bashkitë dhe pronarët privatë, ndërsa fondet e nevojëshme përballohen nga buxheti i shtetit.
Neni 16
Veprimtaritë në Fondin Pyjor dhe Kullosor 
Kombëtar
1. Në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar ndalohen:
a) ndryshimi i destinacionit të veprave të ujit të pijshëm për blegtorinë;
b) dëmtimi i infrastrukturës pyjore dhe kullosore, si rrugët dhe veprat ujore;
c) kullotja dhe kalimi i bagëtive në pyllëzimet e reja, në pyjet me filizëri natyrore të instaluar, në pyjet e ricunguar, në pyjet mbrojtës e me funksione të veçanta, në rezervatet e gjuetisë e të mbarështimit të faunës së egër dhe në ato farore;
ç)  prerja pa damkë e drurëve;
d)  prerja e filizërisë dhe e fidanëve në fidanishte;
dh)  ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara;
e)  nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e llojeve të tjera të drurëve pyjorë gjatë periudhës së vegjetacionit;
ë) mbledhja e prodhimeve të dyta mjekësore, eterovajore e tanifere, të rralla e të kërcënuara, jashtë periudhës teknike të vjeljes;
f) kullotja e bagëtive në ngastrat eksperimentale dhe në sipërfaqet ku kryhen punime përmirësuese;
g) përdorimi i çekiç-damkës nga persona të paautorizuar;
gj) prishja e shenjës së damkës në dru;
h) ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, parkimi i automjeteve dhe vendosja e rulotave në pyjet me funksion mbrojtës;
i) tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyjeve dhe kullotave të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitarët, ose të prekura nga insektet;
j)  ndërtimi i objekteve dhe zhvillimi i veprimtarive që shkaktojnë degradim dhe gërryerje të tokës pyjore/kullosore;
k) prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufijdëftuese, gjeidezike e topografike, i tabelave paralajmëruese e treguese;
l)   hedhja e mbetjeve jashtë vendeve të caktuara;
ll) shkarkimi i kimikateve dhe ujërave të ndotur industrialë.
2. Ndalohet kryerja, pa miratim, e veprimtarive të mëposhtme:
a) prerja e pyjeve, brezave pyjorë mbrojtës, drurëve të veçuar dhe e shkurreve;
b) nxjerrja dhe grumbullimi i prodhimeve drusore dhe jodrusore;
c) nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e llojeve të tjera të drurëve pyjorë;
ç) mbledhja e prodhimeve të dyta mjekësore, eterovajore e tanifere të rralla e të kërcënuara;
d) krasitja për gjethe, kositja dhe grumbullimi i barit në fondin pyjor/kullosor/livadhe, kullotja, kositja e barit në livadhe, pastrimi i kullotave dhe livadheve, ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë dhe kapaciteteve të kullotave dhe livadheve;
dh) përdorimi i plehrave kimike dhe i pesticideve;
e) ndërhyrjet me punime në dunat bregdetare, pjesë e fondit pyjor dhe kullosor publik;
ë) ndërhyrjet për pyllëzime apo për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë së tokave pyjore;
f) ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit;
g) ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, parkimi i automjeteve dhe vendosja e rulotave;
gj) nxjerrja e gurëve, plisave, rrënjëve, cungjeve, marrja e dheut, rërës dhe zhavorrit.
3. Miratimin për ushtrimin e veprimtarive të pikës 2, më lart, e jep bashkia, nëpërmjet strukturës administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, sipas formateve të miratuara me urdhër të ministrit.
Neni 17
Monitorimi
1. Për ndjekjen dhe evidentimin në vijimësi të ndryshimeve që pësojnë pyjet, kullotat e livadhet, nga ndotjet atmosferike, dëmtuesit, sëmundjet, zjarret e faktorë të tjerë, me ndikime në treguesit e ekosistemeve pyjore e kullosore dhe të biodiversitetit,  si dhe për marrjen e masave të nevojshme e të përshtatshme për ripërtëritjen dhe qeverisjen normale të tyre, organizohet rrjeti i përhershëm i monitorimit të Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar.
2. Rrjeti i përhershëm i monitorimit të Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar është pjesë e Rrjetit Kombëtar të Monitorimit të Gjendjes së Mjedisit, të përcaktuar në nenin 42, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
3. Programi i monitorimit të Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, metodika për grumbullimin e informacioneve, analizimin, interpretimin, organizimin e sistemit të të dhënave dhe raportimin e tyre, si dhe kriteret dhe indikatorët për vlerësimin e secilit komponent të përfshirë në monitorim, hartohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me institucionet shkencore të vendit dhe bashkitë, dhe është pjesë e  Programit Kombëtar për Monitorimin e Mjedisit, referuar nenit 41, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
4. Në programin e monitorimit përfshihen të gjithë komponentët që i nënshtrohen monitorimit, tërësia e elementeve të nevojshme për secilin prej tyre si dhe sistemi i të dhënave që mundësojnë paraqitjen e gjendjes dhe prirjeve të proceseve për çdo komponent.
5. Agjencia Kombëtare e Mjedisit monitoron, në vijimësi, Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, sipas përcaktimit në pikën 1, të këtij neni, përpunon dhe nxjerr rezultatet e monitorimit, harton dhe boton raportin vjetor për gjendjen e tij, si pjesë e Raportit për Gjendjen e Mjedisit.
KREU VI
TRAJTIMI DHE ZHVILLIMI I FONDIT 
PYJOR E KULLOSOR
Neni 18
Mbarështimi i pyjeve e kullotave
1. Mbarështimi i pyjeve bazohet në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili përfshin kriteret e mëposhtme:
a) Mirëmbajtja dhe përmirësimi i duhur i burimeve pyjore dhe kontributi i tyre në ciklet globale të karbonit;
b) Mirëmbajtja e vitalitetit dhe shëndetit të ekosistemeve pyjore;
c) Mirëmbajtja dhe nxitja e funksioneve prodhuese të pyjeve (drusore dhe jodrusore);
ç) Mirëmbajtja, konservimi dhe përmirësimi i përshtatshëm i diversitetit biologjik në ekosistemet pyjore;
d) Mirëmbajtja, ruajtja dhe përmirësimi i përshtatshëm i funksioneve mbrojtëse në menaxhimin e pyjeve (sidomos të tokës dhe ujit);
dh) Mirëmbajtja e kushteve dhe funksioneve të tjera social-ekonomike.
2. Mbarështimi i pyjeve dhe kullotave është përgjegjësi e administruesve dhe/ose pronarëve të tyre.
Mbarështimi i fondit pyjor dhe kullosor publik bazohet në Planin e Mbarështimit e Planin Operacional dhe realizohet nga persona juridikë/fizikë publikë ose privatë, për fondin pyjor dhe kullosor publik në pronësi të bashkive, dhe nga pronari privat, për fondin pyjor dhe kullosor privat.
Neni 19
Plani i mbarështimit
1. Plani i mbarështimit është dokumenti zyrtar dhe instrumenti për realizimin e qeverisjes, zhvillimit dhe mbrojtjes së pyjeve e kullotave, i vlefshëm për një periudhë 10-vjeçare. Hartimi i planeve të mbarështimit i nënshtrohet procedurës së vlerësimit strategjik mjedisor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Planet e mbarështimit hartohen bazuar në metodikat e përgatitura nga Ministria. Metodikat dhe procedurat, nga shqyrtimi deri në miratimin e planeve të mbarështimit, miratohen me udhëzim të Ministrit.
3. Plani i mbarështimit të pyjeve dhe kullotave hartohet nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, ose nga persona fizikë/juridikë të pajisur me licencën III.7.A, sipas ligjit për licencat/autorizimet/lejet, që kanë të punësuar ekspertë të certifikuar nga ministri. Ministri, me urdhër, pezullon ose revokon certifikatën dhe licencën dhe e publikon atë në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve. Kriteret e certifikimit dhe të pezullimit/revokimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
4. Shpenzimet e nevojshme për kryerjen e planeve të mbarështimit përballohen me:
a) financim të bashkive, për pyjet dhe kullotat publike;
b) fondet e veta, për pyjet dhe kullotata private.
5. Plani i mbarështimit, në parim, përmban dhe rekomandon:
a) gjendjen e pyjeve dhe kullotave në periudhën kur hartohet;
b) masat për përdorimin e qëndrueshëm dhe trajtimin e pyjeve dhe kullotave, me synim ruajtjen dhe përmirësimin e funksioneve ekonomike, mjedisore, ekologjike e shoqërore, si dhe për ndërtimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës së nevojshme.
6. Shqyrtimi i planit të mbarështimit për fondin pyjor dhe kullosor, publik e privat, bëhet nga komisionet teknike, të ngritura pranë çdo bashkie, sipas përcaktimeve në udhëzimin e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, dhe plani i përcillet për miratim ministrit. Plani i mbarështimit, i miratuar, vihet në dispozicion të publikut.
7. Plani i mbarështimit përditësohet në vijimësi, për të pasqyruar ndryshimet që ai pëson, si rezultat i zbatimit të punimeve dhe ndërhyrjeve që kryhen në fondin pyjor e kullosor, si dhe nga shkaqe ose faktorë të ndryshëm. Përditësimi dhe rishikimi i planit të mbarështimit i nënshtrohet procedurës sipas udhëzimit, referuar në pikën 2, të këtij neni.
Neni 20
Plani operacional      
1. Plani operacional është përmbledhja e mundësive konkrete të kapaciteteve të produkteve drusore e jodrusore, kullotave dhe bimëve medicinale si dhe parashikimi i investimeve dhe bilanci vjetor i të ardhurave e shpenzimeve për një vit kalendarik, për fondin pyjor dhe kullosor publik, në territorin administrativ të bashkisë.
2. Plani operacional vjetor, për aktivitetet vjetore në pyje dhe kullota, hartohet bazuar në të dhënat e planit të mbarështimit të pyjeve dhe kullotave për vitin referues, në plani e mbarështimit. Plani operacional miratohet nga Këshilli Bashkiak.
3. Plani operacional për:
a) fondin pyjor dhe kullosor publik, hartohet nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji;
b) për pyjet dhe kullotat private, hartohet nga vetë pronari.
4. Metodika e hartimit të planit operacional miratohet me udhëzim të ministrit.
Neni 21
Inventari Kombëtar i Pyjeve 
dhe Kullotave
1. Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave kryhet nga Ministria, jo më pak se një herë në 10 vjet.
Procedurat, kriteret dhe metodika për kryerjen e Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave miratohen me udhëzim të ministrit.
3. Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave miratohet me urdhër të ministrit.
KREU VII
TRAJTIMI DHE SHFRYTËZIMI I PYJEVE 
DHE KULLOTAVE
Neni 22
Trajtimi i pyjeve dhe kullotave
Trajtimi i pyjeve dhe kullotave bazohet në masat dhe rekomandimet e planifikuara në planet e mbarështimit, nëpërmjet planeve operacionale vjetore, të cilat zbatohen nga strukturat që administrojnë pyjet, kullotat dhe livadhet publike, pronarët privatë, si dhe nga të gjithë personat juridikë e fizikë që zhvillojnë veprimtari në fondin pyjor e kullosor kombëtar.
Neni 23
Shfrytëzimi i pyjeve
1. Vëllimi i materialit drusor që do të shfrytëzohet çdo vit planifikohet brenda mundësisë vjetore të shfrytëzimit të fondit pyjor kombëtar, bazuar në planet e mbarështimit. Këtij vëllimi i shtohet edhe vëllimi i materialit drusor me vlerë ekonomike, i planifikuar nga prerjet kulturore si edhe nga dëmtimet, si rezultat i katastrofave natyrore ose zjarreve.
2. Planifikimi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit dhe vëllimi i materialit drusor, që do të rezultojë nga punimet kulturore, për:
a) fondin pyjor dhe kullosor publik, hartohet nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji;
b) pyjet dhe kullotat private, hartohet nga vetë pronari.
3. Ministri miraton, me urdhër, mundësinë vjetore të shfrytëzimit për pyjet publike, në përputhje me të dhënat e planit operacional vjetor, me propozimin e kryetarit të bashkisë, brenda muajit dhjetor të çdo viti.
4. Shfrytëzimi i fondit pyjor publik e privat organizohet në bazë të vitit pyjor, i cili fillon në datën 1 tetor dhe përfundon në datën 30 shtator të vitit pasardhës.
5. Në sipërfaqet me filizëri të zhvilluar mbi lartësinë optimale, shfrytëzimi lejohet edhe në periudhën e vegjetacionit, duke respektuar kriteret teknike të vendimit të Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të nenin 32, të këtij ligji.
6. Prerja e drurëve në fondin pyjor kombëtar bëhet pas shënimit të tyre me damkë. E drejta e damkimit, administrimi dhe mënyra e përdorimit të çekiç-damkës përcaktohet me udhëzim të ministrit.
7. Subjektet që kryejnë aktivitetin e shfrytëzimit të pyjeve, në fondin pyjor publik e privat, shënojnë me bojë të paheqëshme dhe vendosin etiketa në prodhimet e tyre, sipas kritereve të vendosura në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të nenin 32, të këtij ligji.
8. Struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, monitoron, periodikisht, prodhimet drusore të realizuara nga subjeket që shfrytëzojnë pyjet dhe bën rakordimet për përputhshmërinë e vëllimit të prodhimeve me vëllimin e lëndës së kontraktuar.
Neni 24
Përdorimi i kullotave
1. Përdorimi i kullotave publike dhe private kryhet duke zbatuar rekomandimet e planit të mbarështimit për:
a) kohën e hyrjes dhe të daljes së bagëtive;
b) aftësinë mbajtëse, për të mos lejuar mbikullotjen;
c) kullotjen racionale.
2. Përjashtohen, përkohësisht, nga kullotja, ngastrat e kullotave dhe livadheve:
a) eksperimentale;
b) ku kryhen punime përmirësuese;
c) të degraduara.
3. Në veprat e ujit të pijshëm, lerat, hauzet, koritat dhe çezmat, të ndërtuara në fondin kullosor publik, lejohet të pinë ujë të gjitha tufat e bagëtive, pavarësisht se kontratat për kullotjen e tyre nuk janë lidhur me administruesit ose pronarët e kullotave ku ato ndodhen.
4. Kriteret teknike për përdorimin e kullotave përcaktohen me udhëzim të Ministrit.
Neni 25
Pyllëzimet dhe punime të tjera në fondin 
pyjor e kullosor
1. Pyllëzimet artificiale kryhen në tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura, të gërryera dhe ranishtet, pjesë e fondit pyjor e kullosor publik e privat.
2. Për pyllëzimet artificiale, krahas llojeve autoktone, përdoren edhe lloje drurësh e shkurresh me rritje të shpejtë, të vlefshme për industrinë e përpunimit dhe për nevoja energjetike.
3. Ripyllëzimet kryhen në sipërfaqe pyjore të dëmtuara nga shkaqe të ndryshme dhe ku nuk është siguruar ripërtëritja në rrugë natyrore, sipërfaqe ku filizëria e instaluar është djegur e dëmtuar dhe nuk garantohet zhvillimi i grumbullit të ri, si dhe në sipërfaqe ose breza pyjorë që trajtohen me pyllëzime artificiale dhe prerje rrah.
4. Sistemimet malore, që përfaqësohen nga gardhet dhe pritat, ndërtohen për frenimin e dukurisë së gërryerjes, në sipërfaqet e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar ku kjo dukuri është e pranishme.
5. Sistemimet malore, sipas nevojave dhe kushteve konkrete, shoqërohen edhe me pyllëzimin e shpateve të ujëmbledhësve, përrenjve dhe përroskave.
6. Lerat, hauzet, koritat dhe çezmat ndërtohen në kullota e livadhe, pavarësisht formës së pronësisë, për sigurimin e ujit të pijshëm për bagëtinë.
Neni 26
Planifikimi i punimeve
1. Planifikimi për vitin pasardhës, për të gjitha llojet e punimeve në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, bëhet në përputhje me rekomandimet e planeve të mbarështimit.
2. Planifikimin e punimeve në fondin pyjor e kullosor publik e bën struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, në bashkëpunim me shoqatën e përdoruesve të pyjeve e kullotave.
3. Pronarët privatë e bëjnë vetë planifikimin e punimeve.
4. Manuali i zërave, normave të punës dhe çmimeve përkatëse përbën referencën për hartimin e preventivave të planifikimit të fondeve të shpenzimeve dhe investimeve në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar. Manuali i zërave, normave të punës dhe çmimeve përkatëse në pyje e kullota miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
Neni 27
Hartimi dhe miratimi i projekteve
1. Projektet tekniko-ekonomike të zbatimit hartohen për realizimin e masave të rekomanduara ose të planifikuara nga planet e mbarështimit, për trajtimin e pyjeve dhe kullotave, si dhe për punimet e tjera dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
2. Projektet tekniko-ekonomike hartohen nga strukturat administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dhe subjektet private, sipas formës së pronësisë/përdorimit ose nëpërmjet personave fizikë/juridikë të pajisur me licencën III.7.A, sipas pikës 3, të nenit 19, të këtij ligji.
3. Miratimi i projekteve për punimet në pyjet e kullotat publike e private bëhet nga kryetari i bashkisë.
4. Hartimi i projekteve tekniko-ekonomike bazohet në metodikat dhe kriteret e përcaktuara me udhëzim të ministrit.
5. Projektet tekniko-ekonomike i nënshtrohen procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU VIII
PRODHIMET  E FONDIT PYJOR E KULLOSOR
Neni 28
Klasifikimi i prodhimeve
1. Prodhimet e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar klasifikohen në:
a) drusore, ku përfshihen lënda e punimit, drutë e zjarrit, fashinat, shkarpat, thuprat, cungjet, petavrat, rrënjët e drurëve, kuckat, hunjtë, bandierat dhe lëvorja;
b) jodrusore, ku përfshihen lulet, frutat, farat, sythat, bisqet, degët, drurët dekorativë, shpatullat, kalemat, gjethet, halat, boçet, zhukat, kallamishtet, rrëshira, plisat, bari, rrënjët, zhardhokët, kërpudhat, myshqet, humusi, lëgusha, torfa, dhèu, gurët, zhavorri dhe rëra.
2. Prodhimet drusore dhe jodrusore, të përfshira në pikën 1, të këtij neni, përjashtuar lëndën e punimit dhe drutë e zjarrit, quhen prodhime të dyta.
3. Para grumbullimit të prodhimeve të dyta bëhet planifikimi i kontingjenteve, brenda mundësive prodhuese e biologjike të rekomanduara nga plani i mbarështimit, dhe  në përputhje me kriteret e vendosura në planin operacional vjetor, sipas përcaktimeve në nenin 20, të këtij ligji.
4. Standardet kombëtare për kriteret teknike që duhet të plotësojnë asortimentet që rezultojnë nga lënda e punimit dhe drutë e zjarrit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ministrit.
Neni 29
Shërbimet në ekosistem
1. Shërbimet në ekosistem janë përfitime që sigurohen nga funksionet natyrore të  pyjeve e kullotave dhe punimet e kryera, për:
a) mbrojtjen e tokës nga dukuria e gërryerjes;
b) përvetimin (sekuestrimin) e karbonit;
c) përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së ujit;
ç) mbrojtjen e biodiversitetit.
2. Rregullat për përfitimet nga shërbimet në ekosistem, kompensimi dhe pagesat miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit.
KREU IX
CERTIFIKIMI, PROMOVIMI, MARKETINGU, TREGTIMI I LËNDËS DRUSORE 
Neni 30
Certifikimi pyjor dhe i prodhimeve drusore e jodrusore
1. Për certifikimin e pyjeve publike dhe private, bashkitë dhe pronarët privatë kanë të drejtë të aderojnë në një sistem certifikimi, në funksion të përputhshmërisë së tyre me kriteret e atij sistemi. Sistemet e certifikimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
2. Certifikimi i pyjeve, prodhimeve drusore dhe jodrusore, bëhet nga subjekte të akredituara, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 31
Promovimi dhe marketingu
1. Elementet e marketingut të lëndës drusore dhe jodrusore përfshijnë: çmimin, llojin/et e produktit/eve, vendndodhjen dhe promovimin me mënyra e mjete të ndryshme.
2. Struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji,:
a) ndërton bazën e të dhënave të prodhimeve drusore dhe jodrusore të shitura, me çmimin, vendndodhjen e tyre dhe të shërbimeve të ofruara në pyje e kullota, së bashku me tarifat, çmimet apo vlerat përkatëse;
b) monitoron, në vijimësi, kërkesë-ofertën në treg dhe çmimet e produkteve drusore të papërpunuara, gjysmë të përpunuara dhe të përpunuara, të produkteve jodrusore dhe shërbimeve të ndryshme në pyje e kullota, dhe i reflekton ato në bazën e të dhënave;
c) promovon vlerat e shumëfishta të Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar dhe nevojën për mbrojtjen e zhvillimin e tij, nëpërmjet mënyrave dhe mjeteve të ndryshme të publikimit e të informimit nga pronarët.
Neni 32
Tregtimi i lëndës drusore, çmimet 
dhe tarifat  
1. Shitja e lëndës drusore, nga bashkitë, bëhet në dy mënyra:
a) në këmbë;
b) me asortimente, në anë të rrugës.
2. Kriteret dhe procedurat për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar,  trajtimi, shfrytëzimi, shitja, eksporti, importi dhe transporti i materialit drusor dhe jodrusor, si dhe kategorizimi i rrugëve autopyjore, përdorimi dhe standardet teknike të tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
3. Të drejtat që sigurohen nga kontrata për trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar nuk u transferohen të tretëve.
4. Pronarët privatë kanë të drejtë të shesin materialin drusor pa ankand, duke respektuar rregullat e vendimit të Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të këtij neni, sa i takon trajtimit, shfrytëzimit, eksportit, importit dhe transportit të materialit drusor dhe jodrusor.
5. Çmimet dhe tarifat për prodhimet drusore, jodrusore, kullosore, dhënien në përdorim, heqjen nga fondi pyjor/kullosor dhe vlera e dëmeve në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat.
6. Pronarët privatë, për aktivitetet që zhvillohen në fondin pyjor/kullosor në pronësi të tyre, kanë të drejtë të përdorin çmimet/tarifat në fuqi ose çmime/ tarifa të tjera, të vendosura në marrëveshje me subjektet e interesuara.
7. Në funksion të ndryshimeve që pësojnë çmimet e tregut të lëndës drusore, të prodhimeve të dyta dhe të shërbimeve, çmimet indeksohen periodikisht.
8. Shitja e lëndës drusore në këmbë bëhet në ngastrat dhe nënngastrat që përshkohen ose jo nga rrjeti rrugor pyjor, në të cilat janë damkosur, paraprakisht, drurët që do të priten. Shitja e lëndës drusore në këmbë, në ngastra dhe nënngastra që nuk përshkohen nga rrjeti rrugor pyjor, realizohet sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të këtij neni.
9. Projekti i shfrytëzimit hartohet nga subjekti që ka fituar të drejtën e trajtimit dhe shfrytëzimit të ngastrës/ngastrave dhe miratohet nga kryetari i bashkisë.
10. Shitja e lëndës drusore me asortimente të gatshme organizohet për materialin drusor të depozituar në anë të rrugës.
11. Asortimentet drusore, në formën e trupave, dhe lënda tjetër e punimit, në formë të rrumbullakët, ndahen në grupe, sipas cilësisë, dhe shënohen copë për copë, me bojë të paheqëshme dhe etiketa.
12. Drutë e zjarrit dhe asortimentet e ngjashme me to stivohen në grupe, sipas kritereve të vendosura në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të këtij neni.
13. Tregtimi i lëndës drusore, të papërpunuar e të përpunuar, bëhet sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
14. Shitja e lëndës drusore, të papërpunuar e të përpunuar, me destinacion tregun e brendshëm, shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që vërteton prodhimin e tyre, në përputhje me rregullat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 2, të këtij neni.
15. Ndalohet eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, druve të zjarrit dhe asortimenteve që rrjedhin nga tjetërsimi i tyre si edhe i qymyrit të drurit.
16. Subjektet që veprojnë në tregun e drurit zbatojnë sistemin “kujdesi i duhur”, për të parandaluar tregtimin e lëndës drusore të prerë në mënyrë të paligjshme dhe të prodhimeve që rrjedhin prej saj. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e këtij sistemi miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
17. Shitësi dhe blerësi i lëndës drusore, të papërpunuar e të përpunuar, janë të detyruar të vërtetojnë origjinën e ligjshme të saj, nëpërmjet kontratave dhe dokumentacionit tjetër plotësues ligjor.
KREU X  
përdorimI I fondit pyjor e kullosor 
kombëtar
Neni 33
E drejta e përdorimit
1. Përdorimi i fondit pyjor e kullosor ka për qëllim plotësimin e nevojave ekonomike, sociale e kulturore të vendit, në përgjithësi, dhe të banorëve të zonave rurale e pronarëve privatë, në veçanti, nëpërmjet prodhimeve e shërbimeve që ofron, pa cenuar aftësitë e tij ripërtëritëse.
2. Të drejtën e përdorimit të pyjeve dhe kullotave publike dhe private e kanë administruesit ose pronarët e tyre, subjektet e autorizuara prej tyre si dhe subjektet që e kanë fituar këtë të drejtë, si rrjedhojë e një veprimi juridik.
3. Marrëdhëniet ndërmjet administruesve ose pronarëve të pyjeve e kullotave dhe personave juridikë e fizikë rregullohen nëpërmjet kontratave noteriale, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Neni 34
Përdorimi i pyjeve dhe kullotave publike
1. Pjesë të fondit pyjor e kullosor publik jepen në përdorim, për zhvillimin e veprimtarive për:
a) fidanishte, baza didaktike-eksperimentale dhe punë kërkimore-shkencore në fushën e pyjeve dhe kullotave;
b) mbarështimin e florës, kultivimin dhe grumbullimin e bimëve të ndryshme;
c) mbarështimin e faunës së egër dhe zhvillimin e gjuetisë turistike e sportive;
ç)  agropylltari, bujqësi dhe akuakulturë;
d) kullotjen e bagëtisë dhe kositjen e barit;
dh) ndërtime të përkohshme në kullota, si shtëpi verimi për blegtorët, depo, stane, objekte të përpunimit të bulmetit, etj;
e) qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore, turistike, sportive dhe kulturore;
ë)  nxjerrje, prodhim dhe depozitim materialesh inerte në karrierë;
f) vendosjen e antenave të telefonisë fikse, të lëvizshme, televizive, të radio-komunikacionit, instalimin e teleferikëve stacionarë (pasagjerësh ose mallrash), sheshet e ndërtimit të shtyllave të tensionit të lartë;
g) ndërtimin e parqeve energjetike, aerogjeneratorëve dhe objekteve të ndryshëm industrialë;
gj) ndërtimin e rrugëve automobilistike, hekurudhave dhe aeroporteve;
h) kryerjen e operacioneve të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit të mineraleve, hidrokarbureve dhe të ujit;
i) shtrirjen, në thellësi dhe sipërfaqe, të tubacioneve të ujit, naftës, gazit, të linjave të tensionit të lartë, ndërtimin e kanaleve, rrugëve ndihmëse të përkohshme, për lidhjen e sipërfaqeve të marra në përdorim me rrjetin rrugor ekzistues;
j) vendosje kaminash për prodhimin e qymyrit të drurit dhe eshkës së kovaçit, furrë gëlqereje, sheshe për depozitimin e përkohshëm të materialeve të ndryshme (pika tranziti);
k) zhvillimin e manovrave ushtarake ose zbatimin e projekteve në interes të mbrojtjes kombëtare.
2. Gërmimet, në fondin pyjor e kullosor publik, për nxjerrjen e humusit, plisave të barit, gurëve, rërës e zhavorrit, vendosja e kaminave për prodhimin e qymyrit të drurit, eshkës së kovaçit e furrave të gëlqeres, si dhe për karriera që përdorin lëndë plasëse, bëhen me miratimin paraprak të strukturës administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji.
3. Qëndrimi i automjeteve, rulotëve dhe vendosja e çadrave në fondin pyjor e kullosor publik bëhet vetëm në vendet e caktuara nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, sipas rregullave të miratuara me udhëzim të ministrit.
4. Bashkia, që ka në pronësi pjesë të fondit pyjor e kullosor publik, nëpërmjet punimeve të përmirësimit dhe shfrytëzimit të tyre, ka si qëllim parësor plotësimin e nevojave të banorëve të saj me dru zjarri, materiale ndërtimi, kullotje dhe sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë, si dhe grumbullimin e prodhimeve të dyta. Pjesë të fondit pyjor dhe kollosor publik u jepen, për përdorim tradicional, banorëve të bashkisë, me qëndrim të përhershëm, për grumbullimin e prodhimeve të dyta, druve të zjarrit, lëndëve të ndërtimit dhe kullotje, sipas tarifave në fuqi.
5. Kriteret teknike për grumbullimin e prodhimeve të dyta, druve të zjarrit, lëndës së ndërtimit dhe kullotjes e produkteve të saj, miratohen me udhëzim të ministrit.
6. Kullotat e livadhet jepen për përdorim të përkohshëm kullosor, pa të drejtë përsëritjeje, për të njëjtën sipërfaqe, me afat deri në 3 vjet.
7. Përdorimi i kullotës për një periudhë nga 3 deri 10 vjet jepet në rastet kur personi juridik ose fizik, nëpërmjet një plani investimesh, merr përsipër kryerjen e investimeve për përmirësimin e kullotës dhe të infrastrukturës së saj, plan, i cili përfshihet në detyrimet kontraktore ndërmjet palëve.
8. Dhënia në përdorim e kullotave dhe livadheve bëhet në përputhje me aftësitë mbajtëse kullosore, të përcaktuara në planin e mbarështimit, për çdo ngastër ose nënngastër.
9. Personi fizik ose juridik, që ka marrë kullotë apo livadh për kullotje ose kositje, nuk ka të drejtë t’ua japë atë, apo pjesë të saj, të tretëve, me nënkontratë.
10. Shfrytëzimi i pyjeve nga personat fizikë ose juridikë lejohet vetëm pasi të jetë garantuar plotësimi i nevojave të banorëve të bashkisë, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 5, të këtij neni.
11. Bashkia ka të drejtë të japë në përdorim sipërfaqet e pyjeve dhe kullotave të marra në pronësi, për aktivitetet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni.
12. Procedura e dhënies në përdorim të fondit pyjor e kullosor publik realizohet sipas kërkesave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për pyjet.
Neni 35
Përdorimi i fondit pyjor dhe kullosor 
privat
1. Subjekti/pronari privat ka të drejtë të përdorë pyllin/kullotën në pronësi të tij për plotësimin e nevojave vetjake ose për qëllime përfitimi ekonomik, konform dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre.
2. Trajtimin dhe shfrytëzimin e pyllit, mbledhjen e prodhimeve të dyta dhe kullotjen, në pronën e tij, pronari privat mund ta kryejë vetë ose nëpërmjet personave juridikë e fizikë.
3. Pronari privat ka të drejtë të japë në përdorim pyllin/kullotën në pronësi të tij për aktivitetet e parashikuara për fondin pyjor e kullosor publik, në pikën 1, të nenit 34, duke respektuar të njëjtat rregulla e detyrime, përjashtuar ato financiare.
4. Vendet për zhvillimin e aktiviteteve, të parashikuara në pikat 3 e 4, të nenit 34, caktohen nga vetë pronari i pyllit ose kullotës.
5. Pronari privat njofton Inspektoratin e Policisë Pyjore për shkeljet dhe dëmtimet e konstatuara në pyllin dhe kullotën e tij.
Neni 36
Ndryshimi i destinacionit të fondit pyjor 
e kullosor
1. Nga kadastra e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar hiqen sipërfaqe, të cilave u ndryshohet destinacioni fillestar, duke u kthyer në troje për zgjerimin e vijave kufizuese të qendrave të banuara si dhe për veprimtaritë e parashikuara në shkronjat “ç” dhe “ë” deri në “h”, të pikës 1, të nenit 34.
2. Heqja e sipërfaqeve nga fondi pyjor e kullosor publik bëhet për:
a) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura dhe çeltirat, me sipërfaqe deri në 1 km2, me urdhër të ministrit përgjegjës për pyjet;
b) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura dhe çeltirat, me sipërfaqe nga 1 deri në 10 km2, me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura dhe çeltirat, me sipërfaqe mbi 10 km2, me ligj të veçantë;
ç) kullotë e livadh, me sipërfaqe deri në 1 km2, me urdhër të ministrit përgjegjës për pyjet;
d) kullotë e livadh, me sipërfaqe nga 1 deri në 10 km2, me vendim të Këshillit të Ministrave;
dh) kullotë e livadh, me sipërfaqe mbi 10 km2, me ligj të veçantë.
3. Për sipërfaqet që hiqen nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, subjektet përfituese janë të detyruara që, me mjetet e tyre financiare, të investojnë për pyllëzimin/ripyllëzimin për sipërfaqen e hequr të fondit pyjor dhe kullosor, sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 6, të këtij neni. Detyrimi i sasisë së pyllëzimit/ripyllëzimit për sipërfaqen e hequr të fondit pyjor dhe kullosor përcaktohet me udhëzim të ministrit.
4. Sipërfaqja e kërkuar për ndryshim destinacioni miratohet edhe nëse veprimtaria e planifikuar për t’u zhvilluar nuk është e parashikuar në planet e menaxhimit dhe planet operacionale, por ekziston një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit për këtë qëllim.
5. Për sipërfaqet e djegura të pyjeve dhe kullotave ndalohet ndryshimi i destinacionit të tyre për një periudhë 10-vjeçare.
6. Procedurat, kriteret dhe dokumentacioni përkatës për heqjen e sipërfaqeve dhe pakësimin në volum të Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, për dhënien në përdorim dhe për ndryshimin e destinacionit, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
7. Ndryshimet e destinacioneve të pyjeve, tokave pyjore, sipërfaqeve të zhveshura, kullotave dhe livadheve, pasqyrohen në regjistrin e kadastrës pyjore dhe kullosore, pas miratimit nga organi kompetent.
8. Nuk konsiderohen ndryshime destinacioni sipërfaqet e pyjeve dhe kullotave që zihen nga ndërtimi i rrugëve pyjore dhe i infrastrukturës tjetër të nevojshme për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor publik e privat.
9. Kur, për fondin pyjor e kullosor publik, merret vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit, për ndryshim të destinacionit të tij, njësia e qeverisjes vendore dhe Ministria përditësojnë regjistrin kombëtar të kadastrës së pyjeve dhe kullotave për sipërfaqet pyjore/kullosore kombëtare, objekt i vendimit.
Neni 37
Veprimtaritë
1. Veprimtaritë e shërbimeve e punimeve dhe veprimtaritë kërkimore e shkencore, për trajtimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e fondit pyjor e kullosor, zhvillohen nga personat juridikë e fizikë, shoqatat e ndryshme, institucionet arsimore e kërkimore shkencore.
2. Kryerja e shërbimeve, e ekspertizës profesionale dhe e veprimtarive, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet nga persona fizikë/jurdikë, sipas përcaktimeve referuar në pikën 3, të nenit 19, të këtij ligji.
KREU XI
INFRASTRUKTURA RRUGORE
Neni 38
Planifikimi, projektimi dhe ndërtimi i rrjetit rrugor
1. Planifikimi i rrjetit rrugor në fondin pyjor e kullosor publik e privat bëhet nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, e nga pronarët privatë, dhe miratohet nga Këshilli Bashkiak.
2. Projektimi i rrugëve pyjore, brenda fondit pyjor e kullosor publik e privat, bëhet nga:
a) struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat publike, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji;
b) subjektet e certifikuara, sipas pikës 3, të nenit 19, të këtij ligji;
c) personat e licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Rrugët pyjore, brenda sipërfaqeve pyjore e kullosore publike dhe private, ndërtohen me mjetet financiare të buxhetit të shtetit, të bashkive dhe pronarit privat.
4. Bashkia dhe pronari privat, në marrëveshje me njeri-tjetrin, bashkojnë fondet për ndërtimin e një rruge pyjore, që përshkon sipërfaqet e pyjeve/kullotave në administrim, përdorim ose pronësi të tyre. Në këto raste, kontributet e palëve do të jenë në raport të drejtë me vëllimet e punimeve të secilit segment të saj, që do të kalojë në sipërfaqet respektive, sipas pronësisë.
5. Ndërtimi i rrugëve pyjore në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar realizohet nga subjekte të licencuar, nëpërmjet procedurave të parashikuara nga legjislacioni përkatës. Pronarët privatë kanë të drejtë të bëjnë përzgjedhjen e subjektit pa tenderim.
6. Për marrjen e lejeve, ndërtimin, supervizimin, kolaudimin dhe marrjen në dorëzim të rrugëve pyjore ndiqen procedurat e parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
7. Riparimi dhe mirëmbajtja e rrugëve pyjore është detyrë e administruesve dhe pronarëve të pyjeve dhe kullotave.
8. Personat juridikë ose fizikë, që kanë marrë pyje në përdorim, sipas legjislacionit në fuqi, ndërtojnë, riparojnë dhe mirëmbajnë rrugët pyjore me mjetet e tyre financiare.
Neni 39
Përdorimi i rrjetit rrugor
1. Rrugët pyjore janë pjesë e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar dhe përdorimi i tyre është shumëfunksional.
2. Administruesit dhe pronarët e pyjeve dhe kullotave përdorin rrjetin rrugor për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e pyjeve e kullotave publike e private.
3. Administruesit dhe pronarët e pyjeve dhe kullotave kanë të drejtë të vendosin post-blloqe për monitorimin e hyrjes së mjeteve në rrugët që kanë ndërtuar vetë, në sipërfaqe ose pjesë të caktuara të sipërfaqeve në administrim, përdorim apo pronësi të tyre.
4. Lejohet qarkullimi i mjeteve dhe i njerëzve në rrugët pyjore, nëse nuk ekzistojnë rrugë të tjera të lidhura me rrjetin kombëtar ose lokal, për qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve.
5. Bashkitë dhe pronarët privatë lejojnë hyrjen e vizitorëve dhe mjeteve në pyje dhe kullota, të destinuara për qëllime pushimi, argëtimi, aktivitete shoqërore, turistike, sportive, kundrejt tarifave në fuqi.
6. Ministria, inspektoratet si dhe strukturat e tjera shtetërore kanë të drejtë të kalojnë, pa asnjë kufizim, në rrjetin rrugor të pyjeve dhe kullotave publike e private.
7. Në raste zjarresh, katastrofash natyrore ose manovrash ushtarake, lejohet, pa asnjë kufizim, hyrja e mjeteve dhe e njerëzve në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar.
KREU XII
ZJARRET
Neni 40
Parandalimi i zjarreve
1. Ndalohet ndezja e zjarreve në pyje dhe kullota publike e private, në tokat e tjera në afërsi të tyre, si dhe çdo veprim tjetër që përbën burim ose shkak për ndezjen e pakontrolluar të tyre.
2. Në pyjet, kullotat e livadhet dhe, veçanërisht, në pjesët e tyre të destinuara për aktivitete çlodhëse, argëtuese, sportive, tregtare, pavarësisht nga format e pronësisë, në vende të ndryshme e të përshtatshme të terrenit, shkruhen ose vendosen tabela këshilluese për mosndezjen e zjarreve si dhe për mbrojtjen e tyre nga zjarret.
3. Vizitorët informohen dhe këshillohen për mbajtjen nën kontroll, gjatë gjithë kohës, dhe fikjen plotësisht të zjarreve, në përfundim të aktiviteteve, nëpërmjet tabelave që vendosen në afërsi të vendeve ku lejohet ndezja e tyre.
4. Për parandalimin e zjarreve në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, bashkia, nëpërmjet strukturës administrative përgjegjëse për pyjet e kullotat dhe Inspektoratit Pyjor Bashkiak, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, si dhe pronarët privatë, organizojnë sistemin e vrojtim-sinjalizimit.
5. Struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dhe pronarët privatë, hartojnë, çdo vit, planin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, për sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar në territorin administrativ, ku përfshihen mjetet që kanë në dispozicion si dhe numri i  personave të organizuar në njësitë e posaçme për këtë qëllim. Plani për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve miratohet nga kryetari i bashkisë, brenda muajit mars të çdo viti.
Neni 41
Zjarret e kontrolluara
1. Në pyjet, kullotat e livadhet, apo pjesë të tyre të destinuara për aktivitete çlodhëse, argëtuese, sportive, lejohet ndezja e zjarreve vetëm në vendet e caktuara nga administruesit ose pronarët e tyre.
2. Zjarret e kontrolluara në pyje, kullota e livadhe, ndizen nga struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dhe pronari privat, në sipërfaqet në pronësi të tyre, kur është domosdoshmërisht e nevojshme.
3. Për çdo rast, struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, ose pronari privat, hartojnë kërkesën për nevojën e ndezjes së zjarreve të kontrolluara si dhe planin e menaxhimit, në të cilin jepen, të detajuara, të gjitha fazat e procesit si dhe mjetet në dispozicion për mbajtjen nën kontroll dhe shuarjen e tyre. Shpenzimet për ndezjen e zjarreve të kontrolluara i përballon subjekti që ka paraqitur kërkesën.  Miratimi i kërkesës bëhet nga kryetari i bashkisë.
4. Bashkia dhe pronari privat informojnë dhe marrin pëlqimin e stacioneve përkatëse të mbrojtjes nga zjarri, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga zjarri.
5. Rregullat dhe kriteret për ndezjen, monitorimin dhe fikjen e zjarreve të kontrolluara përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për punët e brendshme dhe Ministrit.
Neni 42
Regjistri i zjarreve
1. Për evidentimin e zjarreve të rënë në pyjet dhe kullotat publike e private, struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, krijon regjistrin e zjarreve.
2. Regjistri i zjarreve hartohet për evidentimin e zjarreve, përfshirë edhe zjarret e kontrolluara, dhe raportimin e informacioneve, në nivel vendor, rajonal e qendror.
3. Struktura administrative përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, referuar pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dhe pronari privat, ose subjekti, të cilit i është deleguar administrimi, evidentojnë zjarret e rëna në pyjet e kullotat që administrojnë apo kanë në pronësi dhe raportojnë të dhënat statistikore, në përputhje me kriteret e vendosura sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 6, të nenit 14, të këtij ligji.
Neni 43
Shuarja e zjarreve
1. Shuarja e zjarreve të rëna në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar është detyrë e Shërbimit Zjarrfikës, pranë bashkive, pronarëve privatë, subjekteve që zhvillojnë aktivitete në këtë fond, reparteve ushtarake dhe strukturave të tjera shtetërore, të ngarkuara me ligj.
2. Fondet për shuarjen e zjarreve përballohen nga struktura që ka në pronësi, administrim ose përdorim pyllin apo kullotën ku ka rënë zjarri.
3. Për shuarjen e zjarreve, bashkia, strukturat përgjegjëse shtetërore dhe pronarët privatë ngrenë njësi të posaçme dhe bashkëpunojnë ndërmjet tyre, sipas detyrimeve të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi.
KREU XIII
INFORMIMI, PJESËMARRJA E PUBLIKUT DHE SHËRBIMI KËSHILLIMOR
Neni 44
Informimi
1. Ministria dhe bashkitë, nëpërmjet mjeteve dhe mënyrave të ndryshme të komunikimit, kanë për detyrë të publikojnë dhe të japin informacione për:
a) të dhënat kadastrale të fondit pyjor e kullosor publik dhe privat;
b) rezultatet e monitorimit të pyjeve dhe kullotave;
c) rezultatet e Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave;
ç)  ndryshimet e destinacionit të fondit pyjor e kullosor;
d) gjuetinë, shitjen e lëndës drusore dhe prodhimeve jodrusore;
dh) dëmet në pyje e kullota, nga veprimtaritë e ligjshme dhe të paligjshme;
e) situatat e zjarreve, katastrofat natyrore në pyje, masat që merren dhe rezultatet e arritura;
ë)  të ardhurat dhe investimet e planifikuara dhe të realizuara;
f) projektet e planifikuara dhe të realizuara;
g) aktet ligjore e nënligjore të propozuara dhe të miratuara;
gj)  aktivitetet kombëtare;
h) pjesëmarrjet në forumet dhe aktivitetet ndërkombëtare.
2. Informacionet jepen ose publikohen me shkrim, në formë pamore, dëgjimore, elektronike ose në forma të tjera, për të gjithë të interesuarit, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
Neni 45
Pjesëmarrja e publikut
1. Në proceset e hartimit të strategjisë së pyjeve dhe kullotave, programit kombëtar, akteve ligjore e nënligjore, hartimit dhe zbatimit të projekteve të ndryshme në fondin pyjor e kullosor publik e privat, Ministria dhe bashkitë sigurojnë pjesëmarrjen e publikut për vendimmarrjen.
2. Planet e mbarështimit vihen në dispozicion të publikut, me qëllim që ai të njihet dhe të japë mendimet përfundimtare, para shqyrtimit dhe miratimit të tyre. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për projektet në zbatim të planeve të mbarështimit.
3. Procedurat e informimit, konsultimit dhe të përfshirjes ose jo të mendimeve të publikut në planin e mbarështimit dhe projekteve në zbatim të tij, zhvillohen në mënyrë transparente dhe të besueshme, sipas legjislacionit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik.
Neni 46
Shërbimi këshillimor
1. Shërbimi këshillimor është funksion i Ministrisë dhe ka për detyrë këshillimin e bashkive, pronarëve dhe përdoruesve të pyjeve e kullotave, për qeverisjen dhe mbrojtjen e tyre.
2. Shërbimi këshillimor ndihmon në proceset e hartimit dhe zbatimit të studimeve, projekteve, planeve të zhvillimit ose operacionalë, trajnimet e specialistëve të bashkive, pronarëve dhe përdoruesve të pyjeve e kullotave, informimin për ndryshimet dhe përmirësimet e akteve ligjore e nënligjor në fuqi.
3. Shërbimi këshillimor promovon praktikat më të mira kombëtare e ndërkombëtare në administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar.
4. Shërbimi këshillimor organizon fushata informimi dhe ndërgjegjësimi në institucione arsimore, struktura të ndryshme shtetërore, subjekte private, për promovimin e vlerave të pyjeve e kullotave dhe të nevojës për mbrojtjen e zhvillimin e tyre.
KREU XIV
FINANCIMET
Neni 47
Burimet financiare
1. Financimet e nevojshme për administrimin, qeverisjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e fondit pyjor e kullosor publik, sigurohen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhurat e veta;
c) donacione e grante të ndryshme.
2. Planifikimi dhe shpërndarja e fondeve nga buxheti i shtetit bëhet në përputhje dhe sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
Neni 48
Përdorimi i burimeve financiare
1. Burimet financiare në dispozicion të Ministrisë dhe të bashkive, për pyjet, kullotat dhe livadhet publike, përdoren për:
a) investime të ndryshme në pyje e kullota, për administrimin, trajtimin dhe zhvillimin e tyre;
b) mbrojtjen e faunës së egër, mjedisit dhe biodiversitetit;
c) mbarështimin, inventarizimin dhe monitorimin e pyjeve dhe kullotave;
ç)  parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve, dëmtuesve e zjarreve;
d) mbështetjen e bashkive dhe pronarëve privatë;
dh) hartimin e strategjisë, planeve kombëtare, studimeve, projekteve e kërkimeve shkencore;
e) punimet e mirëmbajtjes dhe të përmirësimit të gjendjes së pyjeve e kullotave;
ë) shtimin e sipërfaqes së pyjeve;
f) ndërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e veprave të ujit të pijshëm për blegtorinë dhe infrastrukturës rrugore.
Neni 49
Burimet financiare të brendshme
1. Të ardhurat që krijohen nga fondi pyjor dhe kullosor publik derdhen, në masën 100%, në buxhetin e bashkisë.
2. Të ardhurat e siguruara sipas pikës 1, të këtij neni, përdoren vetëm për punime sipas përcaktimeve në pikën 1, të nenit 48, të këtij ligji.
KREU XV
KERKIMI SHKENCOR
Neni 50
Veprimtaria kërkimore e shkencore
1. Veprimtaritë kërkimore e shkencore në fushën e pyjeve dhe kullotave kryhen nga institucione arsimore e shkencore, subjekte juridikë e fizikë, që përmbushin kushtet dhe kriteret, sipas legjislacionit të posaçëm në fushën kërkimore-shkencore.
2. Veprimtaritë kërkimore e shkencore kryhen në kuadrin e programeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit shkencor, programeve shkencore të vetë institucioneve si dhe të programeve të tjera.
3. Ministria dhe bashkitë bashkëpunojnë me ministrinë përgjegjëse për arsimin për planifikimin dhe financimin e punës kërkimore e shkencore.
4. Institucionet arsimore e shkencore dhe personat juridikë e fizikë sigurojnë konsulenca, oponenca dhe asistenca teknike për Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar.
Neni 51
Bazat eksperimentale dhe didaktike
1. Institucionet arsimore, institucione të tjera dhe subjekte juridikë e fizikë kanë të drejtë të ngrenë baza eksperimentale dhe didaktike në fondin pyjor e kullosor publik, për zhvillimin e veprimtarive kërkimore e shkencore, praktikave mësimore të nxënësve e studentëve dhe kualifikimin e specialistëve të pyjeve dhe kullotave.
2. Bazat eksperimentale dhe didaktike ngrihen me urdhër të kryetarit të bashkisë, për fondin pyjor dhe kullosor në pronësi të saj, dhe me urdhër të ministrit, për sipërfaqet në zonat e mbrojtura, në bazë të kërkesës së subjektit të interesuar.
KREU XVI 
SHËRBIMI PYJOR
Neni 52
Organizimi i Shërbimit Pyjor
1. Shërbimi Pyjor organizohet e vepron sipas parimeve të profesionalizmit, pavarësisë, transparencës, shërbimeve ndaj publikut, përgjegjësisë dhe korrektësisë për kryerjen e misionit dhe të detyrave të ngarkuara.
2. Shërbimi Pyjor përbëhet nga:
a) Shërbimi Pyjor në ministri, i cili harton politikat, aktet ligjore dhe nënligjore, shërbimin këshillimor dhe mbajtjen, administrimin e të dhënave të inventarit, planeve të menaxhimit dhe kadastrës kombëtare, për Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar;
b) Shërbimi Pyjor në bashkinë që ka në pronësi pyjet dhe kullotat publike në territorin administrativ të saj.
3. Organizimi i Shërbimit Pyjor në Ministri përcaktohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.
4. Organizimi i Shërbimit Pyjor të bashkisë miratohet nga kryetari i bashkisë, në plotësim të kritereve dhe funksioneve të strukturës përgjegjëse për pyjet dhe kullotata, të miratuara në këtë ligj dhe legjislacioni në fuqi.
Neni 53
Funksionet e Shërbimit Pyjor Publik
1. Shërbimi Pyjor, në Ministri, ka funksion hartimin e politikave të menaxhimit dhe të këshillimit për Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar.
2. Shërbimi Pyjor funksionon në bazë të dispozitave të këtij ligji, akteve nënligjore në zbatim të tij, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi, që lidhen me Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar.
3. Funksionet e Shërbimi Pyjor në bashki, janë:
a) administrimi, qeverisja dhe zhvillimi i fondit pyjor e kullosor publik, në përputhje me politikat dhe strategjitë e miratuara, legjislacionin në fuqi dhe detyrimet që lindin nga marrëveshjet, konventat, protokollet dhe traktatet ndërkombëtarë, ku Republika e Shqipërisë është palë;
b) mbrojtja e fondit pyjor e kullosor publik nga faktorët e ndryshëm biotikë e abiotikë dhe marrja e masave për përmirësimin e gjendjes;
c) përgatitja e projektplanit vjetor buxhetor për të plotësuar nevojat financiare të operacioneve dhe masave teknike, që parashikon të kryejë në sipërfaqet dhe fondin pyjor/kullosor në pronësi, për vitin pasardhës buxhetor;
ç) njoftimi i Inspektoratit të Policisë Pyjore për shkeljet dhe dëmtimet e konstatuara në fondin pyjor dhe kullosor në pronësi të saj;
d) informimi i publikut, grupeve të interesit dhe shoqatave të ndryshme mjedisore për problemet që lidhen me administrimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar;
dh) shërbimi këshillimor, për trajtimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave në përdorim/pronësi të tyre, si pjesë integrale e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar.
4. Punonjësit e shërbimit pyjor publik pajisen me uniformë me shenja dalluese, dokument identifikimi dhe mjete të tjera teknike, të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës, për punonjësit e shërbimit pyjor publik dhe për inspektorët e policisë pyjore, caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 54 
Inspektimi
1. Inspektimi i fondit pyjor kullosor realizohet nga:
a) Inspektorati i Policisë Pyjore, i cili është përgjegjës për kryerjen e  funksioneve kontrolluese në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, pavarësisht formës së pronësisë e administrimit;
b) Inspektorati Pyjor Bashkiak, i cili është përgjegjës për kryerjen e  funksioneve  kontrolluese në fondin pyjor dhe kullosor që administrohet nga bashkia.
2. Inspektorati i Policisë Pyjore:
a) kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për pyjet, kullotat, zonat e mbrojtura, florën e faunën e egër, veprimtarinë e gjuetisë dhe veprimtaritë e tjera, që zhvillohen në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar nga subjektet private e publike, juridike e fizike, si dhe propozon heqjen e lejeve, licencave, certifikatave/zgjidhjen e kontratës, në rastet kur subjektet veprojnë në kundërshtim me këto dispozita;
b) parandalon, zbulon dhe ndëshkon rastet e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretimit dhe degradimit të pyjeve, të tokës pyjore, kullotave dhe livadheve;
c) inspekton strukturat menaxhuese, të ngarkuara me këtë ligj dhe ligje të posaçëm, për mbrojtjen dhe mirëadministrimin e Fondit Pyjor e Kullosor Kombëtar;
ç) kontrollon inspektoratet pyjore bashkiake për zbatimin e procedurave të inspektimit e legjislacionit në fuqi dhe propozon, pranë kryetarit të bashkisë, masa disiplinore për inspektorët;
d) harton rregullore, urdhra e udhëzime për normimin e mbarëvajtjen e punës së Inspektoratit të Policisë Pyjore dhe InspektoratiT Pyjor Bashkiak;
dh) parandalon dhe merr masa, në rastet e shfrytëzimit dhe të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike, eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të fondit pyjor kombëtar, si dhe çdo veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
e) bën kallëzim penal, për shkeljet që parashikohen në Kodin Penal si vepra penale në fushën e pyjeve, kullotave, zonave të mbrojtura e pyjeve me funksion të veçantë;
ë) vendos dënimin administrativ me gjobë, dënimet plotësuese dhe pezullon veprimtarinë e ushtruar nga çdo kundërvajtës;
f) harton dhe përditëson bazën e të dhënave për evidentimin e kundërvajtjeve në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, ecurinë e vjeljes e ekzekutimit të tyre;
g) bashkëpunon dhe mbështet veprimtarinë e shërbimit pyjor të bashkisë;
gj)  bashkëpunon dhe bashkërendon me inspektoratet e tjera, me Policinë e Shtetit dhe me organet e qeverisjes vendore, për parandalimin, kontrollin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve në fushën e pyjeve dhe kullotave.
3. Inspektorati i Policisë Pyjore është pjesë e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve dhe organizimi e funksionimi i tij miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
4. Inspektorët e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së detyrës, gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore.
5. Inspektorët e Policisë Pyjore pajisen me uniformë me shenja dalluese, me dokument identifikimi dhe me mjete të tjera teknike, të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës, caktohen sipas pikës 4, të nenit 53, të këtij ligji.
6. Inspektorati Pyjor Bashkiak:
a) kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për pyjet, kullotat, florën e faunën e egër, veprimtarinë e gjuetisë dhe veprimtaritë e tjera që zhvillohen në fondin pyjor vendor, nga subjektet private e publike, juridike e fizike, si dhe i propozon Inspektoratit të Policisë Pyjore heqjen e certifikatës/zgjidhjen e kontratës, në rastet kur subjektet veprojnë në kundërshtim me këto dispozita;
b) parandalon, zbulon dhe ndëshkon rastet e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretimit dhe degradimit të pyjeve, të tokës pyjore, kullotave dhe livadheve brenda territorit të tij administrativ;
c) bashkëpunon me strukturat e ngarkuara me këtë ligj dhe ligje të posaçme, për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve;
ç) parandalon dhe merr masa në rastet e shfrytëzimit dhe të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike, eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të Fondit Pyjor Kombëtar, si dhe çdo veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
d) njofton Inspektoratin e Policisë Pyjore për shkeljet që parashikohen në Kodin Penal si vepra penale në fushën e pyjeve, kullotave, zonat e mbrojtura e pyjet me funksion të veçantë;
 dh) vendos dënimin administrativ me gjobë, dënimet plotësuese dhe pezullon veprimtarinë e ushtruar nga çdo kundërvajtës, nëse për të njëjtën kundërvatje të të njëjtit shkelës nuk është vendosur dënim administrativ me gjobë, dënim plotësues dhe pezullim veprimtarie nga ana e Inspektoratit të Policisë Pyjore;
e) bashkëpunon dhe mbështet veprimtarinë e Inspektoratit të Policisë Pyjore;
ë) raporton periodikisht, çdo muaj, pranë degës rajonale të Inspektoratit të Policisë Pyjore, mbi rezultatet e inspektimit, sipas formularëve të miratuar nga Inspektorati i Policisë Pyjore;
f) bashkëpunon dhe bashkërendon me inspektoratet e tjera, me Policinë e Shtetit dhe me organet e qeverisjes vendore për parandalimin, kontrollin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve në fushën e pyjeve dhe kullotave;
g) Inspektorati Pyjor Bashkiak është pjesë e bashkisë dhe organizimi i tij miratohet nga kryetari i bashkisë;
gj) Inspektorët vendorë pyjorë pajisen me uniformë me shenja dalluese, me dokument identifikimi dhe me mjete të tjera teknike, të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës, caktohen sipas pikës 4, të nenit 53, të këtij ligji.
7. Bashkia ngre strukturat e saj të inspektoratit pyjor vendor, brenda kufijve territorialë administrativë.
8. Organizimi i administratës së Inspektoratit të Policisë Pyjore dhe Inspektoratit Pyjor Bashkiak bëhet mbi bazën e parimit të profesionalizimit, me personel inxhinier të diplomuar në një nga degët e fakulteteve të shkencave pyjore.
9. Procedurat e inspektimit bazohen në ligjin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
KREU XVII 
KUNDËRVAJTJET NË PYJE DHE KULLOTA
Neni 55 
Kundërvajtjet administrative
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:
1.1 Kundërvajtjet në Fondin Pyjor Kombëtar:
a) Prerja pa damkë, e drurëve, apo prerja pa miratimin përkatës, e pyjeve, filizërisë dhe e fidanëve në fidanishte, në kundërshtim me shkronjat “d” dhe “e” të pikës 1, dhe shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë (kur është me pasoja të rënda përbën kundravajtje penale).
b) Nxjerrja dhe grumbullimi i prodhimeve drusore dhe jodrusore, si fashina, shkarpa, thupra, cungje, petavra, rrënjë drurësh, kucka, hunj, bandiera, lëvore, lule, fruta, fara, sytha, bisqe, degë, drurë dekorativë, shpatulla, kalema, hala, boçe, gjethe, zhuka, kallamishte, rrëshirë, plisa, bar, rrënjë, zhardhokë, qepë, kërpudha, myshqe, humus, lëgushë, torfë, dhé, gurë, zhavorr dhe rërë, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
c) Nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e të llojeve të tjera të drurëve pyjorë, gjatë periudhës së vegjetacionit, në kundërshtim me shkronjën “g”, të pikës 1, të neni 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë me vlerë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në                 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë;
ç) Mbledhja e prodhimeve të dyta, si bimë mjekësore, eterovajore e tanifere, bimë të rralla e të kërcënuara, e të tjera të kësaj natyre, pa miratim, në kundërshtim me shkronjën ”ç”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë dhe, kur mbledhja bëhet me mënyra që sjellin degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
d) Kullotja e bagëtive në pyjet e rinj, në filizëri, në pyllëzime e reja, në fidanishte, në ngastrat gjenetike e eksperimentale dhe në pyjet mbrojtës, në kundërshtim me shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
dh)  Krasitja për gjethe, kositja dhe grumbullimi i barit në fondin pyjor, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “d”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 8 000 (tetë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
e) Ndërhyrjet me punime të ndryshme në ligatinat dhe dunat bregdetare, pjesë përbërëse të fondit pyjor kombëtar, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “e”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë;
ë) Ndërhyrjet për pyllëzime apo pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë së tokave pyjore, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “ë”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë;
f) Ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara, në kundërshtim me shkronjën “dh”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
g) Prishja e shenjës së damkës në dru apo përdorimi i çekiç-damkës nga persona të paautorizuar dhe nga një zonë pyjore në tjetrën, në kundërshtim me shkronjat “g” dhe “gj”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
gj) Ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit në fondin pyjor, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “f”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
h) Ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, parkimi i automjeteve brenda fondit pyjor, në kundërshtim shkronjën “g”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe, kur kryhet në fondin pyjor të deklaruar me funksion mbrojtës e të veçantë, në kundërshtim me shkronjën “h”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
i) Ndryshimi i zërit kadastral nga pronari privat apo bashkia, në kundërshtim me procedurat ligjore në fuqi, sipas nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në         100 000 (njëqind mijë) lekë;
j) Mosraportimi nga bashkia dhe pronari privat i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor e kullosor kombëtar dhe në tokën pyjore, në kundërshtim me nenin 14, të këtij ligji, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe pronarin privat dhe dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
k) Transferimi i të drejtave të siguruara nga kontrata e trajtimit, shfrytëzimit dhe përdorimit në fondin pyjor kombëtar, në kundërshtim me nenin 32, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
l) Transporti, me automjete apo mjete të tjera, i materialit drusor, nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në qendrat e përpunimit e të shitjes, i pashoqëruar me dokumentacionin që provonon origjinën e tij, në kundërshtim me pikat 2 e 17, të nenit 32, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 000 (treqind mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
ll) Tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet, në kundërshtim me shkronjën “i”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
m) Mosripyllëzimi i sipërfaqeve ose brezave pyjorë pas prerjeve rrah, të llojeve që nuk ripërtërihen në rrugë natyrore, si dhe mospyllëzimi/ ripyllëzimi nga ana e personave fizikë/juridikë për sipërfaqet që hiqen nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 36, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) deri 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;
n) Eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, druve të zjarrit dhe asortimenteve që rrjedhin nga tjetërsimi i tyre, si edhe i qymyrit të drurit, në kundërshtim me pikën 15, të nenit 32, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) deri 200 000 (dyqind mijë) lekë.
1.2 Kundërvajtjet në Fondin Kullosor Kombëtar:
a) Kullotja pa miratim dhe në kullota të tjera, veç atyre të miratuara, në kundërshtim me shkronjën “d”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) Kositja e barit në livadhe, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “d”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
c) Kullotja e bagëtive në ngastrat eksperimentale, në sipërfaqet ku kryhen punime përmirësuese ose që janë të degraduara e të lëna pushim, në kundërshtim me shkronjën “f”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) Ndryshimi i destinacionit të veprave të ujit të pijshëm për blegtorinë dhe dëmtimi i infrastrukturës, në kundërshtim me shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
d) Ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë dhe të kapacitetit të kullotave e livadheve, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “ë”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë;
dh) Përdorimi i plehrave kimike dhe i pesticideve, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “dh”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
e) Prerja e drurëve të veçuar dhe e shkurreve, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë;
ë) Pastrimi i kullotave dhe i livadheve, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “d”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë;
f) Transferimi i të drejtave te të tretët, me nënkontratë, për kullotje apo kositje, në kundërshtim me pikën 9, të nenit 34, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
1.3 Kundërvajtjet në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar:
a) Ndërtimi i objekteve dhe zhvillimi i veprimtarive që shkaktojnë degradimin dhe gërryerjen e tokës, në kundërshtim me shkronjën “j”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 300 000 (treqind mijë) lekë;
b) Mosnjoftimi i Inspektoratit të Policisë Pyjore nga bashkia, për shkeljet dhe dëmet e konstatuara, në kundërshtim me shkronjën “d”, të pikës 3, të nenit 53, të këtij ligji, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe dënohet me gjobë, me vlerë 10 000 (dhjetë mijë) lekë, ndërsa, për fondin pyjor/kullosor privat, ngarkon me përgjegjësi pronarin dhe dënohet me gjobë, me vlerë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
c) Nxjerrja e gurëve, plisave, rrënjëve, cungjeve, marrja e dheut, rërës dhe zhavorrit, kur pasojat materiale janë të lehta, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me shkronjën “gj”, të pikës 2, të nenit 16, të këtij ligji,  dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë dhe, kur pasojat janë të rënda, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në  300 000 (treqind mijë) lekë;
ç) Prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese apo treguese, të vendosura në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, në kundërshtim me shkronjën “k”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga       15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë;
d) Hedhja e mbetjeve brenda sipërfaqes së fondit pyjor e kullosor kombëtar dhe jashtë vendeve të caktuara, në kundërshtim me shkronjën “l”, të   pikës 1, të neni 16, të këtij ligji, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 300 000 (treqind mijë) lekë; shkarkimet e kimikateve, të ujërave të ndotur industrialë, në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, në kundërshtim me shkronjën “ll”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
dh) Gërrmimi për karriera të çdo lloji, që përdorin lëndë plasëse, pa miratimin përkatës, në kundërshtim me pikën 2, të nenit 34, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
e) Mosrealizimi i masave apo punimeve të parashikuara në projekte në fondin pyjor dhe kullosor, në kundërshtim me nenin 27 dhe pikën 9, të nenit 32, të këtij ligji, dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 000 (treqind mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
 ë) Mosdërgimi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit brenda afatit ligjor të përcaktuar në pikën 18, të nenit 32, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 000 (treqind mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
2. Në varësi të dëmit mjedisor që shkaktojnë e të pasojave që sjellin në pyje, shkeljet e parashikuara shprehimisht, në pikën 1, të këtij neni, vlerësohen me pasoja të rënda, kur:
a)  janë kryer në një zonë pyjore me funksion mbrojtës, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit për të cilin ka marrë atë status, të cilësuar të tillë në planet e mbarështimit ose me akte ligjore e nënligjore;
b) janë kryer në parcelat eksperimentale e studimore të pyjeve, kullotave e livadheve, duke bërë të pamundur vazhdimin e eksperimentimit e të studimit shkencor;
c) kanë dëmtuar grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore të paracaktuara për konservim, germoplazmë, in situ dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës;
ç) kanë shkatërruar një monument pyjor natyror, të miratuar me një akt normativ;
d) kanë asgjësuar, me prerje, me shkulje, me marrje, individë të llojeve të rralla të florës, të rrezikuara e që gëzojnë status të veçantë mbrojtjeje;
dh) ka shkatërruar cilësitë e një habitati konkret.
Neni 56
E drejta e procedimit
1. Të drejtën e procedimit administrativ, për zbatimin e këtij ligji e ka Inspektorati i Policisë Pyjore, për kundravajtjet në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, pavarësisht formës së pronësisë, ose inspektorët pyjorë bashkiakë, për pyjet e kullotat që administrohen nga bashkia.
2. Procedimet penale bëhen nga struktuarat rajonale të Inspektoratit të Policisë Pyjore.
3. Përmbajtja dhe modelit i procesverbalit për kundërvajtjet në pyje dhe kullota, si për Inspektoratin e Policisë Pyjore edhe për inspektorët vendorë pyjorë, miratohet me urdhër të Ministrit.
Neni 57
Vlerësimi i dëmit
1. Kryerja e vlerësimit të dëmit të shkaktuar në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar është detyrë e Inspektoratit të Policisë Pyjore dhe Inspektoratit Vendor Pyjor, në bashkëpunim me shërbimin pyjor të bashkisë.
2. Në rastet e dëmit të shkaktuar në fondin pyjor e kullosor kombëtar, Inspektorati i Policisë Pyjore njofton bashkinë, pronarin privat dhe strukturën përgjegjëse për zonat e mbrojtura, për dëmin e vlerësuar prej tij, dhe u përcjell atyre të gjithë praktikën përkatëse.
3. Bashkia, pronari privat dhe struktura përgjegjëse për zonat e mbrojtura kërkojnë shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga kundërvajtësi në fondin pyjor e kullosor kombëtar, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Vlera e dëmit të shkaktuar në pyje dhe kullota përcaktohet referuar çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar pikës 5 të nenit 32 të këtij ligji.
Neni 58
Vendimi për kundërvajtjet
1. Inspektori i Policisë Pyjore ose inspektorët vendorë pyjorë marrin vendimin për dënimin administrativ për kundërvajtjet e  parashikuara në nenin 55, të këtij ligji, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
2. Vendimi për kundërvajtjen administrative përmban dënimin me gjobë për kundërvajtësin/t dhe dënime plotësuese, si më poshtë vijon:
a) Sekuestrimin e mjeteve dhe automjeteve që kanë shërbyer për kryerjen e kundërvajtjes;
b) Sekuestrimin e çdo vlere monetare dhe material lënde drusore e jodrusore, bime medicinale, florë dhe faunë, të përfituar nëpërmjet kundërvajtjes;
c) Pezullimin e veprimtarisë dhe çmontimin e instalimeve.
3. Inspektorati i Policisë Pyjore ia dorëzon, në ruajtje të përkohshme, mjetet dhe materialet e sekuestruara, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, bashkisë ose pronarit privat, sipas pronësisë së fondit pyjor e kullosor ku është realizuar kundërvajtja, deri sa vendimi për kundërvajtjen administrative merr formë të prerë. Në rastet e procedimit nga Inspektorati Vendor Pyjor, dorëzimi për ruajtje të përkohshme të mjeteve dhe materialet e sekuestruara, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, i bëhet shërbimit pyjor të  bashkisë.
4. Mjetet dhe materialet e sekuestruara, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, pasi vendimi për kundërvajtjen administrative lihet në fuqi me vendim të formës së prerë, kalojnë në administrim të bashkisë ose pronarit privat, në varësi të formës së pronësisë të fondit pyjor e kullosor, dhe administrohen prej tyre, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Kur kundërvajtja administrative kryhet në zonat e mbrojtura, Inspektorati i Policisë Pyjore ia dorëzon, në ruajtje të përkohshme,  mjetet dhe materialet e sekuestruara, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, strukturës përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe, pasi vendimi për kundërvajtjen administrative merr formë të prerë, ato administrohen sipas legjislacionit në fuqi.
6. Dorëzimi i mjeteve dhe materialeve të sekuestruara bëhet me procesverbal, të nënshkruar nga palët.
7. Në rastet e sekuestrimit të lëndës drusore, pas dorëzimit bashkisë, nga ana e Inspektoratit të Policisë Pyjore ose inspektorëve pyjorë bashkiakë, bashkia gëzon të drejtën t’ia shpërndajë atë pa pagesë, institucioneve të arësimit parauniversitar, në administrim të saj, me qëllim përmbushjen e nevojave të tyre.
Neni 59
Detyrimi për kallëzim penal
Bashkitë, pronarët privatë, Inspektorati i Policisë Pyjore, administruesit,  personat juridikë e fizikë dhe strukturat e tjera shtetërore, kanë detyrimin ligjor të bëjnë kallëzim penal në rastet kur, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal, veprimi i kundraligjshëm në fondin pyjor ose kullosor konsiderohet vepër penale.
Neni 60
Ankimi dhe ekzekutimi i sanksioneve 
administrative
1. Ndaj vendimit të dhënë në zbatim të nenit 58, të këtij ligji, bëhet ankim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
2. Procedurat e ekzekutimit të vendimit të dënimit me gjobë bëhen në përputhje me ligjin përkatës për kundërvajtjet administrative.
KREU XVIII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 61
Skema e licencimit FLEGT
1. Skema e licencimit FLEGT përbën një grupim rregullash dhe procedurash për importin e disa produkteve të drurit, që zbatohet nëpërmjet marrëveshjeve të partneritetit me shtetet që prodhojnë dru/lëndë druri.
2. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e skemës së licencimit FLEGT miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për pyjet.
Neni 62
Transferimi i pyjeve dhe kullotave
Transferimi i pyjeve dhe kullotave, në pronësi të bashkive, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 63
Pezullimi i përkohshëm
1. E drejta e shfrytëzimit të fondit pyjor publik/privat dhe e tregtimit të produkteve të saj pezullohet për një periudhë 10-vjeçare, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, me përjashtim të plotësimit të nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, rasteve të ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor, referuar nenit 36, të këtij ligji, pastrimit të mbeturinave dhe pastrimit sanitar të pyjeve. Plotësimi i nevojave të banorëve të bashkive bëhet sipas procedurave të përcaktuara me vendimin, referuar pikës 2, të nenit 32, të këtij ligji.
2. Shkelja e pezullimit, referuar pikës 1, më lart, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në vlerën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
3. Për zbatimin e këtij neni ngarkohen strukturat e caktuara me urdhër të Kryeministrit.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji pezullohen edhe të drejtat ekzistuese për shfrytëzimin e fondit pyjor publik, të fituara sipas procedurave ligjore në fuqi.
Neni 64
Shfuqizimi i dispozitave ligjore
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen ligji nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe ligji nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar.
Neni 65
Vazhdimi i efekteve juridike të disa 
akteve nënligjore
Aktet nënligjore, që vazhdojnë të kenë efekt juridik, për aq kohë sa nuk bien në kundështim me këtë ligj, deri në shfuqizimin e tyre me akt nënligjor të veçantë, janë:
a) Vendimi nr.391, datë 21.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar;
b) Vendimi nr.48, datë 31.1.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës dhe të pajisjeve e të mjeteve të tjera, në përdorim të punonjësve të Shërbimit Pyjor”;
c) Vendimi nr.396, datë 21.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e transferimit dhe të përdorimit të pyjeve nga njësitë e qeverisjes vendore”;
ç) Vendimi nr.22, datë 9.1.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve të administrimit të pyllit komunal”;
d) Vendimi nr.394, datë 21.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së materialit drusor e prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore”;
dh)  Vendimi nr.887, datë 19.12.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve shtetërore për kullotje dhe kositje”;
e) Vendimi nr.1374, datë 10.10.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave që ndiqen për heqjen, shtimin dhe ndryshimin e destinacionit të fondit kullosor”;
ë) Vendimi nr. 1354, datë 10.10.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret për caktimin e vlerës së dëmit të shkaktuar në fondin kullosor”;
f) Vendimi nr.1353, datë 10.10.2008, i Këshillit të Ministrave,  Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”;
g) Udhëzimi nr.3, datë 22.6.2007, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Mbi procedurën e miratimit të planeve të mbarështimit të pyjeve dhe kullotave komunale”;
 gj) Udhëzimi nr.4, datë 12.9.2008, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për mbajtjen e kadastrës së fondit pyjor dhe kullosor”;
h) Rregullorja nr.4, datë 19.9.2008, e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për funksionimin e komisionit teknik për shqyrtimin e planeve të mbarështimit të pyjeve”;
i) Udhëzimi nr.5, datë 13.9.2006, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për kërkesat teknike të caktimit të ngastrave e nënngastrave për shfrytëzim, të damkosjes së drurëve, të prerjes e asortimit, të transportit e stivosjes së materialit drusor në anë të rrugës”;
j) Urdhri nr.360, datë 19.9.2008, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për ngritjen e komisionit teknik për shqyrtimin e planeve të mbarështimit të pyjeve”;
k) Udhëzimi nr.4, datë 10.4.2008, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për kriteret teknike të klasifikimit të kullotave  e livadheve dhe procedurat për dhënien e tyre për kullotje e kositje bari”;
l) Udhëzimi nr.4, datë 22.4.2013, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për përcaktimin e kritereve të konkurimit dhe procedurën e dhënjes në përdorim, me kontratë qiraje, të fondit pyjor dhe kullosor publik”;
 ll) Udhëzimi nr.4, datë 23.8.2007, i Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për organizimin e ankandit të shitjes së lëndës drusore në pyjet publike”, të ndryshuar;
m) Urdhri nr.1959, datë 10.11.2014, i Ministrit të Mjedisit, “Për procedurat e eksportit të produkteve drusore të përpunuara, ndalimin e përkohshëm të eksportit të qymyrit të drurit dhe kufizimin për eksport të druve të zjarrit”.
Neni 66
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 4, pika 5; 5, pika 5; 8, pika 3; 14, pika 6; 26, pika 4; 28, pika 4; 29, pika 2; 30, pika 1; 32, pikat 2 e 5; 34, pika 12; 36, pika 6; 53, pika 4; 61, pika 2; dhe 63, pika 1, të nxjerrë, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore në zbatim të tij.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për administrimin e fondit pyjor e kullosor publik që, në zbatim të neneve 6, pika 2; 16, pika 3; 23, pika 4; 23, pika 3; 56, pika 5; 8, pika 2; 9, pika 2; 12, pika 4; 19, pika 2; 21, pika 2; 23, pika 6; 24, pika 4; 27, pika 4; 34, pikat 3 e 5; dhe 26, pika 3, të nxjerrë, brenda          6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore në zbatim të tij.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri që, në zbatim të pikës 5, të nenit 41, të nxjerrin udhëzimin, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 67
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike nga data 1 janar 2016.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADMINISTRIMIN E FONDIT PYJOR DHE KULLOSOR KOMBËTAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.